Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Revista Kosova (Nr.1, Bukuresht, 2009)

| E premte, 30.10.2009, 08:06 PM |


Revista Kosova (Bukuresht, 2009)
Revista Kosova (Bukuresht, 2009)
Kosova në Bukuresht dhe Bukureshti në Kosovë


Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë, në vazhdën e traditave të shqiptarëve të mërguar në këtë vend qysh para 400 vjetësh (1595), duke pasur parasysh veprën e shenjtë të rilindësve tanë, si dhe konceptet evropiane të afirmimit të identitetit, të kulturës dhe të historisë së çdo etnie, vendosi ta botojë serinë e re të revistës “Kosova” që dilte në Konstancë më 1932/33, nën udhëheqjen e bashkatdhetarit tonë, Gjergj Bubani. “Kosova” ishte revista e parë e diasporës shqiptare kushtuar Kosovës, qysh para 80 vjetësh. Revista del sipas nevojës së qartë të kontinuitetit, me artikuj në gjuhën shqipe dhe atë rumune. Drejtor nderi i serisë së re në gjuhën shqipe është dr. Xhelku Maksuti, ndërsa i asaj në gjuhën rumune Tiberius Puju. Me këtë rast,  publiku rumun dhe ndërkombëtarët do të kenë mundësinë ta njohin karakterin e vërtetë të subjektit Kosovë nga pikëpamje politike, kulturore dhe shkencore. Kosova është e regjistruar në Bibliotekën Nacionale të Rumanisë. Qëllimi i saj është afirmimi i subjekteve që kanë të bëjnë me Kosovën dhe vlerat historike, letrare dhe atdhetare të saj, me komene artikujsh lidhur me Kosovën në shtypin rumun, me ribotim artikujsh dhe poezishë kushtuar Kosovës gjatë botimit të saj në periudhën e Mbretërisë, me artikuj mbi rumunët e Luginës së Timokut, të diskriminuar nga administrata serbe etj.

       Revista e Gjergj Bubanit ka qenë e mirënjohur si vlerë dhe dinjitet, jo vetëm nga komuniteti shqiptar, por edhe nga pala rumune. Kosova në Bukuresht dhe Bukureshti në Kosovë. Fati i botës varet nga Kosova. Kosova është shkëndija që e kall energjinë. Kosova është një subjekt që ka qenë trajtuar në shtypin rumun nga pikëshikime të ndryshme, sidomos në të përditshmet “Evenimentul Zilei”, “Romania libera” dhe “Interesul public”, që kanë shkruar me admirim për Kosovën dhe për pavarësinë e saj. Shpresojmë se puna jonë do të ketë efekt të suksesshëm me rezultate transparente në gjirin e mërgatës shqiptare në këtë vend dhe tejmatanë kufijve të Rumanisë. Me këtë rast, përshëndesim përkrahjen nga Kosova, duke i përshëndetur edhe lexuesit tanë, si dhe idenë e dr. Xhelku Maksutit për botimin dhe shpërndarjen e kësaj tribune publicistike në gjirin e komunitetit shqiptar të Rumanisë, në Kosovë dhe botë. (Baki Ymeri)

               

Remember:  Nën thundrën e thive

(Kosova, nr. 4, Konstancë, 22 qershor 1932)

 

Fototeka e Kosoves (I)
Fototeka e Kosoves (I)
Fletorja Ziua që del në Kosntancë (të Rumanisë) boton me titullin e më naltë dhe me nënshkrimin Al. D. Doinaru artikullin që vijon: M-at anë kufinit të shtetit tonë, në Timok dhe në krahinat fqinje, rumunët të mbetun ndënë sundimin e sërbit janë tue pësue ma të tmershmet persekutime nga an’e një administrate shteti që është vënë, me hir pahir, me i jugosllavizue. Barbarizmat sërbe nuk kanë kufi: të rahura me kamxhik ashtë diçka e zakonëshme, burgjet janë plot me rumunë, Priftënit t’anë ndiqen, shkollat rumune nuk mundin të punojnë. Në Bukuresht këto janë sende të njoftuna. Nji kohë, kur nji grumbull pa randësi grekësh patnë bamun nji demonstrate kundra Rumanisë në Pire, xhamet e tregëtarëve të pafajshëm grekër të Rumanisë kërcenin në mijëra copë dhe po të mos vraponte guverna e Athinës t’i lepte satisfaksion të plotë notës dipllomatike që mori prej Bukureshti, lufta dhe represionet ishin gati. Me fisnikët barinj thinjsh të Beligradit, t’anët sillen me dorëza, tue mbajtë llogari të krushqive dinastike – gjë e cila nuk qëndron e llogjikëshme, kur asht fjala për gjendjen tragjike të gjysmë miliuni rumunësh. Konsiderata të tilla nuk asht e mundun me arësyetue nji qëndrim dëmprurës për dinjitetin t’onë kombëtar, dhe familia mbretnore jugosllave, sado me dashamirësi që t’a kqyrim, kurrë nuk ka me na determinue me duartrokitë kët qëndrim të egër të sërbve.

          Traktatet, këto armë të krijueme për të shtypë ata që kanë ma pak gryka topash, nuk kanë ba vetëm nji padrejtësi teritoriale për hir të Jugosllavisë. Edhe Shqipnisë i ashtë mare nji tokë nacionale, Kosova, nji qark kryekëput shqipëtar ku rojnë nji miliun shqipëtarë, mi të cilët sërbët janë vërsulun me program serbizimi me ç’do mjet e mënyrë. Dhe kur thomi “ç’do mjet e mënyrë” duhet me pasë parasysh se këto sende ngjasin në Balkan. Botimet e shtypit mi barbarizmat e administrates sërbe qi mundohet t’i ngopë shqipëtarët me “kulturë” jugosllave kalojnë kufirin e ç’do fantezie. Pra, siç po mësojmë, nacionalistët shqipëtarë nuk rinë me duart në gji. Nga gjith anët ngrihen zëra protestimi kundra ndjekjeve të porosituna prej Beligradit. Dhe këtu në Konstancë filloj me u botue tash shpejt nji fletore nacionaliste shqipëtare “Kosova”, ndënë drejtimin e nji luftëtari të fortë në fushën e shtypit shqipëtar, zotit Gjergj Bubani, e cila lufton atitudën sërbe…Për rumunët të rahur me kamxhik nuk gjinden fjalë mprojtjeje. Janë bijt e kombit, të therorizumun në alltarin e marëdhënieve dipllomatike të mira.

