| E premte, 21.09.2007, 01:24 AM |
DELEGACIONI I NDËRMARRJES PËR DIPLOMACI DHE PROJEKTE NDËRKOMBËTARE “DIPROJINT” KA VIZITUAR SELINË MINEIRE TË BASHKËSISË BUDISTE BRAZILIANE NË BELO HORIZONTE:
BASHKËSIA BUDISTE SOKA GAKKAI INTERESOHET TË JETË PJESË E PROCESEVE DHE NDËRMARRJEVE TË PAQES NË KOSOVË
Mikpritësit kanë shprehur kënaqësi të posaçme për praninë në lokalet e Qendrës së tyre të një përfaqësuesi nga Kosova, nga toka e një shenjtëreshe që mbarë bota e njohu si nënë – nga toka e Nënës Tereze. Paulo Henrique Carneiro – përgjegjësi i selisë së Qendrës Ndërkombëtare të Bashkësisë Budiste SOKA GAKKAI të Brazilit, në Belo Horizonte, i ka shprehur Engjëll Koliqit interesimin e shtrirjes edhe në Kosovë të kësaj bashkësie, që tashmë është në 190 vende të botës. Ai gjithashtu ka thënë se kjo bashkësi nuk do të mungojë në implementimin e Sheshit të Paqes “Nëna Tereze”, në Hajvali të Prishtinës, ku do ndërtohet një qendër botërore e ndërtimit dhe gjetjes së metodave të aplikimit të paqes.
Shkruan: Caio WERNECK
![]() |
Engjëll Koliqi gjatë bisedës me mikpritësin Paulo Henrique Carneiro |
Mysafiri nga Kosova ua ka shpjeguar mikpritësve të gjitha sfidat e mëdha, me të cilat po përballet populli i Kosovës, ende në pritje të njohjes ndërkombëtare të pavarësisë dhe të sovranitetit shtetëror. Duke folur për popullin e tij, Z. Koliqi ka thënë se mburret me tolerancën shembullore ndërfetare, me të cilën populli shqiptar është shembulli më i mirë në botë, bashkë me popullin brazilian, ku besimtarë të shumë besimeve jetojnë në harmoni të plotë midis tyre. Ai ka thënë se mburret që vjen nga ky popull ka lind edhe shenjtëresha e dashurisë – Nëna Tereze, e cila u njoh si nënë e të sëmuarve dhe të varfërve të mbarë botës. Ai i ka njoftuar mikpritësit edhe me projektin madhor “Sheshi i Paqes – Nëna Tereze”, që duhet të ngritet në Hajvali të Prishtinës, ku do ndërtohet një qendër botërore e paqes, gurthemelin e së cilës e ka vënë ish Presidenti Rugova para katër vjetësh, por që në mungesë mjetesh financiare ende nuk ka filluar ndërtimi, pos rrethimit të truallit 20 hektarësh, që Komuna e Prishtinës e ka dhuruar për këtë projekt. Mikpritësi ka shprehur interesimin e Bashkësisë Ndërkombëtare Budiste që të shtrijë veprimtarinë e vet edhe në Kosovë e poashtu ka premtuar edhe pjesëmarrjen aktive në ndërtimin e Sheshit të Paqes, sepse siç ka thënë Ai – parim kryesor i budizmit është paqja, toleranca e harmoinia ndërmjet njerëzve. Z. Koliqi e ka mirëpritur këtë gatishmëri dhe i ka siguruar mikpritësit se Kosova është e hapur për të gjithë dhe mirëpret çdo nismë vullnetmirë në dobi të paqes, të tolerancës dhe të harmonisë midis njerëzve. Ai ka thënë se toka e Nënës Tereze meriton të jetë kryekuvendi botëror i të gjitha marrëveshjeve paqësore, sepse kjo Nënë e botës mbarë tashmë është e njohur edhe si Shenjtëresha e Paqes dhe e Dashurisë. Z. Paulo Henrique Carneiro ka shprehur dëshirën e tij që të vizitojë sa më parë Kosovën, kurse mysafiri kosovar i kam premtuar atij një ftesë dhe i ka dëshiruar mirëseardhje sa më parë në vendin e tij.