Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Virgjeria nuk jepet ne Kanionet e Lengarices

| E marte, 27.02.2007, 07:22 PM |


Shkruan: Ben Andoni

Shpjegimi i gjatë, që i bëjmë shoferit, nuk mjafton për t'i mbushur mëndjen se po i afrohemi një vendi të mrekullueshëm, që kjo rrugë e stërlargët e justifikon. "Parajsa është atje ku është dhe Jehovai na mëson që…", reziston sipas mënyrës së tij A.K., 46 vjeçar, një besimtar,që në këtë rast më shumë se besimi, mendon açik vetëm për makinën. Ushqen familjen dhe është i vetmi profesion, që e ushtron prej vitesh…, ndaj Kanionet ku është nisur për të shkuar…nuk i bëjnë ndonjë përshtypje të madhe.
Më kot, rrekemi t'i tregojmë historinë e një kolegut të tij përmetar, sesi la timonin dhe në një vend gati "të shkretë" në afërsi të Kanioneve të Lengaricës ngriti një si tip klubi. Edhe kjo nuk i bën përshtypje. Por rasti në fjalë është tërheqës dhe tregon mëndjen praktike të pak shqiptarëve.
Një shofer, kur vinte për gjueti, e kishte parë këtë vend dhe një ditë vendosi ta shfrytëzonte për qëllimet e tij. Ngriti një hotel dhe sot shërben si askush. Në fakt, s'ka tjetër. Ai vetë e zbuloi këtë vend, që më vjen ta krahasoj me një vend përrallash. Shumë rrape dhe pemë i bëjnë hije, ndërsa lulet që ka kultivuar kudo, bëjnë një mozaik të çrregullt dhe tepër paqësor për syrin. Falë tij, kemi dëgjuar kolegë të huaj, që e vlerësojnë shumë këtë vend dhe mendojnë se shqiptarët mund të krijojnë një traditë për turizmin familjar. Edhe pse e kanë njohur fare pak Shqipërinë, imagjinata e tyre kam dwgjuar se ka mbetur tek ai…

