Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Viron Kona: Drithërimat e Yjeve (IV)

| E enjte, 05.11.2009, 07:22 PM |


Viron Kona

Drithërimat e Yjeve

(Roman)

4.
-Sot do të vjelësh rrush, - më thotë Dhimoja, - kurse argatët e tjerë, shqiptari dhe rusi do të punojnë në një ndërtesë në fshat.
E pres me qejf këtë lajm për vjeljen e rrushit. Më duket se është një punë që mund ta kryej pa shumë lodhje e vështirësi.
          

Dhimoja më thotë të hipi në makinë dhe nisim të udhëtojmë në një rrugë që të çon mbi fshat. Anash rrugës shfaqen kodra të mbuluara me pisha e bredha të gjelbër dhe ujëra të rrjedhshëm, që gurgullojnë me zhurmë. Më tej rruga vazhdon në një malore plot kthesa të forta, që të shpie në një tjetër kodër më të lartë prej nga ku duket i gjithë fshati dhe sipërfaqja e shndritshme e detit. Pamja është vërtetë tërheqëse dhe më sjell ndërmend Llogoranë, rrugën e saj dredha- dredha. Thonë se inxhinieri austriak, që u ngarkua me piketimin e rrugës së Llogorasë vendosi mbi një mushkë thasë të mbushur me rërë, i shpoi thasët dhe e vuri mushkën të ecte. Rëra që binte nga thasët e shpuar, krijonte një vijë të hollë rëre, e cila shënonte dhe rrugën që kemi sot… Kështu thuhet, por mbase, ajo rrugë e rrallë, është “piketuar” dhjetëra shekuj më parë nga kalorës të Cezarit, i cili, kur ishte në luftë me Pompeun, zbarkoi në Palasë, kapërceu malin e Llogorasë (diku në anë të rrugës, edhe sot një shesh mes pishash, ruan emrin “Sheshi i Çezarit”) dhe zbriti në Orik, të cilin e mori pa luftë. Ai e detyroi të dorëzohej garnizonin që kishte lënë aty Pompeu. Por, mbase, rruga është hapur nga fisi ilir i kaonëve, paraardhësve të himariotëve të sotëm…
Shkëputem nga mendimet. Në krah të kodrës së lartë, shfaqen faqet e dy kodrave të vogla, të buta dhe me forma të rrumbullakëta si gjinjtë e një vajze të re. Aty ndodhen vreshtat e Dhimos. Ndalim në krye të tyre. Dhimoja më jep një palë gërshërë dhe më tregon parcelën që do të vjelë.
-    Në mbrëmje, do të vij të të marr, - më thotë ai.
Në vresht punojnë edhe disa gra. Herë njëra dhe herë tjetra, ato më hedhin nga një vështrim kureshtar dhe vijojnë punën.
Filloj të pres vilet e rrushit. Është rrush kokërrmadh dhe i ëmbël. Nga të ftohtit e parakohshëm, vende-vende kokrrat e rrushit kanë filluar të rrudhen. I mbaj në dorë vilet e mëdhenj dhe i vendos me kujdes në arkë…
Rreshtat e vreshtave janë të gjatë dhe të drejtë, të ndërtuar me kujdes dhe uniformë. E di se në Greqi tregohet kujdes i madh për vreshtat. Kjo është një traditë shumë e hershme. Në kohët e lashta, Dionisi, 1) ishte perëndia më popullore. Ai përfytyrohej gjithnjë me gotë vere në duar dhe me vile rrushi. Për këtë perëndi bëheshin shumë festa dhe shfaqje. Në kohën e sundimit të Pisistratit, 2) nga festa thjeshtë bujqësore, Dioniset u shndërruan në festa të përgjithshme popullore. Në këto festa dhe shfaqje, me kohë, lindën tragjedia 3) dhe komedia. 4) Për nder të Dionisit qejfli, grekët e lashtë flijonin cjepë dhe, ky ritual shoqërohej me këngë, valle e tregime, ku shprehej gëzimi për prodhimet e mbara dhe ringjalljen e natyrës. Në një qerre të ngarkuar me pemë e lule, të tërhequr nga buaj, hipte një njeri i veshur me maskë që përfaqësonte perëndinë Dionis. Ai këndonte historinë e Dionisit, i shoqëruar nga kori i fshatarëve. Këngët e tyre ishin të ngjashme me këngët polifonike të Shqipërisë. 5)
Vazhdoj të punoj. Thuajse nuk e ndjej të ftohtit. Arkat mbushen njëra pas tjetrës. Përfytyroj Dhimon. Me siguri që ai do të kënaqet me punën që kam bërë. Të gjitha vilet e rrushit i kam vendosur me kujdes nëpër arka, të pacenuara. Madje, edhe kur fut ndonjë kokërr rrushi në gojë, i marrë nga ato që kanë rënë përdhe apo nga vilet e dëmtuara nga të ftohtët. Druaj se mos kushedi, Dhimoja mund të mendojë se unë i zgjedh dhe i ha vetë kokrrat e mëdha. “Duhet të kem kujdes, - them me vete, - se këtu jam në vendin ku në kohët e lashta vepronte ligji i Drakonit…1) Mbase edhe proverbi “Frika ruan vreshtin”, duhet ta ketë zanafillën te ky ligj i rreptë.
Në mbrëmje, kur dielli është zhytur në horizontin e përflakur, ia mbërrin Dhimoja. Në vresht jam vetëm unë. Vjelëset kanë kohë që janë larguar.
