Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Halit Bogaj: Kamer Loshi

| E shtune, 10.10.2009, 07:18 PM |


KAMER LOSHI

Nga Halit Bogaj

Në luftat tona çlirimtare për mbrojtjen e vendit vazhdimsht kishim trima dhe heronj të shquar me emrat e të cilve ishte e lidhur historia e viseve tona. Gjatë një beteje të rreptë midis forcave armiqësore serbe dhe atyre shqiptare në Luftën e gjatë çlirimtare të Azem Galicës , një vend i madh nderi  dhe krenarie kombëtare i përket edhe luftëtarit të famshëm Kamer Loshi i cili luftoi si një luan i palodhur për ta dëbuar armikun nga vatrat tona stërgjyshore.Kamer Loshi  është bërë lavdiplotë edhe përmes këngëve të ndryshme duke u radhitur ndër figurat më të çmuara të këngëve tona patriotike të cilat u përkasin periudhave më të ndritshme të historiesë sonë të lavdishme.Kamer Loshi këndohet edhe sot nga këngëtarë tanë të rinj të cilët dëshirojnë që t’i kultivojnë traditat tona të vërteta dhe këngët antologjike siç janë, sidomos’’Selman Kadria’’/I cili e kishte vrarë Miliq Kërstën//,Sali Shaban/Kabashi/ Spirë Dellofcin, Lec Gradica Spasen e Dimitrinë, Tahir Meha bashkë me babain që kishte vrarë shumë policë serbë, Hasan Ramadani/në Trevën e Llapit/që kishte vrarë edhe ai disa policë duke e mbrojtur pragun e shtëpisë së vetë dhe së fundit edhe Adem Jashari me të gjithë anëtarët e tjerë të familjes së tij të ngushtë dhe më të gjerë.. Betejat e tyre të lavdishme nuk ishin asgjë më tepër përveç vazhdim i asaj që dikur  e kishte realizuar Oso Kuka në Vraninë duke luftuar në Kullën e tij legjendare bashkë me djelmoshat e rinj të çetës së tij e sidomos me Kerni Hilën e ri me të cilin vritet në Kullë duke i ngritur në ajër me qidra cuba të Malit të Zi.

Kënga’’Kamer Loshi’’është e ngjashme edhe me këngët Dan Darofci dhe Imer Popoci të cilët luftuan kundër eksponentëve të regjimeve antishqiptare, Dan Darofci kundër tagrambledhësve serbë që ua pinin  gjakun shqiptarëve, kurse Imer Popoci me Çaushin i cili kishte dalur t’ua mbledhte armët shqiptarëve., e që i kishte ardhur radha edhe Imerit të ri që ta dorëzonte pushkën ose të luftonte për të mos e dorëzuar/siç ndodhë me të vërtetë/, ngase e kishte amanet nga babai qysh kur ai e kishte lënë djalin shtatëvjeçar.

E si ta  dorëzote atë pushkë djali i ri, i cili duhej të luftonte gjithsesi me çaushin dhe disa zapti të tij.

Kamer Loshi këndohet në disa variante /motërzime/ dhe njëmend është ndër këngët më të bukura të cilat  i kemi  dëgjuar deri sot nëpër ndejat tona të ndryshme. Kamer Loshin  e kënduan bardët tanë më të njohur që nga dita kur ndodhi ngjarja e deri në ditët tona kur dëgjohet me admirim të madh nga shumë artdashës folklorikë.. Në mesin  e këngëtarëve tanë popullorë që e kënduan më bukur se shumë të tjerë, janë Sali dhe Feriz/Krasniqi/, Selman Bala dhe Adil Cena-Dugolli dhe Rizah Bllaca por kuptohet se  Flamurin e kësaj kënge e mbajti përherë Sali dhe Feriz Krasniqi , të  cilët vërtet na fascinojnë me zërin e tyre aq melodik.

Ngjarja e Këngës, është e botuar në vëllimin e Dytë të librit kushtuar Riza Bllacës dhe ndodhë, në fshatin Belincë në të cilin nga çetnikët  rrethohet Kamer Loshi me dy vëllezërit e tij luftëtarë në shtëpinë e tyre.

Se çfarë rëndësie të madhe kishte Kamer Loshi , tregon edhe rrrethimi i egër që i ishte bërë atij nga 9 stacione policore.

Kamer Loshi me 7 trima dhe dy vëllezërit e tij rrethohen në nj’ shtëpi të rrethuar me gardh të  cilën  e djegin çetnikët/ashtu siç e kishin përherë zakon t’i digjnin  shtëpitë tona/, duke u thënë atyre se nëse do të dorëzoheshin do të shpëtonin pa u ndëshkuar, por trimat tanë luftuan si luaj të vërtetë kundër bandave çetnike.Se sa i dobët ishte armiku tregon edhe fakti se për t’i zënë 7-8 shqiptarë ata përdornin armë të rënda artilerike, siç ishin edhe topat siç ndodhi në rrethimin e  Kamer Loshit.

Kënga’’Kamer Loshi’’vazhdon me vargjet: /Krisi pushka bumbullue/Shumë xhanarë u janë damtue/Dhe n’Prishtinë lajmi ka shkue/.

Pas ndezjes së kasollës nga topat e ardhur nga Prishtina, Kamer Loshi lufton edhe më trimërisht dhe krejt i tërbuar duke vrarë edhe më shumë çetnikë , me ç’rast përshkrhet me vargjet e fuqishme/Ç’po bërtitka Kamer Sejdia/ Fort po ikin xhanaria/, pastaj ashtu siç ishte i plagosur nga të gjitha anët , ai u kërkon shokëve që t’ia lenin disa fishekë.

Janë të dhembshme fjalët/ O t’madhe briti Kamer Sejdia/ O seç m’u vra mue Fazlia/O Fazli vlla m’ja ban/T’gjalltë s’um vyn ma mas shpirtit tan/.

Gjatë luftimit të tij epik ai ia len amanet Muratit kutinë e duhanit dhe orën e vetë të xhepit, duke thënë se nuk guxonte të ndodhte që armiku të pinte duhan në kutinë e tij dhe me shpresë se Murati do të shpëtonte.

Edhe në çasitin e vdekjes naçallniku e shqelmon Kamer Loshin kur afrohet tek ai, por trimi e vret si qenin me plumbat e tij të fundit.

Kjo këngë ka rëndësi të madhe për popullin tonë e cila kishte fuqi të jashtëzakonshme në mobilizimin e gjeneratave të tjera për luftrat tona çlirimtare, por në një variant tjetër na bëjnë përshtypje edhe vargjet: /Kamer Loshi Kamer Sejdia/Boll e keqe çajo Serbia/Por ma t’kqi do shyptarë të zi/ Për ni pushkë shkruhen hafi/.

Në fund duhet theksuar se u përpoqëm ta analizonim këtë këngë madhështore duke menduar se vërtet ishte e nevojshme t’i përkujtonim heroizmat tona të mëdha që i bëri ky popull për çlirimin e vetë kombëtar, ku në mesin e heronjve dhe protagonistëve tanë më të shquar pa mëdyshje ishte edhe Kolosi Kamer Loshi, duke mbetur i veçantë me luftën e tij heroike për këtë vend.