Drejt Lengaricës

Besimtarit të Jehovait nuk i bën shumë përshtypje shpjegimi, sesa ajo që tregohet si mrekulli dhe do ta arrijmë pas çastesh. Gjithsesi hesht, ashtu si mjegulla tollovitëse e këtij tetori, që mbulon rrugën e gjatë deri në Përmet dhe nuk bindet të largohet. A.K.-së i duhet të drejtojë timonin e makinës dhe t'i shpëtojë daljes befas të ndonjë patrulle policie, që ka nge të merret në këtë mjegullnajë me pretë fatkeqe të rrugës. Makina jonë është një e tillë, teksa ecën në orën 08.00 të mëngjezit me drita shumë të gjata për të depërtuar këtë verbëri nga natyra.Për të shkuar në kanionet e Lengaricës do përshkosh një rrugë bajagi të gjatë. Të duhet të kalosh kthesat tmerrake të Ballshit dhe pastaj t'i afrohesh Tepelenës. Pastaj të kalosh Urën e Dragotit dhe të nisesh rrufe drejt Përmetit, në një nga pak rrugët e mira të Jugut shqiptar. Për fat në mesditë, pakti i natyrës me misionin është arritur, sepse mjegulla davaritet pak nga pak. Kjo përkthehet se tashmë mund të përdorim lehtësisht aparatet fotografikë, pa të cilët mrekullia do të mbetet memece. Për të vajtur tek ky monument natyre në fund duhet të ndiqet itenerari, që të lësh edhe Përmetin edhe të marrësh rrugën drejt kufirit në segmentin Petran-Bënjë.
Zbërthen shumë efekte drita e diellit mbi gjethnajën e shpateve malore, ndaj tisi i vjeshtës e bën gjithmonë e më të këndshme këtë rrugë. Me këto lojra të natyrës, kuptohet se nuk ka qenë shumë çudi, fakti që ky vend ka ushqyer vazhdimisht muzat e shfrenuara të poetëve të kësaj province.
Pas gati 246 kilometrash nuk mund të mjaftohesh, sepse mes malesh dhe një rruge pa fund, që ka filluar gjithsesi të asfaltohet, nuk ka ndonjë tabelë të përcaktar se po i afrohesh kanioneve. Në fakt, pakkush kujtohet për to në ditët tona. Ata pak të huaj, që kujtohen shpesh për këtë vend, duket se kanë gjetur një oaz qetësie, e cila nuk përshkohet nga zhurma e metropolit.
E vetmja befasi është se përcaktimi gjeografik "Kanione"- shumëkënd e lidh me kanionet e mëdha në kontinentet e tjera…, ndërsa e bën pak të befasishëm misionin për t'i parë ato. Gjithsesi, e afron gjithmonë e më shumë kureshtjen, ngaqë mungojnë krejtësisht njerëzit. Nuk duken as nga larg, veç dy barinjve, që të ndjekin gjatë me vështrime nga tej buzërrugës. Duhet të kalojnë rrallë makina deri në Bënjë dhe ky përbën një kureshtje, jo të zakonshme për pak njerëzit e mbetur.
I vetëm bari,që ka qëndruar buzë rrugës na këshillon për udhën, kur shpjegon se kanionet janë pak larg…: "Po kjo makinë e ha…", thotë me një siguri hekurxhiu të rregjur. Misterin e profesionit e zbulon dora -dorës 40 vjeçari teksa të shpjegon se vjen nga Përmeti (ku banon) dhe dikur ka qenë mekanik…Por, tashmë është shëndrruar në bari, sepse kjo është jeta. Ka trashëguar një stan dhe në momentin që flasim i vjen gruaja me një djalë 6-7 vjeç me furgonin e fshatit, për tu kujdesur bashkërisht për gjënë. I vogli na sheh i murrëtyer pas lëkurës së një banane të madhe me të cilën luan me gjuhë. "Janë të bukura, thotë për kanionet, por kush ia ka ngenë, kush futet andej. Vinë nga qyteti dhe nga vendet e tjera sepse të jetë për ne- nuk kemi kohë . Duan bukë këta", -shpjegon për gruan dhe djalin, që na shikojnë bashkërisht të nxehur, që u hamë kohën.
Pak minuta më vonë kemi marrë sërish udhë, në një vend ku jeta sërish mungon krejtësisht. Këtë e shikon ndër fushat ansh. Mungon ndonjë dorë e rregullt njeriu, përveç dorës të mrekullueshme të Nënës Natyrë,që duket se i mbështet pak vendasit e kujdesshëm.

"Mali i Bardhë"

