Viron Kona
Drithërimat e Yjeve
(Roman)
Shtëpia botuese “Fan Noli”
Tiranë 2004
Redaktor: Muharrem Dardha
Recensat nga: Rexhep Hida, Përparim Kalemi
Parathënia nga Gëzim Tushi
Botimi i Dytë
Kopertina: Sartorio
Shtypshkronja EMAL
Parathënie
Nga Gëzim TUSHI
Ka kohë që krijimtaria letrare e Viron Konës, është bërë tepër intensive dhe me nivel cilësor gjithnjë në ngritje. Tani ai është bërë i njohur për një numër gjithnjë në rritje të lexuesve, të interesuar për vlerat e krijimtarisë së tij. Romani, "Drithërimat e yjeve" është plotësim gjinor, i kolanës së veprës së tij, me këtë gjini krijuese komplekse. Ajo është në të njëjtën kohë, arritja më e qartë dhe më shprehëse e talentit të tij artistik. Ka ardhur tashmë koha që për Viron Konën, si shkrimtar dhe krijimtarinë e tij artistike, të flitet dhe të gjykohet me profesionalizëm, pasi ai e ka bërë vendin e tij të merituar në brezin e shkrimtarëve të kohës sonë. Mbase kjo vepër të cilën ai po i jep lexuesit mund dhe duhet të bëhet shkak për një gjykim më të thelluar, më të plotë dhe më profesional. Ndoshta ky është rasti për të kuptuar dhe përvijuar tendencën e mëtejshme të zhvillimit të diapazonit të tij krijues. Padyshim ky proces nuk është vetëm në dorën dhe talentin e shkrimtarit, por dhe të lexuesit dhe të kritikës artistike profesioniste. Në pritje të reagimit të tyre, besoj se na lejohet të shprehim disa ide, për vlerat e kësaj vepre duke lënë të hapur gjykimin e kujtdo që do të ketë dëshirën dhe rastin për të njohur këtë roman dhe veprën integrale të tij.
Viron Kona ka një tipar konstant, si në jetë dhe në letërsi, sinqeritetin me të cilin vëzhgon dhe pasqyron realitetin. Ky tipar esencial i personalitetit të tij jetësor dhe artistik, e ka ndihmuar atë që të jetë polivalent në trajtimin e tematikave të krijimtarisë, që fillojnë me ato fëminore, e deri në pasqyrimin e temave të mëdha sociale, që kanë mbërthyer shoqërinë shqiptare në këtë dekadë e gjysmë të tranzicionit.
Tema e emigracionit nuk është e re për letërsinë. Gjithnjë, kur ka dukuri shoqërore me peshë, ka dhe letërsi që e pasqyron atë. Është vet letërsia që ka aftësinë dhe sensibilitetin e reagimit edekuat artistik. Prandaj flitet për “letërsi të luftës, letërsi të burgut, letërsi të emigracionit, letërsi të kolonializmit, etj.
Viron Kona në romanin e tij të bukur, realist, tërheqës dhe të sinqertë për emigracionin, shfaq dy tipare të personalitetit të vet artistik të pasqyruar dukshëm në këtë vepër. Ndoshta më hapur se sa në krijimtarinë e mëparshme të tij. Së pari, ecurinë konstante të shpejtë në krijimtarinë dhe rritjen e palëkundur të nivelit cilësor të saj, e cila dëshmohet në mënyrë fare evidente në sasinë shumë të madhe të veprave të tij të krijuara në një kohë të shkurtër, larminë e gjinive dhe të tematikës, sidomos në sferën e vështirë dhe delikate të krijimtarisë për fëmijë, në të cilën kontributi i autorit është i bollshëm, cilësor dhe i vlerësuar nga kritika profesioniste, lexuesit e vegjël dhe prindërit e tyre të kujdesshëm. Nuk e teproj po qe se do të thosha se librat e Konës me tematikë fëminore janë prezent në shumë shtëpi që kanë fëmijë të vegjël, në libraritë e të gjithë vendit, në biblioteka të shtetit dhe të shkollave, madje një pjesë e tyre kanë fituar staturën për të qenë edhe pjesë e programit mësimor.
