Helidon A. Shehu: Mjerimi i akademikut
| E marte, 22.09.2009, 03:41 PM |
Mjerimi i akademikutNga Helidon A. Shehu Në shkrimin "Mjerimi i provincializmit", profesor Rexhep Qosja njofton se ka mbajtur një ligjëratë për zhvillimin atipik të letërsisë shqiptare. Ligjërata ka qenë e "e folur, e pashkruar" dhe është thënë në Seminarin XXVII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, organizuar në Prishtinë pak javë më parë, gjatë gushtit.Nga shkrimi në fjalë krijojmë përshtypjen se pohimet kryesore të kumtesës kanë qenë: letërsia shqipe ka një zhvillim të përshpejtuar ose atipik; kjo është njëra nga arsyet pse vlerat që ajo ka krijuar janë larg majave që kanë arritur letërsitë e mëdha europiane, madje edhe nën kuotat e letërsive ballkanase; kësaj nuk i shpëton as vepra e Kadaresë që përkthehet e çmohet, më së shumti për arsye jashtëletrare, të natyrës ideologjike e politike.Nuk dimë me saktësi cilat kane qenë argumentet e profesorit dhe si janë shtjelluar ato në kumtimin e tij gojor, gjithsesi, disa informacione që sjell te "Mjerimi i provincializmit" të shtyjnë të dyshosh se, kësaj here, e ka përdorur materien shkencore si një lloj verniku për të mbuluar mllefe vetjake. 1. Zakonisht, ligjërime, si ky i profesor Qoses në Seminarin e Prishtinës, mëtojnë të sjellin në vëmendjen e kolegëve të pranishëm përfundime kërkimesh bërë rishtas. Duket se nuk kemi të bëjmë me këtë model. Teza për zhvillim atipik të letërsisë shqipe është artikuluar nga profesor Qosja, të paktën 30 vjet më parë, kur botonte "Prej tipologjisë deri te periodizimi". Ato që thotë te "Mjerimi i provincializmit" sot, pas 30 vjetësh, nuk shtojnë gjë të re për këtë dukuri.Pavarësisht distancës prej tri dekadash, në të dyja tekstet profesor Qosja kumton se zhvillim atipik kemi në rastet kur letërsi të reja e të vogla nuk përjetojnë me radhë periudhat klasike, romantike, realiste, parnasiane etj., siç kanë bërë dikur letërsitë e mëdha europiane, por i përziejnë.Kështu ndodh p.sh., me letërsinë shqipe të romantizmit, ku përzihen tipare të të klasicizmit, iluminizmit, realizmit, ose me letërsinë midis dy luftërave botërore, ku përzihen tipare të realizmit, romantizmit, klasicizmit, parnasizmit, simbolizmit, ekspresionizmit etj.Në të dyja tekstet, prof. Qosja kumton se nocioni "zhvillim atipik i një letërsie" nuk është term i shpikur prej tij, por ka kohë që përdoret nga studiues evropianë me emër. Në të dyja tekstet përmend të njëjtin studiues, Paul van Tieghem, me ndryshimin që herën e parë e quan "njëri prej komparatistëve të shquar të shekullit tonë", kurse tani, pas 30 vjetësh, rrit dukshëm vlerësimin dhe e shpall "komparatisti i lavdishëm".Diferenca nga vlerësimi i parë tek i dyti është goxha e madhe dhe nuk justifikohet as me prurje të reja të Van Tieghem, as me rritje të reputacionit dhe ndikimit të tij. Në periudhën në fjalë, 1970 - 2009, Van Tieghem s'ka asnjë kontribut të ri, ngaqë të vdekurit nuk para shkruajnë, kurse reputacioni i tij ka ardhur në ulje.Për këtë ulje bindesh kur sheh ribotimin e veprave të tij, që bëhet fare i rallë pas fundit të viteve '60-të. Shkolla e studimeve krahasuese franceze, së cilës ai i përket, e pat kapërcyer zenitin që në vitet '40-të dhe është në të perënduar.Megjithëse qendra e studimeve krahasuese prej kohësh ka kaluar në ShBA dhe u mësohet mijëra studentëve në universitete të pasura e me emër, asnjë nga veprat madhore të Tieghem nuk është përkthyer në anglisht.I kërkoj ndjesë lexuesit që u zgjata në një detaj të tillë, por