Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Intervistë e “Illyria” me biznesmenin Lazim Destani

| E diele, 04.10.2009, 11:29 AM |


FARUK TASHOLLI

ME TETOVARËT NË GJERMANI

BIZNESMENI DUHET TË ECËN
NË NJË HAP ME KOHËN
(Intervistë e bërë nga Dalip Greca për gazetën “Illyria”, New York, mars 2008)

Si e përjetuat pavarësinë e shtetit të Kosovës?

    L D: Si i gjithë kombi shqiptar me gëzim e emocion.

    20 vite më parë ju themeluat agjencinë turistike ”Sharr Turist”. A mund të sillni për lexuesit tanë disa mbresa lidhur me rrethanat e kohëlindjes së agjencisë?

LD: Më duhet të bëj një hyrje pak më të gjatë me qëllim që lexuesit nga kjo kohë t’i kuptojnë rrethanat e vërteta të asaj kohe. Në vitet ’70-të, kurbeti për shqiptarët që jetonin në trojet e tyre në kuadër të ish-Jugosllavisë ishte domosdoshmëri dhe fat i jetës. Shumë bashkatdhetarë tanë, në mes të të cilëve edhe shumë malësorë nga Sharri, morën rrugën e kurbetit, pasi ajo ishte e vetmja rrugë për të madhëruar jetën. Kur them domosdoshmëri duhet të kujtojmë se atëbotë shqiptarët ishin plotësisht jashtë institucioneve shtetërore dhe kapaciteteve ekonomike të ish-Jugosllavisë. Shqiptarët nuk kishin mundësitë e punësimin nëpër kapacitetet ekonomike të shtetit të atëhershëm, kështu që nuk mundnin t’i shfrytëzojnë beneficionet e rezervuara për popujt sllavë të jugut. Nuk i kishin as mundësitë e shkollimit, ashtu siç i kishin popujt e tjerë. Prandaj edhe ishim të detyruar që përherë të kërkojmë rrugë të reja, të gjejmë rrugëzgjidhje për të siguruar ekzistencën pasi përherë ndjeheshim si popull jashtë sistemit. Në mungesë të kujdesit të shtetit, ne ishim të detyruar që të krijojmë një sistem mbrojtës të familjes, duke dërguar nga një përfaqësues në kurbet, i cili do të siguronte edhe ekzistencën e familjes. Kështu që numri i mërgimtarëve për një kohë të shkurtër u rrit në përmasa të konsiderueshme. Dhe vërtet mërgimi i përmirësoi dukshëm edhe kushtet e ekzistencës ekonomike, mbase kursimet i dërgonin në vendlindje tek familjet e tyre. Por kurbeti hapi edhe plagë të reja brenda shoqërisë shqiptare, sepse ngjalli më tepër mallin për familjarët dhe vendlindjen. Si popull “jashtë sistemit” për shqiptarët familja dhe lidhjet familjare në përgjithësi ishin çështje kryesore. Kështu udhëtimi për në vendlindje u bë problem shumë i rëndësishëm. Atëbotë këto udhëtime ishin shumë të vështira, nuk ekzistonin agjenci udhëtimesh. Mërgimtarët ishin të detyruar t’u binden agjencive shtetërore të Jugosllavisë, të cilat në shumë mënyra dëshmonin përbuzjen e tyre ndaj shqiptarëve si popull duke i fyer deri në dinjitet njerëzor. Gjatë udhëtimeve ndodhnin shumë ngjarje, ku mërgimtarët shqiptarë ishin viktimat e para. Shumë prej tyre plaçkiteshin gjatë udhëtimit me tren, disa që udhëtonin me veturat e tyre edhe u vranë në pjesën e rrugës që kalonte nëpër Serbi. Udhëtimet me aeroplan ishin vetëm deri në Zagreb dhe Beograd, gjë që ishte vetëm një zgjidhje e pjesëshme e çështjes. Unë, ashtu si edhe të gjithë mërgimtarët, fillova ta ndjej peshën e këtij problemi apo thënë më mirë të kësaj sfide. Ndërkohë që prej ditës sime të parë në punë unë kisha ndërruar disa vende pune. Fillova të punoj si vozitës, në një kompani të transportit urban në Gjermani. Kisha përvojë të mjaftueshme në organizimin dhe përgatitjen e logjistikës së udhëtimeve. Si vozitës, në kuadër të kompanisë ku punoja, disa herë m’u desh të bart turistë gjermanë për në bregdetin kroat e slloven. Kjo tek unë pati shumë ndikim, më mbushi me vendosmëri. Shpesh më ka lindur pyetja: “Përse të njëjtat kushte të mos i kenë edhe bashkatdhetarët e mi gjatë udhëtimeve për në vendlindje”? Ishte një pyetje që m’u ngulit thellë në kokën time. Vendosa ta shfrytëzoj përvojën time dhe t’i jap përgjigje pyetjes që më qëndronte për një kohë të gjatë në kokë. Në fakt e gjithë ideja ishte që edhe bashkatdhetarëve tanë t’ua ofroja të njëjtat kushte që i kishin turistët gjermanë, gjatë udhëtimeve të tyre për në pushime verore. Pra desha që bashkatdhetarëve të mi t’ua ofroj të njëjtat kushte dhe shërbime, për të cilat kisha nevojë të më ofrohen edhe mua. Me këtë mendim mora iniciativën dhe e fillova punën.

