Naser Aliu: Jeta ime
| E shtune, 07.11.2009, 07:59 PM |
Naser Aliu
Jeta ime
Unë gati e përjetova jetën
Gati e jetova
Dhe gati po vjen dita të shkoj
Pa mësuar as pse erdha, as pse jetova këtu
E as pa kuptuar, pse gati duhet të shkojë atje !
Megjithëkëtë, unë duhet të shkojë një ditë!
Ndoshta si shkoi Krishti, me vuajtje apo si shkoi Nënë Tereza në skaj të botës
Kjo nuk dihet akoma, por një gjë është pothuajse e sigurt: do të ikë gati si Homeri!
Do të mbyllen portat pas
Do të fshihen lotët
Do hapet varri
Do të fshihem nga kompjuterët e Zyrës për të Huaj
Mjeku do t´i asgjësojë aktet e mia
Medikamentet do të hidhen
Do të hidhen teshat në bërllok: zhiletët, furça e dhëmbëve dhe syzat e leximit
Dy a tri ditë më vonë
Dy a tri ditë më vonë, do të vuloset dhe nënshkruhet certifikata e vdekjes
Vërtetimi zyrtar, me vulë e firmë! Edhe zyrtarisht i vdekur
Dhe,
prej atij çasti
prej atij çasti, nuk bart më përgjegjësi për llogarinë e celularit: as të tatimeve,
as të banesës, as nuk mund të ndiqem penalisht
Si nuk mund të ndiqet Millosheviçi!
Mirëpo, për mëkatet e mia eventuale, për ato mëkate duhet të skuqen pasardhësit
E Serbia?
Arkivolin,
arkivolin dhe gurin e varrit duhet ta zgjedhin bashkëshortja dhe fëmijët
Aty shkrofshin:
“ U lind ku i pëlqeu balta ëmbëlake, në një cep të Arbërisë
Kaloi jetën ku e zemëruan retë e zymta, kompakte; në një skutë të botës
Perëndoi në mërgim, si qindra mijëra shqiptarë, të harruar
dhe u ndje i braktisur, si ata dhe i sfilitur gati si Krishti!
Pati pika lotësh të ngrirë në sy, si ata, deri në varr, për Mëmë-Dheun!
Nuk ia fshimë ato kristale!
Dëshmitë e jetës së tij, si prova gjallimi u shpjeguan!
Dhe, dhuroi atë që nuk fali njeri!”
Politika,
politika ia humbi caqet e jetës, dëshirat, e shteroi!
E shteroi malli për nënën e dogji, nëma e rëndë e mori, tradhtia!
Vdiq gati si qen i zgjebosur, i vetmuar, i pavlerë në mërgim,
edhe pse gati nuk kuptoi kurrë, pse gati jetoi dhe pse tërësisht vdiq!
Me grushte, me lopata do të derdhet dheu
Lopata dhe dheu do përzihen me muzikën në prapaskenë: “ Shqipëri oj Nëna ime...!”
Dëshira e fundit e ish-njeriut,
tani i degraduar në kufomë: në kufomë të ftohtë, elegante
Dëshira e fundit t´i marrë me vete:
tingujt, gërxhet, çukat, bregoret, e lisat e gjatë nga bëhen dërrasat e mira...
Varrit,
varrit do t´ i kthejnë shpinën pesë apo gjashtë veta,
(Kortezh mërgimi)
Dhe, do largohen me hapa të rëndë e kokëvarur
Të përlotur e fjalëpakë, do të ikin
Tani,
tani nuk mund të thuhet gati vdiq, si thuhet kur mbijetohet fatkeqësia
por vdiq përnjëmend!
Eshtrat,
eshtrat mos i merrni në Atdhe, kurrë
edhe nëse dikujt i teket se mund të prodhojnë ndenja krenarie,
dalldi fitimprurëse,
për shtetet private,
për politikanin dyfytyrësh, që çmon njeriun e vet vetëm të shtrirë,
në arkë,
kur e ka nofullën e kyçur apo gojën e mbyllur apo buzët e qepura
kur nuk bëzan
Jo derisa të jetë gati i gjallë!
Pak i gjallë!
Apo krejtësisht i gjallë!
Jo kur lëvizë gjuhën!
Vetëm skelete pret ai për riciklim meritash!
(Ai pret, pas ndonjë dekade do kthehen avion me kufoma drejt atdheut!)
Mua
mua, nuk ma nxiu jetën Millosheviçi personalisht;
shërbëtori tij, shqiptari!
Dhe, këtij dashnori të Serbisë, i dhuroj edhe varrin tim
I dhuroi të pafalshmen!
Atë copë toke të shtrenjtë, që ruan atdheu edhe për tradhtarët e cofur,
edhe për spiunët e ngordhur
Dhe, le të shtrihet gjerë e gjatë aty,
në dy varre,
në sallon-varr,
krahëhapur apo përmbysur apo si “X”,
le të shtrihet sufleri, në mauzole me qefinin e vet
si mumie egjiptiane, si faraon me stringla
të ngazëllehet edhe aty,
si u eksitua me dramën që më dhuroi
Ky është shkëmbim publik i dhuratave:
i jap falas gropën time me vargje, hapur
Ia fal edhe mëkatin ndaj meje, ia falë dy dhurata
sepse është shqiptar, si unë
Jo siç ma vodhi ai jetën me ndërsimin e policisë, tinëz!
fshehtas, vesh më vesh, gati i padukshëm...
Por, megjithëkëtë, më grabiti ëndrrën, sedrën dhe motivin!
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.