Gani Mehmeti: Vushtrria, më afër me Amerikën sesa me Prishtinën!
| E marte, 03.11.2009, 08:28 PM |
Problemet e persona me aftësi të kufizuarVUSHTRRIA, ME AFER ME AMERIKEN SESA ME PRISHTINEN! Miniolimpiada, e organizuar nga OPFAKKOS-i (Organizata e Prindërve të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuar të Kosovës) “Prindi dhe Fëmija” u mbajt në Vushtrri më 26 e 27 shtator 2009 në lokalet e Qendrës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim në Vushtrri. Listës së gjatë të ftesave nga kjo Organizatë për të marrë pjesë në hapjen e saj, nuk iu përgjigjën askush përveç përfaqësuesëve të Ministrisë së Kulturës përmes Agron Gashit nga Drejtoria e Sporteve të Kosovës, si dhe, nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ishte nikoqire e manifestimit dhe sponzor gjeneral.Ndoshta duhet të jesh i madh që të dukesh nga larg, ndoshta do të duhej të jesh me ndikim, ndoshta do të duhej të kenë interes nga ti të tjerët që të të vijnë e të të ndjekun në manifestime, të të urojnë (a dëshirojnë) suksese, ndoshta do të duhet të kesh mundësi t`u apësh dreka e darka, apo nuk e di se çfarë do të duhet të bësh edhe për qeveritarët, edhe për gazetarët, për ministrat a zëvendësministrat si dhe për mediat që ata të të përcjellin këmba-këmbës, në çdo aktivitet, jo vetëm për organizime aktivitetesh në nivel shtetëror, por edhe në nivele më të ulëta. E, vërtet, ne nuk jemi të mëdhenj, ne mezi qëndrojmë, mezi mundemi t`i organizojmë këto aktivitete e të mbajmë ndonjë takim me kryesi më shumë rrugëve, klasave të fakulteteve, veturave e shtëpive tona, sepse na mungon edhe zyra në Prishtinë, derisa nëpër disa komuna kemi arritur t`i kemi disa sosh.Ne, kemi me vite e muaj që kemi kërkuar të takohemi me ministra, zëvendësministra, kryetarë komunash, drejtorë drejtorishë të ndryshme, por nuk kemi arritur. Madje as që u shkon deri në vesh kërkesa jonë nga sekretarë e nënsekretarë, sekretaresha e nënsekretaresha që i vejnë si pararojë për t`u “mbrojtur” nga më të dobëtit, nga ajo kategoria e njerëzve më të mbetur, të cilët sikur kanë nisur të “çojnë” krye për t`i kërkuar disa të drejta, disa kushte për vete që të mund të zhvillojnë disa nga aktivitetet e tyre për të treguar se edhe ata janë gjallë dhe se nuk janë krejt të mbetur, por bëjnë edhe çudira!Kemi kohë që kemi kërkuar një zyrë për të zhvilluar aktivitetet tona, por më kot. Askund nuk të presin, askunsh nuk ndalet të bisedojë me ne. Sikur jemi tërësisht të lënë anash nga shoqëria jonë.(Eh, kohëra, o kohëra! Kujtojmë qershorin e vitit 2003, kur po mbanim Miniolimpiadën për herë të parë në Sallën e Madhe “Një tetori”! Aso kohe ishin të pranishëm përfaqësuesit më të lartë të shtetit të Kosovës. Sa madhështore ishte kur shihnim në të Kryetarin e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën, komandantin e KFOR-it, Fabio Minin, Kryeministrin Bajram Rexhepin... Madje, aso kohe KFOR-i kishte marrë Kryetarin Rugova dhe shtatë a tetë fëmijë me aftësi të kufizuar, i kishte ngarkuar në helikopter dhe i kishte shëtitur nëpër Kosovë për disa minuta...! Sa madhështore ishte kjo Miniolimpiadë! Po, ishte madhështore sepse ishin të gjithë të pranishëm: Kur është i pranishëm kryetari is htetit, aty është i gjithë shteti, i gjithë populli, sepse popullin e përfaqëson ai. Kur është i pranishëm kryeministri, aty është qeveria e pranishme, sepse qeverinë përfaqëson, e kur është KFOR-i, aty ke forcën e sigurinë më të madhe. Një ëndërr e së kaluarës, por e përjetuar!)Jo, jo! Edhe pse nuk ishin nga djemtë tanë, unë citova dy vargjet e njohura të të madhit Fan Noli: “Mbahu nëno, mos ke frikë Se ke djemtë në Amerikë!Dhe a dini para kujt i citova? Para vetë