Dhe së dyti, përmes veprës së tij, lexuesi i vëmendshëm nuk e ka vështirë të dallojë se Viron Kona ka një diapazon të gjerë të përjetimeve të veta, herë poetike e here dramatike e, ndonjëherë më shumë se kaq. Ai është gjithnjë i vërtetë dhe i besueshëm.
Fati personal i jetës së Viron Konës, nuk ka qenë në përputhje me vlerat e tij si njeri i mirë, si intelektual i njohur dhe person publik. Kjo dramë e njeriut të ndershëm në kohën tonë, nuk është më një fenomen i izoluar social. Por Kona ka meritën që si pak kush, ka mundur të dimensionojë artistikisht një realitet, i cili i përjetuar personalisht ka marrë vlerë dhe tingëllim sinjifikativ të dyfishtë, estetik dhe social. Romani është një përjetim social, estetik dhe emocional i një njeriu, por me rrezatim social dhe artistik. Është padyshim një nga librat më të mirë me këtë temë, më gjithëpërfshirësi dhe ndoshta ndër më të realizuarit e veprave të kohëve të fundit për emigracionin.
Letërsia e Viron Konës, është e ngjizur me kurbën e kalvarit të tij jetësor. Vironi i ka provuar në jetë të gjitha punët, nga ato më të vlerësuarat në shoqëri, në të cilat ai ka spikatur si vlerë shoqërore e njohur, deri në punët që në mënyrë të pamerituar e kanë çuar në zgrip të jetës. Ai ka provuar të jetë edhe në Olimp edhe në ferr. Kurba e jetës së tij, fillon nga aulat e larta të administratës shtetërore, e deri në punëtor i thjesht krahu, madje në emigracion.
Romani i Konës, ka vlera për shumë gjëra, por vlera kryesore e tij është se vepra nuk është e sajuar, frut i thjeshtë i frymëzimit artistik apo rezultat i tregimeve të shumta të emigrantëve, që me mish dhe shpirt punojnë jashtë atdheut për mbijetesë. Edhe sikur kështu të ishte, edhe sikur fabula e veprës të mos ishte realitet i jetuar, por i treguar, kjo nuk do të cenonte asgjë në vërtetësinë artistike të saj. Gjithsesi, autori ka meritën që fabulën e veprës e ka ngritur në një dimension që i kalon kufijtë e një ngjarjeje me përjetim të veçantë. Romani ka një rezonancë të fortë aktuale, një mesazh të shumëfishtë bashkëkohor dhe një koncentrim vlerash, si vepër artistike.
Romani i V. Konës, në qoftë se na lejohet ta themi, është biografia e shkurtër e tij në një moment tepër të vështirë të fatit personal. Veçse, vepra nuk është kronikë prozaike. Ajo është shkruar letrarisht bukur, me stil të veçantë dhe botë emocionale që të ngjeth. Të trondit kur e mendon se fati i personazhit në vepër është vet autori. Dhe këtë e kupton jo thjeshtë se rrëfimi artistik është i shkruar në vetën e parë, por se edhe pa e thënë autori, çdo njeri e kupton unitetin artistik të personazhit me autorin e romanit. Sepse, është e vështirë, sado talent, imagjinatë artistike të kesh, të ndërtosh një roman të tillë kaq realist dhe tronditës njëkohësisht, të trondit akoma më shumë kur autorin e njeh dhe i di vlerat e tij si njeri, shkrimtar dhe intelektual.
Romani nga pikëpamja kompozicionale, është vepër me strukturë të plotë. Ka ngjarje që kulmojnë nga digresionet lirike e romantike të autorit, i cili vendin e tij të emigracionit e përplas, me përfytyrimin letrar-artistik të mitologjisë dhe antikitetit grek. Doemos, në këtë përplasje të përfytyrimit letrar-artistik dhe të realitetit prozaik, është drama dhe zhgënjimi i personazhit të veprës.
Megjithëse shtrirja kohore e ngjarjeve të romanit nuk është shumë e gjatë, segmenti artistik, është i mbushur, me një galeri tepër të pasur personazhesh me të cilët personazhi kryesor i veprës është në bashkëveprim jetësor dhe artistik.
