Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shazim Mehmeti: Cikël poetik nga libri ''Lumenjtë e dritës'' (II)

| E merkure, 30.09.2009, 08:29 PM |


SHAZIM  MEHMETI

LUMENJTË E DRITËS

S’E BESOJ PARAJSËN

S’e besoj parajsën, o perëndi
më jep edhe pak kohë
dhe mos më merr për mëkatar

Dhe në do që shpirti yt i lodhur
të mos mbytet në mëkate
lejomë të prehem
jetë pas jete i gjallë
këtu në këtë parajsë që sajova për veten:
me dy shkronja
dy sy të lëngësht femre do jetësoj;
me dy sy të lëngësht femre
dy dritare parajse do sajoj

VDEKJA E DON ZHUANIT

Engjëjt ia kumtonin vdekjen
ai shtrëngone grushtet,
druante për grashumtat, klithte:
të gjitha i kam për vete!
kam veç sa për vete!
Zot, më mirë të bëj vetëvrasje
se t’m’i merrni!
Zot, më mirë të bëj vetëvrasje
se të jepem!
Për dy gjëra s’më jepet të jepem:
për femrat… dhe …për femrat!…

STINË E JETËS

një stinë viti përbëjnë
një zog dhe një pemë

një femër dhe një krevat
përbëjnë një stinë jete

PURTEKA

Shikoje atë grua të bukur
sa hijerëndë kalon mespërmes qytetit
A s’të duket si një statujë e bronxtë
e përjetshme?

Thuajse
përherë e ka të njëjtën pamje
sa s’e ke vënë përfundshëm

Por, sapo e vë përfundshëm-
sapo e bën karrocë
dhe e nis për rrugë
aq e vogël bëhet

Hijerënda atëherë
vetëm në gjunjë sa s’bie
lotë derdh para teje
nën mëshirë të qukthit
si purteka dridhet

LULEJETË

Di një kopsht
të mbushur lule

Ndër lulet
një lule
më shumë se lule
bën ferk

Ka ngjyrë dielli
ka ngjyrë dheu
erë krizanteme kundërmon

Është trupi lakuriq
i femrës që rrezitet
është kërthizë e saj

Është lulejetë…

S’IA RRËQETHJA TRUPIN

S’ia rrëqethja trupin
s’e lëpija me gjuhë pas veshi
ishte e brishtë e thyeshme
dhe me aq shumë epsh
si një botë e pashkelur
e ngritur mbi qelq
që mund të thërmohej
për pak moskujdes

Ia shijoja lëngshtinë
me gjuhëzën e ndjenjave
me sy të kujdesur i kërkoja
zogjtë e buzëburimit
që i bënin roje

Kur në sytë e zogjve
vizatohej ëndrra e trëndafiltë
i hapej ngadalë ujëgoca e kuqrremtë
me lëvizjet nanuritëse me qerpikët e zinj
i bukuri dëshmitar çarshafi ngjyrëblu
na mbulonte përmbi

Dhe nisnin e frynin
erënjomëzat e shpirtnatës
derisa lotonin fare
të gjitha galeritë
e ujëburimit të kuqrremtë
dhe unë dilja i rilindur që andej
i lirë
i përepshuar
i tëri burrë

A MUND TA SHIJOSH MOSPREKJEN

Kjo është
ajo loja përzemërore
që të ther
të çjerr
e nuk dhemb
e plagë çel
e të mbëlton
s’të prek
s’të ndjek
e s’të harron
në ëndërr ia thith buzënjomën
në ëndërr ta përdëfton shpresën
a mund të kuptosh maestro
a mund ta shijosh mosprekjen

TA RUAJ ZJARRIN, KUJTIMIN…

(…)
Një mijë gra
nga më të bukurat
po t’i përzgjedhnin nëpër botë
e të m’i sillnin
të gjitha do t’i ndërroja
për një shikim tëndin

(…)
në skutën më të errët të trurit
si dritën e bardhë agimin
ta ruaj zjarrin kujtimin

PLAKJA E DIELLIT

NË SFONDIN E ARGJENDTË TË LIQENIT
ME SY MAJI

Në sfondin e argjendtë të liqenit me sy maji
një  kaçubë yjesh përndizet
Buzët e ëndrrës e prekin gjithë afsh
Zemra e qiellit përepshëm zbret mbi qerpikun e vesëzuar
të vashës flokëkaltër

Këputet një yllth
Në  syrin e larë të natës përflaket gjithë  trazim  
e hëna e parfumosur luleshqerrën e qepallës lëvar
sipër  barkut ngjyrëvaji
të virgjëreshës së trembur nga epshi  i posashfaqur i saj

Del një puhizë shpirti e dehet si  malli
lëviz e hepohet
dhe mbi thimthin e zbuluar të gjirit t'asaj
petale gëzimi hedh

E një frymë deliri del e merr
dhe e bart me finesë
tutje kah rrëshqet
anija e bardhë me vela e zotit zemërdet