 

          Kosova e Gjergj Bubanit (Konstancë, 1932/33)

Shqiptarët e Rumanisë janë udhëhequr dhe udhëhiqen nga ndjenja kombëtare të sinqerta. Ata janë marrë më tepër se kushdo tjetër me çështjen e mërgimit shqiptar. Shqiptarët kanë qenë dhe janë idealistë, ndërsa Rumania ka qenë gjithmonë foleja e shqiptarizmës. (Demokratia, 1932)

 

Më 25 Maj të vitit 1932, filloi të dalë në Konstancë të Rumanisë revista e parë e diasporës shqiptare, Kosova, tribunë e rëndësishme e çështjes shqiptare dhe e afirmimit të Kosovës në botë. Drejtor i saj është publicisti, përkthyesi dhe patrioti korçar Gjergj Bubani, redaktor i “Shqipërisë së Re” dhe i një varg triubunash tjera shqiptare që delnin në këtë vend. Revista shtypej në Tipografinë “Albania” të Konstancës, atje ku e panë dritën e botimit Atdheu, Flamuri i Shqipërisë, Shqipëria e Re, gazeta e revista tjera shqiptare, si dhe veprat e para të Asdrenit, Lasgushit, Kutelit, Dodanit, Aleko Vançit dhe veteranëve tjerë të atdhetarizmit shqiptar në veri të Danubit. “Kosova” delte me artikuj në gjuhën shqipe, rumune e frenge, në formatin 32/48 cm. Ekzistencën e saj në gjirin e Bibliotekës së Akademisë rumune, sëbashku me disa  botime të vjetra për Skënderbeun e zbuloi poeti kosovar, Sali Bashota, edhepse për këtë tribunë kanë shkruar kohë më parë Vehbi Bala, Ismet Dërmaku, Fatmira Rama, Cristia Maksuti, Elida Petoshati, autori i këtij shkrimi etj. Ndër bashkëpunëtorë njihen Dhimitër Pasko, Ali Asllani, Asdreni, Emin Pllana, Kristo Luarasi, Selami Çela, Dhimitër Shuteriqi..., disa duke i shënuar artikujt apo vjershat me pseudonime si Kaçaniku, Simfiri, Anliri, Plaku i Drenicës etj Nga kjo gazetë janë botuar 32 numra, numri i fundit duke qenë ai i ll korrikut l933. Revista kishte karakter të dukshëm prozogist dhe revendikativ lidhur me trojet shqiptare të mbetura nën kthetrat e hegjemonisë sllavo/bizantine.

          Kështu, nën moton “Le t’a dijë bota mbarë/ Se shqiptari ësht’ i zoti/ Të luftojë si më parë/ Të luftojë si qëmoti/ Për Kosovë e Çamëri/ Rrofsh e qofsh, moj Shqipëri!”  (nr.3, 13 qershor 1932), “Kosova” në numrin e parë të saj përcakton katër kërkesa kryesore për çështjen shqiptare: 1. Të drejtën e vetëdisponimit për viset tona të robëruara (Kosovë e Çamëri), 2. Një Maqedoni autonome, kantonale, me të gjitha format poltike të Zvicrës, ku maqedono-shqiptarët, maqedono-rumunët, maqedono-bullgarët, maqedono-turqit, maqedono-grekët të kenë kantonet e tyre të lira. 3. Konsolidimin e pavarësisë sonë, radikalizmin e reformave shoqërore dhe kristalizimin e lirive kushtetuese. 4. Afrimin dhe bashkëpunimin sa më të ngushtë ndërmjet të tre blloqeve që përbëjnë kombin tonë, dmth. Ndërmjet shqiptarëve të Shqipërisë së lirë, shqiptarëve të Shqipërisë së robëruar dhe shqiptarëve të kolonive. Ky ishte, në të vërtetë, programi i revistës së një drejtori që më vonë do të përjetojë persektutimet e qeverisë shqiptare si pasojë e rekomandimeve të Beogradit.

 

Fototeka e Kosoves (II)
Fototeka e Kosoves (II)
Kosova e Konstancës dhe kosovarët e Bukureshtit

Që në numrin e parë jepet lajmi se Kosova shitet në Bukuresht, "nëpër  kafeanat ku mblidhen kosovarët", te z. Kostika Zisu në Sheshin Dr. Bibescu, dhe te z. Emin Riza, Rruga Kolentina 74. Në kuadrin e artikullit "Kosova" (“organ i pakicave shqiptare”) bëhet fjalë për një grusht nacionalistësh entuziastë të kolonive shqiptare të Rumanisë, Turqisë e Bullgarisë, midis të cilëve shumë kosovarë e çamër të mërguar, të cilët i vunë bazat e këtij organi, duke e pagëzuar me një emër simbolik "Kosova". Artikullshkruesi shpreh bindjen se me ndihmën e nacionalizmës shqiptare, "Kosova" do të dalë faqebardhë në misionin e saj të lartë. "Tash vjen rradha e kosovarëve dhe e çamërve të mërguar t'i japin gjallëri këtij organi. Tek ta dhe tek nacionalistët shqiptarë të atdheut e të kollonivet "Kosova" mbështet gjithë shpresat e saja. Çdokush pra le ta bëjë detyrën ashtu si ia thot zemra" (f.3).

