Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kristaq Turtulli: Poemth për prindërit

| E enjte, 05.11.2009, 08:07 PM |


   Kristaq Turtulli

   POEMTH PËR PRINDËRIT
    
   U tërhoq dielli në heshtje,
   pa vështruar përqark,
   I nervozuar,
   i fyer,
   I thanë të ka skaduar leja e hyrjes,
   për të dhenë dritë.

   Hëna verdhashe, tinëzare,
   shndruar në drapër, donte të krasiste yjet,
   Ti bënte të shëmtuar, kataroshë
   qerosë,
   lapangjozë...

   Katarakti e ëndrrës ngriu, ngeli e varur në kujtesë,
   si një relikt e vjetër e shpërdoruar,
   nuk mundën të shkëndijonin më
   gurët e kalldrëmeve të shpresës.
   Ishte bërë natë...

     Hija e gjatë e babait,përkulej,
     luhatej,
    e lodhur,  
    e munduar,
    ngjitej nëpër rrugët e kalldrëmta të qytetit,
    që e donte aq shumë,
     duke tërhequr si hamall i sprovuar,
    Pallton e vjetër gri të reve,
    halleve,
    persekutimeve.
    Rrëkeja e djersës së tij pikëlonte përdhe në kalldrëme,
     rridhte tutje,
    së bashku me pengun e pathënë,
    dritën e paparë,
    shpresën e vrarë.

    Qyteti ishte bërë memec, i ishte tharë gjuha,
    shurdhuar,verbuar.
    Sytë e qytetit ishim mbushur me sklepa.

    Flokë argjenda nëna ime,
    me zemër e ndjente ardhjen e babait,
    Loti i saj lante pastronte gurët e kalldrëmeve,
    të përzinte terrin e natës,
    ligësinë, poshtërsinë.
    Përpara se të shkelte:
    I heshturi,
    i ndershmi,
    i vuajturi,
     babai.

    Nëna e donte buzëqeshjen,
    dritën e diellit, gazmendin e çiltër,
    të gjitha i donte.
    Ato ishin larg, ishin ndërprerë,
    Qysh kur fyen, nervozuan diellin, kur i thanë,
    të ka skaduar leja  hyrjes.

    Nëna gjithnjë si nënë.
    hapte zemrën, shtrinte krahët,
    Ftonte diellin, të flakte tej zemërimin,
    Njerëzit janë çiliminj të prapë,
     nuk dinë seç bëjnë.
    Dielli në heshtje përtypte mërinë.

    Shpejtonte nëna të mblidhte xixëllonjat e fshehura nëpër hatulla.
    Për të krijuar rrëkenë e vogël të dritës.
    Palltoja e gjatë, gri e halleve,
    nuk kishte vetëm babanë nën vete.
    Por gjithë botën e madhe.

    Nxitonin duart e nënës, dridheshin,
    Xixëllonjat kërkonin të iknin, të shkisnin, zhurmonin,
    Nëna mblodhi disa copëza,
    Oshtinin hapat e babait mbi kalldrëm,
    Nëna shtriu krahët përpara, hapi gishtërinjtë,
    hodhi mbi të dashurin të voglat dritëza.
    Vetëtimthi derdhi shikimin mbi mua, duke thënë:
    Vocërrak, vrapo mbas rrëkesë së dritës,
    të gjesh lumin e shpresës
    jetës....

Toronto 2009