Fatos Baxhaku: N‘Bajrak të Rrjollit
| E hene, 28.09.2009, 06:21 PM |
 |
Gruemirë |
N‘Bajrak të RrjollitNga Fatos Baxhaku"O gazetarë, a po e ndreqni nji kët rrugë mor burra!". Jemi në Gruemirë, një fshat i madh 20 kilometra në veriperëndim të Shkodrës, i vendosur mes liqenit dhe fillimit të maleve. Një burrë, me një palë mustaqe goxha të mëdha, ka dalë nga kioska e tij e vogël dhe na bën këtë kërkesë të çuditshme. Ne ngremë supet. "Po ne nuk kemi as kamiona, as pare, as asfalt, as…. Me një fjalë asgjë prej gjëje, përveç bllokut dhe aparatit", i përgjigjemi ne. "Desha ma ba humor me ju, e di që ju nuk shtroni rrugë, por të paktën të shkruni për ne e për hallet tona. Ktu kena mbet pa ujë e pa rrugë. Kërkush nuk asht kujtu për ne", përgjigjet mustaqelliu. Në fakt, ka të drejtë. Që prej vitesh, që nuk mbahen mend, këtu nuk ka shkelur këmbë gazetari. Për dreq të gazetarëve dhe për fat të banorëve, në këto anë nuk kanë ndodhur as vrasje. Miku ynë i ri trishtohet kur i themi se kemi ardhur të merremi me histori të vjetra dhe jo me këto të ujit e të rrugës. "Ju priftë e mara pra", thotë dhe futet sërish në kioskën e tij metalike.Gruemira, është qendër e një komune. Në ndarjen e vjetër fisnore, që u mbajt në këmbë deri në 1944, ky fshat bënte pjesë në bajrakun e Rrjollit, me banorë në pjesën më të madhe të besimit mysliman. Në këtë bajrak bënin pjesë fshatra: Rrashkullaj, Gruemirë, Linaj, Egëç, Lepurosh, Kurtaj, Shpellzaj, Hoxhaj, Rrjoll, Rrepisht.Historia e kalasë që priti SkënderbeunKemi mbërritur në qendër të Gruemirës. Një berber vazhdon të qethë bashkëfshatarët e tij. "Kujdes se mos m‘pret kryt se m‘duhet", bën shaka një klient. Ngjitur me berberin disa djem të hareshëm e kanë ndarë mendjen ta shtyjnë kohën me bilardo. Në qendër janë zyrat e komunës. Kanë mbetur ende disa ndërtesa të kohës së kooperativës. Nuk kanë dritare dhe neve na duken si kolosë me sy të zgurdulluar që duken sikur thonë: "E ç‘doni ju këtu". Në një lokal në qendër takojmë disa fshatarë. Përsëritet gjithnjë e njëjta kërkesë: "Ujë e rrugë. Pa këto ky fshat nuk ka të ardhme".Lart në male, atje ku është Rrjolli i vjetër duket një kreshtë e lartë. Atje ka lulëzuar një qytetërim i vjetër. Atje është Balleca.Kështjella e Ballecës ka gjasë që të jetë antike, por duket se lulëzimin e saj më të madh e ka arritur në kohën e sundimit të Balshajve. Për herë të parë ajo dokumentohet në vitin e largët 1062 dhe përmendet vazhdimisht edhe më vonë, deri në 1688 kur del në një hartë të vjetër. Kështjella, pas rënies së Balshajve, u bë një qendër me rëndësi ipeshkvnore. Balleca e Rrjollit u kthye në një qytezë priftërinjsh. Në fillim të shekullit XV 30 për qind e banorëve të Rrjollit ishin priftërinj. Vetëm vonë, në ditët tona, në vitin 1995, u zbulua një kambanë e kishës së Shën Gjergjit, e cila dikur ndodhej në kala. Sa për të krijuar një ide se sa ka qenë kisha: kambana bronztë e vitit 1465 peshonte as më shumë e as më pak se sa 155 kilogramë. Mbase nga kjo kambanë, ose mbase ngaqë në Rrjoll kishte një shesh ku mblidheshin burrat për të marrë vendime duke i rënë kambanës pra "çangës", në Rrjollin e vjetër, ku sot kanë mbetur vetëm gjashtë shtëpi, një lagje e tërë quhej "Çangaj". Shumë familje, të zbritura para qindra