Sami Islami: Glasgou qytet me kulturë të veçantë
| E diele, 01.11.2009, 07:14 PM |
GLASGOU QYTET ME KULTURË TË VEÇANTËNga Sami ISLAMITreni fugonte me shpejtësi kah veriu, duke e prishur qetësinë e atij mengjesi të majit, sikur donte të arrinte sa më parë në cakun për ku edhe ishim nisur. Unë dhe Shpendi po bisedonim dhe herë-herë po vështronim nga dritarja automobilë të tjerë në rrugën automobilistike, e cila, vende –vende, shkonte paralel me rrugën hekurudhore. Dhe tek po i vështronim veturat në rrugë kishim përshtypjen sikur ato po e sfidonin trenin, se kush kujt do t’ia kalonte! Ishte hera e parë që po e vizitoja Glazgoun. Koha prej pesë orësh e gjysmë prej Londres e deri në Glazgou kaloi shumë më shpejt se që e kishim pritur. Dhe ja caku ynë-Glasgou! Për mua dhe për shokun tim ”rezidenca“ për disa ditë, sa kishim planifikuar të qëndronim atje, qe hoteli i quajtur "Kelvin Park Lorne", jo fort larg qendrës së qytetit . Ajo që më la mbresë të jashtëzakonshme, që në kontaktin e parë me këtë qytet, qe pastërtia e tij. Nuk mund të shihje, pothuaj asnjë grimcë letre a diçka tjetër nëpër rrugë! Madje nuk mund të dëgjoje as zhurmë siç ndodh në qytete të tjera. Vetëm automjetet, e here-herë, ndonjë sirenë veture, dukej sikur e "prishte" qetësinë. Njerëzit ecnin me shpejtësi. Secili nxitonte në drejtim të tyre sikur donin ta "zinin" kohën. Ata të jepnin përshtypjen se të gjithë ishin vonuar për të shkuar diku! Megjithatë nuk bëhej tollovi. Glazgou të lente mbresën e një qyteti jo të madh por të një qyteti me traditë kulturore, artistike, e do të thoshim, dhe historike. Dhe ashtu na doli.
“Kjo është Galeria e Arteve, në të cilën ekspozohen vepra nga më të ndryshmet, nga autorë të ndryshën të botës,”- na tregonte një vendës, derisa po shëtitnim afër galerisë. Ishte ditë me diell dhe njerëzit kishin dalë në shëti. Miku që po na shoqëronte, përpiqej të na shpjegonte çdo gjë." E shihni, na tha ai në vazhdim, sot ka shumë njerëz në sheti për arsye se moti është me diell. Glasgou dhe në përgjithësi gjithë Skocia ka pak kohë me diell, prandaj vendësit e "shfrytëzojnë" pothuaj çdo rast kur ka diell për të shetitur pak, si sot". Dhe vërtetë për një vizitor të rastit, i cili për herë të parë vjen në këtë qytet, s’ka se si mos t'i bie në sy kjo dukuri, por edhe gjëra të tjera si godina me arkitekturë të vjetër dhe të ruajtur me xhelozi nga vendësit. S’ka se si mos t'i bie në sy ”frymëmarrja e qytetit“, siç i quajnë vendësit, parqet rreth e rreth godinave të tij, duke filluar prej atyre universitare, galerive të artit, muzeve historike etj. Rrugët e gjëra me lule përanash dhe ndërtesat shumë të vjetra, me stil skocez, të lënë mbresë për të mirë. Kur sheh shtëpitë , godinat etj. fiton bindjen se skocezët janë kultivues të vlerave kulmore artistike e arkitekturale. Dëshmi për këtë janë katedralat, kështjellat mesjetare, muzetë, bibliotekat, qendrat sportive e deri tek objektet e banimit. Të lodhur nga shëtitja në atë pjesë të qytetit u kthyem në hotel. Derisa