Si e nisët?

L D: Në fillim mora një autobus, dhe nisëm organizimin e udhëtimeve të para për në vendlindje. Vetë firma si dhe autobusi me targa gjermane, garantonte sigurinë e udhëtarëve, sipas standardeve europiane të kohës. Kështu që, bashkatdhetarët e mi gjatë udhëtimit ishin plotësisht të sigurt dhe të rehatshëm. Kjo e bëri që të shtohen kërkesat për udhëtime të tilla. Kërkesat e udhëtarëve i shtuam por rritëm edhe numrin e autobusëve. Në këto kushte, në vitin 1987, unë regjistrova agjencionin e udhëtimeve me titullin simbolik: “SHARR TURIST”.

Sharri pareshtur ju shoqëroi në udhëtimet e gjata: Çfarë ndjesie ju krijonte ky emër me të cilin pagëzuat agjencinë tuaj?

L D: Më duhet të them që ideja, apo ëndrra, për Agjencinë e udhëtimeve në kokën time zuri vend bashkë me emrin e vet “Sharr Turist”. Për mua Sharri, mali i bukur, i lartë, i bleruar e madhështor, kishte hyrë shumë thellë brenda qenies sime. E ndjeja si krenari si mbiemrin e dytë timin. Ky emër kishte rrënjë të thella në histori, me luftëra dhe heroizma e deri tek uji i mrekullueshëm i kristaltë. Ndaj populli e emërtoi “Uji i Sharrit”, e deri tek njerëzit që thirren “malësorë të Sharrit”. Pastaj, vetë Sharri gjeografikisht ka një privilegj se gjendet në një trekëndësh të trojeve tona, që në atë kohë ishin të ndara me kufij administrativë. Sharri me madhështinë e tij i sfidonte ata kufij dhe i bashkonte njerëzit nga të tre anët gjeopolitike, e që flisnin një gjuhë dhe ishin të një gjaku. Kështu vendosa që t’ia huazoj këtë emër, me qëllim që të vazhdoj edhe sfidën e vetë Sharrit, për t’i bashkuar familjet e mërgimtarëve. Atëherë vetëm nga të dy anët e tij e më pas edhe nga ana e Shqipërisë.

Si u prit nga shqiptarët e Gjermanisë çelja e agjencisë?

