Sylejman Aliu: Tito, Qosja dhe Vinca
| E marte, 06.10.2009, 06:59 PM |
Tito, Qosja dhe VincaNga Sylejman Aliu Njësoj si Rexhep Qosja "plak", kur në librin renegat të zisë për vdekjen e të madhit të tij, kolonialistit Tito, kishte shkruar: "Tito e ka udhëhequr dhe e ka sjellë në triumf përfundimtar, luftën nacionalçlirimtare të popujve të Jugosllavisë - ja një meritë e mjaftë historike për të gjitha kohërat. Tito e ka udhëhequr, dhe e ka sjellë deri në triumf përfundimtar luftën që ka përmbysur monarkinë - ja një meritë tjetër e mjaftë për historinë. Tito i ka thënë "JO" Stalinit, në një kohë kur forca e Stalinit sikur nuk njihte kufij - ja një meritë e mjaftë historike për historinë. Tito na ka udhëhequr shtigjeve të vetëqeverisjes socialiste, të barazisë, vëllazërimit e bashkimit, bashkëjetesës së kombeve e kombësive - ja një meritë tjetër e jashtëzakonshme historike. Tito i ka prirë idesë së madhe që u reziston fuqive të mëdhaja - ja dhe një meritë tjetër, aq e madhe, aqvendimtare në historinë e përbotshme" (R. Qosja, "Një "JO" e madhe dhe shumë merita", "Rilindja", 11 maj 1980), edhe profesori dhe poeti "i ri" Agim Vinca, me dëlirësinë e pazorshme dhe të paimponueshme rinore të emocionit i kushtoi vargje të mëdha ndiesish Titos së tij në poezinë "Titos" ("Gëzimi", 11 qershor 1961)Në këtë qasje mbase më pak do të flas për vlerat intelektuale dhe morale të të parit, të Rexhep Qosjes, që manifestohen si bindje e thellë e tij për Titon që "i ka prirë idesë së madhe që u reziston fuqive të mëdhaja" në një kohë kur shqiptarët në Kosovë përjetonin pushtimin më të egër titist, sepse s'ka se si të thuhet më mirë dhe më bindshëm se ç'i ka thënë ai vetë, jo vetëm në librin e tij të zisë për Titon, por edhe më herët në "Morfologjia e një fushate", që nuk ishte tjetër pos një dosje famëkeqe në shërbim të UDB-së për gjithë garniturën e vetëdijshme kombëtare të intelektualëve edhe ashtu të pakët shqiptarë në Kosovë. Nuk do të flas as për vlerat e pafrenueshme emotivo-poetike të poezisë "Titos" së Agim Vincës, në strofën e fundit të së cilës shpërthen emocioni i tij zotues: "Tito sot kangë të këndojmë,/Për trimnin tande pa kufi/Tito çdo herë të kujtojmë/Sepse në jemi në liri".Më tepër se për këto, mbase do duhej të thuheshin pak më shumë disa dimensione të tjera morale, jo vetëm për njërin, por për të dy këta që u zunë në gojë.Derisa i pari, që nga atëherë, kur secili intelektual i mirëfilltë dhe mbi të gjitha i dëlirtë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, ishte vënë (dhe vazhdojnë të vihen) në shënjestrën më rrënuese të Qosjes, i dyti, A. Vinca, nuk ka kursyer të rrënojë, jo vetëm opuset letrare të krijuesve meritash të veçanta letrare, por edhe të vlerave të tyre kombëtare e intelektuale, të cilët, m'u pse ishin të tillë, ishin gjithnjë të kërcënuar nga UDB-ja ish-jugosllave. Disa nga ta ishin të shtrënguar, ose të shpëtonin jetën, duke shkruar vargje të pakëta për Titon, duke vënë gjithë situatën brenda metaforave reale të jetës së kombit, që po i shkatërrohej furishëm bërthama, pavarësisht nga të gjitha rezistencat në atë kohë të tmerrshme pushtimi titist. A. Vinca, as si poet, as si profesoruniversiteti kurrë s'kishte