Përparim Hysi: Pulëbardha
| E merkure, 30.09.2009, 06:50 PM |
Pulëbardha
(poezi)
Nga Përparim Hysi
1.Pulëbardha
Një anë e fustanit
Pesë gërshërë e çarë
Seç të feks kërciri
Mu si pulëbardhë.
Ti baret ngadalë
(shikon "punën tënde?!")
Dale,pulëbardhë,dale
Dale,se më çmënde.
Sytë e tu bojëqielli
T'i ngul si turrjelë
Këtu fshihet kërciri
Atje tej seç del.
"Fiket" edhe "ndizet"
Si të jetë një far
Ç'po mbytet"vapori"
Plot me "marinarë"
Por ti s'do t'ia dish
Ah,për kokën tënde
Eh,pulëbardhë,na luajte
Gjithë djemtë i çmënde.
"Fike" një çast "farin"
Që të bëhet natë
Se nuk shohin dot sytë
Një të tillë:"adhap!"
Fik e ndez fenerin
Na bën isharet
Se e di shejtankë
Që kështu na "vret"
E gjithë djemuria
I mban sytë mbi ty
Tek u bën me shënjë
I bardhi kërci.
Ti kalon mes tyre
Sikur fluturon
Pulë e bardhë më je
Pulëbardhë të thonë.
2.Anife
Një mikeje
Faqja jote kartë
Mu si kadife
Pse s'më lë ta puth
Aman,Anife!
Sytë kullojnë dritë
Si margaritar
Paçka që është dimër
Më duket behar
Ah,ky shtati yt,
I hollë si lastar
Kur e prek me dorë
Seç më vjen një zjarr
Seç më vjen një zjarr
Si të jetë vullkan
I gjithë përvëlonem
Anife,aman!...
3.M...
Me vrullin e kalit
Kur niset galop
Jelekun ta "shqeva"
Ta bëra "copë-copë"
Zbulova nën të
Gjirin tënd të bardhë
Ah,sa më kënaqe,
Ta dish,moj "pulëbardhë"
Pastaj "çiftenngrehur"
Të mora në shënjë
Tani "pulëbardha"
Seç u bë"mullënjë..."
4.Për F...
U shfaqe papritur
Si një befasi
Sa më ke tronditur
Oh,veç ta dish ti
Ti sorkadhe e bukur
Unë plak hovardar
Ta dish,o moj flutur,
Në bela kam rarë.
Bëj si i lajthitur
Kur s'të shoh me sy
Se ma mori mëndjen
Syri yt i zi.
Ti ma ngul turrjelë
Dhe me të më shpon
Seç më ngre në qiell
Në tokë më lëshon.
5.Mall
Një mike që zura,sakaq,
Papritur,e mori kurbeti
Një puthje shkëmbyem dhe aq
Jehona si gjurmë mbeti
Mbetur vetëm për një çast
Portreti i saj zë më shfaqet
Ngarkuar me mall e përqas
Ndjej lotët që zbresin nga faqet
Zhytem në detin prej malli
Kujtoj me mall atë çast
E ngrohtë puthja që më fali
Zë kokën me duar dhe bërtas
Ku je tani,o mike e dashur?
Sa mall kam që të kem pranë!
Kujtoj e kujtoj buzëplasur
Por ti je larg,matan...
25 shkurt 1996
*Nga cikli"Rektimat e dashurisë"
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.