L D: Hapja e “Sharr Turistit” në atë kohë u prit shumë mirë e me gëzim, sidomos nga shqiptarët që jetonin dhe punonin në Gjermani. “Sharr Turisti” për ata ishte si një urë lidhëse midis vendeve të Evropës ku punonin mërgimtarët dhe ata të vendlindjes. Për një kohë të shkurtër u ndërtua një besim i ndërsjellë midis udhëtarëve dhe “Sharr Turistit”. U lehtësua udhëtimi, u shtua siguria. Të gjithë e ndjenë se “Sharr Turisti” ishte në shërbimin dhe kujdesej për nevojat e tyre, në këtë mënyrë, ai e luajti rolin e postës dhe të bankës. Përmes “Sharr Turistit” përcilleshin letra, medikamente dhe pako të vogla, si dhe para për familjet. Kjo përvojë e mirë u përhap shumë shpejt në popull se për të udhëtuar në vendlindje të duhet vetëm një biletë në linjat e “Sharr- Turistit” dhe asgjë tjetër, gjithçka të nevojshme i siguronte “Sharr-Turisti”. Dhe vërtet ne bëmë shumë që korrektësia dhe siguria të jenë në nivelin maksimal, konform të gjitha standardeve për udhëtime ndërkombëtare.

Cila ishte shkalla e besueshmërisë së mërgimtarëve udhëtarë tek “Sharr Turisti”?

L D: Maksimale. Kjo veçanërisht ndikoi shumë sepse filluan të udhëtojnë edhe familje të tëra pa përcjellës. Ky besim i ndërsjellë ishte maksimal. Me ne udhëtonin edhe fëmijët e mërgimtarëve në kohën e pushimeve shkollore apo të festave të ndryshme e gëzimeve të tjera në vendlindje. Korrektësia jonë ndikoi që edhe planifikimi i pushimeve të mërgimtarëve të bëhej bazuar në linjat tona të udhëtimeve. Nevojat për shërbimet e “Sharr-Turistit” shtoheshin dita-ditës dhe kjo na bëri të mundemi, që për një kohë të shpejtë, të hapim zyrat e përfaqësive të “Sharr-Turistit” ku për këtë kishte nevojë, gjithnjë duke tentuar që të qëndrojmë më afër bashkatdhetarëve.

Sa ju ndihmoi të qenurit tuaj emigrant për të siguruar një shërbim që garantonte siguri dhe mirëbesim?

L D: Unë personalisht asnjëherë nuk e kam pranuar emërtimin “emigrant” dhe përherë kam punuar që të ketë sa më pak emigrantë shqiptarë. Në atë kohë ne e quanim veten “mërgimtarë” apo “kurbetçinj”, pasi përherë sytë e mendjen i kishim të kthyer kah vendlindja. Ashtu na emëronte edhe shteti gjerman: “punëtorë mysafirë”. Atë kohë ishte tjetër realitet, në çdo kohë numërohej numri i shqiptarëve. Kishte një strategji shtetërore dinake me synim që numri i shqiptarëve në Kosovë dhe Maqedoni të pakësohej sa më shumë. Hapja e kurbetit në vetvete synonte që të realizonte ëndrrën e vjetër, pra strategjinë për pakësimin gradual të numrit të shqiptarëve. Ne mundoheshim me çdo kusht që kurbeti të mos merrte përmasat e emigrimit, gjë që shteti në mënyrë indirekte edhe dirigjonte. Kur e them këtë kam parasysh marrëveshjen shtetërore me Turqinë për emigrimin e shqiptarëve. Prandaj ne edhe ishim shumë të ndjeshëm në këtë pikë dhe rezistonim maksimalisht. Po, të kthehem në pyetjen tuaj. Kuptohet se fakti që edhe unë isha mërgimtar kishte domethënien e vet. Pasi edhe unë i ndaja të njëjtat halle me bashkëkombësit e mi. E thashë edhe më lart “desha që bashkatdhetarëve të mi t’ua ofroj të njëjtat kushte dhe shërbime, për të cilat unë kisha nevojë të më ofrohen edhe mua”.