Pas një peisazhi të qetë, ku në horizont, kërkojmë më kot me sy kanionet, takojmë shoferin, historinë e të cilit e kemi mbartuar nga Tirana. Eshtë njësoj ai, si historia e dëgjuar. I veshur pastër dhe shumë qytetarçe, ai të tregon thjesht rrugën deri tek kanionet. Apostol Tase, 58 vjeçar, është njeriu që buzë rrugës dhe rreth 2.5 kilometra nga kanionet ka ngritur jetesën e tij. Kur vinte shpesh me gjueti ia kishte vënë syrin këtij vendi, rrethuar me pemë dhe të paqëm dhe pastaj ka konkluduar me këtë shtëpi mrekulli, mbushur me lule dhe mbajtur me pastërti.
Fillimisht ngriti një si biçim barake, sepse me intuitën e njeriut praktik kishte kuptuar se gjërat do të ndryshonin në demokraci…Pak muaj më vonë, ish-shoferi ka marrë dhe të shoqen, një zonjë gati bashkëmoshatare, me të cilën punojnë sëbashku dhe ndajnë hallet e përditshme.
Nuk flasin shumë, ngaqë u duhet që të kujdesen për vizitorët dhe janë tepër të edukuar. Mbi të gjitha, u duhet të kujdesen për lulet. Lule pa fund, që janë një kurorë mbi pastërtinë natyrale të vendit të tyre, dhe që nuk përbën ndonjë çudi të madhe, kur e krahason me shtëpi të tjera syresh nga Përmeti. Apostoli, me një kokë disi gjashtëkëndëshe, është një burrë i shtruar dhe me një zë tepër mikpritës. Nuk duhet të ketë lakmi të madhe, por ka bash sqimë. Komuniteti i të huajve ka filluar që ta ndjeki bajagi dhe ai dora-dorës ka shtuar edhe elementë të tjerë në hotelin e tij deri së fundi edhe televizorin e banjat për seicilën dhomë. Pa e ekzagjeruar. E di mirë se mushterinjtë nuk duhet të mërziten, ndërsa duket se e ka nën kontroll të gjithë situatën. Në fakt, rruga e vetme për tek kanionet kalon në hotelin e tij, që ai i ka vënë emrin "Mali i Bardhë". Ka përgatitur kartvizitën e tij, mbushur me ngjyra lbyrëse, shenjë e grafikës provinciale, por që gjithsesi i jep tepër seriozitet.
Falë hotelit dhe shkathtësisë është lidhur me të huaj, që vinë në kanionet për të vozitur me kajake dhe organizon edhe vetë turistët grekë, që i merr nga kufiri. Prej këtej, Helenët e sotëm, janë vetëm 45 kilometra. Mbase më afër. Që andej i sjell në hotelin e tij "modest"… për t'u zbavitur. Dhe, pastaj, i shpërngul në afërsi të kanioneve, ku për ata fillon një aventurë tjetër, ajo e kalimit të tyre me kajake …"E dini çfarë! Pse nuk ikni vetë dhe unë do t'ju pres këtu", thotë burri, pasi i kërkojmë një drejtim për ta përshkuar sa më parë. Hoteli i tij është nën një mbulesë rrapesh, një prej të cilëve i zoti e hotelit e largon 800 mote më andej. "Përtërihet,- më thotë, teksa e shoh mosbesues. Shiko trungun". Shikoj, ndërsa ndjek për ndihmë vështrimin e kujdeshëm të Arjan K. që sërish ledhaton nga larg me sy makinën. "Eshtë ende larg më duket", thotë në fund mosbesues. Në fakt, ka të drejtë. Eshtë sërish larg. Kjo të kujtohet, kur mendon se ke kaluar 246 kilometrat e Përmetit dhe pastaj edhe 10 kilometra të tjera në një rrugë jo bajagi të mirë, qoftë edhe për prodhimet e Mercedesit.
Kjo zonë me faunën dhe florën karakteristike, me vendburimet e hershme të para dymijë vjetëve dhe me burimet e ujrave termale dhe me kanionet e shpellat nga më tipiket në vend, formon një system ekologjik shumë interesant dhe me vlera të veçanta mjedisore ( shkruan literatura).
Pakti me Apostolin është i thjeshtë. Do të na presë kur të kthehemi, ai vetë nuk vjen. Këshillon dhe njëherë për rrugën e mbetur deri te kanionet. Rruga më pas, që kuptohet se nuk ka asnjë gjurmë orientimi, është pak më e vështirë, ndërsa disa punëtorë që shfaqen vetmitarë diku, duke punuar, për të sjellë një masë që i ngjan asfaltit, duket se e kanë gungëzuar rrugën pa fund, qoftë dhe më keq se para asfaltit, që ata pretendojnë se po i hedhin.
Ky është edhe momenti, kur në një faqe mali shfaqet Bënja. Ashtu si i është ngjitur malit ndër mote është vërtetë impresionuese. Si një komunitet murgjish, ajo ka një ngjyrë sepje, që afrimi i mbasdites vjeshtore, ia ka hirnosur pak si tepër. Po të mos luajë drita e diellit me gjethet dhe kaçubet, dhe pak pemët anash, mbase do kishte një ngjyrë tjetër. Pak nga pak afrohemi në Urën e Dashit…apo të Langaricës, apo të Bënjës. Nuk orientohem dot me emrin e saj të vërtetë. Një urë tipike me një hark të kurbëzuar lart dhe punuar me gur, tregon rëndësinë e mbetjes së një udhe të vjetër, për të cilën mund të hamendësosh pa frikë… se është traseja e një rrugëtimi të vjetër. Pretendohet se, arkeologët kanë gjetur diku rrënoja pak më tutje. Në unision me këtë ish-kulturë të mahnit sereniteti i paqëm dhe paqënësia humane. Një lokal, që është bërë në buzë të Lengaricës, është i mbyllur me hekur. Duhet të ketë pasur njerëz deri në fund të ditëve tona, ngaqë plehrat janë ende të padekompozuara…