vjetësh në Shkodër, emrin e kësaj lagjeje e mbajnë si mbiemër.Balleca e Rrjollit nuk është dalluar vetëm për priftërinj e kambana. Në fillim të shekullit XV ajo duhet të ketë qenë vendi që kishte më shumë mullinj në krejt Arbërinë. Në një regjistrim shfaqen 44 mullinj uji. Vendi, në fakt, ndër male është shumë i pasur me burime të pashtershme uji. Poshtë, në fushë është krejt gjë tjetër.Në dimrin e 1447-1448 Skënderbeu hyri në luftë me Venedikun. Ky i fundit i ofroi një shumë të majme parash në këmbim të paqes, por Skënderbeu nuk pranoi. Në pranverën e 1448-s ai, i ndihmuar edhe nga krerët e Malit të Zi, sulmoi zotërimet venedikase në Shqipërinë Veriore, ku asokohe përfshihej edhe Balleca. Ishte koha kur një atentator pranoi të paguhej nga Venediku vetëm e vetëm që të hiqte qafe Skënderbeun. Lufta u shpërngul nga Deja (Vau i Dejës i sotëm) drej Ballecës, e cila, me sa duket, që asokohe nuk e kishte më shkëlqimin e parë. Skënderbeu dhe nipi i tij, Hamzai, ndërtuan këtu një mur mbrojtës për të mos i lejuar venedikasit që të kontrollonin lartësitë e malit Maranaj. Legjenda thotë se kur Skënderbeu mbërriti këtu, kambana e Kishës së Shën Gjergjit - mbase ajo që u gjet në 1995 - ra aq fort e aq gjatë saqë desh doli nga vendi. Pas kësaj për kështjellën e lashtë nuk thuhet më asnjë fjalë. Për herë të fundit del në një hartë të 1688-s.Fshatarët ngulin këmbë se në një shpellë afër saj ka qëndruar vetë Pjetër Bogdani, autor i të famshmit "Cuneus prophetarum" në 1685. Në fakt, një shpellë e madhe lart, mbi Rrjollin e vjetër, quhet ende "Shpella" e Bogdanit" apo "Shpella e Priftit". Mbase, mund të jetë e vërtetë. Por gjithnjë mbetet pa përgjigje pyetja se ç‘dreqin donte një prelat i lartë si Bogdani në një shpellë ndër male të humbura?
Vetëm në rrënojat e një kishe të vjetërPër pak kohë i largohemi zhurmës së bisedave në qendër të fshatit dhe dalim në periferinë jugore të Gruemirës. Ecim për pak kohë përgjatë një rruge të pashtruar. Për fat kanë nisur të bien disa pika shiu dhe kështu që pluhuri, që pritej, nuk na bezdis dot. Përroi i Vrakës na pengon udhën. Nuk ka asnjë urë, qoftë edhe provizore, mbi të cilën të mund të kalojmë përroin me ujë të akullt që vjen nga Maranaj. Për fat, shirat nuk kanë zënë ende të bien mirë, kështu që përroi kalohet në këmbë, duke u dridhur pak nga i ftohti, por sidoqoftë arrijmë të dalim matanë.Përballë nesh hapet një zhurishte e gjerë. Nuk pipëtin asgjë, madje nuk dëgjohet as kënga e zogjve, aq e pranishme afër vendeve ku ka ujë. Vetëm një "muuu" e gjatë dhe e lodhur vjen nuk dihet se nga. Ndonjë lopë e fshehur ka dalluar më në fund praninë e një gjallese tjetër dhe na përshëndet në këtë mënyrë.Pasi kemi ecur afër 300 metra, përballë nesh shfaqet befas një si hije e gjatë. Në fakt është një kishë e lashtë, dedikuar Shën Gjonit. Fshatarët e quajnë "e Shnjinit". Është ndërtuar me gurë të sertë gri. Mbahet ende në këmbë, e mbërthyer nga të gjitha anët me një rrjetë teli. Askush prej njerëzve që takuam nuk diti të na e thotë moshën e saj. "Thuhet se për këtë kishë janë grindur keq katolikët me ortodoksët në kohët që u nda kisha", na pat thënë një burrë i imët që u zhduk sakaq. Në kishë sundon heshtja si kudo rreth e rrotull. Një qiri ende digjet mbi