Si arriti “Sharr-Turisti” që të bëhej faktor në tregun e udhëtimeve?

L D: Me shumë punë, guxim dhe shumë sakrifica. Nuk duhet harruar që në atë kohë mua më duhej që të realizoja ndërlidhjen mes dy koncepteve. Atij socialist që ekzistonte në vendlindje, ku nuk lejohej iniciativa individuale dhe nga ana tjetër ajo e biznesit, sidomos atij gjerman, që ishte një nga tregjet më konkurruese të Europës. Unë e arrita ta bëj këtë ndërlidhje gjithnjë duke pasur si prioritet klientin. Për mua një biletë e udhëtarit nuk e ka pasur thjesht kuptimin e vlerës materiale, ku secila biletë për mua përfaqësonte një njeri me shpirt, një familje, me probleme, me nevoja, ndaj jam munduar që secilin ta ndihmoj brenda mundësive të mia. “Sharr Turisti” u bë faktor në tregun e udhëtimeve, duke kaluar shumë sfida, duke kaluar pengesa dhe kufij. Si prioritet kemi pasur sigurinë fizike dhe rehatinë e udhëtarëve, pasi bashkë me ta i kemi kaluar të gjithë peripecitë që na dilnin përpara gjatë njëzet vjetëve. Pastaj “Sharr Turisti”, krahas qëndrueshmërisë financiare me krijimin e rrjetit të infrastrukturës së përfaqësive në të gjitha trojet shqiptare, zhvilloi edhe dimensionin social (bamirës) ku në shumë raste edhe me humbje financiare, ne u dolëm në ndihmë bashkatdhetarëve tanë. Gjithë kjo zuri vend në shpirtrat e tyre dhe u çmua shumë nga klientët tanë.

Keni përjetuar çaste të vështira, si i keni kapërcyer ato?

L D: “Sharr-Turisti” u lind për nevojat e bashkatdhetarëve dhe pikërisht ata ia dhanë jetën. “Sharr- Turisti” jetoi njëzet vjet me klientët e vet, duke ndarë me ta të gjitha vështirësitë e asaj kohe, përfshirë këtu edhe turbullirat më të tmerrshme. Ne ishim përherë pranë me klientët tanë, siç thuhet: “edhe në gëzim edhe në zi”. Asnjëherë nuk i braktisëm nevojat e klientëve edhe atëherë kur u vështirësua udhëtimi shkaku i shumë embargove dhe rrezikshmërisë në rrugë. Ne përherë tentuam dhe arritëm që të hapim shtigje dhe rrugë të reja vetëm e vetëm që klientët tanë të realizojnë atë çfarë thoshte bileta e tyre e blerë në “Sharr-Turist“. Kuptohet, në shumë raste kemi punuar edhe me humbje financiare, por kemi realizuar atë që e garantonte bileta e klientëve tanë. Në një rast, kur u bllokua rruga për në Serbi dhe Bullgari, dy autobusë të “Sharr Turistit” mbetën të bllokuar në mes kufijve. Atëherë e gjetëm një zgjidhje. Organizuam urgjent çarter fluturim, dhe pa asnjë shtesë tjetër në çmim, udhëtuan me aeroplan për në Gjermani. Kuptohet kjo na shkaktoi humbje financiare, por të gjithë udhëtarët arritën në kohë në Gjermani dhe ditën e nesërme ishin në vendet e tyre të punës, në bankat e shkollës dhe pa asnjë pasojë. Në këtë mënyrë humbjen financiare e kompensuam me gëzimin e përgjithshëm të klientëve tanë dhe tonin. Ky është vetëm një nga rastet e shumta kur “Sharr-Turisti” e ka sfiduar realitetin e krijuar nga rrethanat e ndryshme, shumë të paparashikuara.

