Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sabile Keçmezi-Basha: Historia nuk bëhet me gënjeshtra

| E shtune, 26.09.2009, 09:30 PM |


Historia nuk bëhet me gënjeshtra

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
 
Më çuditë fakti se pse befasohen aq shumë shqiptarët si në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri dhe gjithëandej ku jetojnë, me shkrimet e fundit në Enciklopedinë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Maqedoni!?! Athua vallë, (e që assesi të besoj), se ne shqiptaret të jemi aq naivë dhe të harrojmë aq shpejt të kaluarën e dhembshme, e që nuk është e largët. A harruam se para një shekulli, (para tij e pas tij), ata që ndërtonin dhe kërkonin me ngulm identitetin e vet kombëtar, neve na quanin ardhacakë, njerëz të malit dhe ... shkonin aq larg, sa në një kohë na kishin vu edhe bishtat.
Në historinë shekullore të kulturës shqiptare, dimë shumë raste të tjera që ndaj saj janë ndërmarrë shumë sulme të gjera e me plot mllef, ku barbaria me injorancën ishin në garë me njëratjetrën. Por, kjo e fundit, duhet thënë hapur: shkrimet në Enciklopedinë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve Maqedonasë, disi i vunë kapak. Në të po merret nëpër gojë gjithë kultura shqiptare, e vjetra dhe e reja. Shumë të pavërteta dhe shumë falsifikime mbushin faqet e kësaj enciklopedie. Me një mënyrë, në mënyrë institucionale (pasi se vet qeveria e Maqedonisë e ka financuar), po bëhen sulme të hapura kundër historisë kombëtare shqiptare. Kemi harruar vallë, se çka shkruanin dhe propagandonin shumë intelektualë dhe akademikë në shtetin e ish-Jugosllavisë, për shqiptarët dhe për historinë tonë. Është e pabesueshme, por është e vërtetë, se vetëm në periudhën 1981-1990 u botuan mbi 800.000 mijë libra “shkencorë” e publicistikë, artikuj, deklarata, diskutime, fejtone, fotografi, intervista, karikatura, komente dhe reportazhe për shqiptarët dhe për trojet tona, për doket, për kulturën dhe gjuhën shqipe, për jetën familjare, për tiparet e karakterit të shqiptarëve dhe për zakonet e tyre, të cilat në një mënyrë apo tjetër shtrembëronin dhe botonin të dhëna të pa vërtetat për shqiptarët dhe vendin e tyre. Të tëra këto shkruheshin anë e kënd Jugosllavisë, dhe askush nuk dilte që të thoshte stop, këtyre manipulimeve kuazishkencore. Qëllimi dihej. Në këtë fushatë të paparë antishqiptare, nuk kishin mbetur anash në asnjë kohë dhe në asnjë moment as shkencëtarët maqedonas. Por, kjo e tanishmja i kalon të gjitha caqet e një shteti që mëton të jetë demokratik, multietnik dhe mbi të gjitha mjerane është kjo, kur dihej e vërteta për shqiptarët dhe historinë e tyre. “Shkencëtarët” maqedonas që shkruan për këto të pavërteta, më kot mundohen që të arnojnë historinë e tyre që edhe ashtu është me plot dyshime e dilema, ngase “një fshat që duket, kallauz nuk do”, por është koha e fundit që shqiptaret kudo që ndodhen, të reagojnë, fort të reagojnë me një zë kumbues, për të ndaluar të keqën që po merr hov në këtë pjesë të Ballkanit. E drejta është në anën tonë, argumentet flasin për historinë dhe të kaluarën tonë të bujshme në këtë pjesë të Evropës. Duhet të komentohet se çka ishte Nënë Tereza, nëna e nënave shqiptare dhe nënë e tërë globit. Sa të mjerë janë ata “akademikë”, sa pak e njohin historinë. Duhet treguar atyre se kush është heroi kombëtar Gjergj Kastrioti- Skenderbeu, pak e çuditshme, por edhe më tepër më çudit fakti deri ku shkon absurdi në “kokat e akademikëve” maqedonas. Pyes, është kohë e largët viti 1953, kur me qindra e mija shqiptarë siguronin vizikat për t’u shpërngulur për Turqi, harruam Idrizovën dhe shumë idrizova të tjera, ku shumë të burgosur politikë shqiptarë nga atje dilnin të çmendur ose nuk dilnin fare nga aty, nga torturat që u përdornin ndaj tyre. Kemi harruar sa e sa procese gjyqësore që organizoheshin në gjykatat ushtarake e civile për t’i dënuar shqiptarët dhe epilogu dihej se çdoherë ndaj tyre shqiptoheshin vite të shumta burgu. Harruam vallë, shumë emisione televizive që përgatiteshin e që kishin karakter propagandues, që xhiroheshin me popullatën shqiptare në Maqedoni, duke i detyruar të pranojnë se janë torbeshë e myslimanë maqedonas. Por, egërsia dhe kuazishkenca kishin ardhur në shprehje nga 25 shtatori deri më 21 tetor, të vitit 1980, në gazetën “Veçer” të Shkupit, kur në një seri shkrimesh, Njazi Limanovski kishte botuar fejtonin në 23 vazhdime me titull “Islamizmi i Maqedonisë”, duke u përpjekur  kinse për t’u dalë zot “torbeshëve” apo “maqedonasve myslimanë” siç e quanin një pjesë të popullsisë shqiptare, pjesërisht të asimiluar. Gazeta në fjalë kishte dalë me sulme të hapëta shoviniste, të padëgjuara deri më atëherë. Harruam... si mundemi ta harrojmë vallë, Bllacën?- kur paraprakisht pushtetarët maqedonas kishin paralajmëruar se për shqiptarët nga Kosova do t’iu sigurohet një kanal i sigurt për t’u deportuar për Shqipëri (përsëritet historia vallë, s’na kujton kohën e shpërnguljeve të mëdha për Turqi), Harrohet vallë, lufta e fundit e AKSH-së dhe likuidimi i shumë shqiptarëve nga forcat policore e ushtarake maqedonase. Dhe ashtu pa dashur shtrohet pyetja, ku kishte ndodhur e tërë kjo, në Maqedoni apo diku tjetër... Mirë thoshin të parët tanë, se edhe dhurata kur të bëjnë sllavët, duhet pasur kujdes. E ne, ç’bëmë? Ku ishim?... shtrohet pyetja. Do të thosha se, ndoshta tej mase jemi ngarkuar që të jemi të duerueshëm, pro-evropianë (ne kur ishim evropianë, të tjerët endeshin Karpateve). Harruam se ata që kanë identitet të dyshimtë, mundohen që edhe të tjerët t’i bëjnë të tillë. Do të porositja se realitetin duhet kuptuar ashtu siç është, sa më herët, aq më mbar, se nuk duhet qenë kaq të duerueshëm, kaq miqësorë, dhe bamirës me dikë i cili  edhe pas ca shekujve nuk ka kuptuar se historia e një populli as nuk falet e as nuk mund të falsifikohet nga të tjerët. Por është edhe ana tjetër e medaljes, kur ajo, as nuk bëhet me falsifikime dhe me hajni, siç po bëjnë akademikët maqedonas, se në këtë mënyrë vetëm po dëshmojnë se po mundohen të shërojnë komplekset e inferioritetit të historisë së vet.