Kanionet…

Rruga tani është më e qartë. Pavarësisht se ende përveç rrjedhës së pakët të Lengaricës- nuk ka ndonjë gjë të madhe, ku mund të përfytyrosh sesa afër janë kanionet. Uturima e mbytur dhe lartësia e kodrinës, që kemi përballë, na bëjnë që të hamendësojmë se pas tij është rruga e vërtetë drejt kanioneve. Nuk ka rrugë të saktë, por drejtimi që ka lënë koha dhe që duket qartë se është tepër e vjetër, të dërgon vetë në një rrugë pa rrugë. Shenjat e një kalldrëmi të vjetër dhe vende-vende të mbeturat nga udhëtarët, të shoqërojnë deri në bregun tjetër të urës. Ndonjë kanaçe, paketë cigare dhe letra të rralla me gjëra ambulante për fëmijë, janë shenjat e vetme, me të cilat hamendëson për turistët këtej. Duhet të jenë komunitet miks, sipas plehrave, por edhe të kategorive të ndryshme. Këtë ma vërteton një paketë e lirë e hedhur pafajësisht në shkurret, ndanë një kutie biskotash italiane. Sakaq, pak nga pak duhet ti ngjitemi një rrëpire, derisa…një tokë rrëshqitëse dhe tepër e pjerrët të hap vendin…
Kanionet ndodhen në pjesën juglindore të qytetit të Përmetit 10-12 kilometra larg tij. Dhe shkojnë deri në kufijtë e Leskovikut, ku përfshijnë edhe fshatra të rrethit të Kolonjës. Paraqet interes e vëmëndje të veçantë pjesa në kufijtë e fshatit Bënjë-Ogdunan, që shkon në lindje deri në kufijtë e fshatrave të Kolonjës (literaturë).
Këtu është befasia. Sapo ngjitemi,shikojmë se poshtë shpateve të lumit …Arjani K. shtanget. Por jo më pak dhe ne. Një depresion i madh natyror dhe një ngushti na sjell një panoramë të paimagjinueshme. Habia dhe mahnitja sapo kanë filluar. Veçse, tashmë duhet të zbresësh. Aq të thjeshtë sa na e ka bërë Apostoli, ne gënjehemi, sepse duket paq që kemi humbur rrugën. Gjithsesi bukuria e ka mbytur dyshimin. 15 minuta më vonë, kemi arritur në zallishte, ndërsa sipër kokës sonë perpendikular shtrihen për dhjetra metra shkëmbinjtë që përbëjnë kanionet. "A është kështu pranë Jehovait", e ngacmoj besimtarin"…"Lëre Jehovain, më thotë i mahnitur me vështrimin e shpërndarë, por qenka bukur". Hesht krejtësisht dhe mahnitja e madhe tek disa njerëz…duhet të ketë fizionominë e shoferit-tonë. Fillojmë ta eksplorojmë. Tek-tuk, vizitorët që kanë ardhur, kanë krijuar disa vaska natyrore ku relaksohen dhe kurohen. Një erë e rëndë, jo e zakonshme vjen nga uji…dhe na mëson pak nga pak flegrat…
Kjo zonë me faunën dhe florën karakteristike, me vendburimet e hershme të paradymijë vjetëve me burimet e ujrave termale dhe me kanionet e shpellat nga më tipiket në vend, formon një system ekologjik shumë interesant dhe me vlera të veçanta mjedisore.
Ndodhen 200 metra larg burimeve termale në të dy anët e lumit Langaricë. Kanë një lartësi prej 30 metrash, gjerësi 2 metra e duke zbritur përreth vargu i kanioneve vjen duke u zmadhuar deri në lartësinë 150 metra e gjerësi 10-12 metra, duke u bërë nga më tipikët e vendit. Kanionet kanë tërhequr vëmëndjen e shkencëtarëve vendas dhe të huaj...