          Që në numnrin e saj të parë, Kosova jep lajmin se shteti shqiptar i dhuroi profesorit Nikolla Jorga, në shenjë mirënjohjeje, një kopsht në anëdetin e Sarandës. Dhurata në fjalë ka bërë një përshtypje të bukur në opinionin rumun. Në numrin e 2-të të Kosovës (4 Qershor 1932, kryeministri Jorga konsiderohet si "përkrahës i nxehtë i çështjes shqiptare". Më 20 Maj të këtij viti, hapet në Bukuresht një kongres kishtar që kishte për qëllim afrimin e të gjitha kishave të krishtera. Në këtë kongres ishte ftuar të marrë pjesë edhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Nikolla Jorga si përkrahës i përzemërt  i qëndrimeve shqiptare, shpreh mendimin që "Patriarkia e Rumanisë t'i njohë qysh tash Autoqefalinë tonë, pa kërkuar edhe pa pritur avizin e kryekishave të tjera". Me këtë rast, Jorga e priti me nderime dhe simpati të posaçme, kryepishkopin shqiptar, Vissarion Xhuvani.

          Në kuadrin e artikullit Si u prit Kosova (nr.3/1932), kosovarët e Bukureshtit theksojnë faktin se "Na kosovarët, ndonëse ma të shumtët nuk dimë me këndue, të gjithë do t'a marim "Kosovën", e do t'a mbajmë në gji, si nji gja të shejtë". Sefedin Kërçova (kryetar i komunës së Shipkovicës në kohën e Mbretërisë Shqiptare), paraqitet nga Shijaku. Sipas tij, kjo inisiativë e shenjtë që kanë marë përsipër "gëzon çdo shqipëtar me ndjenja të vërteta kombëtare, e ma fort mua që ju njoh personalisht si nji nga ma të mirët patriotë". Dashamirët e kësaj tribune të atdhetarizmit shqiptar nuk shprehin vetëm komplimente, por shprehin gadishmëri për parapagim, dhe e e porosisin redaksinë tua dërgojnë Kosovën që nga numri i parë. Në numrin 4 jepen vlerësime e gazetës Demokratia, e cila thekson faktin se Shqiptarët e Rumanisë janë udhëhequr dhe udhëhiqen nga ndjenja kombëtare të sinqerta, se janë marrë më tepër se kushdo tjetër me çështjen e mërgimit shqiptar, se kanë qenë dhe janë idealistë, se Rumania ka qenë foleja e shqiptarizmës.

 

Tribunë e revendikimeve legjitime shqiptare

          Nga Brusa paraqitet Zulfo Nexhip Kleshtina, "i humbur midis të huajve n'Asi të Vogël, ku kam qenë dërguar me pahir si "turk i shkëmbyeshmë, ndjeva një gëzim të math kur papandehur mora me postë të nderçmen dhe trimen fletore Kosova, me atë program fjesht kombëtar, të çpallur ne mënyrë të japur. Që nga thelpi i zemrës ju uronj". Revista bukureshtare “Macedonia” e vllehëve të Maqedonisë, në numrin e saj të Qershorit 1932, e përshëndet me gëzim botimin e kësaj  fletore "revendiktash shqipëtare, që janë dhe t'onat". Në kuadrin e artikullit “Si na karakterizojnë arumunët” (Nr.4, f.3), preket edhe segmenti fetar: "Ndjenja fetare te shqipëtarët është më superficiale se në ç'do tjetër popull ballkanas. Shqipëtari është më parë shqipëtar, e pastaj musulman ose i krishterë. Me gjithë që i mungon një ndjenjë e vërtetë fetare, shqiptari ka shpirt bujari dhe këtë bujari e tregon posaçërisht atëherë kur një i huaj i bije derës së tij dhe i kërkon strehë. Për shqiptarin nuk ka ditë më e lumtur nga ajo kur iu dha rasti të presë në shtëpin' e tij një musafir".

          Kosova e Konstancës boton një serë vjershash për Kosovë e Çamëri (autorë: Asdreni, Risto L. Siliqi, Dhimitër Shuteriqi, etj.).  Sefedin Kërçova paraqitet përsëri nga Shijaku: "Kosova dolli. Tash duhet t'a mbajmë më këmbë, me çdo therori". Në numrin 5 jepet një faqe me artikullin “Tragjedia e kosovarëve”. Bëhet fjalë për qëllimet dhe metodat që përdorin serbët "për të çdukur fisin t'onë nga Kosova". Në një numër tjetër të kësaj tribune, duke bërë fjalë për konsideratat e huaja ndaj shqiptarëve, par adimirimit të rumunëve dhe arumunëve ndaj kombit shqiptar, theksohet fakti se "një serb ka thënë që shqiptarët janë një racë e degjeneruar dhe prapanike; se duart u varen më poshtë nga gjunjët dhe majë kokës kanë nga një culluf flokësh".  Jemi në pranverën e shenjtë të Pavarësisë (2008), në vitin kur Kryeministri i Kosovës e konsideron respektin ndaj minoroteteve si një obligim i shenjtë i çdo shqiptari. Në kuadrin e artikullit të asistentit universitar Nicolae M. A. Popp, “Minoritatea Romano/ Albaneza din Jugoslavia (nr. 31, 28 Maj 1933), “Kosova” e Gjergj Bubanit shkruan me respekt për shkencëtarët serbë (A. Melik, G. Valsan, M.S. Filipoviç, I. Erdeljanoviç, V. Bubinec etj.) të cilët i konsiderojnë trakasit dhe ilirët, respektivisht rumunët dhe shqiptarët, si banorët e parë të “krejt territorit të Jugosllavisë aktuale”.