Vepra nuk është e stisur. Duke qenë një roman monografik (kryesisht për fatin e një njeriu, (që në vepër është heroi i saj) është njëkohësisht me rrezatim të gjerë social, prandaj dhe është tërheqës dhe realist. Është deri në kufijtë e të pabesueshmes për atë lexues, të cilin fati nuk e ka hedhur të provojë “kënaqësinë e emigracionit të shekullit të 20”.
Me gjithë se sensin artistik të masës, Viron Kona e ka si njeri dhe si shkrimtar, vepra ka skena në të cilat vuajtjet për mbijetesë janë të jashtëzakonshme.
Romani ka një përthyerje artistike të mrekullueshme për fatin e intelektualit të ndershëm në periudhën e tranzicionit dhe të ndërrimit të sistemit politik “Fati i njeriut” i cili, nga intelektual i respektuar në vendin e tij, detyrohet që për të siguruar bukën e gojës, të braktisë vendin dhe të bëjë çdo lloj pune të rëndomtë në emigracion. Në këtë kënd të shikimit, autori ka krijuar skena të vërteta, të bukura dhe prekëse.
Me gjithë përjetimet e rënda fizike dhe poshtërimet që përjeton, duke qenë çdo ditë në kërkim të punës, autori nuk harron të ndërtojë një sfond më të gjerë të ngjarjeve. Në roman nuk lëviz vetëm ai. Pranë tij lëvizin, jetojnë dhe shumë personazhe të tjerë, të cilët janë të lidhur artistikisht me personazhin kryesor. Pa i dhënë gjithnjë direkt, por edhe në mënyrë të tërthortë, autori realizon dhe fut artistikisht dhe me sens mase një numër të madh personazhesh multinacional nga vendet e tjera ish komuniste që kanë fatin e tij.
Me gjithë kushtet tepër të vështira dhe padrejtësitë individuale (skena e mospagimit të punës së kryer, veprimet e policisë ndaj tij) autori nuk është në asnjë rast racist. Pavarësisht peripecive të personazhit kryesor dhe të bashkëkombësve të tij, autori nuk i lejon vetes asnjë qëndrim të ngushtë nacionalist. Përkundrazi, ky qëndrim e ka ndihmuar atë që artistikisht të bëjë diagnoza psikosociale të njerëzve që e rrethojnë, duke e evidentuar dallueshëm tiparet individuale, karakteret e tyre.
Dhimoja, Argjiri, Andonaqi, Dionisi, Andrea e të tjerë, janë personazhe, që kanë peshë në tërësinë kompozicionale të romanit. Diferencimi i autorit për vlerat e personalitetit të tyre është realist dhe i individualizuar. Romani ka situata dhe ngjarje, të cilat për nga intensiteti fizik të marrin frymën kur i përjeton, por që nga këndshikimi artistik ato janë mbresëlënëse dhe dramatike.
Autori, si vëzhgues i hollë i realitetit jo vetëm skalit tipa personazhesh, por sjellë situata reale dramatike nëpër të cilat kalon ai. Vështirësitë e jetës emigrante nuk e kanë penguar Viron Konën të jetë vëzhgues i hollë i natyrës së bukur helene, të paralelizojë shumë mjedise me ato të vendit të tij…. Doemos, vendet që janë fqinjë edhe ngjajnë. Por, ajo që të bënë përshtypje është impresioni shumë i madh, i mitologjisë dhe artit antik grek mbi autorin. Vepra, për të qenë realist ka gati dy linja të spikatura që interferojnë fort me subjektin. Jeta e heroit, vuajtjet e tij fizike e shpirtërore dhe analogjia historike. Trualli grek ka një arsenal gjigant mitologjik.
