Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Engjëll Koliqi: Të mis shihen partitë por le të votohen më të mirët

| E enjte, 08.10.2009, 07:48 PM |


TË MOS SHIHEN PARTITË POR LE TË VOTOHEN MË TË MIRËT

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Shteti i ri i Kosovës po hyn në një fazë shumë të rëndësishme dhe historike të zhvillimit dhe të prosperitetit të qytetarëve të vet. Zgjedhjet administrative – lokale të 15 nëntorit, për hetë të parë po i organizon Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës. Ndërkombëtarët e OSBE-së, që në vitet e kaluara i organizonin zgjedhjet në Kosovë, në zgjedhjet e ardhshme do të jenë vetëm si vrojtues.

            Falë Zotit dhe vetëdijes së lartë dhe të përgjegjësisë për ardhmërinë, të partive politike, të KQZ-së dhe të mbarë qytetarëve të Republikës së Kosovës, të gjitha përgatitjet e këtij procesi zgjedhor po ecin mirë dhe mbarë. Tashmë shumë subjekte politike, aleanca zgjedhore dhe lëvizje qytetarësh kanë vënë shumë kandidatura për kryetarë komunash dhe për deputetë lokalë të asembleve të 36 njësive komunale, anekënd Kosovës.

            Votuesit, kur më 15 nëntor të shkojnë te kutitë e votimit, kanë rast të zgjedhin kandidatët më të mirë, sepse në listat e votimit do të gjejnë shumë më tepër emra, nga numri i atyre sa duhet të votohen. Mbase është bërë si traditë për votuesit që t’i qëndrojnë besnik partisë politike, të cilës i përkasin ose që e simpatizojnë. Në shumë raste duhet të tejkalohet kjo traditë dhe kur qytetarët janë në vendvotim, ata duhet t’i shohin dhe t’i vlerësojnë kandidatët – si njerëz dhe si ekspertë, t’ua vlerësojnë aftësitë e tyre vepruese dhe mundësitë e kontributit të tyre për mirëqenien e qytetarëve të komunës përkatëse dhe të Republikës së Kosovës në përgjithësi. Nëse janë të sigurtë se një kandidat është ekspert i zgjuar i një fushe të caktuar, nëse nëse mendojnë se ai ka aftësi më të mëdha se të tjerët dhe mundësi më të mëdha për të kontribuuar në proceset zhvillimore të shoqërisë qytetare e njerëzore në komuna të caktuara, atëherë nuk duhet të shohin përkatësinë partiake të atij kandidati, por pa marrë parasysh se cilës parti i takon, t’ia japin votën. Ky është një hap shumë i sigurtë, trimëror dhe shumë i rëndësishëm në proceset demokratike të shoqërisë njerëzore, prandaj edhe duhet të praktikohet më 15 nëntor dhe në çdo ditë tjetër të zgjedhjeve në Kosovë dhe kudo në trevat shqiptare.

            Është shumë më i vlefshëm njeriu dhe përspektiva e qytetarëve të një vendi, se sa një parti politike e atij vendi, prandaj edhe e shoh të arsyeshëm këtë propozim për qytetarët e Republikës së Kosovës për sjelljet dhe për vendimin e tyre në zgjedhje. Me plot të drejtë mund të themi se qytetarëve u intereson se kush mund t’u garantojë një ardhmëri të qetë dhe të lumtur në të gjitha fushat e jetës e jo se cilës parti politike i takon kandidati. Ai bile mund të jetë edhe jashtëpartiak – i pavarur.

            Secili patriot ia do të mirën vendit të tij dhe i kontribuon vendit të tij. Secili patriot do një përspektivë të ndritur për vendin e tij. Qytetarët e Kosovës, në shumë periudha historike e kanë dëshmuar patriotizmin e tyre. Ata kanë rastin që edhe më 15 nëntor dhe çdo ditë tjetër të zgjedhjeve në Kosovë, t’ua japin votën atyre kandidatëve që kanë dije, aftësi dhe mundësi të kontribuojnë në zhvillimin dhe në garantimin përspektiv të një ardhmërie të ndritur, në komunën e caktuar dhe përgjithësisht në Republikën e Kosovës. Atëherë qytetarë të Republikës së Kosovës – në ditën e votimeve mos i shihni partitë, por shihni e votoni kandidatët e merituar.