Si u ndjetë në “akademinë” festive të organizuar në Shkup, me rastin e 20 vjetorit të “Sharr Turistit”?

L D: Isha shumë i emocionuar, tepër bile, aq sa kisha frikë se a do të mund ta mbaja fjalën time përshëndetëse. Pasi vërtet atë mbrëmje, për aq kohë sa zgjati programi i përgatitur, tek unë u realizuan shumë e shumë fotografi e bashkë me to edhe shumë përjetime që vazhdojnë të jenë të skalitura edhe sot e kësaj dite brenda meje. Për një orë, para meje parakaluan jo pak, por plot njëzet vite punë të palodhshme, rraskapitëse, njëzet vite përkushtim ndaj “Sharr- Turistit”. Në fotografitë e para e shihja veten me flokët e mi me ngjyrën e zezë karakteristike, ndërsa në ata pas njëzet vitesh, kishte ra shumë borë në flokët e mi, tashmë të zbardhur. E gjithë kjo ishte edhe një ndjenjë krenarie kur pashë se iu përgjigjen ftesës shumë personalitete, biznesmenë, intelektualë, miq e farefis, që më nderuan me pjesëmarrjen e tyre në akademinë solemne. Me këtë rast kam marrë shumë e-maila me urime shumë të sinqerta nga shumë klientë, shokë, bashkëpunëtorë, që më përgëzonin për vitin jubilar. Kjo është vërtet një krenari, kur sheh që të gjithë energjinë dhe emocionet që ke investuar kanë zënë vend tek ata të cilëve u je dedikuar. Në sytë e tyre pashë se që të gjithë kishin çmuar investimin tim. Kuptohet, kur njeriu arrin në një pikë të tillë në jetën e tij, kur duhet të bëjë rikapitulimin e një pjese të jetës së tij, atëherë ballafaqohet me shumë emocione. Veçanërisht unë pata dhe ende kam shumë emocione, pasi “Sharri Turisti” ishte dhe është një pjesë e pandashme e qenies sime. Është si një emër i dytë imi. Unë ndjehem krenar për gjithë atë kohë që kam punuar me nder dhe me shumë investime emocionale në gjithçka që ka punuar “Sharr- Turisti”. Pastaj, të mos harrojmë para njëzet viteve unë e mora fill i vetëm këtë iniciativë. Pasuria përbëhej vetëm nga idetë e mia, vizionet e mia që qarkullonin në kokën time, falë edhe përkushtimit tim të pakompromis për realizimin e atyre ideve. Në mbrëmjen e akademisë solemne ndihesha krenar dhe i gëzuar, sepse të gjitha këto që kam bërë kanë mendjen, zemrën e gjithë pjesëtarëve të familjes sime. Kjo ishte ajo ndjenja e krenarisë dhe e gëzimit që mund të dëshirojë të arrijë çdo njeri në jetën e vet.

Ju keni sponsoruar dhe u jeni gjendur pranë veprimtarive dhe manifestimeve me ngjyrë kombëtare. A do të përmendnit ndonjë që ju ka dhuruar më shumë emocione?

L D: Më besoni se janë shumë dhe nuk dua t’i përmend, pasi kjo edhe nuk është në natyrën time. Modestia ashtu si edhe bamirësia është karakteristikë imja dhe duhet të mbetet ashtu siç ka qenë edhe qëllimi i saj dhe nuk duhet të përmendet. Po u përmendën, atëherë edhe e humbin kuptimin e mirëfilltë të tyre. Unë jam i lumtur që në shumë rrethana të mëparshme kisha mundësi të ndihmoj në këtë lëmi dhe bëra që shumë aktivitete kulturore të mbahen si dhe shumë vepra artistike të dalin në dritë. Kultura shqiptare asnjëherë nuk ka qenë nën ombrellën e institucioneve që do të kujdeseshin për zhvillimin e saj, prandaj këto ndihma kanë qenë më se të nevojshme. Është obligim i secilës kompani të suksesshme që të ndajë një pjesë të mjeteve për të ndihmuar artin, kulturën, sportin etj., kuptohet secili sipas mundësive që ka. Unë do të vazhdoj t’i mbështes njerëzit e artit etj., pasi i çmoj të gjithë.

