Kujtim Agalliu: Puthje elektorale
| E merkure, 30.09.2009, 07:14 PM |
KUJTIM AGALLIUPUTHJE ELEKTORALENe ishim të gjithë në një mendje kur morëm vesh, se midis shumë e shumë kandidaturave për deputet, më e përshtatshmja u përzgjodh ajo e zotit Bylyku. E njihnim dhe e respektonim për bagazhin e njohurive që kishte, për dinamizmin dhe largpamësinë e tij. Sipas mendimit tonë, një njeri i tillë do të jepte mjaft për qytetin dhe qytetarët e tij. Edhe unë e njihja personalisht zotin Bylyku dhe kisha krijuar një respekt të veçantë për të, që nga koha kur ai ende nuk ishte menduar se do të propozohej si kandidat për deputet. Ky djalë azgan, me vizion dhe dashamirësi të shkëlqyer nuk e kishte kursyer ndihmën në një rast që ne na duhej. Duke qenë njeri shumë mirënjohës, këtë mirësi të tij unë nuk e harrova kurrë. Ja ku e pruri rasti që t’ia shpërblej me fisnikëri e dinjitet siç i ka hije një njeriu të ndershëm si puna ime. Madje, ne kishim shkëmbyer edhe numrat e telefonave, se ku i dihej edhe mund të na hynin në punë në ndonjë rast. Dhe s’ishim gabuar. Kudo nëpër lagjet dhe zonat elektorale të qytetit ishin ngritur qendrat e propagandës dhe çdo pasdite ato gumëzhinin nga simpatizantë të partive të ndryshme. Njerëz të shkathët për kësi punësh rendnin shtëpi më shtëpi e ndanin fletushka ku u bënin thirrje banorëve të lagjes për të votuar atë apo këtë parti. Në fund të ditës nën dyert e shtëpive secili qytetar gjente një duzinë me letra të formateve dhe platformave të ndryshme politike. Por letrat ishin letra dhe si të tilla ato rrinin në paqe pranë njëra –tjetrës, edhe pse secila ishte armike për vdekje e tjetrës, gjersa të vinte i zoti i shtëpisë dhe t’i zhubraviste për t’i hedhur në koshin e plehrave. Mua nuk më interesonin fare këto sepse, siç thashë, sapo mora veshë për kandidaturën e zotit Bylyku, e kisha ndarë mendjen se vota ime dhe e gjithë familjes i përkiste atij dhe vetëm atij. Pikërisht, një pasdite, kur kishte nisur të ziente kazani i fushatës zgjedhore, zilja e telefonit e çjerr qetësinë e dhomës ku isha shtrirë për t’u çlodhur. - Alo? Zoti Myqerem jeni? – një zë i ëmbël femre foli që nga mesi i qytetit. - Urdhëro, fol! Çfarë mund të bëj për ju? - Ju lutem, në qoftë se jeni i lirë sot pasdite a mund të kaloni nga qendra zgjedhore e partisë sonë? Zoti Bylyk ma la si porosi që t’ju njoftoja. Nuk e prisja këtë telefonatë dhe ç’është e vërteta nuk para dalë pasditeve nga shtëpia, por meqë këtu bëhej fjalë për zotin Bylyk, nuk mund të refuzoja. Ndaj u përgjigja i gatshëm: - Mirë, thuaj zotit Bylyk se po vij.- Mirë ardhsh! – dhe telefoni u mbyll. Të nesërmen pasdite u ngrita dhe shkova. Zoti Bylyk ende s’kishte ardhur. Sapo u ula kamerieri me tabaka në dorë qëndroi si kalli para meje. - Çfarë do merrni? – m’u drejtua me mirësjellje. Ngurova për një çast, pa ditur se ç’të porositja. Hodha sytë rrotull dhe të gjithë të pranishmit gjerbnin ngeshëm kafenë, thithnin gotën e rakisë dhe trokisnin ato të uiskit. Ca gra e vajza pinin në gota të gjata e të holla lëng portokalli. - Më sill në lëngë portokalli, - thashë. - Ç’është ky lëng portokalli, ore. Merr një uiski, se ai është