| E marte, 22.09.2009, 04:14 PM |
Argumente plus për
diletantizmin e AMSHA
Cilat figura
shqiptare i mungojnë “Enciklopedisë...”!
Argumente për të
konstatuar se autorët e “enciklopedisë” ndaj shqiptarëve kanë patur një qasje,
siç thuhet në popull, “sa për sy e faqe”
Nga Shkëlzen HALIMI
“Enciklopedia
maqedonase” definitivisht është dështimi i radhës i politikës maqedonase. Është
një provokim me pasoja afatgjate, që atakon qenien shqiptare. Tash janë hapur
të gjitha letrat dhe kanë rënë maskat. Më në fund u argumentua ajo që dyshohej
më parë, se Akademia maqedonase ndaj shqiptarëve ka të njëjtin qëndrim si të Akademisë
serbe. Pos gabimeve të pafalshme teknike, shtrembërimit të emrave, datave janë
me dhjetëra emra shqiptare që fare nuk e kanë patur vendin në këtë
“enciklopedi”, sepse ata askush as i njeh e as ka dëgjuar për ta ose as që kanë
kontribuar për diçka. Prezantimi i tyre ka të bëjë vetëm me faktin se kanë qenë
pjesëmarrës në LNÇ dhe këtu përfundon gjithçka. Nga ana tjetër, janë me qindra
figura shqiptare që kanë dhënë kontribut në lëmin e historisë, kulturës,
sportit, politikës, por që nuk figurojnë askund. Në këtë “enciklopedi” mungon DERVISH
CARA, një figurë e shquar e shekullit 19-të. Ai ka qenë një ndër kryengritësit
më kryesorë të kryengritjes antiosmane në vitin1844. Mijëra luftëtarë të udhëhequr
nga Dervish Cara çliruan Prishtinën, Shkupin, Tetovë, etj. Porta e Lartë ishte
trembur nga përmasat e gjëra të kryengritjes që ishte më e madhja në Maqedoni e
Kosovë gjatë luftës së Tanzimatit.
Dervish Cara u lind në fshatin Pallçisht i Tetovës.
Mungon DERVISH
HIMA, veprimtar, atdhetar
dhe publicist i Rilindjes Kombëtare. I lindur në Ohër më 1875, shkollën
fillore e kreu në Ohër, shkollën e mesme në Selanik, kurse të lartën në Stamboll.
Ishte organizator i Kongresit të Bukureshtit, pjesëmarrës në Kongresin e
Napolit, botues i gazetës "Arnautlluk"
në Stamboll
e më pas "Albania" në Zvicër. Në
1912-n mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës dhe u
zgjodh anëtar i Pleqësisë, ndërkohë shkroi e botoi librat: "Varri i
liridashësve", "Pasqyra e krimeve të Sulltanit", "Një zë
nga burgu në kohën e lirë", etj.
Në këtë
“enciklopedi” nuk gjendet HAMDI BEJ OHRI, që njihej
për atdhetarinë, por edhe trimërinë e tij. Në bashkëpunim të ngushtë me Nijazi
Resnjën, Said Najdenin, Bajo Topullin, Gjergj Qiriazin etj, Hamdiu do të
vendosej në vitet e para të shekullit të njëzetë, në radhët e burrave që
formuan Komitetin e fshehtë të Manastirit. Si rallëkush në ato kohëra, Hamdi
bej Ohri do t’i kundërvihej politikës mashtruese të turqve të rinj, të cilët
deri sa morën pushtetin nuk lanë premtim pa bërë, ndërsa më tej, nisën të
shkelin me zjarr dhe me hekur çdo nismë shqiptare për dije dhe përparim. Mungon
dibrani i shquar JASHAR EREBARA, i lindur më 1873 në Dibër dhe i cili u
shkollua në Shkup dhe Bukuresht, atdhetar dhe intelektual, që dha një kontribut
të madh patriotik dhe publicistik. U mor mjaft me botimet në gjuhën shqipe. Ishte
kryeredaktor i gazetave "Albanija" dhe "Shkupi" etj.
Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë. Në
“enciklopedi” nuk është përfshirë as MEHMET PASHË DERALLA nga Gradeci i Gostivarit,
ministër i parë Luftës në Qeverinë Ismail Qemalit. As JOSFI BAGERI, një patriot
i shquar dhe poet nga Reka e Epërme e Gostivarit. Mungon edhe SULË HOTLA (nga rajoni i Kumanovës, 1875-1947), një nga udhëheqësit më me
zë të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, i cili u vra në një tradhti të
kurdisur nga OZNA dhe UDB-a jugosllave. Nuk është përfshirë PJETËR JANURA, një
nga themeluesit e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare pranë Fakultetit
Filologjik dhe autor i monografisë së Migjenit. Mungon REMZI NESIMI, një nga
kontribuesit më të mëdhenj në gjuhësinë shqiptare, pjesëmarrës i Kongresit të
Drejtshkrimit në vitin 1972 në Tiranë, profesor shumëvjeçar në Katedrën e
Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Shkup. Është “harruar” edhe AGIM VINCA, poet,
kritik dhe një nga studiuesit më të shquar të letërsisë shqiptare. Askund nuk
figuron HAKI YMERI, gjuhëtar, ish profesor në Katedrën e gjuhës dhe Letërsisë
shqiptare, bashkautor me Zihni Osmanin (i cili është përfshirë në
“enciklopedi”) i fjalorit maqedonisht - shqip. Mungon kompozitori
i shquar, dibrani MUSA PIPERKU, autor i qindra këngëve të zhanreve të ndryshme
dhe fitues i shumë çmimeve në fushën e artit muzikor. Kënga e tij emblematike
"Pranvera në Prishtinë", një lloj himni kushtuar rinisë, dashurisë
dhe Prishtinës, edhe sot ka mbetur një "evergrin" i vërtetë që
dëgjohet me ëndje nga të gjitha brezat. Nuk është përfshi as aktori i shquar
QEMAL AJDINI, që ka lënë gjurmë në dramartugjinë shqiptare. Mungon trajneri i
shquar i mundjes së lirë MENTAS ALLAJBEGU (nga Dibra), njeriu që ngriti në
majat më të larta të sportit botëror mundësit Shaban Sejdiu dhe Shaban
Tërstena. Allajbegu nga asociacionet shqiptare të sportit është shpallur
trajneri i shekullit të 20. Mungon edhe VEBI VELIJA, biznesmeni i shquar
shqiptar nga Gradeci i Gostivarit, njeriu që ngriti televizionin ALSAT.
Lista e atyre që
patjetër e kanë patur vendin në këtë enciklopedi nuk përfundon me kaq,
përkundrazi, siç thamë më lart, janë edhe me qindra të tjerë. Të dy
universitetet, Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe ai i Evropës Juglindore,
janë prezantuar me dy –tre profesorë, ndërkaq kjo flet mjaftë për tendencën dhe
diletantizmin. Mungojnë edhe shumë shkrimtarë e figura tjera nga sfera e
kulturës, historisë, politikës, ekonomisë, sportit. Janë këto argumente të
mjaftueshme për të konstatuar se autorët e “enciklopedisë” ndaj shqiptarëve
kanë patur një qasje, siç thuhet në popull, “sa për sy e faqe”. Çdo koment
tjetër do të ishte i tepërt.