Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Suzana Kuqi: Të shpëtosh të mbyturin...

| E merkure, 23.09.2009, 07:39 PM |


Suzana Kuqi

Të shpëtosh të mbyturin...

Në fakt nuk... Një fragment pasditeje në plazh. Notoja me kushërirën time, ashtu siç na ka hije neve që jemi rritur në një qytet bregdetar edhe pse konturet e tij i lag uji i një deti tjetër, me dy fjalë, larg dhe thellë. Diku ndaluam e qëndruam mbi shpinë mbushur me atë ndjesi kënaqësie e mirëqënieje që uji i detit të ngrohtë të gushtit di të ta dhurojë. Tamam në atë moment të bukur, shkrirë mes detit e qiellit, tek problemet e ditës treten në lodërzimin e reve puplake e shushërimen e ëmbël të valëzave, tamam... atë moment kur jeta të duket jo vetëm e bukur por e... mrekullueshme, dëgjoj kushërirën të ulërasë. Dikush po mbytej. Ishte rradha ime të bërtisja me sa kisha në kokë e t'u thërrisja për ndihmë disa djemve të rinj që notonin diku pas nesh. E ata nga ana e tyre u munduan t'i ulërinin rojes së bregut që rrinte ulur në majë të një kulleje dërrasash në breg. Se mos ua vari? Lëre se ç'thonë apo na bëjnë të shohim nëpër filma. Baywatch... Nuk e di se si funksionon në plazhet e tjerë por aty ku isha unë dhe në atë moment... E pezmatuar notova drejt kushërirës e të dyja drejt fatkeqit. Nuk ështe se m'u duk që po mbytej sepse qëndronte mbi ujë veçse bërtiste e fliste përçart e ajo që kuptuam ishte se ndjehej keq e nuk ishte në gjëndje të dilte në breg. E vumë në mes, i thamë të mbahej lehtë pas shpatullave tona e filluam të notonim drejt bregut. Burri e la veten të tërhiqej, e ankohej, e betohej pa pushuar se nuk do të vinte më kurrë aty. “Më kurrë aty?!” Se ç'do të thoshte kjo, nuk e kuptova as atëhere dhe as tani që po shkruaj. Kjo ishte si fillim, ndërkohë që i afroheshim vijës ku normalisht këmbët duhej të hasnin tokë, pastaj ajo dorë e lehtë mbi supin tim u zgjatua në një krah të gjatë që më mbështolli qafën në një si lloj përqafimi. Bobo, mendova e alarmuar, m'u kujtua ajo fjalë e urtë “i mbyturi të mbyt”. Mirë që këmbët më takuan në tokë, por me sa kuptova vetëm këmbët e mia, ai vazhdonte të më shkalavarej në qafë e as që kish ndërmend të më shqitej. E tërhoqëm zvarrë derisa uji na zbriti deri në brez e me mundim e shkëputëm dhe e detyruam t'i vinte këmbët mbi truall. Megjithëse trurin tim e kish përshkuar një mendim i çuditshëm që i ngjante dyshimit, prapë se prapë u mundova të tregohem e njerëzishme. E pyeta nëse ndjehej mirë e se mos vuante nga ndonjë sëmundje. Përgjigja ishte negative, aspak përçartëse, buzëqeshëse, me pak fjalë ajo që i vuri përfundimisht vulën dyshimit tim. Shikova kushërirën e m'u duk sikur lexova mendjen time në sytë e saj. “Tani do ta mbys... me duart e mia do ta...” Por burri që e kish nuhatur këtë punë u largua me të shpejtë e nuk na mbeti gjë tjetër veç ta ndiqnim me sy tek doli në breg e mori në drejtim të një çadreje ku u ul mbi një peshqir. Befas ja shkrepëm gazit. Ec e tregojua burrave tanë këtë episod që as vetë nuk dinim çfarë emri t'i vinim. Por... gjithsesi jua treguam..

- Keni lojtur? Nuk e keni dëgjuar atë që thonë “ i mbyturi të mbyt” ? - ishte reagimi i burrit tim të dashur në pjesën e parë të tregimit.

- M'u kujtua... por pak me vonesë, - u përgjigja dhe vazhdova pjesën tjetër.

- Kush është ai edepsëz? - kërcyen përpjetë të dy burrat tanë.

- Iku,- u tregua më e shkathët kushërira e më pickoi krahun ndërsa unë po kërkoja me sy burrin e huaj.

- Iku! - preva shkurt dhe unë ndërsa e pikasa që po na shikonte. Edhe çadra e tij tallej me mua atë moment, kështu m'u duk. Ndërrova muhabet e bëra kujdes të mos e prekja më atë temë, duke zier nga brënda e duke ja bërë benë atij se vetem në mos e pafsha në det por dija unë se...


Por nuk qe e thënë. Ditët në vazhdim as edhe një gjurmë, as edhe një që t'i ngjante sadopak. Diku hoqa dorë nga kërkimi, vendosa ta harroja atë ndodhi dhe u ula të bëja një pesëkatsh. E...tamam kur e kisha harruar, e kisha në dorë letrat më të mira që mund të më binin, më afrohet një kushëriri im i vogël e më cicërin:

- Teze, është e vërtetë se ke shpëtuar një njeri që po mbytej? - e pa pritur përgjigje shtoi:

- Jam krenar për ty!

- Qërohu e mbyll gojën! - ju skërmita.

Dhe duhet të ketë qenë vërtet shumë shprehës ai xhest se krenaria e zhduk nga sytë e vogelushit madje dhe dëshira që të rrinte qoftë edhe një sekondë më shumë aty. U qërua e nuk e pashë më tërë ditën.

Imperia Gusht 2009