Baki Ymeri: Shqiptari i Nikolla Naços dhe shembujt e shenjtë të veprave të tij
| E merkure, 07.10.2009, 07:22 PM |
Shqiptari i Nikolla Naços dhe shembujt e shenjtë të veprave të tij Nga Baki YmeriJeta e Nikolla Naços (1843-1913), thekson e mbesa e tij (Rebeka M. Burda), është jeta e një njeriu “me pasuri të mëdha, me vullnetin e hekurt, me intuitën gjeniale, me dashuri të patundshme për Shqipërinë. Jeta e tij është një dramë e madhe njerëzore, një përpjekje e pandërprerë e vullnetit për të bërë diçka të bukur dhe fisnike, për të përfituar pavdekësinë. “Kam gëzim të bëhem Apostull, që ta shikoj të ngritur Flamurin e Indipedencës dhe të bashkuar gjithë vellëzërit e mi prej një gjaku, të ndarë me pahir nga njëri-tjetri aty para 400 vjetësh dhe atëhere plumbi i parë dëshiroj të më godasë mua dhe të bëhem lajmëtari i parë i stërgjyshërve tanë, të cilët na vërejnë me brenga së largu, duke pritur prej nesh lirinë e Atdheut dhe kësisoj bashkë me ta të vetë pranë Skënderbeut, t’i them se Atdheu me anën e Bashkimit, të Urtësisë dhe të Besës së shenjtë shqiptare, ngriti Flamurin kundër tiranit dhe po lirohet”. Nikolla Naço militoi një jetë të tërë për çështjen e atdheut dhe u shua si një engjëll: ”Plagët e shpirtit t’im u shëruan! Tashi le të vdes! Zot’ i math më paska falur një vdekje të ëmbël. Rroftë Shqipëria!” Sipas Rebekës së tij, ishte data 24 prill 1913, kur Nikolla N. Naço ndodhej i shtruar në spitalin “Coltea”, në Bukuresht. Këto fjalë ishin dëshmia e përpjekjeve të tij, përpjekjet e një jete për përparimin e atdheut të tij në rrugën drejt lirisë. Më 28 nëntor 1938, plot 24 vite pas vdekjes së Nikolla Naços, duke vlerësuar veprimtarinë patriotike të tij, Ilo M. Qafëzezi te “Gazeta e Korcës” shkruan: “Pas Naum Veqilharxhit, Nikolla Naço-Korça është me të vërtetë një nga Kryetrimat e veteranëve të gjuhës shqipe e të Rilindjes shqiptare. Ka pasur armiq politikë dhe ka edhe sot, 24 vjet pas vdekjes, njerëz që përpiqen t’ia shëmtojnë Emrin e Shenjtë atij që të tëra pasuritë e fituara me punë të rëndë i prishte për propagandën shqiptare, për botimin e gazetave e të librave shqip dhe që vdiq i vobektë, i këputur..”. Nikolla N. Naço, theksojnë pasardhësit e tij, s’rrinte dot pa vepruar. Me vullkanin shqiptar që i vlonte në zemër, në shtypshkronjën Cucu (Kuku), në një godinë që gjendej në shëtitoren më të madhe të Bukureshtit (Bulevardul Elisabeta), nxorri në dritë gazetën e tij të famshme Shqipëtari/Albanezul, e para gazetë shqipe e Kolonisë shqiptare të Rumanisë, edhepse para një viti (1887) filloi të dalë në Brailë gazeta Drita/Lumina, me artikuj në gjuhën rumune, ku bënte fjalë edhe për Naum Veqilharxhin, edhe për mosmarrëveshjet që kishte dega e Brailës me atë të Bukureshtit. Historia e gazetës Shqiptari-Albanezul, u lind nga një përkushtim i sinqertë dhe dashuri përvëlimtare ndaj Shqipërisë, ngase ky ishte dhe qëllimi jetësor i Nikolla Naços, kryetar i Shoqërisë Shqiptare Drita. Misioni i Naços ishte flakja e sundimit osman, ndriçimi kulturor dhe integrimi i kombit shqiptar në një hapsirë të përbashkët etnike, gjeografike dhe historike; vetëqeverimi dhe krijimi i Shqipërisë reale përmes përfitimit të pavarësisë. Sipas Lasgush