Cili ka qenë sekreti i jetëgjatësisë së “Sharr Turistit”?

L D: Sigurisht se çdo biznes ka specifikat e tij. Biznesi i “Sharr-Turistit” ishte i fokusuar në kujdesin dhe shërbimin cilësor të klientit, kurse interesi i klientit ishte që të udhëtojë këndshëm, i sigurt dhe me kosto të durueshme për kurbetin. Të gjithë energjinë e biznesit tim e kisha fokusuar në këto objektiva si t’i arrij ato me kosto gjithnjë e më të ulët. Vlera e parave është në përpjesëtim të drejtë me vështirësinë për t’i fituar ato. Si rrjedhojë e kësaj, aso kohe, s’kishte para më të vlefshme se ato të kurbetit, sepse sakrificat dhe mundimet ishin të mëdha gjersa t’i fitoje. Unë e dija këtë dhe e respektoja shumë, prandaj në tërësinë e biznesit tim dominonte ky mision. Përndryshe unë kam një moto të dëshmuar në suksesin e biznesit dhe ajo është: “Suksesi është i lidhur ngusht me aksionin. Njerëzit e suksesshëm nuk rrinë qetë. Ata bëjnë edhe gabime, por asnjëherë nuk tërhiqen”.

Përse e mbyllët agjencinë dhe përse zgjodhët 20 vjetorin si kohëndarje me krijesën tuaj?

L D: E thashë edhe më lart: “Sharr Turisti” ishte dhe është pjesë e pandashme e qenies sime. Ishte dhe do të mbetet si një emër i dytë imi. Unë përherë jam përpjekur që të shikoj larg. Largpamësia ka qenë ajo që përherë më ka udhëhequr në jetë dhe kështu përherë kam qenë në hap me kohën, e cila ndryshon duke krijuar rrethana të reja. Pasi ashtu është koha ajo gjithnjë ecën përpara dhe asnjëherë nuk ndalet që t’i presë ata që nuk janë në gjendje ta ndjekin. Kështu pra, duke dashur që përherë të jem në hap me kohën unë e pashë të arsyeshme që duhej të bëhej një hap i tillë që për mua personalisht ishte edhe shumë i dhimbshëm. Por koha dhe rrethanat e reja e kërkonin atë hap, prandaj edhe e ndërmora. Pasi kur erdha në këtë pikë unë e pashë të domosdoshme që të bëj një hap të tillë dhe përmbyllja e aktiviteteve të “Sharr Turistit” erdhi si domosdoshmëri, duke ndjekur hapin e kohës. Kur e them këtë e kam parasysh se vërtet koha ka ndryshuar, tani edhe populli ka të tjera preokupime dhe të tjera prioritete. Kushtet për udhëtim janë tepër të lehtësuara, ndërsa mbi kurriz të popullit po rëndojnë çështje të ekzistencës. Prandaj vendosa që aktivitetet e “Sharr Turistit” t’i përmbyllim duke u orientuar në tjera aktivitete, me të cilat shpresoj të jemi më afër nevojave të popullit. Kjo ndoshta ka qenë e befasueshme për shumë klientë tanë të rregullt pasi nuk e kanë pritur një vendim të tillë, por unë shpresoj se “Sharr Turisti” do të vazhdojë të jetojë në shpirtrat tanë. Ndërsa sa i përket njëzet vjetorit të veprimtarisë si kohëndarje, mund të them se atë nuk e zgjodha unë atë moshë të “Sharr Turistit”, nëse mund ta quaj ashtu. Ishte vetë koha ajo që i caktoi të gjitha. Ky vendim nuk ishte fatalitet, përkundrazi ai do të hapë dritare të reja, bile më me shkëlqim.