Ujrat

Ujrat termale të Bënjës njihen me emrin Banjat e Bënjës. Gjenden saktësisht 14 kilometra larg qytetit të Përmetit, komuna Petran, ku gjashtë burimet kryesore dalin në rrëzë të shkëmbinjve masivë në të dy anët e lumit të Langaricës.
Ujërat me bazë sulfurore kanë efekte shumë të larta kuruese. 4 (katër) burime përdoren për sëmundjet kronike të reumatizmave (artikulare), 1 (një) burim për sëmundjet e stomakut, 1 (një) burim për sëmundjet e lëkurës.
Temperatura e ujërave varion 26-32 gradë Celsius. Janë shfrytëzuar nga shteti në vitet 1964-1975. Aktualisht mjediset ndodhen të prishura e shfrytëzohen në mënyrë të paorganizuar nga banorë të qytetit Përmet në verë.
Një djalë përmetar bashkon grupet dhe bën vaskat, por edhe i organizon grupet. Eshtë po ai, që shërben dhe si ndërmjetësues për të ardhurit e shumtë, por që mbeten në karakter shumë të ngushtë.

Kanionet-Intermexo

Fillimet e veta Lengarica i ka në afërsi të fshatit Kamenik të rrethit të Kolonjës, ku bashkohen përrenjtë e Shalës dhe Barmash, dhe prej këtej kjo luginë quhet Lengaricë. Në fillim është e ngushtë dhe e thellë, pasi kalon nëpër gëlqerorë në fshatin Barmash, ku ndeshen shkëmbinj terrigjenë dhe ajo zgjerohet, tipar të cilin e ruan derisa bashkohet me degën e djathtë të saj, atë të Gostivishtit..
Në fillim lumi çan nëpër një shtrat të ngushtë, rrethuar me blloqe gjigande gëlqerorësh që zbresin 80-100 metra pingul mbi sipërfaqen e ujit. Këtë natyrë të ashpër e madhështore e ruan për disa kilometra. Gjerësia e shtratit rrallë i kalon të 1.5-2 metrat. Vende-vende kanioni është i pakualueshëm mbasi janë krijuar tunele nëntokësore dhe shkallëzime e pragje të shumta. Në shpatet e Kanionit të Lengaricës dallohen zgavrime dhe shpella të shumta, që lidhen me njëra-tjetrën nëpërmjet tuneleve dhe galerive. Një nga shpellat më të mëdha brenda kanionit është ajo e Pëllumbit, e cila shquhet jo vetëm për vlerat natyrore, por edhe për vlerat arkeologjike. Kërkimet e viteve të fundit kanë nxjerrë një material të pasur poçerie, i cili dëshmon se shpella ka qenë një vendbanim prehistorik.
Në dalje të kanionit në të dy faqet e luginës, shpërthejnë burime të fuqishme termale me tektonike, që me sa duket vazhdon në burimet termale të postenanit dhe Vromonerit prurje të madhe dhe temperaturë deri në 30 gradë.. (Literaturë, konsultuar me Gjeografinë fizike të Shqipërisë).
Që të shikosh më mirë të duhet të përshkosh me këmbë ujin vende-vende, përmes kanaleve që nuk e kalojnë thellësinë deri mbi gjurin e një njeriu të zakonshëm. Por është ftohtë, ndërsa këmbët të dërrmohen shpesh nga gurët. Për gati më shumë se 400 metra pas urës ecim dhe ecim pa fund. Nuk ka gojë për ta përshkruar, atë që natyra i ka bërë gurit. Mrekullia e fotos, duket se është pa një sy, nëse nuk mund t'i bashkëngjitet edhe mrekullia e kameras. Shkëmbinj, gjurmët e saj, pellgje shumëllojesh, guva, makje dhe dushk, shpella pafund të ndjekin përgjatë të gjithë tatëpjetës thikë të shkëmbinjve nga niveli i ujit. Dhe, kuptohet, një vend i keq dhe më i keq, me kalimin e metrave... për të ecur. Vjeshta e bën ujin e lumit më të ftohtë me largimin e orëve, ndërsa dimri duket se duhet të jetë disi i sikletshëm në këtë vend, të denjë për oshënarët.
Por, kaq. Një moment, duket se edhe bukuria të ngop. Mbase poezia mund të ishte një zgjidhje për të përshkruar, por që gjithsesi e lë pas e gjithmonë më pas-teknika e imazhit dixhital. Më këtë prehje me veten...vendosim mos të ecim më. Bukuria ka një cak, që po ta kalosh është venitje. Dhe, venitja kalon në përçmim…Me instikt, Arjani K., duket se mëdyshohet i pari. Eshtë më mirë, -thotë- që të kthehemi…Kthehemi sërish nga kemi ardhur, madje, në buzët e pellgjeve ku kanë mbetur gjurmët tona. Sërisht, na duhet të përshkojmë disa herë lumin, për të dalë herë nga një anë dhe herë nga ana tjetër…
Çuditërisht, kthimi rezulton më i vështirë. Njohuritë e pakta në drejtimin e udhëtimeve të tilla…nuk na ndihmojnë të lehtësojmë vuajtjen e ngjitjes, veçse na e shtojnë gazin e një udhëtimi të tillë.

