Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Valon Kurtishi: 11 shtator 2001 – 11 shtator 2009

| E shtune, 11.09.2010, 10:00 PM |


Ripublikim
 
11 shtator 2001 – 11 shtator 2009

Nga Valon Kurtishi

Para plot tetë vitesh, më 11 shtator 2001, ndodhi një akt terrorist i cili ndryshoi  shumëçka në marrëdhëniet e përgjithshme në shkallë globale. Analistë të tjerë jo të paktë në numër aktit të sipërcituar terorist ia atribuojnë edhe ndryshimin e plotë e të tërësishëm të raporteve në marrëdhëniet ndërkombëtare. Një numër i vëzhguesve të tjerë janë më të matur në këtë drejtim. Megjithatë, të gjithë pajtohen plotësisht në një pikë të vetme: Që bota e sotme nuk është më e njëjtë me atë të para 11 shtatorit 2001. Akti antinjerëzor në fjalë ishtë një nga ato momentet e veçanta historike të cilët kanë forcën magjike të ndryshojnë rjedhën e historisë.

1. Sulmi terrorist

E gjitha filloi në mëngjesin e 11 shatorit të vitit 2001 kur ngjashëm si në filmat horrorë gjithë bota pa në televizor një aeroplan tek përplasej në një gradaçelë tipike amerikane në Nju Jork. Pas pak çastesh skena e njëjtë u përsërit. Më vonë u lajmërua për një sulm të ngjashëm vetëvrasës edhe kundër Pentagonit në Uashington. Një sulm tjetër kishte ndodhur ndërkohë edhe me një aeroplan të katërt të cilin pasagjerët në një përpjekje të dëshpëruar e kishin rrëzuar diku në fushat e Pensilvanisë duke vrarë veten bashkë me kidnapuesit e tyre. Në më pak se disa orë territori amerikan ishte goditur më rëndë se kurrë në historinë e tij. Viktimat civile bashkë me 19 kidnapuesit ishin reth 2967 vetë që vinin nga mbi 90 shtete të ndryshme. Pentagoni nga ana tjetër humbi 55 vetë nga personeli i tij ushtarak.
Duke qenë një sulm i përmasave të këtilla, organet e zbulimit amerikan si dhe agjenci të caktuara europiane u përpoqën ta zbulojnë sa më shpejt autorët e këtij akti barbar. Brenda disa orëve si dhe gjatë ditëve në vazhdim agjencitë e specializuara dhanë informatat e para që çonin në mënyrë të pakundërshtueshme tek rjeti terrorist ndërkombëtar i quajtur “Al Kaeda”, me udhëheqës shtetasin saudit Osama Bin Laden. Ky i fundit e pranoi publikisht përgjegjësinë për sulmet e 11 shtatorit në vitin 2004 në një nga deklaratat e tij të incizuara që i emiton televizioni satelitor arab Al Xhazira.
Fillesat e kësaj organizate terroriste ndërkombëtare janë në luftën çlirimtare të popullit afgan kundër okupimit sovjetik. Në luftën e gjatë dhe heroike të popullit afgan, përveç forcave patriotike vendore dhe shteteve demokratike, në fillimvitet 80-të kyçen edhe forca islamike radikale nga vende të tjera. Lideri i tyre shpirtëror brenda një kohe të shkurtër bëhet një saudit  ri me emrin Osama bin Laden. Me rënien e sistemit komunist rjeti i organizatave të xhihadit islamik forcohet gjithjë e më tepër dhe bëhet ndërkombëtar. Ndryshon edhe armiku. Në vend të komunizmit ateist tani si pengesë kryesore për islamin radikal shikohet imperializmi amerikan dhe sionizmi izraelit. Megjithatë, duket se frymëzimi i vërtetë i Al Kaidës nuk është islami burimor si fe paqësore dhe tolerante, si një nga tre fetë e mëdha monoteiste. Shihet qartë edhe nga deklaratat e lëshuara prej tyre të ashtuquajtuarat “Fatwa”, se qëllimi primar i këtyre grupimeve ekstremiste është mbrojtja e interesave kombëtare të popujve arabë kundër intervencave të faktorit perëndimor atje. Në një mënyrë, këto organizata radikale keqpërdorin fenë islame për qëllime nacionaliste arabe, siç edhe e tregon vetë aktiviteti i tyre. Qëllime të deklaruara publike të këtyre rjeteve terroriste janë lufta kundër qeverive properëndimore të disa shteteve arabe; ndihmë regjimit të Sadam Huseinit si në luftën e parë ashtu edhe në luftën e dytë të Gjirit; eksportimi i një islami radikal të përzier me politikë në pjesë tjera të botës;  presion ushtarak për tërheqjen e Izraelit nga Libani; përpjekja që me dhunë të armatosur të  themelohet shteti i pavarur palestinez dhe mundësisht të shkatërohet ai Izraelit; kërkesa e vazhdueshme për tërheqjen e trupave amerikane nga territori saudit; refuzimi i kulturës apo mënyrës  perëndimore të jetesës, etj.