          Në kuadrin e artikullit "Misioni i Kosovës" (Nr. 5), kuptojmë se korespondent i "Kosovës" në Bukuresht, asokohe ishte studenti entuziast D. Pogaçe, "i cili mori inisiativën për t'krijuar një shkollë shqipe në atë qytet, posaçërisht për kosovarët që s'dinë të këndojnë e të shkruajnë gjuhën amtare, dhe u afrua ay vetë të shërbejë si mësues, pa ndonjë pretension". Me këtë rast theksohet fakti se është mbajtur mbledhja e parë me një numur prej më se 100 kosovarësh, që nga ora 8 e mëngjezit deri në mesditë, në Kafenë Persiane. "Mbledhja që u mbajt pardje është fillimi i një aktiviteti të gjallë, që rethi i zgjedhur i Kosovës të zhvillohet në gjithë kollonitë shqipëtare".  Me këtë rast, siç theksohet në kuadrin e artikullit “Mbledhja e kosovarëve në Bukuresht” (nr.5), u themelua Shoqëria "Kosova" dhe u vendos të çelet një shkollë-nate  shqipe për kosovarët. Sipas korespondentit të Kosovës, "Mbledhja u mbyll në mes të një enthusiasmi të math (...). Gjithë kosovarët më këmbë brohoritnë duke tthirur: “Rroftë Shqiypnija! Rroftë Flamuri! Rroftë Kosova e Çamëria!”. Gjithashtu brohoritnë për fletoren "Kosova" dhe për studentët shqipëtarë të Bukureshtit".

          Në numrat e ardhshëm jepen krijime të Lasgush Poradecit, Sterjo Spasses, Gjergj Bubanit, bëhet fjalë për Marshin e Kosovës, Viktor Eftimiun, Jashar Erebarën, Asdrenin, Erakli Duron, Kristaq Antoniun, për mbledhjen e dytë të kosovarëve të Bukureshtit, për aktivitetet e gruas shqiptare, për rumunët e Timokut, për themelimin e shoqërisë kulturore shqiptare "Kosova" në Bukuresht, dhje për një varg subjkektesh tjera, të denja për teza doktoratash dhe analizash të mirëfillta shkencore e publicistike. (Baki Ymeri)

 

 

Kosova në massmedian rumune

Vëllazëria ortodokse dhe përmasa e dyfishtë

 

Duket një gabim fakti që Rumania u ngut të prononcohet në rastin e Kosovës, ndërsa bota e shumtë është e mendimit se duhej të bëhej shpejt ajo që e bëri Big Brother kur i inkurajoi talibanët e Afganistanit., në fazën e parë kundër rusëve dhe shikojmë se të gjithë se ç’ngjau. Disa thonë se UÇK-ja nuk ka qenë një ushtri e çlirimit por një armatë terroriste, e pastrimit etnik, sinonim me atë serbe, që, faktikisht, politikanët kosovarë janë ish/terroristë të ricikluar, agjentë të mafias shqiptare në fqinjësi. Ç’është e vërteta, serbët patën ndërmarrë përmasa të egra të pastrimit etnik në Kosovë, kurse shqiptarët? Brenda disa javëve do të shohim nëse deklaratat e bukura të krye/minsitrit të shtetit të dytë shqiptar, të sapokrijuar, janë projekte apo pluhur në sytë e opinionit publik ndërkombëtar.

          Ndoshta ligji i parë që duhej ta votojë qeveria Thaçi, do të ishte ai i minoriteteve. Një gabim është bërë, kjo është e sigurtë, se duke e ndihmuar Serbinë, përkrah Rusisë, autoritetet rumune nuk ia vunë presidentit serb të vijë menjëherë në Bukuresht çështjen e rumunëve të Luginës së Timokut, të nënshtruar një pastrimi të tmerrshëm etnik, dhe jo prej dje e apo pardje. Sa i përket vëllazërisë ortodokse ndërmjet serbëve e rumunëve, ndoshta presidenti rumun duhej ta pyeste atë serb se ç’ka ngjarë me kishat rumune në fshatrat e Luginës së Timokut, në shtetin demokratik, me aspirate evropiane. Serbia ? Me siguri që timokasit nuk kanë pas vedi solidaritetin mysliman për të bërë ndonjë armatë çlirimtare, si shqiptarët e Kosovës. Një prifti rumun të Luginës së Timokut iu ndalua të ndërtojë një kishë (ortodokse natyrisht) në oborrin e shtëpisë së tij, po në emër të vëllazërisë ortodokse.

          Dhe kjo në kohën kur te ne, në Banatë, funksionon një erark serb në rang të epishkopit dhe nuk i kujtohet kujt t’a mbyllë kishën. Para disa vitesh, Teoktisi i dhuroi një shumë të madhe kishës ortodokse serbe. Të gjitha këto do të duhej vënë në peshore edhe nga ana e kampionëve të nacionalizmit, të zbuluar përnjëherë nga të gjitha televizionet, të konsideruar si profesionistë të patriotizmit, ashtu siç ka mundur ta vërejë çdokush që ka  patur kohë për ta humbur. Asnjëri nuk fryu një fjalë për rumunët në jug të Danubit. Pra, patrioti Funar dhe patrioti Vadim për këtë duhet të mendonin, këtë duhej ta invokonin. Sa i përket njohjes së shtetit të Kosovës, do ta ndryshojmë shpejt pozitën, këtu i jap të drejtë prijsit të Lidhjes Demokratike të Rumanisë, Marko Bela…