përfaqësuesëve të Ambasadës së Amerikës në Prishtinë! Këta erdhën, na gjetën, kishin dëgjuar – dhe, na vizituan. Unë i konsiderova më shumë sesa t`i kishim djem tanët, prandaj ua citova këto dy vargje nga emocionet që kisha me rastin e vizitës. Po, sepse tanët nuk na vizituan. Ata nuk kanë kohë, sepse ne rregullisht këto aktivitete i organizojmë të shtunave dhe të dielave që të mos pengojmë punën e shumkujt e edhe të vetë organizatorëve, edhe të stafit nikoqir, sepse ditëve të tjera i kanë punët e tyre, të cilëve u jemi shumë-shumë mirënjohës sepse këta nuk përtojnë t`u shërbejnë fëmijëve dhe të rriturve me aftësi të kufizuar dhe përcjellësve të tyre edhe ditëve të vikendit. Madje, nuk i sheh ndryshe, por vetëm buzagaz, të çelur, të hapët, të gatshëm për çfarëdo lloj ndihme qoftë që mund t`i ndodh njeriut. Këta kishin paraparë gjithçka, që ndoshta unë as nuk di t`i numëroj, sepse nuk më shkon as mendja. Por ishin ngritur në këmbë, pa i parë kurrë ulur brenda Qendrës, me staf udhëheqës të Qendrës, me mjekë, me infermiere, me drejtorë, me kuzhinierë, me të gjithë, me të gjithë. Ndoshta ishin më të mobilizuar këto dy ditë sesa ditëve të punës, dhe po, sepse kishin brenda rreth 400 veta, të cilëve edhe ushqimin ua dërgonin secilit në tavolinë, pa lejuar që ata vetë të marrin ushqimin. Në asnjë hotel, në asnjë motel, në asnjë gazmend familjar njeriu nuk mund t`u shërbejë më mirë e më shpejt se që na shërbenin neve këta. Kjo është diçka shumë e madhe, sa nuk mund të përshkruhet me fjalë.Të mos harrojmë të cekim se këta kanë bërë transportin me autobusë anekënd Kosovës deri në Qendër dhe anasjelltas, duke i kthyer deri ne vendet nga ku i kanë marrë. Këta i kanë pranuar, vendosur e sistemuar nëpër dhoma e krevatë, këta edhe i kanë ushqyer, siç thamë më lart.Dhe neve, nuk na vjen keq pse nuk ishte nje stacion televiziv i pranishëm për të pasqyruar e regjistruar lojërat sportive të atyre me aftësi të kufizuar, por, si të bëhet një punë kaq e madhe nga kjo Qendër, nga këta punëtorë e të mos publikohet, të mos thuhet e të mos filmohet asnjë fjalë për ta! Ku janë gazetarët tanë, të cilët nganjëherë përpiqen të gjejnë vetëm njollat, vetëm pikat e zeza për të shkruar? Ku është ai Besniku, i cili akuzon për kanosje! Përse nuk kishte ardhur në Vushtrri, kur të gjitha mediat, elektronike e të shkruara, i kanë pasur ftesat, përveç “KOSOVA SOT”, sepse ishte paksa larg kësaj radhe për kushtet dhe mundësitë tona. Tani mendoj: O Zot, shyqyr që nuk na ndodhi diçka e keqe, se do te na mbulonin gazetarët! Dhe, kurrë mos i ndodhtë kujt! Por, kësaj radhe, ne ishim të lirë prej tyre, shumë ngadalë dhamë intervistë Radio KFOR-it dhe Revistës Four You, të cilët pa përtesë na vizituan. Por, munguan tërësisht mediat kosovare!Me këtë rast shprehim mirënjohjet më të përzemërta Ministrisë së punëve të Brendshme, Qendrës për Siguri, Edukim e Zhvillim në Vushtrri, Drejrtorisë së Sporteve të Kosovës (Ministria e Kulturës) dhe Ipkos për ndihmën dhe përkrahjen që na e kanë dhënë në mbajtjen e Miniolimpiadës “KOSOVA – 2009” në Vushtrri, mbajtur më 26 e 27 shtator 2009. Lojërat e disiplinave sportive kishin karakter garash, duke u kualifikuar në tri vendet e para, si ato ekipore, ashtu edhe ato individuale.Tani, meqë mediat kosovare, si ato te shkruara, si ato elektronike munguan tërërsusht, kjo Miniolimpiadë u vizitua nga gazetarlët e Radio KFOR-it dhe revista For You, për çka shihet se Prishtina është më larg Vushtrrisë sesa KFOR-it. Më poshtë ua dërgojmë edhe disa nga fotografit e lojërave t’ zhvilluara në Miniolimpiadë. Prishtinë, Kryetari i OPFAKKOS-it, Më 27. IX. 2009 Gani Mehmeti
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.