-    Ngarkoji arkat në makinë, - më thotë Dhimoja. Sheh punën që kam bërë dhe duket i kënaqur.
Filloj të ngarkoj arkat në karroceri, të mijat dhe ato që kishin mbushur gratë. Ndihem ca i lodhur, por nuk e jap veten. Tek e fundit, vjelja e rrushit është një punë më e lehtë dhe e bukur, që s’të lodh shumë.
Nisemi. Dhimoja është në qejf dhe fillon të këndojë me zë të ulët një melodi greke. Një copë herë i vë veshin melodisë. Ajo seç ka diçka të përbashkët me serenatat korçare.
Seç kuqëlon molla e ëmbël majë degës,
Në majë të majës, vjelësit e harruan.
Jo, s’e harruan , po s’e arritën dot…!
Nis e shoqëroj edhe unë. Një copë herë, të dy përfshihemi në muzikën dhe tekstin e bukur të këngës.
-    Të pëlqen? – më pyet Dhimoja
-    Po shumë! Nuk e di, por më duken vargje të njohur. Mbase janë të Safos? – i them jo fort i sigurt.
-    Po, të Safos janë! – Dhimoja shpreh habi që i njoh ato vargje. – Nga i di ti? – më pyet ai me kureshtje.
-     Po unë ju thashë dje, jam mësues.
-    Domethënë, juve jua mësoni fëmijëve në Shqipëri vargjet e poeteshës sonë?
-    Po, dhe jo vetëm të Safos. Edhe të Homerit, Hesiodit, Pindarit, Anakreontit…
-    Vetëm të antikitetit?
-    Edhe të Kazanzaqit, Varnalisit, Lydemisit, Ricos…
Dhimoja më dëgjon me admirim.
-    Më habite, - më thotë ai me sinqeritet, - tjetër mendim kisha për juve në Shqipëri!
Disa çaste heshtim. Mbase mendojmë për të njëjtat gjëra. Përfytyroj poeteshën e madhe të antikitetit, Safon, që Platoni e quante “Muza e Dhjetë” 1) Sipas tij, ajo e kishte vendin në Parnas…2) Safoja tregohej e dashur me nxënëset e saj. Ato i vinin nga të gjitha anët e Greqisë, që ajo t’u mësonte artin poetik: muzikë, këngë, vargëzim. Shumë vjersha të Safos u frymëzuan nga kjo miqësi, e cila më vonë u bë objekt shpifjesh të ulëta…!
Makina kalon një kthesë të fortë dhe gjendemi te një shesh i madh i ndriçuar nga projektorët. Aty peshohen ngarkesat. Disa makina presin në radhë. Na vjen radha edhe ne. Dhimoja fut makinën në peshore. Pastaj merr një dokument, ku është shënuar sasia e rrushit dhe nisemi përsëri. Për habinë time, makina merr rrugën drejt kodrave, prapa fshatit. Është errur dhe nuk po e kuptoj se ku po shkojmë. Rruga sa vjen e vështirësohet. Aty-këtu është e pashtruar, me të përpjeta dhe kthesa të shumta. Makina ngjitet me vështirësi. Mendoj me vete se Dhimoja do të ketë ndonjë magazinë këtej. Në të dy anët e rrugës, nën ndriçimin e dritave të makinës, shfaqen trungje ullinjsh të vjetër, midis tyre dardha, gorrica, pjergulla rrushi të egër që kacavirren nëpër pemë. Po, për çudi, asnjë magazinë nuk po duhet gjëkundi. Befas makina ndalon. Dhimoja më thotë të zbres dhe vetë nis e manovron makinën buzë një gremine të thellë. “Ç’bën ky?!” – them me vete, pa e besuar dot atë që po shikoj: karroceria e makinës gati bëhet njësh me buzën e greminës.
-    Shkarkoji poshtë, që të gjitha! – më thotë Dhimoja.
-    -Çfarë?! – shqyej sytë unë, krejt i habitur. Atë rrush që e kam vjelë me aq mundim e kujdes, duhet ta hedhë atje, në greminë! Sigurisht që Dhimoja nuk e ka me gjithë mend. Ai po kërkon të bëjë shaka me mua, por ama, një shaka të trashë, fare pa kripë!
-    Hë pra, ç’pret?! – më bërtet ai, - Shkarkoji arkat, se nuk kemi kohë. Apo nuk e shikon që nata është bërë pus!
Unë vazhdoj të hezitoj. Atëherë, ai kërcen nga kabina, rrëmben arkën e parë dhe e shkarkon në humnerë. Pastaj të dytën, të tretën, të katërtën…! I shkarkon ato me zemërim, si të dojë të më thotë:  “Ç’kujton ti shqiptar i mjerë, se mua nuk më dhimbset ky rrush, që kam mbjellë vetë dhe i kam shërbyer muaj të tërë!?”
Bashkë me Dhimon nis të hedhë edhe unë rrushin në humnerë…!

***

Makina tashmë po kthehet e lehtësuar në peshë, por të rënduara janë mendimet tona. Thuajse nuk flasim, as unë dhe as Dhimoja. Ai ndihet nervoz, po kur sheh nga unë vë buzën në gaz. Tashmë ai e ka kuptuar se unë nuk e kam provuar krizën e superprodhimit… Këtë vit ka prodhim të madh të rrushit dhe, për të ruajtur çmimin e tregut, shteti i kompeson pronarët me para, kundrejt sasisë së rrushit që ata groposin. Pak a shumë këtë munda të kuptoj nga fjalët që më tha më pas punëdhënësi im, Dhimoja.