Dhurata Hamzai: Londo, fituesi i Çmimit “Liburna”: Pse Poetika do të jetojë gjatë
| E diele, 04.10.2009, 01:52 PM |
BOX:Unë kam qenë i ftuar në shumë aktivitete të tilla ndërkombëtare nga më kryesoret në Europë dhe në botë dhe gjithmonë kur shkoja në këto aktivitete mendoja me një farë zilie dhe trishtimi: Kur do të vijë ndonjë ditë që dhe Shqipëria të ketë një aktivitet të tillë...?! Dhe sot më vjen mirë që POETEKA është një aktivitet i nivelit europian, duke llogaritur organizimin, pjesëmarrjen dhe menaxhimin e sajLondo, fituesi i Çmimit “Liburna”: Pse POETEKA do të jetojë gjatë Nga Dhurata Hamzai-Bardhyl Londo është fituesi i Çmimit “Liburna” në edicionin e 5-të të festivalit ndërkombëtar të poezisë POETEKA. Ky çmim i akordohet një poeti shqiptar për kontribute në vite. Edicioni i 5-të i festivalit POETEKA i zhvilluar me sukses nga 21 shtatori deri në 27 shtator në qytetin bregdetar të Durrësit, ka vijuar duke realizuar edhe shtegëtimet poetike me poetët në monumentet kulturore të qyteteve Elbasan dhe Berat. Shumë poetë të huaj e kanë vlerësuar dhe çmuar këtë festival, i cili i mundëson të kenë edhe një pikëtakimi ende të panjohur me qytetërimet e lashta dhe kulturën shqiptare. Po çfarë mendimi ka fituesi i njërit prej çmimeve të këtij festivali, zoti Bardhyl Londo, për këtë aktivitet dhe për vlerat e tij. Le ta ndjekim në intervistën që ka dhënë për gazetën “TemA”. Zoti Londo, ju sapo keni fituar çmimin Çmimin LIBURNA në edicionin e 5-të festivalit POETEKA që u organizua javën e kaluar në Durrës, çmim që i akordohet një poeti shqiptar për kontribute në vite. Sa e keni ndjekur dhe sa keni qenë i pranishëm ju ndër pesë edicionet e këtij festivali?-E kam ndjekur rregullisht këtë festival në kuptimin se çfarë bëhet e çfarë nuk bëhet aty. E kam ndjekur me interesim të madh programin, materialet letrare dhe poetike të tij, situatën në të cilën zhvillohet, poetët që janë ftuar, arritjet e festivalit, por nuk kam mundur të shkoj në të gjitha ditët e tij. Kam shkuar sipas mundësisë, sepse edhe punët nuk të lënë, por unë kam ndjekur pjesën më të mirë të këtij festivali dhe në disa raste kam qenë pjesëmarrës dhe i ftuar edhe për moderimin e aktiviteve të veçanta. Pra, fizikisht mund të kem munguar në disa raste, por mendërisht e shpirtërisht kam qenë i lidhur me këtë festival poezie. Sa dobi ka organizimi dhe zhvillimi i një festivali ndërkombëtar të poezisë në Shqipëri? -Veçanërisht një festival poezie është i dobishëm se ai nuk është thjesht një aktivitet që ofron poezi, por ai tregon shkallën e preokupimit të krijuesve dhe organizatorëve, veçanërisht të inisiatorit të këtij festivali, poetit dhe shkrimtarit Arian Leka. Por nuk do të ndalesha vetëm tek ai. Janë disa poetë të tjerë nga më të mirët në Shqipëri që e mbështetën drejtorin e këtij festivali dhe ecën bashkë në ngjitje. Poezia është gjini bazike elitare, ka nevojë për aktivitete promovuese gjithmonë. Këto aktivite në kushte të Shqipërisë janë mëse të nevojshme, krahasuar me shumë vende të Europës për dy arsye të veçanta: Së pari, sepse në Shqipëri janë të pakta ose mungojnë fare organizimet letrare. Kështu festivali ndërkombëtar POETEKA është një rast i mirë që mbledh poetët shqiptarë dhe u kujton atyre se duhet të jenë bashkë duke patur parasysh zhvillimin e letërsisë, por edhe të takohen njëherë në vit me njëri tjetrin dhe: Së dyti, në Shqipëri ende mungon ai niveli i duhur i kontakteve të mirëfillta me poezinë botërore. Poeteka është një rast i mirë për të vendosur një urë lidhëse midis poetëve shqiptarë dhe atyre të huaj. Nuk janë të paktë poetët e huaj që vinë në festivalin POETEKA, parë si nga numri i tyre edhe nga rëndësia dhe fama ndërkombëtare që ata kanë. Poeteka është një rast i mirë për të vendosur një urë lidhëse, përfshi edhe prezantimin e poetëve të huaj në revistën “Poeteka” nëpërmjet përkthimeve ose në gjuhën origjinale, botuar pranë poetëve më të talentuar shqiptarë. Kështu krijohet një hartë e gjerë kontaktesh e pikëtakimesh. Ky aktivitet u jep mundësi poetëve shqiptarë të vendosin jo vetëm kontakte me poetë të huaj shumë të njohur, por edhe të lidhen me aktivitete të tilla të kësaj natyre, të cilat zhvillohen sot në botë, të cilat sjellin përvoja pozitive edhe për zhvillimin e aktiviteve sa më efikase edhe në Shqipëri. Festivale të kësaj natyre kanë një dobi të madhe për vendin tonë që ka qenë një ndër më të izoluarit gjatë sundimit të komunizmit. Zoti Londo, ju thatë se festivale të tilla si POETEKA kanë dobi të madhe për vendin, por nga ana tjetër vihet re një shkurtim fondesh nga Ministria e Turizmit dhe Kulturës për disa nga festivalet kulmore, si për shembull festivali i Teatrove të Butrintit, i cili për dy vjet me radhë ka pasur shkurtim të buxhetit?