          Përngutshmëria jonë s’është tjetër veçse një specialitet rumun me sarma e kaçamak, siç e kanë demonstruar aq aleanca të gabuara, të shkëputura dhe të kthyera në anën e kundërt, në historinë tonë. Shiko dhe vitet e fundit të politikës! Ndoshta do të duhej që ministrant të këshilloheshin mes vedi  para se të shpallin marrëzira në postet televizive, mendoja kështu, por e kuptova se këshilla ndërmjet të pavendosurve sjell vetëm pavendoshmëri. Mos vallë këta zotërinj kanë arritur për tepër shpejt në qeverisje? Apo , mos vallë asnjëri prej personazheve të këtilla nuk duhej të merrej me një gjë të tillë? Po i rikthehemi pavarësisë së dy milionë shqiptarëve të Kosovës,  njësoj siç kemi të drejtë t’i rikthehemi të drejtës për vetëvendosje të popujve. Por 20 milionë kurdë të Turqisë, Sirisë, Irakut dhe Iranit pse të mos kenë një shtet të tyre? Atëherë pse të mashtrohemi me pallavrat gjoja se ushtria çlirimtare qenka terroriste? (Nicolae Prelipceanu, România Liber?, Bukuresht, 26 shkurt 2008).

 

Serbia antirumune dhe mbrojtja e Kosovës në Bukuresht

(Florian Bichir, Ndërsime shpirtërore, Sibiu, 2008)

 

Gjatë ditëve të Panairit të librit Gaudeamus (Bukuresht, 2008), autori Florian Bichir na e dhuroi për opinionin shqiptar librin Ndërsime shpirtërore (Rafuieli in duh). Autori ka kryer studimet e teologjisë dhe gazetarisë, dhe është njëri nga seniorët më të mirë të së përditshmes Evenimentul zilei, që del në Bukuresht dhe Kluzh-Napoka, e lexuar nga 546.000 lexues. Libri ka 170 faqe dhe është i strukturuar në 4 kapituj. Për opinioni tonë vlen të potencojmë të vërtetën se krahas fundrinave çaushiste që kanë zhvilluar propaganda serbe në mass/median rumune, Rumania ka gazetarë dhe analistë të mirëfilltë që nuk bien në grackat e kompromisit dhe interesave meskine të politikës së ditës. Njëri nga ta është edhe publicisti Florian Bichir, i cili në kapitullin 4 boton një serë artikujsh të guximshëm përmes të cilave e demaskon me guxim politikën barbare të Beogradit kundër shqiptarëve të Kosovës dhe etnosit rumun në Luginë të Timokut. Kështu, në kuadrin e artikullit «Dashuria» serbe» (fq.123/124), autori nxjerr në pah politikën antirumune të autoriteteve serbe.

«Po të ish nevoja, ditët e shkuara u dëshmua se sintagma «relacione të shkëlqyera ndërmjet serbëve dhe rumunëve» është një mashtrim. Aq sa e admiroj kokëfortësinë dhe rezistencën e serbëve, po aq e nënçmoj nacionalizmin e tyre të një radikalizmi të ekzagjeruar. Ja faktet: më 2005, një rumun nga Serbia, Bojan Aleksandroviç, qe shuguruar nga epishkopi rumun Hirësia e Tij Daniil, kurse në pronën e tij u ngrit një  kishë. Një vatër e vogël ku rumunët do të luten në gjuhën amtare, do t’i pagëzojnë fëmijët, do të martohen apo do t’i vajtojnë të vdekurit. Kjo për arësye të faktit se rumunët e zonës së Timokut të «fqinjes sonë të dashur» Serbisë, nuk kanë kurrfarë të drejte. Jo, jo, ata kanë të drejtën për të qenë të persekutuar. Të trembur nga një prift i gjorë, por i cili mund ta ripërtërinte identitetin kombëtar të këtyre rumunëve të pushtuar me dekada të tëra, autoritetet serbe reaksionuna në mënyrë të dhunshme. Së pari u munduan ta shpartallojnë kishën. As që vlente për ta se ishte ortodokse, se i përkiste të të njejtëve vëllezër që i besojnë Krishtit. Faktikisht «mbrojtja e ortodoksisë» është parollë të cilën serbët e nxjerin në pah sa herë që e kërkon interesi i tyre. Pastaj kërkuan intervenimin e armatës.

Në prill 2006, njëdelegacion i Kishës serbe erdhi për marrëveshje në Bukuresht, me një nofull në qiell dhe me tjetrën për toke. Herë me kërcënime, herë me fjalë të mira, herë me «pravosllavna braqa», serbët arritën të zhvendosin selinë e epishkopatës rumune nga Vërshaci (Vërshoara) në Rumani. Kërkuan madje dhe modifikimin e titullit, ndërsa ne u pajtuam që të mos akuzohemi si qëllimkëqinj. Epishkopata e Vërshacit  u bë Dacia felix, një titull për fatin tonë tejet i inspiruar. Sipas akteve të nënshkruara në Bukuresht, serbët premtuan se do të merren me rumunët e Luginës së Timokut, në kuptimin që ata do t’u vënë në shërbim priftërinj që dinë gjuhën rumune. Tani, qoftë fjala mes nesh, negociatat qenë dinamituar nga një prift rumun i dobët përnga engjëlli, i cili gjithnjë pozonte në veladonin e një rrëfyesi të përmirësuar. Kështu i përulur, dinte ndërkaq të bëjë dallavere me energji elektrike dhe lëndë druri për ndërtime me miqët e tij pravosllavnikë. Njëra pas tjetrës, e mbajti fjalën. Serbët, përndryshe, e lajmëruan priftin Bojan se do ta dëbojnë nga e drejta e prifërimit.  Motivi? Pse ka mbajtur meshën në gjuhën rumune! Derisa serbët gëzojnë në Rumani të drejtat fetare të garantuara nga shteti, kanë një vikariat në Timishoara, rumunëve të Timokut në Serbi u është ndaluar të luten në gjuhën e vet. Ka nevojë të flasim për të drejtat e njeriut dhe për liritë fetare?