Poradecit, Nikolla Naço „boton të parën gazetë shqipëtare, bën të parën shkollë shqipëtare, inauguron të parën kishë shqipëtare, dorëzon të parën xhami shqipëtare, redakton të parin plan strategjik për Kryengritjen e Madhe shqipëtare”. Gazeta e Naços, sipas Lasgushit, „ka për qëllim të vazhdojë luftën e filluar për të nxjerrë nga robëria fisin shqipëtar, duke e ngopur me dashurinë e shentëruar të mëmëdhesë, ta mësojë kombin shqipëtar që ta ruajë me shenjtëri gjuhën e tij, karakterin e tij, zakonet e stërgjyshërve dhe madhërinë e tij të përmëndur”. (Një fatos i veteranërisë shqiptare, fytyra urdhëronjëse dhe aktiviteti historik i kryeveteranit Nikolla N. Naço-Korça, Konstancë, 1932). Numri i parë i gazetës Shqiptari / Albanezul doli në dritë para 120 vitesh, më 7 Gusht 1888. Gazeta del një herë në javë, „nënë urdhërit të një pleqësie”, me artikuj në gjuhën shqipe dhe atë rumune. Në faqet e para të numrave të parë, tribuna kombëtare e shoqërisë Drita hapet me dy shtylla: Letëra e Florinjtë dheLetëra e Zezë, në të cilat lartësohen atdhetarët dhe fshikullohen tradhëtarët, fajtorët, prishësit e shoqërisë e të njerëzisë, njerëzit me shpirt të vogël që u shërbejnë interesave të poshtra e të turpshme. Mendimet e mia, thekson N. Naço në një broshurë të tij, „drejtoheshin kah krijimi i një marrëveshjeje ndërmjet shqiptarëve nga të gjitha anët e botës nëpërmjet botimit të një gazete, që do t’i shprehte konkretisht dhe do t’i përfaqësonte drejtësisht kërkesat dhe aspiratat mbarëkombëtare”. Kosova sipas Shqiptarit të Bukureshtit më 1889(Riprodhim nga versioni shqip, që u botua krahas variantës rumune)Festa pansllaviste në Kosovë të Shqipërisë  |
Nikolla Naço, drejtor i gazetës Shqiptari |
Në këtë dakikë që shkruajmë këto rradhë, bëhet festa në Kosovë të Shqipërisë, festa e pansllavistëve që për 500 vjet që në kohë të luftës ndër mes të turkut dhe serbit, lufta të cilën e fituanë turqit në Ballkan. Më shumë komitete sllave ngaj Bullgaria, ngaj Serbia, ngaj Male Ziu, dhe ngaj më shumë vise të ujëdhesës të Ballkanit, ngaj Rusia dhe ngaj Austro-Ungaria, thonë (se) janë ardhur në Shqipëri për këtë niet. Për çudi është kjo festë ndër shqipëtarë, vëllehtë dhe turqit ngaj ujdhesa e Ballkanit ...: Kjo festë që del në shesh sot bje më shumë erë orthodhoksie pansllaviste, se sa festë e kombit, dhe me zemër të qëruarë ngaj anë e Serbisë, sikur duket ngaj ditëtoret sllave!...Se: Çduanë serbrit të rëfejnë botës me këtë sebep, i cili nuku ka asnonjë niet të qëruarë? Çkanë mbuluarë serbrit në Kosovë, që të kenë sebepnë të (n)dreqnë e ta sbulojnë tani me kaqë panair? Lavdinë e kombit? Po kjo e knaz Lazarit, që u vra në Kosovë, nuku është më: ajy humbi, që atëherë, vetëm njëherë më parë kur vdiq prenci (i) tyre, Dushan. Mësim? Nuku kanë pasur serbrit as një herë. Lavdinë e luftës? Dhe kjo nuku është për veç lavdia e turqve që muntnë sllavët dhe elinët, në (si)ujëdhesën e Ballkanit. Ç’niet ka të fshehur në gjith kjo festë pansllaviste me kaqë donoma? Po të mentohet dhe të gjuanjë si cili do, të gjitha të punuarat e shoqërisë të panserbëve që quhet “Shën Sava”, atëherë e gjen kollaj nietnë e tyre, për të keqen e kombeve të Ballkanit. Me gjithë këto do mbajnë