Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Muharrem Sfarqa: Një libër i ri për Kosovën në gjuhën Gjermane

| E hene, 21.09.2009, 02:32 PM |


Një libër i ri për Kosovën në gjuhën Gjermane

Rruga e Kosovës deri në pavarësi i autores Mr. Kreshnike Mehmetajt-Kronikë faktesh historike

Shkruan Muharrem Sfarqa     

Konstatimi i dëgjuar herë pas here në qarqe të caktuara intelektuale shqiptare në mërgim, se gjenerata e tretë e diaspores sonë do të jetë zëri më autentik i Kosovës në Botë gjithnjë e më tepër po bëhet realitet. Se intelektualët e rinjë shqiptar në diasporë janë të liruar nga paragjykimet dhe inferioriteti i të qenit i huaj, dëshmon edhe studimi i Mr. Kreshnike Mehmetajt e cila këto ditë para arealit gjerman u paraqit me librin e saj të parë me titull: „ Kosovos Weg in die Unabhängigkeit“ (Rruga e Kosovës deri në pavarësi), që ishte temë magjistrature e autores.
        Botimi është një studim autentik i ngjarjeve në Kosovë, ku kronologjia historike vëhet përballë mitit serb mbi Kosovën dhe ate që nga periudha Ilire deri në ditët e sotme. Ky libër brenda vetes përmban tre kapituj të ndarë veç e veç por që kanë një të përbashkët e ajo është prapaskena historike e Kosovës në konfliktin serbo-shqiptar, i cili paralajmërohet në pjesën e parë dhe  shtjellohet në atë të dyten mbi të dhënat e shumta shkencore të shfrytzuara me mjeshtri nga autorja, ku rolin kryesor e zë historiografia e huaj mbi Kosovën. Kur jemi këtu të përmendim historianin e njohur anglez Noel Malkolm si dhe ate gjerman Werner Daum me studimin e tij  të njohur „ Albanien zwischen Kreuz und Halbmond“ (Shqipëria mes kryqit dhe gjysmëhënës). Në pjesën e tretë studjuesja Mehmetaj legjitimon domosdoshmërinë e ndërhyerjes luftarake të forcave të NATO-s dhe vendosjen e misionit ndërkombëtar në Kosovë.
     Mentor i këtij studimi ishte Dr. Manfred Schmitz nga Universiteti i Aachenit, ndërkaq lektore ishte një studiuese shqiptare e njohur e gjermanistikës Mr. Celina Begolli.
     Botimin e librit i cili ngërthen 200 faqe e kanë ndihmuar një numër biznesmënesh shqiptarë e vendas gjerman.

Disa fjalë për autoren

Mr. Kreshnike Mehmetaj ka lindur në Istog të Kosovës ndërkaq është shkolluar në Gjermani. Në Universitetin e Aachenit ka magjistruar Shkencat Politike, Socologjinë dhe Psikologjinë.
Gjat realizimit të kësaj vepre ajo në vitin 2006 ka ndjekur një studim praktik në Zyren e Presidentit të Kosvës z. Fatmir Sejdiut dhe në Zyren e ish Kryeministrit të Kosovës z. Agim Çekut. Aktiviteti i saj politik në partinë Social Demokrate Gjermane ka ndikuar që ajo sot të bëhet emër i njohur edhe në qarqet politike të vendit ku jeton.
Ajo ishte antare e Shtabit Zgjedhor të europarlamentarit të sotëm z. Martin Schulz.
Llibri i saj i botuar lë të kuptojmë se kemi të bëjmë me një studiuese ambicioze dhe serioze prej së cilës në të ardhmën pritet edhe më shumë.