Hysen Këqiku: Përmbledhje poezishë me vlera të qëndrueshme poetike
| E marte, 29.09.2009, 08:22 PM |
Hysen KËQIKU:PËRMBLEDHJE POEZISHË ME VLERA TË QËNDRUESHME POETIKE Bilall Maliqi me poezitë që e kompletojnë veprën “Perëndim i varur” regjistron një sintezë psherëtimash e dhembjesh të realizuara dhe të shndërruara në figura poetike dhe një ecje të sigurt drejt krijimit të individualitetit në kultivimin e poezisë.Përmbledhja e re e vjershave të Bilall Maliqit “Perëndim i varur është një hap i ri kualitativ i këtij poeti, i cili para lexuesve të artit letrar doli me pesë vepra: “Rrugëtimi” poezi e botuar nga edicioni botues i “Perspektiva” në Bujanoc në vitin 2004, “Rrugëtim përjetësie”, poezi, “Perspektiva” Bujanoc 2005, “Gëzim dhe drojë”, libër me tregime e botuar nga SHB “Kurora” në Gjilan, “I lutemi Zotit, vjersha KBI, Preshevë 2006 dhe libri i fundit, i cili regjistron rezultatet e një pune me përkushtim,“Perëndim i varur” libër me vjersha për të rritur e botuar nga SHB “Kurora” në Gjilan. Vepra “Perëndim i varur” është e shkruar me përkushtim dhe me ndjenjën e një krijuesi që është duke ecur me hapa të sigurt drejt një bote frymëzimesh e realizimesh të suksesshme, gjithnjë i lidhur ngushtë me vendin dhe njerëzit e vet, duke paraqitur një pikturë të gjallë e moderne, të përshkruar me preokupimet dhe shqetësimet e një rrafshi të përgjithshëm, të një shtrese të ndjeshme duke i personifikuar ato me ndjenjat subjektive. Këtu e gjejmë atë pjesë të jetës e cila pasqyrohet në frymëzimet, përjetimet e ngazëllimet, vuajtjet e dhe gëzimet. Të gjitha këto preokupime janë një sublimë e poetit që po ecën rrugës të cilën e trasuan krijuesit e Luginës së Preshevës, krijuesit e një gjenerate para Bilallit. Ky krijues i nxitur nga motivi i fortë për t’i vënë në letër dukuritë që e rrethojnë njeriun tonë me përditshmëritë e ngjyrimeve të lloj-llojshme, merr guximin të ecën asaj hullie imagjinatave si një shtegtar i shtegtimeve që e ka pranuar sfidën. Jo vetëm në veprën “Perëndim i varur” që po e shqyrtojmë, por edhe në veprat e tjera, Bilallin e gjejmë gjithnjë të lidhur ngushtësisht me truallin, vendlindjen, njerëzit dhe familjen e tij. Që në fillim autori i veprës “Perëndim i varur”, na del me një protestë të fuqishme e cila del nga shpirti i tij prej poeti. Kjo protestë nuk e iriton askë, është një protestë, të cilën e bëjnë edhe të tjerët por secili në formën e vet sepse ajo që më dhemb mua të dhemb edhe ty, prandaj nëse e sheh edhe ti siç e shoh unë se dikush më detyron t’i them të bardhës se është e zezë, pse të mos bërtas, pse mos t’ia bëj të qartë edhe atij se “Rrudhat shekullore regjistrojnë autoktoninë” ose: “Nuk jam vetëm hije Siç dëshiron ti Kobzi Jam i gjallë Dhe i parë” (“Do të protestoj”, faqe 5) Dhe, nëse këtë protestë, këtë britmë metaforike e pranon veshi i atij që ma mohon ekzistencën time në reliefin e qullur me djersën dhe gjakun e etnitetit tim, atëherë do të jem autori i një historie të ringjallur, sepse kudo shoh gjurmët i një autoktonie edhe pse fatkeqësisht të ndara: “Histori e ringjallur Për dy faqe ndara” (“Histori e ringjallur”, faqe 6)
Bilall Maliqi, nuk mundet të shkëputet nga dhembjet e një shtrese që sakrifikoi për të gjithë, për një domosdoshmëri që e kushtëzon njeriun të jetojë e të përjetojë gëzimet që natyra ia dhuron njeriut në botën reale. Ai atë mungesë e pasqyron me figura poetike dhe vulos në shpirtin e tij bindjen se në përditshmërinë aktuale “liria është e plagosur”. Sepse ata që gjakuan për Të, afrojnë bujari në shtëpia prej najloni. Duke e lexuar vjershën “Urdhëroni” do të bindemi, me paraqitjen e kësaj bote reale dhe me forcën e figurave poetike se mëkati na takon të gjithëve sepse pason kjo lutje, në formë të paraqitjes së gjendjes në formë dëftimi që s’është gjë tjetër vetëm një metaforë reale: “Merre edhe kamerën Fokusoje ndërgjegjen e plagëve të lirisë Edhe zërin e tretur të ndërgjegjes” (“Urdhëroni”, faqe 7) Si revoltë e autorit pason vjersha “Nuk e di” në të cilën fokusohet shigjeta përkatësisht - përgjegjësit e një gjendjeje të tillë të nëpërkëmbjes, të mospërgjegjësisë e cila vjen si rezultat i mungesës së ndjenjës dhe dhembshurisë të “kabinetarëve” që autori i futë në metaforë në të cilat fshihet një ironi për “kance(r)larësh”, “kabin(nash(etarësh” që u doket krejt rrafsh. Me këtë rast pason pyetja -Kush? “Harta të Ballkanit me relief Ronitje Zhveshje Lakuriqësi Për turp të zi”... (“Nuk e di”, faqe 8)