sebep të tjerë(t), në të punuarat e sllavëve në tërtipet e tyre, në të sjellat e tyre, et(j)., et(j).; atëhere do ta shohë gjithëkush, çtë mëdha munafikllëke ka në bark kjo festë! Jo vetëm kombet e vogëla nga Ballkani, po edhe kombet e mbëdha të Evropës s’janë rehat dhe gjuajnë gjithënjë të marën vesh të kësaj mahanae. Mbretëria e turkut, sikundër shëkojmë ngaj ditëtoret e Evropës, bëri dhe dërgoj për këtë punë nota (haber) në të gjitha mbretëritë e mëdha, duk u thënë atyreve lartësinë e kësaj feste; vetëm Rusia i dha një të përgjegjur që s’është gjësen(d); të tëra ato të tjerat, i dhanë të kuptohenë në faqe, dhe sënfshehur në të përgjegjurit të tyre kanë një frikë, më pak a më shumë është e madhe, dhe mos ngjasë më aksafish, me këto sebepe të tanishme, që gjenden azër, mund të ndizet në ujëdhesën në një zjar(r) i keq i përghithçim! Dhentë Zoti që frika të (n)dalë erënë: gjer tani, për fat të mirë, nuku kemi nonjë haber të keq. Sllavizmi vjen në Kosovë me qibritin në xhep Çkërkojnë serbrit në Kosovë? Ha(haha)!...mbesojmë, Evropa nuk munt të jetë kaqë qorkë, sa të mos kupëtohet një niet kaqë të dukur, me sy dhe me qepalla, kush ta fshehë një sher(r) politik që duket! Sllavizmi vjen në Kosovë me qibrit në xhep. Ajy kërkon në Ballkan mashë të zerë zjarrë...! Ajy e di që kombi luftar(ak) në Ballkan është shqipëtari, i cili gjithënjë ngaj që gjendet në terët mendja e tij, dhe fuqia, qe masha dhe krahu i fortë, për kombet që janë të dëlira sot në Ballkan! Shqipëtari është në errësirë, pa dritë, dushmanët e gënjejnë kollaj ngaj e padia, shqipëtari nuk është i zoti të bënjë probë të drejtë në rojtjen e tij, dhe ndër rojtjen e kombeve të tjera të botës, që ta mbesonjë ëndërrën, shqipëtari nënë turkun r(r)on i dëlirë dhe pa rëndësira (pagime), dhe jo si rojnë kombet e tjera në komshitë, me rëndësira të mëdha dhe si ropër. Po kur vjen sllavi, dhe i thotë ca gënjeshtra të mëdha në vesh, duke thënë që kombi sllav r(r)on shumë më mirë, dhe është më (i) dëlirë, dhe ka gjithë të mirat, et(j), et(j), shqipëtari (i) mbeson nga sebepi që është qor. Këtu është plaga, me intrigat munt të hedhë shkëndijat në mes të Ballkanit: sllavizmi e di këtë ngaj istoria e kohës së shkuarë! Sllavizmi ka shumë shpresë ta harrimë nietnë e tij, ajy mbeson që punën e ka gati; se Apostojtë e tij nuk rinë me duar në gji: kanë futur shumë intrika në vesh të shqipëtarëve; një nga këta Apostuj është mbuluar në Manastir (Bitolia). Shumë musulmanë shqipëtarë janë intriguar ngaj sllavët: ja u kthyenë mendjen me të taksurat të rena. Feja e padija ku e shpie të mjerin njeri, në çenem, intrika edhe mbretërinë e humb! Na vjen shumë keq që Evropa, e cila r(r)ëfehet që interesatet për ujëdhesën e Ballkanit, dhe më tepër Turqia, nuku ju bënë mësime të ngjarat që shkuanë në Ballkan! Thamë gjithënjë, dhe do të thomi se nuku ësht as Serb, as Bullgar, as Rus, as Orthodhoks, as Grek, për veç Shqipëtar i qëruarë. Shqipërtari ka nevojë për mësim, që të kupëtonjë vetë të mirën, që asnonjë tjatër komb a mbretëri, s’mund të ketë dlirësinë të fisit, të zakoneve dhe të dhëna më pak, se si gjendet tani në krahun e qiverisë Turkut! Shqipëtarit i lipset gjuha e tij që të këndonjë, dhe ta dijë sa