Në kthim

1 orë më vonë, pasi e kemi përshkuar sërisht Urën e Dashit, kthehemi. Tashmë kemi prekur Parajsën,- i them Dëshmitarit të Jehovait…që sërish është stoik. Lëshon pak pe, gjithsesi, "Ishte bukur", më thotë.
Afrimi tek Apostoli, që na ka shërbyer për rrëfimin e rrugës, duket se nuk bën më përshtypje. Është njësoj i vetëm në boshnajën e hotelit të tij, por njësoj pastër dhe qetë. Ai shfaqet thjesht sikur të mos ketë ndodhur asgjë. I paqëm dhe i ngeshëm…ky tip kuzhinieri-kapelan (sikur të jemi në një mjedis kishtar) bashkë me të shoqen, na shërbejnë dhe flasin fare pak. Sikur të kishte pak investim mbase do të ishte edhe më ndryshe. Por, pse hamendësojmë, mbase edhe më kot. Të zotët e lokalit në thonë se disa italianë filluan dikur ndërtimin e një hoteli, por nuk mundën që të bënin dot asgjë. Duhet të jenë të kënaqur nga ky fakt këta dy bashkëshortë. Sadoqë kënaqësinë e fshehin. Investimi i madh i italianëve rreth qindra-mijëra Euro duket se është lënë pas… në kujtesë. Arsyeja-X. Kjo është jeta. Virgjëria e Kanioneve e ka ende të vështirë të dorëzohet.
Kështu ndodh vërtet. Apostoli ka vendosur që të ngrejë dhe një kat tjetër dhe kushedi, nëse dhëntë Zoti që të ecin punët- dhe një tjetër më vonë. Në këtë paqe, duket se nuk ka vend për sokëllitje shqiptarësh, që duan të zhveshin gjithshka…
Eshtë vjeshta e dytë e vitit 2006. Dielli ka marrë udhën në ikje…ashtu si makina e drejtuar nga Dëshmitari i Jehovait, që kërkon me ngulm kaosin e kryeqytetit…Sa mirë, që nuk ka çapitje të shpeshta turistësh në këtë vend...Sa mirë, të paktën diku në Shqipëri jeta është ndalur në llogjikën e amëshuar të Kopshtit të Edenit.