Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lubonja merr Sergio Vieira de Mello

| E diele, 11.10.2009, 06:37 PM |


Nga J.P., Shekulli

Publicisti shqiptar është vlerësuar me këtë çmim në Krakov, për kontributin në shërbim të demokracisë, tolerancës dhe lirisë.

Më 8 tetor Fatos Lubonja mori në Krakov (Poloni) Çmimin Sergio Vieira
de Mello Prize. Çmimi që mban emrin e një ish diplomati të lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në vitet 2002 dhe 2003, Sergio Vieira de Mello (1948-2003) është dhënë në një ceremoni të veçantë në Villa Decius gjatë konferencës të titulluar "Sfidat e lirisë", për ata indvidë dhe organizata, të cilët me kontributet e tyre për një bashkëjetesë paqësore dhe bashkëpunimin e shoqërive, besimeve dhe kulturës.

Ky është edicioni i gjashtë i çmimit, juria e të cilit përbëhej nga përfaqësues të Presidentit të Republikës së Polonisë, të Ministrisë së Punëve të Jashtme Polonisë, të ambasadave të Brazilit, Suedisë, përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara për refugjatët dhe nga të tjera institucione e organizma, kryesisht për mbrojtjen dhe mbështetjen e të drejtave të njeriut.
Kandidatë për vitin 2009 të Sergio Vieira de Mello Prize në kategorinë e individëve janë: Martii Ahtisaari, negociatori i Kombeve të Bashkuara për Statusin e Kosovës, Elie Barnavi, W?adys?aw Bartoszewski, Kazimierz Brakoniecki, Adama M.D.Cham, Emilia Chmielowa, Krzysztof Chojniak, Pat Nash, Maria Orwid, Sigmund Rolat, Jorge Sampaio, Paolo Sanguszko, Desmond Tutu, Leopold Unger dhe nga Shqipëria dy kandidatë Fatos Lubonja dhe Mustafa Nano.

Lubonja ka qenë një nga pak fiuesit e kësaj liste të gjatë kandidatësh. Ai ka qenë prezent në Krakov për të tërhequr çmimin, një statujëz, një diplomë dhe një shumë simbolike financiare.
Ndërsa në kategorinë e organizatave joqeveritare kandidatë për këtë çmim ishin Amnesty International, Foundation "Africa another way", Culture for Tolerance Foundation, Foundation of Disabled People's Art, Doctors Without Borders, International Lesbian and Gay Association for Culture in Poland (ILGCN Poland), "Never Again" Association, Vilnius and Vilnius Region, Crisis Intervention Society, UN Assistance Mission for Iraq etj.

Nisma e Villa Decius Association Sergio Vieira de Mello Prize u zbatua më 2003, me qëllimin për të përkrahuar demokracinë dhe tolerancën dhe sigurisht si homazh për brazilianin Sergio Vieira de Mello, i vrarë nga një sulm me bombë në Bagdad.

Duhet thënë se mendimi publicistik e kritik i Lubonjës është i njohur tashmë në gjuhën polake, falë përkthimit të Dorota Hordyska-s. Në fund të vitit 2005 shtëpia botuese "Pogranicze" botoi "Liri e kërcënuar" (publicistikë e viteve 1991-1997). Në pjesë e këtyre shkrimeve janë botuar në shtypin polak, kryesisht në gazetën më të madhe "Gazeta Wyborcza". Tek "Shqipëria - liri e kërcënuar" Lubonja analizon tema social-kulturore, vitet e para të paskomunizmit, Shqipërinë e kaosit politik e ekonomik të pas vitit '97 pas rënies së piramidave dhe Kosova si një kapitull i veçantë.

Jo vetëm kaq, por ky çmim është i merituar nga Lubonja duke parë konseguencën dhe intensitetin me të cilin ky intelektual vazhdon t'i japë qytetarisë dhe mendimit shqiptar.