Në çfarë projektesh është fokusuar tani biznesmeni i suksesshëm Lazim Destani?

L D: Biznesi i “Sharr-Turistit” i është përgjigjur nevojave të kohës dhe është transformuar në biznese të kohës së sotme. Përvoja ime e akumuluar është bazamenti dhe motiv shtytës për bizneset e trashëgimtarëve - djemve të mi. Gabimet në biznes unë i quaj me një emërues të përbashkët - përvojë. Të mëdhenj janë ata që dinë të ringriten në lartësi të reja. Unë jam në relacion pro-aktiv me fëmijët e mi për t’u këshilluar me ata për shumë aksione të përditshme në bizneset aktuale. Për mua është një kënaqësi e madhe, për çka i jam falenderues të Madhit Zot, që djemtë e mi, jo vetëm që janë në shtigjet e filluara nga unë, por këto shtigje me shumë sfida sot i shndërrojnë në pista me horizonte globale dhe për të gjitha këto në konsulencë reciproke midis nesh. Në këtë drejtim sot unë u sugjeroj atyre që të kujdesen për shumë dimensione të bizneseve të tyre që unë vetë nuk kam mundur t’i konceptoja aso kohe.

Si ia keni arritur që suksesin ta përcillni edhe tek djemtë tuaj të cilët e kanë globalizuar biznesin?

L D: Është një dëshirë e natyrshme e çdo prindi që të përcjellë përvojat e tij tek fëmijët, që më së paku ata të mos bëjnë tolerancat e njëjta. Problemi qëndron në atë se sa fëmijët janë të gatshëm të përthithin nga ato që prindërit ju sugjerojnë. E keni parasysh dhe mos harroni se janë në pyetje edhe ndërrimet e gjeneratave që konvergjojnë, me konceptet e reja të kohës. Shyqyr Zotit dhe jam i lumtur se fëmijët e mi janë shumë të respektuar dhe dëgjojnë me shumë vëmendje këshillimet tona. Kuptohet ata i realizojnë në standardet dhe kodet e kohës, por gjithmonë brenda kornizave të menaxhimit modern. U kam sugjeruar që të mësojnë të thonë “nuk di, por do ta gjej, do ta bëj”. Problemet më të mëdha dalin pikërisht atëherë kur të thonë “s’ka problem”. Në këto raste duhet kujdes i veçantë në përcaktimin e të gjitha detajeve rreth një biznesi. Njerëzit dhe partnerët që ju thonë: “s’ka problem” ose nuk e njohin problemin (punën) ose t’i maskojnë ato dhe për pasojë pikërisht aty prit, se shumë shpejt do t’u lindin probleme.
    Në anën tjetër, idetë e reja janë pak të vështira që të shkojnë në “kokat e vjetra” dhe anasjelltas prandaj duhet kombinuar përvojat, që vjen nga “kokat e vjetra” të afrohen, të bashkëpunojnë me idetë e reja që burojnë nga “kokat e reja”. Midis këtyre performancave lypset të gjenden ekuilibra të qëndrueshëm. Tani për tani përvoja na ka treguar se ne ia kemi arritur bashkërisht pikësynimeve tona.

Sa janë të lidhur djemtë tuaj dhe biznesi që ata po drejtojnë me vendlindjen dhe çështjen kombëtare?