Meriton të përkujtojmë faktin se serbët e kanë dënuar me dy vjet burg priftin rumun të Timokut, dhe se në janar 2008, patriarku serb Pavle, ka thënë për riaktivizimin e epishkopatave rumune në Basarabi (Republika e Moldovës, tashmë shtet i pavarur, ishrepublikë rumune e ndodhur deri më 1992 në kthetrat e Bashkimit Sovjetik-nënv.i përkth.): «Historia e riaktivimit të Mitropolisë së Basarabisë është e lidhur me njërën nga periudhat më të erëta në historinë e njerëzimit – periudha e pushtimit nazist »! Vaj halli për ata që  i kanë serbët «vëllezër»! Artikulli në origjinal mban titullin «Dragostea» sârbeasc?”.

 

Kosova dhe Dhelpra e Ballkanit

Në kuadrin e këtij artikulli, autori thekson se «Zgjidhja e çështjes së Kosovës përmes shpalljes së pavarësisë së saj provokon ankthe të mëdha në Bukuresht, madje dhe në nivel autoritetesh.  Kjo vjen si pasojë e faktit se si sipas një sqenari, do të pasojë pavarësia e Vojvodinës, si pasojë e së cilës do të vehet në shqyrtim Visi i Sekujve, Kovazna dhe Hargjita, apo Har/kovi, siç po e përmendin, gjë që, sipas lehjeve të kota, e shpërbëka Rumaninë. I hidhëruar nga propagandat mediatike që e kanë si burim Beogradin, «poeti i madh Baki Ymeri», siç e pagëzonte Marin Sorescu, më ka dërguar disa rrjeshta: „Derisa Basarabia ka qenë koloni e Rusisë, Kosova ka qenë koloni e Serbisë. Krahasimi ndërmjet Kosovës dhe Transnistrisë apo zonave tjera të ndodhura nën tutelën e Kremlinit është një krahasim i gabuar që vjen nga kuzhinat e shërbimeve të fshehta të ultranacionalizmit serb. Kosova është motra binjake e Besarabisë”. Duke i dashur me përgjërim këto troje, Baki Ymeri, si përfaqësues i komunitetit shqiptar, është totalisht i revoltuar nga sqenarët e lansuar: ”Të kërkosh bashkimin e Transilvanisë rumune me Hungarinë, është njësoj sikur të kërkosh bashkimin e Kosovës shqiptare me Serbinë, apo të Moldavisë rumune me Rusinë. Derisa hungarezët e Transilvanisë jetojnë në dy/tre rrethe në zemër të Rumanisë, pa patur kurrfarë lidhjesh gjeografike me Hungarinë, ata kanë të drejtë për të drejta kombëtare, por jo edhe për pavarësi apo bashkim kombëtar ».

Kujt i konvenojnë kërkesat e këtilla absurde, antirumune dhe antishqiptare, pyet Florian Bichir-i dhe vazhdon: « Është e qartë se në vitet 1998/1999, në shtypin rumun botoheshin artikuj për krimet e luftës kundër shqiptarëve etnikë të Kosovës, apo kushtrimet e shqiptarëve përmes të cilave kërkohej  intervenimi i NATO-s për eliminimin e regjimit të Milloshevit. Prej asokohe, ndërkaq, sistematikisht, nisën të dalin versione të llojllojshme:  gjoja se shqiptarët qenkan myslimanë, gjoja se krijohet një shtet mysliman në zemër të Ballkanit, etj. Pa marrë parasysh faktin se disa mbajnë emra myslimanësh të rrallë janë ata që krenohen me përkatësinë myslimane, ngase sipas historisë, shqiptarët e dinë se janë pasardhës të ilirëve që e përqafuan krishtërimin nga Shën Pali. Diçka tjetër duhet dhënë për të menduar, jo vetëm autoriteteve, por edhe të ashtuquajturve analistë: pozita e Rusisë! Kremlini përpiqet në mënyrë të dëshpruar të gjejë një aleat në Ballkan, në personin e Serbisë.

Si çdo fuqi e madhe që respektohet, Rusia shkon mbi dy kokë, siç thuhet: përkrahje të drejtëpërdrejtë, përmes të gjitha rrethanave: ushtarake, politike dhe diplomatike regjimeve separatiste të Transnistrisë, Osetisë së Jugut, Abhazisë, megjithëse në rastin e Jugosllavisë dhe Serbisë ka përkrahur paprekshmërinë e territorit të një vendi të njohur në përmasa internacionale. Dhe është duke lëshuar rrënjë kësaj here propaganda serbe, e prekur sentimentalisht me ndihmën e miteve: me serbët nuk jemi qortuar kurrë, jemi ortodoksë dhe e kemi të njëjtin armik: Hungarinë. Se rumunët e Serbisë janë të persekutuar sistematikisht dhe se nuk kanë kurrfarë të drejtash fetare në gjuhën rumune, nuk thuhet. Se me rastin e sulmit të Jugosllavisë, më 1941, serbët e kanë bombarduar Aradin dhe Timishoarën, kalohet në heshtje. Po qe se Rusisë rumunët i thonë Arushë, Serbia është e pagëzuar si Dhelpra e Ballkanit. Dhelpra domethënë ajo kafshë që vjedh fshehtas dhe fotografohet si e pafajshme. Artikulli në origjinal mban titulli Kosova si Vulpen in Balcani (fq.153/154).

