Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bilall Maliqi: Kur shprishet heshtja jehojnë trimëritë në vargje

| E premte, 30.10.2009, 07:44 PM |


BILALL MALIQI

 

KUR SHPRISHET HESHTJA JEHOJNË TRIMËRITË NË VARGJE

 

(Arsim Halili, “Heshtje e shprishur”, botoi  Sh.B. “Perspektiva”, Bujanoc 2009, faqe 48)

 

Krijimeve poetike të Kosovës Lindore, kohëve të fundit iu bashkangjit edhe një krijues i cili doli nga gjiri i një klubi tashmë të njohur, të afirmuar dhe avancuar,është fjala për Klubin Letrar “Feniks”, Preshevë i cili edhe bëri shtrirjen e aktiviteteve të saja edhe në dy komunat tjera, ku nëpër këtë Klub kanë dalur emra të njohur krijuesish të cilët tashmë e kanë dëshmuar veten kur është fjala për krijimin dhe ruajtjen e vlerave artistike të punimeve të tyre.

Kjo pra është një dëshmi shtesë se dita-ditës po dalin shkëndija të reja në aspektin krijues edhe jashtë komunës së Preshevës.Jehona e zërave krijues brenda kulturës së Kosovës Lindore dhe më gjërë të cilat u shoqëruan me vlera të begatshme artistiko-letrare, këtyre ditëve iu shtua edhe një emër jo edhe i panjohur për këtë pjesë të etnikumit shqiptar, është fjala për gazetarin dhe tashmë krijuesin e parë të fashtit Dobrosin, Arsim Halili i  cili tanimë para lexuesve shpalosi tërë atë energji fillestare që kishte brenda shpirtit të tij krijues dhe na gëzoi me një botim, me një përmbledhje poetike për të rritur të titulluar me një titull mjaft interesant dhe metaforik “Heshtje e shprishur”, ku me këtë botim hyri në botën e krijimeve, për të mos u ndarë kurrë në të ardhmen prej fjalës së bukur poetike.

 

Kur shprishet heshtja...

 

Përmbledhja poetike “Heshtje e shprishur” e autorit Arsim Halili, përbëhet apo në brendinë e saj ka motivin patriotik dhe atë të dashurisë, por ka edhe motive dhe tema tjera të cilat gërshetohen varësisht nga ideja dhe frymëzimi i autorit në momente të caktuara.

Duke marrë parasyshë motivin patriotik, motiv ky i rrahur  i shqyrtuar, i shkruar pse jo edhe i pikturuar nga shumë poetë dhe piktorë, secili në stilin dhe idenë e vet të shkruar, edhe Arsimi me një seriozitet të madh krijues trajtoi këtë temë sa të dashur, por edhe të dhimbshme sepse këtij motivi në shumë raste i shtohen edhe vargje dhembjeje varësisht nga koha dhe momenti i trajtimit të lëndës poetike.

Kur shprishet heshtja!...titulli i librit ka një domethënie shumëdimensionale, sepse nëse merren parasyshë ndodhitë në nënqiellin tonë të shoqëruara me kohë të zeza dhe të liga nga pushtuesi serb, dhe heshtja që mbizotronte në shumë vite  të shekullit të kaluar, nga mosdurimi i së keqes, atëherë edhe kjo heshtje u shprish duke ia liruar vendin kushtrimit dhe thirrjes për luftë çlirimtare.Ky pra ishte segmenti i parë i kuptimit të këtij titulli, segmenti i dytë ka të bëjë me vetë heshtjen krijuese të autorit e cila tanimë u shprish dhe si rezultat edhe kjo shprishje u kurorëzua edhe me këtë botim modest të Arsimit, pra titulli i librit në fjalë ka kuptim të zgjeruar dhe i përshtatet gati të gjitha motiveve letrare që e përthakojnë këtë botim…

Libri “Heshtje e shprishur” është ndarë në dy cikle poetike :Mbaroi heshtja dhe Shtigjeve të jetës.

Libri fillon me këngë kushtuar atdheut, fillim ky me vargje të motivit patriotik të cilat janë evidente në shumicën e poezive të tij.