-Ky shkurtim fondesh nga MTKRS-ja është i lidhur me buxhetin e përgjithshëm që është për çdo aktivitet. Ministria nuk mund të financojë çdo vit të njëjtat aktivitete. Logjika e kohës është e tillë që ministria financon në fillim sa hidhen themelet e një aktiviteti të rëndësisë së veçantë, e në vitet pasardhëse financon më pak dhe organizatorët duhet ta kuptojnë se do të vijë një ditë që duhet t’i përballojnë vetë aktivitetet dhe t’i gjejnë rrugët e mundshme vetë. Dhe ndodh kjo në atë kohë kur këto aktivitete kthehen në institucione të rregullta. Kjo që them është një përvojë botërore, nuk është një praktikë e rastit, e shpikur nga ne. Po festivali POETEKA si ju duket, a po kthehet në modelin e një institucioni të rregullt, siç pretenduat më sipër?-Unë kam qenë i ftuar në shumë aktivitete të tilla ndërkombëtare nga më kryesoret në Europë dhe në botë dhe gjithmonë kur shkoja në këto aktivitete mendoja me një farë zilie dhe trishtimi: Kur do të vijë ndonjë ditë që dhe Shqipëria të ketë një aktivitet të tillë...?! Dhe sot më vjen mirë që POETEKA është një aktivitet i nivelit europian, duke llogaritur organizimin, pjesëmarrjen dhe menaxhimin e saj. E dyta më vjen mirë që veç pjesëmarrësve nga vende të ndryshme të botës, POETEKA u bë një pikëtakimi e poetëve me origjinë shqiptare kudo që janë. Jam i bindur që POETEKA e ka formuar fizionominë dhe do të jetojë gjatë. Ju keni një karrierë të pasur letrare dhe politike, keni fituar çmime, keni dhënë çmime në raste të caktuara, si do ta vlerësonit çmimin më të fundit që e fituat në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë POETEKA? Sado çmime që të marrësh, gjithkush i mirëpret çmimet. Por do të thosha që ky çmim për mua është krejt i veçantë, sepse jepet nga një organizëm i pastër poetik, siç është POETEKA dhe nga një juri kopetente. Vlerësoj shumë faktin që çmimin ma dorëzoi poeti kosovar Ali Podrimja, një nga ikonat e poezisë shqipe. II.Bardhyl Londo, fitues i çmimit “Liburna” Poeti Bardhyl Londo u lind në Përmet, më 25 dhjetor 1948. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës në fakultetin histori-filologji. Pas diplomimit punoi për disa vjet si mësues në Përmet. Në vitin 1979 filloi punë në gazetën letraro-artistike “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Në vitin 1990 u emërua kryeredaktor i kësaj gazete, ndërsa në vitin 1992 në të parat zgjedhje të lira e pluraliste, u zgjodh kryetar i kësaj organizate, mandat që u përsërit në zgjedhjet e dyta të vitit 1994. Gjatë së njëjtës periudhë ka mbajtur dhe funksionin e drejtorit të gazetës “Drita”. Prej vitit 1998, vit që sipas statutit të Lidhjes së Shkrimtarëve mbaronte mandati i dytë si kryetar. Lonod punoi në shtypin e përditshëm. Në vitin 2001 u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe kryetar i komisionit për Kulturën dhe Sportet në Kuvendin e Shqipërisë. Prej vitit 2005 punon si këshilltar i Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Gjatë këtyre viteve Bardhyl Londo ka botuar shumë libra me poezi, ku ka tërhequr vëmendjen e lexuesit dhe të kritikës shqiptare si një nga poetët më të njohur dhe është nderuar me të gjitha çmimet më të larta letrare-artistike. Dy herë, për botimet “Hapa në rrugë” dhe “Si ta qetësoj detin”, ka marrë çmimin “Migjeni” për librin më të mirë poetik të vitit, ndërsa në vitin 1996 ekuivalentin e këtij cmimi për librin “Kur perënditë ndaluan vetëvrasjen”. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës, në antologjitë letrare që kanë përfaqësuar poezinë shqiptare në botë. Ka marrë pjesë në shumë aktivitete nga më të rëndësishmet letrare në botë dhe në rajon. Krijimtaria e tij ka zënë vend në antologjitë letrare dhe në tekstet e letërsisë që studiohen në shkollat shqiptare, duke përfshirë edhe ato jashtë kufijve politikë të Shqipërisë. Ka shkruar një numër të madh esesh, kritikash studimore dhe artikuj të ndryshëm. Gjithashtu është marrë me përkthime, prej të cilëve mund të veçojmë përkthimin e njërit prej poetëve më të mëdhenj të kohëve të sotme, autorin hebre Yehuda Amichai, i përkthyer në të gjitha gjuhët kryesore të botës.
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.