Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bilall Maliqi: Gërfyejt e njohjeve përmes artit

| E enjte, 01.10.2009, 08:42 PM |


GËRFYEJT E NJOHJEVE PËRMES ARTIT

(Sokol Demaku “Baladë e përflakur” (Flammande Ballad), Antologji poetike/Poetisk antologi, Bukuresht/Bukarest 2009, faqe 94).

Nga Bilall MALIQI

Një urë lidhëse ndërmjet komunitetit shqiptar dhe atij suedez në aspektin e njohjes dhe promovimit të vlerave të shkrimtarëve të cilët prezantohen përmes shkrimeve , përkthimeve apo prezantimeve nëpër revista, ka qenë i paktë, përveq prezantimit të herëpashershëm në revisten “Dituria” që botohet në Boras të Suedisë kohëve të fundit.
Nga shkrimtari, publicisti dhe pedagogu i njohur Sokol Demaku, i cili jeton dhe vepron në qytetin Boras të Suedisë, më parë u botua  Monografia me titull “Historia e Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”, e përkthyer edhe në gjuhën suedeze.
Sokol Demaku forcoi edhe më tutje Urën e njohjes  me nxerrjen në dritë të Antologjisë poetike shqip-suedisht të titulluar “Baladë e përflakur”.
Ky libër është i pari i këtij lloji në shtetin e Suedisë dhe ka qenë i domosdoshëm, ku përmes këtij botimi autori  ka paraqitur para lexuesve suedez një letërnjoftim si biografik të autorëve por edhe ka bërë shpalosje të krijimeve poetike të tyre,  ka bërë po ashtu edhe  njohjen dhe prezantimin e vlerave artistike të krijuesve tanë e që për lexuesit suedez këta krijues deri tani kanë qenë enigmë.
Sokol Demaku në këtë libër ka bërë përzgjedhjen e dhjetë krijuesve gjithandej trojeve etnike shqiptare, poashtu edhe disa krijues të shpërndarë në diasporë e që luajnë një rol të rëndësishëm me punën e tyre në afirmimin e kulturës letrare shqiptare nëpër botë, duhet përmendur kështu përkthyesin, poetin dhe publicistin Baki Ymeri i cili po ashtu ka bërë Antologji poetike shqip-rumunisht  duke përfshirë poetë të ndryshëm nga të gjitha anët ku flasin shqip.
Antologjia në fjalë është e mbushur me krijime poetike të zgjedhura nga autorët e prezantuar, të cilat janë të përkthyera nga Sokol Demaku.Poezitë e përkthyera që e kompletojnë këtë Antologji poetike përbëhen nga motive të larmishme si: sociale, patriotike, poezi kushtuar gurbetit etj., ku me përkthimin e tyre edhe lexuesi suedez do të njoftohet se ne shqiptarët jemi popull liridashës, që e duam kulturën dhe dijmë të shkruajmë dhe të krijojmë vlera artistike.
Me këtë libër është krijuar vetëmse edhe një afërsi me popujt tjerë,e në këtë rast me popullin suedez i cili tani do të shohë dhe do t’i shtjelloj pse jo edhe vlerat e poezive të paraqitur si tabllo në këtë botim dhe se edhe kritikët suedez do të kenë çka të shkruajnë për  poezitë e përkthyera…
Po ashtu në këtë libër lirshëm kuvendojnë mes veti dhjetë poetë të cilët gjeografikisht janë larg njëri-tjetrit e që Sokoli i ka tubuar dhe i ka futur në një libër e cila do të shtegtojë dorë-më dorë si te lexuesit shqiptar ashtu edhe te ata suedez.
“Baladë e përflakur” titull mjaft interesant e metaforik i nxjerrur nga brendia e kuptimit të poezive, ku kjo “Baladë” shprehet nga thellësia shpirtërore e poetëve përmes vargjeve të poezive të paraqitura, ku paraqitet qëndresa, plaga e mërgimit e shpërndarë edhe tej oqeanit dhe kudo nëpër botë, duke ua sqaruar edhe lexuesve suedez këtë plagë shekullore dhe dhembëse, ku edhe ky shtet hapi portat e miqësisë edhe për shqiptarët .
Skeleti i librit në fjalë është i ndarë në dy kapituj, në shqip dhe në suedisht.në fillim paraqitet para lexuesve parathënia e redaktorit në gjuhën shqipe Baki Ymerit, ku në pika të shkurtra paraqiti vlerën dhe rëndësinë e librit.Ndërsa redaktor për gjuhën suedeze është Sven Esselius.
Thamë më lartë se këtë Antologji e përbëjnë emrat e dhjetë poetëve të shpërndarë gjithandej trojeve të shkëputura shqiptare të cilët më nuk do të jenë enigmë as për lexuesit suedez.Këtë libër e përbëjnë këtë emra:Adnan Mehmeti (Kosovë/SH.B.A), Bahtir Latifi (Kosovë/Suedi),  Bajame Hoxha (Shqipëri/Belgjikë), Baki Ymeri (Maqedoni/Rumani),  Bilall Maliqi (Lugina e Preshevës), Hamit Gurguri (Kosovë/Suedi), Ibrahim Abedini (Maqedoni/Suedi), Nehat Jahiu (Maqedoni), Sokol Demaku (Kosovë/Suedi) dhe Shuquri Sejdijaj (Kosovë/Suedi).
Kjo vepër me vlerë përbëhet nga tituj të ndryshëm të poezive si p.sh:Me kuajt e erës përtej detit/Gurbeti/Vargjet e mia/Perla e poetit/ElezBalia/Guri dhe flamuri/Ëndrra pa fund/Tek kjo tokë/Errësira/Ku ta gjej/ dhe poezi tjera interesante që e kompletojnë këtë libër simpatik.
Shpresojmë që në të ardhmen Sokoli do ta zgjeroj rrjetin e përkthimeve të tij edhe me pena tjera të avancuara artistikisht, me qëllim të njohjeve të reja në segmentin krijues-lexues suedez, por pse jo edhe anasjelltas…