po qëndronim aty po bisedonim me një skocez, vendas i Glasgout, i cili quhej Nil, i cili poashtu ishte në shoqëri të gruas së tij, Kristinës, dhe të mike tjetër. Shoqëruesi ynë me atë theksin karakteristik skocez na bëri edhe më tepër kurreshtar të mësonim më shumë për Skocinë dhe dhe për gjuhën e tyre, që dallon shumë nga anglishtja, edhe pse ne nuk kishim shumë probleme për ta kuptuar. Më dukej se skocishtja kishte theks më melodik se anglishtja. Pasi mori vesh se ne ishim shqiptarë, ai lëvizi nga vendi, u afrua më afër dhe bëri sytë katër për të mësuar më tepër për ne, kush ishim dhe me çfarë po merreshim. Edhe zonjat u bënë kurreshtare të mësonin më shumë për shqiptarët. Kur u treguam se ne ishim nga Kosova, ata edhe pse kishin dëgjuar për Kosovën nga Televizioni Skocez por edhe nga gazetat,
dëshironin të dinin gjëra të tjera. Nga të gjithë të pranishmit që ishim në atë shoqëri, si duket, unë isha më i "privilegjuari", sepse gati gjithherë më lejohej fjala kryesore kur kishim për t'u thënë diçka skocezëve , pra gjëra nga Kosova. Ne u treguam se kush janë shqiptarët, po Nili dhe zonja e tij Kristina kishin dëshirë të dinin pak a shumë edhe për gjuhën shqipe. U themi se gjuha shqipe është gjuhë shumë e vjetër. Është gjuhë karakteristike dhe nuk është e një "grupi"siç mendonin ata me me gjuhët sllave. Biseduam për për luftën që kishte ndodhur në Kosovë, për historinë e Kosovës, historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Pasi që ne u treguam shumë gjëra për pozitën e shqiptarëve të para luftës, por edhe të pas saj, për marrëdhëniet historike me Serbinë etj., Nili na thotë: ”Edhe ne skocezët paskemi pak a shumë një histori të ngjashme! Edhe ne kemi pasur luftëra të ndryshme në mes nesh dhe popujve të tjerë në Britani, por këto kanë ndodhur shumë kohë më parë. Edhe ne kemi pasur probleme në të kaluarën, sepse ishim popull i vogël. Kështu e kanë popujt e vegjël!..Popujt e vegjël duhet të punojnë shumë, të bashkohen më shumë me njëri tjetrin, për të arritur pak. E shihni, ne jemi popull me rreth 5 milionë banorë por deri vonë kemi qenë nën ”petkun“ anglez, domethënë në një farë mënyre kemi qenë nën ambrellën e tyre. Tashti pas 300 vitesh kemi formuar Parlamentin Skocez. Si të themi në disa pika ”jemi të pavarur“. Për këtë jemi të gëzuar dhe krenar. Po edhe ju shqiptarët tash e tutje, pas gjithë asaj që keni përjetuar, mendoj se çdo gjë po lëviz në favorin tuaj. Më vjen mirë që po kam nderin të bisedoj me shqiptarë...“-Po ne kemi qenë nën një regjim ndër më të paskrupullit në botë, nën regjimin serb. E ai nuk na ka lejuar të kultivojmë, kulturën tonë, traditat tona, shkollën tonë...-Unë nuk kam ditur shumë më përpara, për fat të keq, as për regjimin serb e as për shqiptarët e Kosovës, po nga ajo që kemi parë dhe dëgjuar nga mediat tona, në këto vitet e fundit, ajo çka ka ndodhur atje, ishte diçka rrënqethëse. Nuk kemi besuar se diçka e tillë do të mund të ndodhte në Evropë dhe atë në fund të shekullit që sapo e lamë pas!
