Luan Çipi: Provonjësit e krisur
| E merkure, 30.09.2009, 07:04 PM |
PROVONJËSIT E KRISURRrëfenjë nga Luan Çipi Ishin dy vëllezër të vetmuar, pa prindër e gjind të tjerë në shtëpi, barinj në një fshat malor, që kishin dëgjuar për epshet dhe pabesitë e grave të reja, të lëna jashtë kujdesit dhe nga kjo nguronin për t’u martuar, megjithëse u kish kaluar koha. Pasi e pleqëruan, ranë dakord, që të martoheshin të dy me të njëjtën vajzë dhe ti ruanin bagëtitë me radhë, për të qenë njeri prej tyre vazhdimisht prezent në shtëpi, për të provuar e kontrolluar nga afër gruan e vetme. Pas martesës me një vajzë nevojtare, nikoqire e me përvojë pune e jete në fshat, kaluan shume ditë dhe radha me alternativin punë-shtëpi po ruhej nga secili, sipas marrëveshjes. Kjo i rra në sy gruas së re, që kërkoi të mësonte prej tyre arsyen e braktisjes së punës. Kur e kuptoi të vërtetën ajo u dëshpërua shumë për mosbesimin e bashkëshortëve. Iu dha siguri atyre dhe iu premtoi besnikëri të plotë dhe u tha se ata kot merakoseshin. Ajo ishte e kënaqur fizikisht prej tyre, se asgjë nuk i mungonte dhe njëkohësisht ishte shumë besnike, se detyrën e gruas së ndershme e kishte princip vetjak e familjar. -Unë edhe një burrë të kisha pasur, si çdokush, do më mjaftonte, jo që, si rrallë në botë, kam dy. Pra, ju më dilni e më teproni. Ndërkohë, unë kam qenë dhe jam e gatshme për t’iu përgjigjur, sa herë keni dashur dhe do të doni... Ata nuk u kënaqën dhe nuk u bindën nga ky premtim, ndaj vazhdonin ta ruanin me fanatizëm robinjën e tyre, ndërsa ajo shqetësohej dhe protestonte: -Për nderin kujdesem vetë, se po të qe për ju nuk do kishit mundësi të më ruanit në asnjë rrethanë, u tha ajo pas ca ditësh, e dëshpëruar dhe e poshtëruar në vazhdimësi, nga presioni në rritje dhe nga mosbesimi i dukshëm. Ata nuk tërhiqeshin nga vendimi absurd i marrë, bile e ofenduan atë më tej duke i thënë: -Të gjitha gratë njësoj të pabesa tregohen, kur ngelen jashtë kontrollit. Histori tradhtie ka me shumicë dhe çdo ditë në fshatin tonë dhe për këto, dëgjojmë të na thuhet shpesh nga bashkëfshatarët tanë. -Po të dua, si unë dhe çdo grua tjetër, e gjejmë fare lehtë rrugën e pabesisë. -Provoje, po deshe, i thanë ata, njëzëri. Në mbrëmje, në errësirën e plotë të dhomës së gjumit, duke qenë në krevatin e madh të posaçëm, ku flinin të tre me gruan në mes, u dëshirua vëllai më i madh për seks, por pasi provoi disa herë, konstatoi që vëllai i vogël ish treguar me i shkathët dhe i kishte zënë radhën. Kur më pas, gjithashtu, vëllai i vogël desh të çiftëzohej, megjithëse dhe ai tentoi disa herë, e gjeti vendin të zënë. Të nesërmen, pasi biseduan vëllazërisht, mësuan se asnjeri nuk kishte mundur të çiftëzohej, se vendi mbi të shoqen gjendej përherë i zënë. Prandaj ata po i ndërseheshin qenërisht njeritjetrin duke e quajtur si lakmitarë, egoistë dhe gënjeshtarë. -Ç’kini që grindeni, u tha e shoqja dhe po e akuzoni padrejtësisht shoqishoqmin. Asnjë prej jush nuk po gënjen. E vërteta është se mbi mua, gjithë natën, ka qenë jarani, një mik i hershëm i rinisë, i thërritur kinse prej meje, për të provuar dhe zhvlerësuar tezën tuaj prej të krisuri. Ju, më afër se kaq dhe të dy bashkë nuk kini qenë asnjëherë dhe megjithatë, nuk më ruajtët dot. Tani, po më dëgjuat mua, merrni dhe një nuse të dytë, që të ruajmë njëra tjetrën.
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.