Duke ecur nëpër vjershat e këtij vëllimi të suksesshëm dhe të guximshme, sepse poezia është një filozofi mendimesh, e t’ia dalësh, duhet pasur edhe përvojën, edhe guximin, edhe talentin. Këto të gjitha e kanë krijuar një sintezë përkatësisht një kompozitë vlerash sublime që autori i skalitë në art duke mos u larguar nga njeriu dhe aktualiteti historik që e rrethon. Me këtë fitojmë bindjen se Bilall Maliqi e ka gjetur botën e vet poetike që sipas mendimit tim, e kanë të gjithë njerëzit po aftësia dhe dhuntia është që ta gjesh atë e ta skalitësh në artin letrar. Duhet theksuar se bota poetike e individualiteti artistik i poetit, përgjithësohen në tema të larmishme që na dalin si përjetime individuale dhe motive autobiografike. E madhërishmja e realizimit me sukses të motiveve, në poezinë e Bilallit është se shumëkush e gjen veten në atë varg, në atë strofë, në atë poezi e në përgjithësi në përmbledhje. Poeti ynë këto motive i “Stërkalë në fushë të bardhë” . I stërkalë edhe ato dukuri që nga planimetritë e kabinetarëve nëpër kabina- siç pohon poeti, që na dalin të shëmtuara, që nuk janë në harmoni me të njerëzishmen sepse “pikat stërkalen/ brigjeve të ndara/ nga zjarri i ngricave” dhe kjo ndodh kur “Nëpër gurët e shtratit/ Lumi kruan zgjebën”. Metaforë për t’u përsëritur... Duke e lexuar këtë poezi – metaforë, s’ke se si të mos i kthehesh edhe një herë poezisë “Mërzia” e cila ngërthen një personifikim sepse autori në momentet më të prekshme, qoftë objektive, apo subjektive i drejtohesh dikujt. Me këtë rast Bilalli i drejtohet poezisë, sepse vetëm ajo është e furnizuar me shpirtin e krijuesit, vetëm ajo do t’ia jap përgjigjen shëruese, vetëm ajo e di se ç’është dhembja shpirtërore apo fizike dhe tek e fundit është ajo vetë që futet në ndërgjegjen e individit për të hapur hulli të reja ndërgjegjeje e përshpirtërimesh të ndryshme: “Ofshama e di gjuhën e mërzisë Psherëtima sikur e ushqen E unë e fërkoj ballin e skuqur”Ose:“Vargu më zuri për dore Më futi në strofë Mu bë figurë Mu bë apostrofë...” (“Mërzia”, faqe 10) Me hapin e suksesit artistik që bën poeti, me vjershat “Poezia ime”, “Mërgimtari”, “Në tryezë”, “Kujtime”, “Stërkala lotësh”, “Dëshirë e përtërirë”, “Pritje” etj. që Bilalli i quan “hapat e jetës”, e sforcojnë autobiografinë e autorit e të popullit sepse ata janë hapat e tij në jetë duke përjetuar ngjarje të cilat na “poqën e na dogjën”. Kjo ecje nëpër kohë, ky shtegtim nëpër shtigje, na futë edhe në tragjedi të përjetuara deri në atë masë që edhe reliefin tonë e rrudhën dhe e tkurrën në përmasa tragjike. Sepse edhe në të kaluarën “djajtë e morën timonin drejtues” që “birojnë e përvëlojnë” për “aleanca të mykura”. Bilall Maliqi,me 40 vjersha, që janë një psherëtimë dhembjeje e realizuar dhe e shndërruar në figura të mbrujtura, me një lirizëm dhe metaforë, me apostrofa dhe personifikime, me një botë të pasur shpirtërore dhe të zbërthyer në ndjenjë përjetimi me simbole dhe me krenarinë e trashëguar nga njeriu ynë i përvëluar, me simbole dhe përshpirtërime, lexuesit tonë nuk ia mbyll dyert e shpresës. Ai lexuesit ia len të shndritshme shtegtimet e tija nëpër hulli të së ardhmes sepse “ “Çdo gjëje i vije fundi Hijezezës Zikorbave Dreqit galuc” (“Kisha të drejtë”, faqe 43)Në vend të përfundimit: Bilall Maliqi me veprat letrare, na bënë të ngazëllyer për suksesin e regjistruar në botën imagjinatave, në botën e mbrujtjes me sukses të artikulimit shpirtëror. Ai ec me hapa të sigurt drejt sukseseve, sepse ai nuk është krijues të cilit nuk i dhemb plaga e përgjithshme e ndjenjës shpirtërore. Ai ato dhembje e psherëtima i kthen në varg dhe me to krijon individualitet. Të krijuarit e individualitetit në letërsi është sukses që nuk duhet lënë, por edhe më me ngulim duhet ecur nëpër ato shtigje.
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.