Ne shfrytëzuam rastin dhe ia uruam formimin e Parlamentit Skocez dhe Nili e Kristina na uruan që Kosova tani të ecën më shpejt përpara dhe të hyjë sa më shpejt në Evropë. Në ndarje na ftuan që t’i vizitonim. Nili, Kristina dhe mikja e tyre ikën dhe në holin e bukur të hotelit tani ishim vetëm unë dhe Shendi. Të nesërmen unë dhe Shpendi, pas një gjumi të rehatshëm dhe një mengjesi të mirë dolëm nga hoteli. Për të shkuar në qytet morëm një taksi.Vizituam Galerinë e Arteve, që ndoshta ishte ndër më të mëdhatë dhe më të bukurat, jo vetëm në Glasgou, por në tërë Britaninë e Madhe. Pastaj vizituam qendrën universiatare, e cila, siç na tha një vendës, si qendër me traditë shumë të lashtë, këtu vijnë studentë nga tërë bota… Mbrëmja po afrohej dhe ne do të duhej të ktheheshim për darkë në hotel. Sa u bëmë gati ta merrnim një autobus ose një taksi, e pyesim një kalimtar të rastit se si mund të shkojmë më shpejt deri tek hoteli “Kelvin Park Lorne”? E ai na thotë:” Po pse nuk shkoni me metro”? “Stacioni është këtu afër dhe treni ju çon shpejt atje”. . "Pse a paska edhe metro Glazgou? - e pyes. ”Po, si jo“-, më përgjigjet ai dhe vazhdoi rrugën. Unë dhe Shpendi vendosëm të udhëtonim, pra , me metro dhe shkuam bashkë në stacionin më të afërt .Dhe bëri mirë skocezi që na propozoi të udhëtonim me tren , se vërtetë për një të huaj që dëshiron ta vizitojë këtë qytet e nuk udhëton edhe me ”metron“ e tij, kjo do të thoshte sikur nuk e kishte parë gjënë më atraktive në Glasgou. Metroja e këtij qyteti kishte vetëm një linjë dhe ajo ishte rrethore, e cila e përshkonte, si të thuash, pjesën "qendrore " të qytetit , duke formuar një rreth gjarpëror. Përshtypja e parë që kur morëm biletat dhe po prisnim trenin ishte se metroja ishte vetëm pak metra nën sipërfaqen e tokës , e jo si të themi, metrot e Londrës, apo të ndonjë qyteti më të madh evropian, ku duhet të ”lëshohesh“ nën tokë edhe nga, të themi, 50-60 metra dhe ku ka me dhjetra e dhjetra vija hekurudhore. Dhe treni që arriti në stacion ishte vërtetë shumë atraktiv, sidomos për ne që nuk kishin parë diçka të tillë më parë! Ai ishte një tren i vogël, i cili mezi i ”zinte” dy rreshta me njerëz ulur , një rend në krahun e majtë, tjeri në krahun e djathtë, duke i gjasuar gati trenave lodra për fëmijë. Nëse ke fat e gjen vend për t’u ulur është në rregull, por për disa njerëz që janë të
gjatë nga shtati, siç ishte “cimeri “ im Shpendi, e nuk gjenin vend për t'u ulur, ishte “kiamet”. Atyre do t’u duhej patjetër që të qëndronin “kërrusur“ deri në cakun e tyre, ose deri sa të lirohej ndonje vend, për arsye se ”tavani“ ishte bukur i ulët! … Nejse. Rrugën deri në hotel, pra, e bëmë duke i komentuar edhe këto "kuriozitete", të cilat, po të mos i kisha përjetuar, do të kishte mbetur “merak”. ?Dhe në një vend të bukur, plot histori, kulturë, gjelbrim, parqe, plot frymëmarrje koha fluturon shpejt. Agjenda jonë prej tri-katër ditësh iku sa çel e mbyll sytë. Po ktheheshim në Londër me përshtypje të mira dhe të paharrueshme, si për vendin ashtu edhe për njerëzit e këtij qyteti më verior të Britanisë së Madhe...
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.