dashur t'i mendonte këto rrethana, në të cilat jetonin krijuesit dhe intelektualët "gabimtarë", por kishte hedhur mbi ta gjithnjë zjarrin denoncues. Si ishte e mundur kjo, kur ai vetë, pa e detyruar askush, pa qenë asnjëherë i kërcënuar, kishte shkruar poezi për Titon e tij, kurse shante të tjerët pse, me lakun e UDB-së, ishin detyruar të bënin ca vargje demagogjike për Titon, që të shpëtonin lëkurën?Si i pari, si i dyti, nga këta dy personazhe, duke ngrehur lart zhurmën për vetveten e tyre, të përmasave folklorike, të patriotizmit zhurmues, sikur duan të tregojnë se sa të larë janë vetë dhe ç'vullkan të papërmbajtshëm intelektual, moral e patriotik kanë në vete, jo karshi armikut, Titos dhe pushtuesve, por ndaj gjithë klasës tjetër intelektuale, krijuese dhe kombëtare, që kishte dhe ka Kosova (të kujtojmë një shembull veprimi të Rexhep Qosjes: Në Mars të vitit 1999, ai iu drejtua shqiptarëve që të mos e braktisnin Kosovën gjatë gjenocidit të egër serb "sepse s'kemi atdhe tjetër". Ai, pak ditë më pas, i debdilosur fare, mjekërruar, e braktisi Kosovën dhe iku në Shqipëri. Pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s, gazetarët në Shqipëri e pyetën se çfarë mendonte për ata që gjatë kohës së bombardimeve kishin qëndruar në Kosovë? Ai qe përgjigjur se ata që s'e kishin braktisur Kosovën, ishin lojalë të Serbisë)! Hiq dosjen "Morfologjia e një fushate" të Rexhep Qosjes, me të cilën u shërbye UDB-ja kundër intelektualëve më të dalluar shqiptarë e më me shumë sakrifica, për të parë nivelin e pamoralshëm moral të këtij akademiku, po përmend një shembull tjetër, ndërmjet shumë e shumë shembujve të tjerë, që vërtetojnë këtë që thuhet dhe dihet për këtë akademik. Ai shkroi librin "I kthyeri i penduar", që për temë kishte ardhjen e monumentit të Skënderbeut në Prishtinë. Të gjithë ata që e sollën dhe gjithë ata që dolën ta prisnin me festë këtë monument, ishin quajtur nga autori Qosja si qen e kudra, kurse Kosovën e kishte emërtuar si fermë qensh!Nuk është vështirë, prandaj, të shihet dhe të dihet se me ç'përmbajtje vlerash morale njerëzore e intelektuale, patriotike e kombëtare i servohet ky njeri opinionit tonë, që nuk është tjetër përveç një "fermë qensh"! Në anën tjetër, profesori dhe poeti Vinca, për ta fshehur veten dhe të bëmat e tij "poetike", që i ka shkruar vetë poezi Titos pa e detyruar askush, shan të tjerët në emër të patriotizmit të tij të shpifur, shkruan "Kolumne" urrejtëse për flamurin dardan, derisa nuk nxitet djegia e tij në sheshin e Prishtinës, duke dashur që kështu të digjet patriotikisht historia shqiptare e Dardanisë antike. Çfarë ishte e rëndësishme kjo Histori, kur atë e kishte sjellë simbolikisht i urryeri i tij i përmotshëm, i pari i Kosovës, Rugova? Sëmundja e pashërueshme e vetveteve të këtyre dy vetave, Qosjes dhe Vincës, deri vonë shërbente edhe si dergjë e një numri të madh përkrahësish të tyre, të cilët mendonin se me mllefe e urrejtje mund të shquheshin më shumë, apo që të mos dukeshin të harruar fare. Megjithatë, tash këtyre dyve u ka dalë boja. Dihen e shihen fare nëpërdukshëm me të gjitha dimensionet e tyre imorale.
Për ZSH: Ilir Dardani
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.