për burrat, - tha një burrë që nuk m’u duk se ishte i parëndësishëm në atë dhomë. – Paguan partia, mos ki merak!Ende pa ardhur porosia, zoti Bylyk, i gjatë, elegant dhe i buzëqeshur si gjithmonë, ja behu në derë. Të pranishmit u çelën në fytyrë dhe lëvizën për t’i bërë vend në krye të tavolinës, por ai përshkoi sallën e klubit, që ishte kthyer këto ditë në funksion të partisë (kushedi se me çfarë qiraje!) me një vështrim të shpejtë dhe i ndali sytë mbi mua. Iu bë qejfi kur më pa. Siç duket tani u bind plotësisht që më kishte në krahun e tij. Zgjati krahët përpara, drejt meje, dhe, edhe pse midis nesh ishte një tavolinë goxha e gjerë, ai arriti të më kap për qafe dhe me dashuri më puthi në të dyja faqet. Kjo sjellje kaq e ngrohtë më mallëngjeu dhe aty për aty ia ktheva puthjen. “Shpirt njeriu është, thashë me vete, gjynah të mos shkosh pas këtij lloji”. U ulë përballë, m’i kapi duart dhe filloi m’i shtrëngonte ne dashuri sikur unë të isha i ftuari special i kësaj pasditeje. Por unë e ndjeva veten njeri me peshë kur pas një çasti zoti Bylyk m’u drejtua për të marrë mendim: - Hë, si po të duket fushata ime? Mos jam ca si i butë në fjalimet e mia? - Më mirë që jeni i qetë kur flisni, - ia ktheva, - njerëzit nuk kanë më nerva të dëgjojnë sharje e britma. Ndoshta kjo do t’ju ndihmoj që të fitoni zgjedhjet. O zot, sa iu bë qejfi! Desh m’u hodh përsëri në qafë e të më përqafonte, por një mendim siç dukej e frenoi. Ai vazhdoi përsëri bisedën: - Por...megjithatë....megjithatë, ata qenët e partisë në pushtet po ndajnë thasë me miell për popullin në të gjithë fshatrat përreth. A nuk të duket si një poshtërsi ky veprim? U mendova pak dhe i thashë:- Për mendimin tim, me sa e njoh popullin, nuk duhet të besosh se e shet veten për një thes miell. Ai edhe miellin ta merr, edhe votën s’ta jep, po s’ia dha truri të të votojnë. Kështu që partia kundërshtare do ta ketë dyfish humbjen: paratë për miellin dhe votën që do ta marrim ne. Zoti Bylyk m’u duk se mbeti i kënaqur nga arsyetimi im. Pas pak shkoi e u ulë në vendin e tij, në krye të tavolinës. Unë vazhdova të pi në heshtje uiskin që ma kishte lënë mbi tavolinë kamerieri i shkathtë. Pastaj bisedat morën të tjerrë dhe salla u mbush me copëza fjalësh të pakapshme për veshët e mi. Kur e pashë që as shtoja as pakësoja gjë në këtë mjedis, dhe funksionin tim e kisha kryer më së miri, u ngrita të shkoj. Zoti Bylyk më përcolli deri te dera e lokalit, më hodhi duart në qafë dhe ne u puthëm faqe ndër faqe si dy miq të vjetër. Ndërsa largohesha ai më thirri pas shpine:- Myqerem, merre dhe zonjën me vete kur të vish nesër mbrëma. Sa më shumë njerëz të kemi, aq më mirë është për partinë tonë. Deri në çastin e shumëpritur nuk iu ndava asnjë pasdite qendrës propagandiste të partisë së zotit Bylyk. Ditën që u mbyll fushata elektorale me vete mora dhe tre-katër fqinjë si dhe nipërit e mbesat me vete. Rruga përpara qendrës zgjedhore u mbush plot e përplot me njerëz dhe trafiku i bllokua për disa orë. Isha midis turmës dhe nuk ma merrte mendja që në mes asaj zallamahie sytë e mprehtë, që shkëlqenin nga optimizmi të zotit Bylyk të më kishin vënë re. Ai