të mira gëzon shqipëtari, më tepër se ngaj ato kombet e tjera, që quhen më vehte...në ujëdhesën e Ballkani! Po të sqohet shqipëtari, është i zoti ta ruanjë gjithënjë ujëdhesën të mos turbullohet kur(r)ë, nga çdo milet sado i fortë që të jetë, dhe nga çdo anë që të vinjë: Po, kështu qor, dhe pa dije, shqipëtari do ndeznjë zjarrë, dhe do apë dorën me dushmanët fort kollaj, për të keqen e fisit dhe të mbretërisë (së) turkut, si dhe interesave të gjithë Evropës që kanë në Orjent! E ngasim gjenë përsëri, Mbretërinë e Turkut, Austro-Ungarinë dhe Anglinë, që ti mbarojnë këto sebepe që thamë. Më në funt, i lutemi qeverisë tonë Otomane, të bënjë skoli të gjuhës të tyre, (të) shqipëtarëve, që serbi është dushman, bullgari dushman, maleziu dushman, moskovi, greku dushman, dhe të gjithë punojnë që të sjellin qiverinë Rus(e) në ujëdhesën e Ballkanit, dhe të na bëjnë ropër, e të shuajnë fisin shqipëtar!” (Kosova, artikulli i botuar në të përjavshmen Shqipëtari nr.24, Bukuresht, 1889. Varianta rumune mban titullin Cossova. E riprodhoi me përmirësime të imta ortografike: B. Y.)Vlerat epistolare të rilindasve tanëNjë letër e Dhimitër Moles drejtuar Nikolla Naços në BukureshtSofje, më 9 të Marsit, 1896. U gëzova për energjinë dhe përpjekjet tuaja për mbarëvajtjen e shqiptarizmitZoti Naço! Më parë se të fillonj, vinj të pyes për shëndëtnë të Z.suaj, pët të cilin lut të madhnë Zot, të jua ruanjë ngaj ç’do të ligë, edhe në pyet për mua thash se me këtë orë që të shkruanj jam si do vetë Zoti, po më parë qeshë pak sëmurë nja tsa javë (…)po sot jam mirë. Letrën të parë me një Anaforatë i mora edhe shumë u gëzova për shëndetnë të Z.suaj edhe ca më shumë për fjalët edhe energjinë që bën Z.jote për paravajtjen të punëvet që kanë për qëllim të gjitha Shoqëritë të Shqiptarëvet (për të fituar të drejta njërëzishte për të cilat për fat të keq jemi fort të varfër) po embër i Zotit edhe energjia e njeriut po qe të shihet ç’farë do punë e mbaron. Po me urtësi edhe durim, o burra, kritikë bëj sa të munç të gjithë Shqipëtarëve se kritika është ajo më e kollajçmja vegël që e nxe njerinë, edhe e bën të përpiqet të mundohet edhe në ka ndonjë faj ta kupëtonjë edhe ti bjerë pas që ta ndreqnjë, se një njeri po bëri një punë edhe s’pat kush ti bënjë kritikë, ajo punë s’munt të dihet, vallë e mirë është apo jo.Thashë bëj kritikë, asnjë mos lëvdo po të gjithë i venë në namustrë që të zënë punën me zembër edhe me ment se ka kështu nonjë hesap, jo si u bë ashtu qoftë, po të bëhët si duhet. Kartë postalen e mora edhe ç’më shkruan kupëtova, po kur të dërgonj Z.jote na bëj zë edhe mua që të dërgojmë sebepi që nuku shkrova gjer tani që sëmundja sa s’munda të dal ngaj shtëpia. Edhe Cufali Beu kish marrë një vizitkartë ngaj Z.jote. Edhe erdhi. Ja këndova unë. Të falet ndryshe edhe të bën të fala shumë edhe ai thotë : O burra, kurajo! se me të gjitha Ditëtoret që ka, ai flet me modesti për embërin të Z.sate. Më Zotnë Profesor Lazarescu nuk jam pjekur, po posa që të piqem, do të shkruanj. Ngaj të gjithë shokët kini të fala shumë. Ju lutem prapë me përgjigjni për ç’farë do pune që të jetë. Miku i Z.suaj edhe përpjekës për të mirën e kombit, Dhimitri N. Mole Edhe Zotit Kostes Panit