binomi "i shquar/i lavdishëm" ashtu siç është përdorur në dy tekstet, merr vlerën e një lapsusi që buron jo nga kontributet dhe vlerat e Tieghem, por, pas gjasash, nga nënvetëdija e ligjëruesit.Duket se, në këtë stinë të jetës së vet, profesor Qosja është në pozita të forta çmitizuese, kësaj here çmitizon zhvillimin e letërsise shqipe, nivelet e saj, vlerat e Kadaresë, opinionet e "bandës së të katërve", por mitizon të përngjashmin e vet, studiuesin francez, një yll në të perënduar.Por mbase ky lloj mitizimi buron jo nga nënvetëdija, por bash ngaqë akademiku është i vetëdijshëm për vlerën tejet modeste të argumenteve shkencore që përdor. 2. Profesor Qosja thotë se ligjërata e tij ka qenë për zhvillimin atipik të letërsisë sonë dhe ngjan pak përligjës kur shfajësohet se këtë koncept "nuk ia kam imponuar letërsisë, por e kam nxjerrë prej vetë veçantive të zhvillimit të saj".Vështirë të bindesh se synimi i profesorit ka qenë të tërheqë vëmendjen e kolegëve për zhvillimin atipik të letërsisë shqipe. Kjo është një dukuri e pranuar aq gjerë, saqë prej dekadash edhe në tekstet e shkollave të mesme flitet për përzierjen e romantizmit tonë me dukuri iluministe, klasiciste etj., etj.Pas gjasash, ndër synimet e profesorit ka qenë të thotë se edhe për shkak të këtij zhvillimi atipik, vlerat e letërsisë shqipe janë dukshëm poshtë vlerave të letërsive të mëdha europiane, madje as në nivelet e fqinjëve ballkanas.Është kryekëput në të drejtën e tij të bëjë vlerësime të tilla, por bën blofin kur pretendon se këto vlerësime i burojnë nga procedime të letërsisë krahasuese. "Në ligjëratën time, shkruan profesori, unë kam folur jo për vlerat evropiane..., por për nivelin evropian të letërsisë shqipe."Kushdo që e njeh letërsinë krahasuese e ka vështirë të pranojë se krahasimi i nivelit artistik të letërsive të ndryshme kombëtare ka qenë ndonjëherë objekt i saj, madje as edhe pjesërisht, d.m.th., i ndonjë shkolle të saj.Mendja ta do që profesor Qosja, kështu i ngashënjyer pas Tieghem, të ecte gjurmëve të shkollës krahasuese frënge, që shquan për qasje pozitiviste e empirike.Krahasimi për nivelin artistik që profesor Qosja mëton se ka bërë, përmban elemente spekulimi publicistik, madje është qorrsokak, qoftë pse vështirë se gjenden instrumente shkencore për "të matur" nivelin, qoftë pse historikisht krahasimet e bëra përgjithshëm kanë çuar në qëndrime eurocentrike e raciste.Është kjo njëra nga arsyet pse trendet aktuale të letërsisë së krahasuar synojnë qasje interkulturalore që e vënë theksin jo aq te dallimet sa te vlerat e përbashkëta të njerëzimit, krijuar në të gjitha kohët dhe vendet. 3. Qershia mbi tortë te "Mjerimi i provincializmit" është shtjellimi i arsyes pse Kadareja, ky "puthkëmbë i diktaturës", vazhdon të marrë çmime ndërkombëtare. Në këtë pjesë, tendenca del në sipërfaqe dhe vende-vende mllefi shtrembëron dhe fakte reale, deri sa arrin një pikë kur tërheq osh edhe logjikën.Nga pohimet se letërsia shqipe ka zhvillim të përshpejtuar dhe rrjedhimisht nuk është në nivele europiane, Kadaresë nuk i hyn gjemb në këmbë. Lexuesi mund të gjykojë se kemi të bëjmë me një përjashtim, për sa kohë që krijimtaria e tij vazhdon të përkthehet e të çmohet në botë dhe sidomos në Perëndim.Për të mbyllur këtë shteg, akademiku nxiton të shpallë me ton gjykatësi se "numri më i madh i prozave të Kadaresë janë traktate politike dhe ideologjike me vlera të pakta artistike" dhe se veprat e tij janë shkruar "në mënyrë anakronike". Është në të drejtën e gjithkujt