L D: Shyqyr Zotit shumë, bile më shumë se që mund të parafytyrohet. Normalisht biznesi nuk njeh kufij lokalë dhe kombëtarë, por lidhja jonë me vendlindjen tonë të dashur, me regjionin në tërësi na kanë detyruar që më shumë të mendojmë dhe veprojmë në unitet, duke mos harruar kurrsesi faktorin lokal e kombëtar. Tamam për këtë mendova dhe hapa për shembull në Kosovë një fabrikë uji, ku janë punësuar një numër i madh punëtorësh. Shpesh na shfaqen “konflikte” në bordin menaxhues të kompanive të djemve, pasi drejtorët që janë në këto borde vijnë nga të tjera kultura, dhe shikojnë interesin global të kompanive dhe nuk mund t’i kuptojnë arsyet tona emocionale dhe kombëtare për të shfrytëzuar resurse njerëzore disa herë më të shtrenjta se ato që i ofrojnë tregjet globale. Arsyet emocionale vijnë nga dëshira për t’i ndihmuar vendit (vendlindjes) apo regjionit tonë. Duke dashur të mbeten brenda kornizave të modestisë, gjykoni vetë kontributin e tyre, kur të keni parasysh se numri i të punësuarve në kompanitë e tyre arrin në lartësitë e para të numrit katërshifror, dhe të gjithë këta me paga të përmasave perëndimore. Ky fakt shpjegohet me shpirtin human e patriotik të fëmijëve të mi, që për hir të së vërtetës, unë jam munduar që t`ua rrënjos që në moshën e adoleshencës.

Duke qenë se biznesi Juaj është globalizuar a mendoni se ndonjë ditë do të jeni edhe në SHBA?

L D: Pse jo! SHBA konsiderohet nga të gjithë si parajsë, si një mrekulli e Zotit, si modeli i demokracisë, si kulmi i teknologjisë dhe i biznesit. Ajo dyert i ka të hapura pa dallim race, feje apo kombësie. Atëherë përse edhe ne të familjes DESTANI, të regjur nëpër Evropë të mos e derdhim mendjen dhe aftësitë tona në këtë vend të bekuar të mirëqenies.

Cili është mesazhi Juaj për diasporën shqiptare të Amerikës?

L D: Duke qenë se kjo diasporë është dalluar si një ndër më dinamiket, më aktivet për çështjen kombëtare, ajo, po aq lypset të jetë edhe më e përkushtuar, për t’i kthyer sytë edhe nga vendlindja. Ishte dhe mbetet një shembull i madh për përkrahjen e procesit të pavarësisë së Kosovës. Sot lypset se si të kthehen me të gjitha resurset që i kanë krijuar në SHBA, por mbi të gjitha me shprehitë dhe dijet e fituara, nga shkolla e biznesit modern amerikan. Jam i bindur se po qe se do të punojmë kaq shumë dhe kështu të sistemuar edhe në ato vendet tona, pavarësisht nga vështirësitë sistemore atje, bizneset tona edhe atje do të jenë të suksesshme, së paku për kushtet vendore do të jenë ndër më të mirat. Ne jemi popull i aksionit, jemi dinamik dhe riskimarrës, prandaj, do të kemi sukses edhe atje. Gradualisht të gjithë duhet të bëjmë që të kthehemi në trojet tona. Koha na thërret, vendet tona na presin krahhapur. Nëse nuk i zhvillojmë ne, prej kujt duhet të presin ato? Pse duhet t’ua shtrijmë dorën të tjerëve?! Mjaft më me lojën  e lypsarit. Kjo posaçërisht është e rëndësishme për diasporën këtej oqeanit e cila gjithnjë e më rrallë është duke shkuar në vendlindje. Për sa kohë që nuk janë ambientuar, ashtu siç duhet, gjeneratat e treta, edhe mund të ktheheni andaj prej ku kemi ardhur. Më vonë do të jetë gjithnjë e më vështirë. Të gjithë ia kemi borxh atdheut tonë dhe të mos i lëmë gjeneratat e reja të amerikanizohen, aq sa t’u mbesin traditat, e aq më keq brezat e rinj që po fillojnë ta harrojnë edhe gjuhën e nënës. Gjithsesi ne i respektojmë amerikanët, madje u jemi mirënjohës.