të fala ngaj mua. Zoti Naço! Lut edhe pyes: kam këtu një nip të cilin e kam vënë në Mësonjëtore të mësonjë pak gjuhën te vendit edhe Frenkçe, po nuku është m’i (vjetër) se 13 vjeç. Në Korçë mësoj tri taksë (klasë) dhimatiku, fort mirë. Edhe këtu në Sofje një klasë primare Bullgarçe. Prapë mirë. Edhe Shqip di. Tani e kam në Frenkcen. Për djalën munt të pyesë edhe Kostën të Janit. Djali është shumë i çquaredhe shumë ja ka enda të mësonjë. Edhe tani po më shkon mendja ta dërgonj në Shqipëri. Shumë ka merak për mësim. Lutem në ka vent vakant për te Z.jote ta dërgonj, se (është) gjuna(h) të mos mësohet një i tillë që ka merak edhe tamam në kohë të mësimit. Lutem m’u përgjigj! (E gjeti në Bukuresht: B. Y.)Një letër historike e Niko Vrapit drejtuar Nikolla Naços para 100 viteshNjë mëmëdhetar me dëshira të zjarrta dhe ndjenja të larta kombiare, një shqiptar mëmëdhetar që s’mejton tjetër veç kombin, gjuhën dhe mëmëdhenëKonstantinopojë, Më 4 të Shkurtit 1899Mëmëdhetar i ndershëm! Sado që s’kemi nderë të njohim Zotrin tuaj, po emrin Naço ç’do shqiptar e di dhe e kujton me nder të madh, duke dëgjuarë mëmëdhetarin e tia dhe nderin e madh që ka për kombin shqiptar, dhe i cili don me thënë një mëmëdhetar me dëshira të zjarta dhe me ndjenja të larta kombiare. Duke prurë përpara syvet të tëra këto që thamë, nuk pamë tjatrë veç dëshirës që të kishim për t’u njohur duke shkruarë kështu një kartë Zotris suaj. Me gëzim të madh shumë e fort të gëzuarë nga gjith zemra muarëm lajmin.që nxuartë një ditëtore gazete në dritë me emrin Shqipëtari. Kur dëgjuamë këtë punë gëzim i madh që ndjemë nuk jua dëftejmë dot, si dhe për të gjitha ditëtoret shqip, po për Shqiptarin e Zotit Naço ndjemë një gëzim fort të madh duke ditur që Shqiptari i Zotris Suaj nuk do të dëmtojë të tjera ditëtore, duke ditur që ini një shqiptar mëmëdhetar i vërtetë që s’mejton tjetër gjë veç (për) kombin, gjuhën dhe mëmëdhenë. Ju urojmë nga gjith zemra dhe i lutemi Zotit t’u apë mbarësi, mbrothësi dhe dëshira të larta. Ditëtoret shqip që dalin në dritë sot janë shenja të bukura dhe fort të nevojshme për kombin shqiptar i cili sot për sot ka nevojë të madhe për mësim, ashtu si dhe për të shpëtuar nga tirania dhe të marë lirinë. Ah sa i ëmbël do të jetë ajo ditë kur (do) shohim vetvetinë! Zoti na dhëntë dëshirë, bashkim dhe fat të mbarë! Jemi fort të paduruarë sa të shohim Shqiptarin e Zotrisë s’ate, prandaj u lutemi të na dërgoni disa copa nga fletët e para që doli në dritë për çka lipset që të bëhemi të abonuar dhe të marrim për herë e të këndojmë me gas të madh. Të kërkuamë disa copa se duamë të dërgojmë dhe në Shqipëri për të përhapur. Ky shërbim është fort i madh për ne, po me këto të mëdha shërbime që të na vijnë në dorë s’kemi lënë dhe s’do të lemë asnjë çast pa e shërbyerë mirë e më mirë kombin dhe gjuhën e mëmëdhenë. U lutemi të (na) shkruani dhe për vivlla (libra) shqip (që) kini aty se duamë të marim ca. Adresën time po jua shkruajmë poshtë, duke pritur me padurim përgjigjen e Zotrisë mëmëdhetar me zemër të zjarrtë. Stamboll, Niko Vrapi (Poste restante au bureau Autrichien) Constantinople. (E gjeti në Bukuresht: B. Y.)
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.