 

Kosova dhe një kryqëzatë e re

Në kapitull 4 të librit Ndërsime shpirtërore botohet edhe artikulli Kosova dhe kryqëzata e re (Kosovo si noua cruciada, fq. 133/134), ku përmend të vërtetën se «Shpallja e pavarësisë së Kosovës e ka mahnitur «opinionin publik», por edhe analistët politikë, të papregaditur. Dhe ka(në) reaguar, si dhe në raste të tjera, totalisht në mënyrë haotike. Kjo dhe si pasojë e një fushate serbe tejet efikase, zari i lojës duke u hedhur menjëherë në plan sentimental/fetar. «Duhet t’i përkrahim serbët ngase janë ortodoksë si ne. Duhet mbrojtur ortodoksia ngase hyjnë myslimanët në zemër të Europës!» ishin parollat e lansuara. Ndoshta jo më kot, Constantin Radulescu Motru, theksonte në një tipologji të shpirtit të kombit rumun se rumuni është fetar «sa për sytë e fshatit». Siç janë të këtillë edhe shqiptarët që e kanë përqafuar sa për sy e faqe fenë e pushtuesit osman, themi ne, duke ia lënë fjalën autorit të librit Ndërsime shpirtërore, i cili e citon psikologun Motru: «Dhe mu për këtë arësye është edhe nacionalist. Me religjionin shkon deri në evlavi. Mund ta harrojë ai Zotin e prindërve të tij! (…) Rumuni është fetar aq sa e sheh se të gjithë përrreth tij janë fetarë. Të rrallë janë shembujt kur çështja e fesë buron nga thellësia e zemrës së tij».

          Artikulli i Flrian Bichir-it është botuar në shtyp më 23 shkurt 2008. «Në Serbi, vazhdon autori, situata në nivel psikologjik është e ngjashme, rol kryesor duke e patur Kishën Ortodokse Serbe. Epishkopi serb, Artemije, ka deklaruar se Serbia  do të duhej ti mobilizojë forcat e armatosura ta shpallë Kosovësn «territor të pushtuar» dhe të blejë armë nga Rusia për ta ripërfituar. «Ta ftojmë Rusinë dhe vendet tjera të dërgojnë ushtri në Serbi dhe të drëgojnë vullnetarë të na ndihmojnë në luftën tonë të drejtë», ka deklaruar epishkopi. Revolta mund të justifikohet përmes propagandës gjoja se Kosova qenka një vend i shenjtë për serbët, por të ftosh Rusinë dhe vendet e tjera në konflikt për një kryqëzatë të re, kësaj si thonë tjetër veçse xhihad ortodoks. Nuk do të kishte gjë të keqe në këtë, por nuk kam dëgjuar kurrë nga besimtarët serbë të Kosovës ndonjë apel për pajtim dhe respekt ndaj kombit shiptar. Është i çuditshëm, madje edhe rrënqethës, fakti se tani kisha ortodokse serbe arrin të luajë një rol aq të rëndësishëm. Jugosllavia i ka ndihmuar dhe stërvitur vite me rradhë terroristët palestinezë (nën maskën e asistencës së pjestarëve të vendeve të painkuadruara), kurse tani maska e mbrojtësve të krishtërimit nuk u ka hije, thekson Tiberius Puiu, specialist në hapësirat ish/jugosllave.

          Karakteri thellësisht nacionalist serb i kësaj kishe është konfirmuar me faktin se  edhepse pas vitit 1929, pas instaurimit të diktaturës mbretërore, nuk shrytëzoheshin epitetet «serb», «kroat» apo «slloven» por epiteti «jugosllav», kurse Kisha Ortodokse Serbe, edhepse gëlltiste banorë nga territoret kroate apo maqedonase, nuk qe pagëzuar Kisha Jugosllave. Kështu e ngriti një shembull unik ndër Kishat ortodokse, emërtimi i saj duke mos qenë i ngjashëm me emrin e shtetit. Qindra vjet, vazhdon autori Bichir, Kisha serbe ka promovuar filetizmin, term që don të thotë identifikimi i fesë me kombin. Kisha serbe ka qenë ajo që ka imponuar shkombëtarizimin e vllehëve (rumunëve) të Timokut. Edhepse këtu gjenden më shumë manastire të ngritur nga sunduesit rumunë, kjo gjë kalohet në heshtje. Po kjo Kishë serbe, në regjionin e Timokut ka imponuar një listë për pagëzimin e fëmijëve. Episkopata ortodokese rumune, e themeluar më 2001, nuk është e njohur sot e kësaj dite, edhepse serbët e valëvisin flamurin tonë në Beograd. Pse? Ngase këtë e bëjnë për interesat e veta. (B. V.)

         

Oftalmologjia kosovare dhe respekti i palës rumune

Dou? remarcabile personalit??i medicale, doctori oftalmologi din Kosova,  Prof. Dr. Ilhami Goranci ?i Dr. Halil Ajvazi, au participat la Congresul Interna?iional de Oftalmologie de la Sinaia. În trecerea prin Bucure?ti, au fost oaspe?i ai redac?iei revistei Albanezul, exprimându-?i satisfac?ia pentru reu?ita întâlnirilor din România, subliniind importan?a deosebit? a întrunirii Congresului de la Sinaia pentru lumea ?tiin?ific? eurpean?. (G. Maksuti)

 

         Në Kongresin e 8 ndërkombëtar të Shoqatës Rumune të Oftalmologjisë (SRO) me karakter ndërkombëtar, që u mbajt këto ditë në Sinaia të Rumanisë), Kosovën e përfaqësuan (për herë të parë pas pavarësisë),  dr. Halil Ajvazi (autor dhe koautor), prof. dr. Ilhami Goranci dhe Prof. Dr. Meshgyre Brestovci. Punimi i tyre me titull “Glaukoma neuvaskulare” zgjoi interesim të veçantë te auditoriumi i përbërë nga ekspertë të mirënjohur në fushë të oftalmologjisë. Autorët u prezantuan për herë të parë në një Kongres ndërkombëtar me pjesëmarrje aktive.  Punimi i tyre pason të botohet në revistën me indeks ndërkombëtar të oftalmologëve të Rumanisë. Ky është rasti i parë i bashkëpunimit aktiv të shëndetësisë kosovare me Shoqatën e oftalmologjisë të Rumanisë në suaza ndërkombëtare.  Projekti i prezantimit të këtij punimi ka qenë i iniciuar nga dr.Halil Ajvazi dhe prof. dr. Ilhami Goranci, duke marrë për bazë punën disavjeçare të prof. Ilhamiut nga lëmi i glaukomës. Rezultatet e prezantuara në Kongres nga ekipi kosovar kanë zgjuar kureshtje dhe interesim të veçantë, duke trasuar kështu rrugën për bashkëpunim të mëtejshëm ndërmjet oftalmologëve të Kosovës me Shoqatën e oftalmologëve të Rumanisë. 