një mbajtëse metalike. Ndezim edhe ne tanët. Qëndrojmë një minutë në heshtje mes qirinjve dhe kishës, që mbahet në këmbë nga rrjetat e rënda, duke vrarë mendjen në qetësinë e kësaj dite të vranët: Vallë do të na shkojë mbarë këto kohë? Pastaj kthehemi dhe zhysim këmbët edhe një herë në ujin e akullt të përroit që shkon drejt liqenit.Me Emilin te nipi i bajraktaritEmili është një djalosh 19-vjeçar. Ai ka emër katolik, por i vëllai është njëri prej nxënësve më të dalluar të Medresesë së Shkodrës. "Ç‘ne ky emër?", e pyesim ne. "Nuk e di - përgjigjet djaloshi i mbarë duke ngritur supet - edhe vetë kurr nuk e kam msu". Pas pak do të mësojmë se i ati, ish-kooperativist si shumica e fshatarëve, na paskësh qenë amator i madh i librave. "Gjithnji lexonte - na thotë Emili - deri natën vonë. Ka pasë shumë libra, por tani nji pjesë ia kanë marrë e nuk kanë kthyer. Shumë të tjera kanë humbur". Neve na kujtohet "Emili" i Volterit. Me siguri, i ati në rininë e tij duhet ta ketë lexuar. Në mos qoftë për Emil Zolanë pastaj. Emili, është nga Gruemira. Të paktën ky nuk luan bilardo si të tjerët. Punon, bashkë me njerëzit e tij, në një baxho djathi. Nuk di të ketë pasur ndonjë dëshirë në jetën e tij. Vazhdon të punojë me të njëjtin ritëm të kahershëm si gjyshi, babai, njerëzit e afërt. Kur ne e pyesim se ç‘ka dashur të bëhet kur të rritet vetëm ngre supet. Ne mundohemi ta ndihmojmë: "Sportist, mjek, avokat, muzikant…". "Ah po, muzika më pëlqen boll besa", përgjigjet. Mbase kjo ka qenë ëndrra kurrë e shprehur e Emilit të mirë.Edhe pas kishës Emili na shoqëron në vizitat tona. Trokasim në një shtëpi. Në prag na pret një plak i imët. Eshtë 77-vjeçari Ramiz Burgaj, nipi i bajraktarit të dikurshëm të Rrjollit. Pasi kemi kryer "adetin" e mirëseardhjes nisim t‘u hyjmë historive të vjetra. "Ne kemi jetuar lart në lagjen Kurtaj - na rrëfen Ramizi - atje edhe i kishte shtëpitë bajraktari. Në këto shtëpi jemi vendosur në 1975. Bajraktari ka kenë nji figurë që e nigjote krejt bajraku. Ai vendoste për gjanat ma të ransishme duke u kshillu me ma t‘moçmit. Bajraktari ka kenë shumë i respektum gjithnji. Historia e këtij bajraku asht kshtu. Para ma shumë se 200 vjetve ishte nji bajraktar prej nji fisi tjetër. Ky ishte jetim dhe jetoi në shtëpinë e fisit tim. U ba nji gjak me ne. Nuk la as pasardhës, kështu që të drejtën e bajrakut ia la shpisë tonë. Kshtu ka vazhdu kjo punë deri te axha jem. Them deri te axha, sepse deri në kohën e tij të drejtat dhe detyrat e bajraktarit njifeshim tamam. Djali i tij, që duhet konsideru si bajraktar, Syl Bajrami, tani jeton në Koplik. Ne ma përpara, në kohë të monizmit na kanë quajtë ‘me biografi të keqe‘. Axha bani 10 vjet burg mas kryengritjes së Postrribës dhe vdiq po n‘burg, në Shkodër. I biri, që sot asht mbi 80 vjeç pat ba 12 vjet burg për politikë. Na na shifshin me sy t‘keq. Sot janë kohë të tjera, po ama respektin populli e ka. Për punë të ransishme prap pytet bajraktari".Biseda shkon nga historitë e vjetra tek e sotmja. Asnjëri prej tre djemve të Ramizit nuk është në shtëpi. Prej kohësh janë emigrantë në Suedi, Itali, Greqi. Fahria, e shoqja, psherëtin thellë: "Besa malli na merr boll për ta, po ma mirë për ta kshtu. Ju po e shifni vetë se si asht jeta ktu, pa