”Këngë atdheut”, pasi u shprish durimi shumë vjeçar i popullit tonë dhe i erdhi tanimë koha t’i shkruajnë poetët vargje këngëtimi atdheut si rezultat i mosdurimit nga tmerret, dhuna dhe shumëçka e keqe që iu është bërë deri tani popullit tonë, edhe Arsimi i këndon këngë atdheut të skuqur me gjak nga heronjtë e popullit .Shumë kohë populli këtë shprishje e kishte pritur që njëherë e përgjithjmonë t’i thonte stop dhunës dhe spastrimeve që iu bëhej popullit të tij, e këtë këngë lirie gjaku i dëshmorëve e qiti në dritë, kjo shprehet përmes vargjeve poetike:

 

 

Atëmëmëdheu

Gjatë këngën priti

Gjaku i dëshmorëve

Në dritë e qiti...

 

Pra heshtja mbaroi, më populli nuk do të hesht as në shekullin e ri, do ta thotë atë çka e mundon, pra nuk mund t’ia ndalojë  heshtjen koha as Arsimit i cili proteston në formën e vet  sepse:

 

Të them diçka

Dëshirova, fsheha

Fjalën nga koha”.

 

Koha ishte ajo që e mbylli në dry të drejtën për të kërkuar atë që e merituam shekuj me rradhë , e tani me një optimizëm Arsimi thotë se, “edhe pse ma ndaluat fjalen tani heshtja mbaroi”...dhe cenzura më përfundoi, tani fjala e lirë shtegtoi dhe krijuesit atë që e kanë në shpirt e thonë lirshëm përmes vargjeve poetike.

Shumica e poezive të ciklit të parë janë paisur me këtë motiv dhe me shprehje të zgjedhura në disa raste të cilat e përbëjnë trungun e librit si p.sh: /Janari i pëgjakur/, /Bashkë me shkronja/, /Ëndrrat grabitçare/, /Episodi tragjik/, /Pavarësia/ etj., ku len të kuptojmë se Arsimi e ka rrahur mirë këtë tematikë dhe se në frymëzimet e tija ishte çelikosur dashuria për atdheun, dhe i shkroi vargje tërheqëse gjithnjë me një optimizëm të theksuar nëpër vargje të poezive të lartpërmendura, e ky optimizëm me pritje të gjatë u kurorëzua:

 

“Me shekuj pritjeje

Fryu erë lirie

Festë  e madhe

Festë pavarësie”

 

(Poezia “Pavarësia”, faqe 11).

Edhe pas një decenie nga përfundimi i luftës, prapë se prapë Mitrovica është ndarë në dysh me Ibrin në mes.Ky fat i keq i shqiptarëve matanë Ibrit i përcjell çdo ditë me (pa)siguri e cila nuk dihet se kur e ka përfundimin.Ky fat i papërcaktuar i asaj pjese të shqipatarëve të ndarë me Ibrin në mes i ngjanë edhe pjesëve tjera shqiptare që dikur ishin pjesë e trungut të Kosovës fjala është edhe për Kosovën Lindore banorë i së cilës është edhe vetë autori.Arsimi nuk mund të rrijë indiferent ndaj këtyre padrejtësive që ua imponoi koha me rezoluta të krisura andaj me anë të vargjeve shprehet:

“Në heshtjen tënde

Ulurijnë të zgjuarit

E çoroditur”

 

Ose

 

“Mëngjesi bashkë

Me Ibrin

Ndan  (mos)siguri...”

(Poezia “Mbrëmje”, faqe 16).

Pra edhe në këtë shekull, kur shumica e popujve në ballkan tanimë jetojnë pa frikë e ankth, për fat të keq kjo pjesë e shqiptarëve përballen përdit me pasiguri totale edhe pse Kosova tanimë është e (Pa)varur...

Pjesë në vargjet e Arsimit janë edhe të pagjeturit të cilëve fati ende nuk iu dihet dhe janë tani në mëshirën e kohës, e Arsimi përmes vargjeve kërkon bile /Të lidhet me të pagjeturit ëndërrisht/, sepse ndryshe nuk mund t’i paramendoj si të humbur, apo eshtrat e tyre ende mbeten të pazbuluara.

 

Dashuria si përkushtim

 

Cikli i dytë i këtij libri pothuaj se është mbushur me poezi përkushtimore, poezi të cilat me seriozitet të madh dhe me vargje domethënëse iu drejtua emrave që lanë gjurmë të pashlyuera në historinë tonë më të re.