Shumë oftalmologë rumunë dhe ndërkomtarë u interesuan për nivelin e zhvillimit të oftamologjisë në Kosovë.  Duke marrë për bazë mendimin e prof. dr. Ilhami Gorancit, si dhe të kryesisë së punës së Kongresit të VIII-SRO, punimi i prezantuar nga magjistri i shkencave të oftamologjisë, dr. Halil Ajvazi, ka qenë i nivelit të lartë dhe ka zgjuar interesim të madh, rast me të cilin vërehet një dëshirë për ngritjen e raporteve në nivel institucional ndërmjet Kosovës dhe Rumanisë. Mysafirët nga Kosova i shprehin mirënjohje të veçantë zt. Sabri Novosella nga Kllokoti i Vitisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë, për përkrahjen modeste që u kanë mundësuar për të marrë pjesë në Kongres.  Ata i priti priti me përzemërsi të veçantë edhe presidenti i nderit i komunitetit shqiptar të Rumanisë, dr. Xhelku Maksuti, i cili shprehu dëshirën e afrimit sa më të madh të Kosovës me Bukureshtin, duke potencuar faktin se ka ardhur koha kur shkenca ndërlidhet me politikën për përforcimin e kritereve paraprake për njohjen e Kosovës nga pala rumune. (A. Voka)

 

BASHKËPUNIM ME DIASPORËN

Redaksia e revistës Kosova përshëndet redaksinë e revistës së Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Pena, si dhe Kryeredaktorin e saj, Zt. Adnan Mehmeti, president i Shoqatës respektive. Në numrin e saj të fundit (3/2009), Pena prezanton një gamë vlerash shqiptare dhe universale, ndër të cilat shquhen shkrimet mbi Ernest Heminguejin, albanologun Leonard Newmark, Dora D’Istrian, inisiativën për themelimin e Universitetit Publik Shqiptar për komunat Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, etj. Në këtë kontekst bashkëpunimesh të frytshme me diasporën përshëndesim edhe redaksinë e revistës Dituria në Boras të Suedisë, Alma Papamihalin, Thoma Gogën, Fatime Kullin, Gëzim Markun, Riza Lahin, Niko Kotherjen, Petrika Grosin, Vitore Lekën, Jorgo Telon, Nuri Plakun, Eduard Dilon, Gjergj kabashin, dashamirët tanë nga Kosova, Zvicra, Italia, Norvegjia, Gjermania e gjetiu.


MIRËNJOHJE NGA DASHMIRËT TANË

I nderuar!  Ndjeva gëzim të pashoq kur kuptova që po lind edhe një yll i ri i shqiptarizmës në Bukuresht, revista Kosova, një tribunë pritur kahmoti për çdo  dashamir  që ndjen shqip, shkruan shqip,  komunikon shqip dhe lexon shqip. Veprimtaria intenzive e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë na frymëzon dhe jep impulse të reja në diasporë, ngase jeni duke na treguar se drita e Rilindjes Kombëtare nuk është shuar, se patriotizmi i shqiptarëve të Bukureshtit po përcillet nga gjenerata në gjeneratë, dhe kontributi kulturor e historik trasohet me vlera të njëjta, sikur në kohën e Naimit, Samiut, Asdrenit.  Zoti ju mbroftë për këtë punë të shkëlqyer. Me nderime, Mediar Leka (Norvegji, 17/10/2009). Vëlla i dashur! Unë kaherë e kam formuar bindjen se Ju në Bukuresht, jatakun e Rilindësve tanë jeni duke e mbajtur me zjarr të pashuar. Ai zjarr i dikurshëm që i ngrohi zemrat dhe shpirtin tonë po vazhdon edhe sot të na ngrohë, kur  ende jemi në "hap e kurthë, kurthë e hap". Kam besim se veprimtaria  Juaj e ka bekimin e të gjithë shqiptarëve që janë të mbrujtur me gjak të pastër  shqiptari. Ju në Rumani, edhe të tjerët si Ju nëpër vende të tjera të botës jeni ata që e mbani të gjallë e të pashuar zjarrin gjithëkombëtar. O Zot, po të përgjërohem me tërë forcën që ia ke dhuruar shpirtit tim, i ruaj këta shpirta, u jep shëndet e forcë! Bekoi o Zot! Ndihmoi në rrugën e tyre të shenjtë! Shenjtëroi me shenjtërinë Tënde! (Hysen Këqiku, Kosovë, 17/10/2009).

                   *************************************

Colegiul de redac?ie: Dr. Gelcu Maksuti (Pre?edinte de Onoare a UCAR), Baki Ymeri (Redactor-?ef), Tiberius Puiu (Secretar general de redac?ie). Tehnoredactare: Florian Hu?anu. Pentru corespeonden?a: Cal. Bd. 1 Mai 18, Bl. 17-S-14, Ap. 128, 061631 Bucure?ti Of. 66, Sect. 6. Telefoane: 0040 (0) 729698600, Fix: 0040. 21.7455463, Fax: 021.4401455- ISSN 2066 – 9968. E-mail: bukureshti@yahoo.com,bakiymeri@yahoo.com

Responsabilitatea juridic? pentru con?inutul articolelor apar?ine autorilor (art.206 C.P.).