ujë, pa rrugë. Demokraci, demokraci, po jo kshtu me na lanë pa ujë. Shkojnë gratë e mushin diku në nji burim, që ban dy orë e gjysë shku e ardhë. Po hajt ma n‘dorë të Zotit ka met kjo punë".A dini me rregullu televizora?Për të shkuar në Linaj, një nga 10 fshatrat e bajrakut të dikurshëm duhet t‘i ngjitesh një shtegu mes disa shkëmbinjve dhe shkurreve. "Për fat nuk ka ra mirë shi, se do ta kishim të pamujtun me kalu me kët makinën tuj të ultë", thotë Emili si nëpër dhëmbë. Gjithsesi, me kujdes, duke u ruajtur nga gurët e shumtë nëpër rrugën e ngushtë mbërrijmë më në fund në Linaj. Ky është një katund me 30 shtëpi, i shtrirë në një sipërfaqe të "mbytur" nga shegët e egra dhe të buta që rriten thuajse kudo. Këtu jeton një tjetër figurë e kohëve të shkuara: vojvoda. Ne ende nuk e dimë se ç‘do të thotë ky term. Për ta mësuar ecim do kohë në këmbë nëpër një shteg plot gurë. Pas do kohësh para nesh shfaqet një shtëpi e madhe, e gurtë, si nga ato të qëmotit. Eshtë shtëpia e Sylë Bajramit, vojvodës së fundit.Thirrjes tradicionale "a pret miq o i zoti i shtëpisë" i përgjigjet brenda pak minutash një plakë e imët me një shami të bardhë në kokë, e cila më së pari e qetëson një qen të stërmadh, të zi që kishte nisur të skërmiste dhëmbët ca si frikshëm ndaj të panjohurve të porsaardhur. "A jeni ju ata që rregulloni televizorat?", na pyet plaka. "Jo ne jemi ata që i prishim, moj nanë", bëjmë humor ne. Pas saj del vetë vojvoda, Syla. Ai na fton menjëherë brenda pa pyetur fare se kush jemi. Në këto anë, në këmbë të maleve, miku është ende i shenjtë.Syla, vojvoda, është një plak i hareshëm. Vitet që mban mbi shpinë dhe jeta e vështirë nuk ia kanë thyer dot humorin. Me të i hyjmë një muhabeti të gjatë gjysmëjuridik. Më në fund biem dakord ta thjeshtojmë shpjegimin: "Vojvoda ka qenë njësoj si janë sot, ta zemë kryetari i bashkisë më dy zëvendësat e tij". "I ka ra bash pikës, kot ta zgjasim muhabetin, bash ashtu ka pas kenë".I jati i Sylës, vojvoda Bajram Hyseni pat marrë pjesë në mbrojtjen e trojeve shqiptare në Koplik në 1912. Një plagë e rëndë që mori ia rëndoi më shumë dobësitë e zemrës. Vdiq në 1942 në moshën 58-vjeçare. "Ah, ata kanë kenë burra", psherëtin vazhdimisht nana Vaçe, ndërsa e ka mbushur tavolinën plot me rrush të porsa marrë nga pjergulla. "Ne, ket punën e biografisë e kena vujtë. Jo shumë prej pushtetit në qendër, por prej vetë bashkëfshatarëve tanë këtu - vazhdon të rrëfejë Syla - kur nji djalë kthehet prej ushtrie asht nji gja shumë me randësi për familjen, sepse i kthehet nji krah punet ma tepër. Zakonisht, në kto raste, bahet festë e priten miq. Kur asht liru vllau jem kërkush prej fshatit nuk ka ardhë me na uru. Por tash kto punë kanë shku. Ne jena mirë. Po si t‘ia bajnë ata të shkretët që janë lart ndër male, atje në Rrjollin e vjetër. Atje edhe dielli vjen me vonesë". Nga dritarja i ngremë sytë lart në shpatin e Maranajt, atje "ku dielli vjen me vonesë". Disa re të vogla i kanë mbështjellë kreshtat e Rrjollit të lashtë.Poshtë, në Gruemirë, miqtë e mëngjesit na thonë: "Me histori të vjetra mirë boll bani që merreni, por ma parë merruni me rrugën e ujin. Kjo asht jeta jonë". Kishin të drejtë.
Gazeta Shqip
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.