të shqiptojë gjykime të kësaj natyre.Mbetet të diskutohet nëse një studiues, që respekton veten, faktet dhe kërkimin shkencor, do t'ia lejonte vetes të ishte kaq arbitrar, sa me një të rënë të lapsit t'i hiqte vizë një vepre të pranuar gjerë në rrafsh kombëtar e ndërkombëtar.Zaten edhe dekada më parë, prej pozitash të ngjashme, akademiku e pat ndëshkuar autorin e "Gjenerait..." duke e zhgraduar në "kolonel të prozës shqipe". Gjithsesi, s'na e kish marrë mendja se do të vinte një ditë si e sotmja, kur akademiku do të merrte masën ekstreme: nxjerrje në lirim.Kaq i madh ngjan të jetë mllefi, saqë akademiku i lejon vetes edhe të shtrembërojë fakte reale apo të fabrikoje kinse të tilla. Kështu, thotë se Ismail Kadare tani po i shërben ideologjisë fetare "duke propaganduar kthimin në "fenë e të parëve" të pesë milionë shqiptarëve të besimit islam" ose se në vitet e diktaturës "mbante ligjërata në Universitetin e Tiranës mbi realizmin socialist si doktrinë letrare e amshueshme".Prej kohësh Kadare ka sqaruar publikisht se nuk është për konvertim të shqiptarëve, kurse leksionet që përmenden, me gjithë ngjyrimet e theksuara të ideologjisë së kohës, nuk kanë qenë për realizmin socialist.Nëse akademiku i lejon vetes që vetëm për lehtësi mësymjeje të shtrembërojë fakte të tilla reale, sado të vogla e sekondare qofshin, vështirë se mund t'i zësh besë kur bën përgjithësime të tipit se "arsyeja fillestare dhe e vazhduar e përkthimit të veprave të Kadaresë ishte politike dhe ideologjike".Për ta shitur një pohim të tillë, thotë se dje, vepra e Kadaresë botohej ngaqë Enver Hoxha e ka mbështetur e financuar, kurse sot ngaqë u shërben "qarqeve konservative evropiane", "duke përbuzur islamin dhe duke frymëzuar islamofobinë".Këtyre qarqeve "nuk u intereson kush ishte dhe kujt ... i shërbente Ismail Kadare: kryesore për ta është se Ismail Kadare sot shërben mirë, përulshëm dhe mund të përdoret si Kalë Troje për atë që këto qarqe dëshirojnë të arrijnë ndër shqiptarët!" (italiket të miat).E tepërt të themi se paradigma mbi të cilën mbështetet ky "argument" është e ngjashme me atë që përdorte Enveri kur hartonte tablo sinoptike me agjentë e poliagjentë."Qarqe të huaja kanë dashur dhe duan të bëjnë diversion, të fusin Kalin e Trojës ndër ne, shqiptarët, atëherë se i tmerronte socializmi ynë, tani kushedi pse, po mbase se tremben nga ...islami ynë aq i zbutur e tolerant".Me mjete misterioze që vetëm akademiku i di, këto qarqe urdhërojnë jo vetëm jurinë e çmimit "Príncipe de Asturias", por edhe atë të "Man Booker International", madje edhe biznesin anglo-sakson të botimeve, që vitet e fundit e ka përkthyer aq shpesh Kadarenë.Vështirë të gjesh ndonjë fije logjike në "argumente" të tjerrë trashë, kaq trashë sa të fusin në merak. I vetmi shpjegim ngushëllues është se në një gjendje të ndezur emocionale, gjithë inat e mllef, nënvetëdija e akademikut gjen shteg e shfaqet e përhitur në ligjërimin e tij publik: andej - qarqet konservatore e islamofobe, me kalin e tyre të drunjtë, por bëni gajret se këndej ka kush vigjilon e udhëheq...Uroj që të jetë kështu, errësimi i logjikës të ketë buruar jo nga arsye të tjera, por nga mllefi. Pavarësisht nuancave irnike që mund të kenë disa nga përsiatjet e mia, urimi që porsa bëra është tejet i sinqertë: jam një nga ata lexues të shumtë që e konsiderojnë profesor Rexhep Qosen vlerë të çmuar të kulturës kombëtare dhe presin ndihmesa të reja prej tij.
Për ZSH: Kadri Mani
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.