ma bëri me shenjë që nga dera e qendrës dhe sapo u afrova, m’i hodhi të dy krahët e gjatë mbi shpatulla dhe përsëri më puthi në të dy faqet. Njeri më të dashur dhe më respektuar se zoti Bylyk, nuk besoja se mund të gjendej në botë. Unë fluturova nga kënaqësia dhe me krenari shihja efektin e këtij takimi kaq familjar te të tjerët që kisha përreth. A nuk isha unë më i respektuari dhe më i vlerësuari në të gjithë atë grumbull të madh njerëzish? Hallall ta kishte votën time dhe të familjes zoti Bylyk! Ai e meritonte dhe të dytë veç tij nuk kishte në qytetin tonë. Dhe vërtetë, pesë më shumë, pesë më pak, pas debatesh dhe sherresh banalë nëpër qendrat e numërimit të votave, miku im, zoti Bylyk doli fitues. Mijërat e makinave me banderola e flamurë të partisë e të kombit, me djem të shkathtë me kokat të lidhura me fjongo në ngjyrën e partisë, përshkuan qytetin mbarë e prapë me buritë e makinave që nuk reshtnin kurrë. Pas kësaj ne nuk e takuam për disa ditë zotin Bylyk, por pasi gjendja u qetësua ai nuk harroi që mua dhe disa miq të mitë të na ftojë në një koktej madhështor në hollin e turizmit të qytetit. Ne shkuan para se të fillonte ceremonia. Në të dy anët e hollit tavolinat ishin mbushur aq sa mend shembeshin nga pesha. Në kënd të drejt me to ishin tavolinat e shërbimit me pjatanca të mbushura me një numër të shumëllojshëm mezesh. Mbi to rrinin të ngulura, të gatshme për t’u përdorur, me mijëra kruajtëse dhëmbësh që luanin rolin e pirunëve. Ndërsa prisnin të vinte deputeti i porsazgjedhur sytë e të pranishmëve, burra e gra, inventarizonin të mirat që kishin përreth. Të gjithë kishin kontribuar, të gjithë ishin bërë copë për këtë ditë, për këtë fitore të merituar të zotit Bylyk. Ja, përpara të gjithëve, hapi i parë drejt shpërblimit për secilin që kishte kontribuar për deputetin. Sigurisht, të tjerat vinin më vonë, sipas meritave të gjithsecilit. Hyri deputeti i sapozgjedhur. Duartrokitjet gati i çanë muret e trashë të hollit të turizmit. Entuziazmi, brohoria, ilariteti dhe britmat oshtinë për një kohë të gjatë. Deputeti, zoti Bylyk, përshëndeti me dorën lart të pranishmit dhe pastaj u drejtua te vendi i tij, në mesin e tavolinës së gjatë, në anën e dritareve të hollit. Prisja me padurim kur afrohej drejt nesh. Ai takonte majtas e djathtas miq e të njohur, puthej, shtrëngonte duart me ta, shkëmbente dy-tri fjalë dhe ja, ku u gjend pranë grupit ku ndodhesha unë. Shndrinte nga kënaqësia e fitores. Buzëqeshja nuk iu nda për asnjë çast. Ne nxituam t’i urojmë fitoren dhe ishim në pritje të merrnim puthjen e tij me të cilën u mësuam gjatë fushatë së gjatë parazgjedhore. Më erdhi radha mua. Zgjata duart, ia hodha në qafë zoti Bylyk, dhe e urova duke afruar buzët te faqet e tij të mbushura. Por... për çudinë time, ai e reshti fytyrën tutje si i bezdisur. U stepa dhe instinktivisht kalova pëllëmbën mbi fytyrën time. Për një çast mendova se mos nga nxitimi kisha dal i parruar nga shtëpia. Jo, faqet i kisha të lëmuar e pastra, tamam si për festë, por... mbase deputeti ishte velur me puthje, tani që kishte mandatin në xhep.
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.