I shkroi vargje heroit  Agim Ramadanit, Adem Demaçit simbolit të rezistencës kombëtare, dëshmorit Arben xheladinit, Rexhep Elmazit, Daut Sylejmanit etj., ku përmes këtyre vargjeve shpalosi një histori të tërë dhe një kujtesë për të mos e harruar kurrë për jetë e mot  për atë çka bënë këta heronj për Kosovën, Kosovën Lidore dhe Iliridën...

Pjesë e këtij cikli janë edhe poezitë të cilat shquhen për nga vlerat artistike e këto janë:/Arti flet/, /Poezi/, /Sfidë përditshmërie/, /Udhëtim malli/,/ Jeta ime/ etj., të cilat e përbëjnë tërësinë e këtij libri.

Në fund të librit ndeshemi me dy poezi të cilat po ashtu janë përkushtimore, njëra kushtuar dashurisë për nënën e ndjerë, ku me vargje emocionuese i drejtohet pranë varrit të saj:

 

 

“Kujtoj  të ngrohtin

Përqafim

 

Le të jetë

Edhe ëndërr

 

Të shfrehem dua

Lotësisht

 

Mbi varrin tënd

Engjulli im…”

 

(Poezia “Mbi varrin tënd”, faqe 41).

 

 Poezia e parafundit e librit po ashtu është përkushtimore e motivit të dashurisë të titulluar /Me portretin tënd/. Shihet qartë se Arsimi edhe këtë motiv mund ta trajtoj me sukses, duke i kushtuar vargje të zjarrta dashurie (A.L), dhe në epilog të kësaj poezie nga epshi i madh i dashurisë i drejtohet me këto vargje:

 

“Le të bëhet, çka të bëhet

Pranë teje dua të jem

 

Hej….s’dua të braktisë

As në ëndërr, engjull dashurie…”

 

(Poezia “Me portretin tënd”, faqe 42).

 

Libri përfundon me poezinë /Gjurmëve të kohës/, poezi kjo po ashtu e motivit të dashurisë…

 

Në vend të përfundimit

 

Prej gjithë kësaj që u tha deri tani mund të themi se krijuesi Arsim Halili, me këtë vepër vetëmse ka hyrë në “garë” për të vazhduar në të ardhmen gjithnjë me seriozitet të madh.Libri në fjalë ka vlera të kënaqshme artistiko-letrare, gjithnjë duke iu ruajtur në një përqindje origjinaliteti i poezive…

Në të ardhmen presim nga kjo penë që të punojë dhe gjurmojë motive, dhe ta rrisë gradualisht vlerën e punimeve të veta sepse është e nevojshme me qëllim të arritjes së një shkalle të avancuar atristike.

 

Shenime biografike

 

Arsim Halili u lind me 19.08.1976 në fshatin Dobrosin të Bujanocit. Shkollën fillore e kreu në fshatin  e lindjes, më pas shkollën e mesme ekonomike në Pogragjë të Gjilanit të mbaruar në vitin 1995. Po të njejtin vit vazhdoi studimet në Universitetin " Luigj Gurakuqi" në Shkodër në Fakultetin Ekonomik, mirëpo për shkak të rrethanave që u krijuan më 1997 u detyrua ti ndërpres studimet në këtë fakultet, mirëpo edhe pas kthimit në shtëpi policia  serbe ia ndaloi të drejtën e studimeve  në Shqipëri, më pas vazhdoi studimet në SH.L.P DEGA E MËSIMIT KLASOR, ku pas mbarimit të studimeve punësohet në shkollën fillore "Sami Frashëri" në Dobrosin ku edhe tash aktualisht punon.

            Gjatë periudhës së luftës në Luginë ushtroi detyrën e gazetarit të radio “zërit të lirisë” . Pas luftës punon si gazetar në revisten "Perspektiva",  rubrika e kulturës, pastaj në revisten "Diellori' si dhe bashkëpunëtor i revistes "Dituria' në Boras të Suedisë.

Me poezi filloi të merret nga viti 1991. Shkruan poezi për të rritur.

Është anëtar i Klubit Letrar "Feniks" në Preshevë.

Përmbledhja me poezi "Heshtje e shprishur" është libri i parë i tij.

Jeton dhe vepron në fashtin Dobrosin, komuna e Bujanocit.