Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mexhid Yvejsi: Sadik Brovina

| E hene, 28.09.2009, 06:40 PM |


MULLA  SADIK  BROVINA (1886-1986)

Nga Mexhid YVEJSI, Gjakovë

            Mulla Sadik Efendi Brovina ishte më i moshuari prej të gjithë ylemave të Gjakovës, që e penguan shpërnguljen e shqiptarëve prej Kosovës.
           Është i biri i Jusuf Efendiut. Lindi në Gjakovë në vitin 1886. Mësimet e para i kreu në Mekteb Ruzhdie të Gjakovës, i vazhdoi në Medresen e Madhe, por i përfundoi në Shkup, në prag të Luftës së Parë Ballkanike, më 1911.
       Shërbimi : Mulla Sadik Efendi Brovina ka shërbyer një kohë shumë të gjatë, mbi shtatëdhjetë vjet, si imam, predikues e mësues.
        Kryesisht ka shërbyer në Junik, në fshatin më të madh të Kosovës, duke filluar zyrtarisht që nga dhjetori i vitit 1928. Ka shërbyer edhe në fshatrat e rrethit të Gjakovës, në Ponoshec, Madanaj, Rrypaj, si edhe në Skivjan, Isniq, etj.
        Edhe kur doli në pension nuk pushoi, por edhe më tej vazhdoi si imam e predikues në Xhaminë e Haxhi Ymerit, të Mahmud Pashës e sidomos në Xhaminë e Gërçarit, që e kishte afër shtëpisë, në Gjakovë.
           Mulla Sadik Efendi Brovina ishte një hoxhë guximtar, trim dhe me ndjenja atdhetare. Që kur ishte në studime në Shkup, në vitin 1908-1912) në shkollën e njohur”Darul Mualiminë”, shoqërohej me atdhetarët e shquar nga Gjakova si Ibrahim Fehmiun, Beqir Malokin, Qazim Bakallin, Niman Ferizin, etj.,të cilët kërkuan me ngulm që mësimet në shkollë të zhvilloheshin në gjuhën shqipe. Për këtë kërkesë të arsyeshme kishin përkrahjen e atdhetarëve, siç ishin Hasan Prishtina dhe Salih Gjukës, nga Peja…
            Mulla Sadik Efendi Brovina me këshillat e tij, me predikimet që mbante, që ishin të veçanta, meqë njihte fort mirë edhe mentalitetin fshatar, ndikoi fuqishëm që popullsia shqiptare të mos shpërngulej për në Anadoll, Turqi, siç ishte dëshira e Beogradit të zi…
   Më 1986, sa kishte mbushur një shekull jetë, Zoti e ftoi në jetën e vërtetë…!