Dhe, shkrimtari, gjithnjë i vëmendshëm, çdo situatë të jetës së tij, çdo moment, çdo vend ku jeton dhe vëzhgon, përpiqet t’u gjejë bazën dhe analogjinë historike. Kjo është bërë kaq shumë, sa që linja paralele me subjektin jetësor, ajo historike - mitologjike përbënë gati një “enciklopedi” të vogël, të mbushur me heronj të lashtë, perëndi që kanë në dorë fatin e njerëzve, beteja etj. nganjëherë, kur lexon pa shumë vëmendje romanin, të krijohet ideja e gabuar se është tepruar ca, ose të duket si qëllim në vetvete që buron nga erudicioni, njohja e thellë nga autori e letërsisë, poezisë, filozofisë dhe artit grek …. Por në thelb, sfondi antik, i realizuar dhe tërheqës, është një tjetër vlerë e romanit. Është pozitiv fakti që autori është konstant në bindjet e tij, për të parë në optikën pozitive - historike, realitetin e vrazhdë të jetës. Prandaj, tek pasardhësit e helenëve të lashtë, trima dhe të kulturuar, ai mundohet të gjejë koherencën dhe vazhdueshmërinë. Prandaj në vepër ka edhe personazhe atraktiv dhe shumë njerëzor: Plaka greke, Magdalena, Andrea, Argjiri, Dhimoja …, janë shumë njerëzor dhe të denjë si përfaqësues të realitetit të vërtetë helen.
Romani ka skena të bukura plot lëng jetësor. Klubi i Magdalenës është qendror në roman. Aty gëlojnë ngjarjet, tipat, personazhet, tentativat për ndonjë “flirt” të parealizuar, shpirti njerëzor i solidaritetit etj. Autori ka meritën që ka skalitur një ambient siç është klubi, i cili në çdo pronvincë është qendra njerëzore, intelektuale dhe informative.
Përshkrimet e autorit për ambientin, natyrën, pozicionin dhe frekuentuesit e tij janë gati filmikë. Kushdo nga lexuesit krijon imazhin e vetë për të.
Por ka edhe gjetje të tjera shumë të bukura, të realizuara artistikisht dhe të vendosura drejt në kompozicionin e veprës. Qeni (pullaziu) është bërë një personazh i animuar në roman dhe në fatin e personazhit …. Ai është i pari që e pret. I uritur dhe po në të njëjtën gjendje e shoqëron atë kur e largon policia. Është mbase ca e rëndë, ndoshta dhe jo fort humane, por realiteti është i vërtetë dhe artistikisht shumë i realizuar, kështu që, paralelizmi i fatit të këtyre dy frymëmorëve bëhet bindës.
Vepra ka sens dhe situata të pabesueshme, të një pune rraskapitëse edhe kur personazhi kryesor ngre pllaka apo shkarkon makina të tëra me portokaj për një copë bukë. Mesazhi artistik i romanit është ai që po e provojnë qindra e mijëra bashkatdhetarët tanë në emigracion, i cili edhe në kohën tonë është po ai që ka qenë.
Vepra ka edhe një linjë lirike të dashurisë familjare. Nëna, fëmijët dhe gruaja e autorit janë pak, fare pak të pranishëm në vepër. Madje jo fizikisht, por telefonisht. E, megjithatë autori ka pranë vetes dashurinë e nënës, ngrohtësinë e gruas dhe të vogëlushëve të tij, që duan kukulla, makina dhe lodra të tjera.
Edhe pse linjë e kursyer, ngjarjet në klubin e Magdalenës, afiniteti i saj i refuzuar, përplasen në bazamentin e fortë të familjes shqiptare, të cilën si rregull distanca e përkohshme nuk e ftoh, përkundrazi e konsolidon.
***
Viron Kona, është një autor që kërkon më shumë vëmendje të kritikës profesionale. Tani lexuesi ka në duar një sasi të gjerë të prodhimit të bollshëm artistik të tij. Botimi dhe ribotimi i romanit “Drithërimat e yjeve” nga shtëpia botuese “Fan Noli”, e plotëson lëvrimin e gjithë gjinive të prozës, si tipologji artistike dhe për të gjitha moshat. Por, padyshim ky roman përbënë një nga majat e krijimtarisë se autorit, përbënë veprën më të mirë në të cilën janë më të konsoliduara vlerat artistike dhe estetike, stili dhe mjeshtëria e tij krijuese. Lexuesi i vëmendshëm i veprës së Konës, do të dalloj, edhe kur lexon librat e tij të shumtë për fëmijë, tregimet, novelat apo dhe romanin në fjalë, një stil të veçantë të ngrohtë dhe të sinqertë. I tillë është autori.