Suzana Kuqi: Peisazh mbrëmje
| E premte, 09.10.2009, 06:01 PM |
Suzana Kuqi
Peisazh mbrëmje
Frymë e natës dëboi rrezet e fundit të perëndimit
pastaj u pështet mbi tokë ngadalë
një drapërushe hëneje ngrihet e buzëqesh çapkëne
nuk e di, me mua a me yjet e ka vallë...
do të doja të isha dhe unë çapkëne sonte
shpirtin këmbëzbathur ta vë të ecë mbi barin e lagur
të ndjej vesën e brishtë nën këmbët e tij
si pikën e fundit të lotit që kam derdhur...
pëshpërima e gjetheve që kanë nisë të ngjyrosen
nga peneli i artë e i ndrojtur i fillim vjeshtës
në dritare ndizen dritat me psherëtimë paqeje
frymë e ëmbël e mbrëmjes zbret mbi shpirtrat e njerëzve
duke ndezur shkëndijëzën e ëndrrës e të shpresës...
fllad i lehtë përkëdhel supet e mia
si një përqafim i dashur, i gjatë munguar
shkëlqen një yll, shikim i dashuruar
sa i dashuruar po aq... i dëshëruar...
Dua të ndjehem çapkëne këtë mbrëmje
këmbët të më vallëzojnë mbi margaritarë vesë hëne
zemra të më mbledh nektarin e kujtimeve
shpirti mbi krahë ëndrre të udhëtojë me dritën e yjeve
në kërkim të një botë paqeje...
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.