2. Reagimi amerikan

Në Shba nga ana tjetër, sulmet patën një efekt elektrizues shoqëror. Amerikanëve të thjeshtë u erdhi në pragun e derës lufta me skenat e tmershme të saj. Kurrë më parë nuk ishte bombarduar një qytet amerikan. Përgjigja e administratës Bush ishte e menjëhershme dhe e gjithanshme. Në fillim u ndërmor një reformë e forcave të sigurisë duke i bashkuar ato në një strukturë të re të quajtur “ Departamenti i Sigurisë së atdheut”(Department of Homeland Security)”. Më vonë u miratua edhe një akt i sigurisë i cili lejonte përgjimet e ndryshme të telefonave dhe llojeve tjera të komunikimit mes personave. Në këtë pikë pati kritika të shumta nga organizatat e të drejtave të njeriut në lidhje me mundësinë e keqpërdorimit të këtyre autorizimeve të zgjeruara dhënë shërbimeve të ndryshme të intelegjencës.
Më vonë, administrata Bush miratoi në bashkëpunim të plotë me Kongresin edhe strategjinë e re të “parandalimit” e cila u kërkon agjencive të sigurimit që me goditje ushtarake apo tjera të parandalojnë sulme të mundshme terroriste në të ardhmen. Këto sulme mund të ndërmeren edhe jashtë territorit amerikan. Kjo ngriti nga ana tjetër çështjen e pajtueshmërisë së kësaj strategjie me parimin e sovranitetit në të drejtën ndërkombëtare, apo parimin e integritetit territorial sipas të cilit nuk mund të ndërhyhet në punët e brendshme të shteteve të veçanta.
Duke aplikuar në praktikë strategjinë e re, si dhe duke pasur parasysh prezencën e vërtetuar të organizatës teroriste Al Kaida dhe të vetë Bin Ladenit në Afganistan , Shba-të dhe koalicioni i NATO-s ndërmorën sulme të armatosura për largimin e talebanëve fundamentalistë nga pushteti në këtë vend, si dhe për kapjen e planifikuesve të sulmeve të 11 shtatorit. Operacioni i koduar me emrin “Enduring Freedom”, filloi më 7 tetor 2001. Më vonë këtij operacioni iu bashkangjit edhe misoni ISAF i miratuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB, për stabilizimin e gjendjes dhe ndërtimin e një Afganistani të lirë e demokratik. Operacioni zgjat akoma sot ndërsa personi kryesor në kërkim, Bin Laden akoma është në liri. Talebanët janë rëzuar nga pushteti dhe Afganistani shkon drejt një stabiliteti gjithnjë në ritje.

Si pasojë jo e drejtpërdrejtë e sulmeve terroriste të 11 shtatorit erdhi edhe intervenimi tjetër ushtarak në Irak. Forca të mëdha amerikane dhe britanike sulmuan më 20 mars 2003 Republikën e Irakut nën sundimin despotik të Sadam Huseinit. Ishte sulmi i dytë dhe përfundimtar pas atij të parit nga 2 gushti 1990 që zgjati deri më 28 shkurt 1991, dhe nuk u finalizua me largimin e këtij diktatori nga pushteti. Shkak i sulmit ishte posedimi nga ana e Irakut i armëve të shkatërimit në masë të cilat paraqisnin rezik real dhe serioz për interesat kombëtare të Shba-ve, aleatëve të saj si dhe botës demokratike. Një arsye tjetër e sulmit ishte mundësia e mbështetjes së Al Kaidës nga regjimi irakian. Shërbimet amerikane të intelegjencës që moti kanë dhënë fakte të bashkëpunimit të këtij regjimi me qarqe të ndryshme fundamentaliste në mbarë botën. Pas rëzimit të pushtetit tiranik më 2005 u formua qeveria irakene, kurse në fjalimin e tij të 27 shkurtit 2009, presidenti  Obama bëri publik faktin që operacionet ushatarake amerikane në Irak do të marin fund më 31 gusht 2010, kurse një forcë policore kalimtare amerikane mund të qëndrojë në ndihmë të forcave irakiane të sigurisë deri në fundin e vitit 2011.

Një çështje e cila rihyri fuqishëm në skenë pas vitit 2001 është edhe themelimi i shtetit Palestinez. Pas 11 shtatorit u vërejt qartë një tendencë e re në politikën e jashtme amerikane për të hequr përfundimisht nga rendi i ditës konfliktin arabo-izraelit. Iniciativat e fundit paqësore të administratës Obama duket se do mbyllin përgjithmonë dhe me sukses çështjen në fjalë. Megjithatë, duke pasur parasysh ndërlikueshmërinë e kontestit historik izraelito-palestinez dhe izraelito-arab kjo mbetet për tu parë.

3. Disa efekte në shkallë botërore

Përveç pasojave të drejtpërdrejta për vetë Amerikën dhe mënyrën sesi ajo i shikonte proceset brenda dhe jashtë vendit, sulmet e 11 shtatorit ndikuan edhe në vendimarjen globale dhe në raportet e forcave në zona të ndryshme të botës.
Menjëherë pas këtij sulmi shkatërrues dhe deklaratës së ashpër të presidentit të atëhershëm amerikan z. Xhorxh Bush me fjalinë e famshme drejtuar terroristëve, “ne do ju gjejmë dhe do ju ndëshkojmë aty ku jeni fshehur”, një numër i regjimeve jodemokratike dhe gjenocidale filluan të përdorin gjithmonë e më shpesh fjalën “terrorizëm” në fjalorin e tyre të përditshëm politik.
Filipinet i quajtën terroristë luftëtarët për çlirim nacional të Mindanaos. India foli menjëherë për “terrorizëm islamik”në Kashmir dhe zona të tjera të turbullta atje. Autoritet qëndrore srilankeze u shprehën për terrorizëm tamil, kurse tigrat e Elamit nga ana e tyre folën për terrorizëm shtetëror në zonat veriore dhe lindore të Sri Lankës. Kina u kujdes që gjithnjë e më shumë të përdorë termin e këtillë duke etikuar lëvizjet çlirimtare të Tibetit dhe Turkestanit lindor (Sinkjangut) si “terroriste”. Një numër i shteteve arabe morë masa të egra shtypëse kundër opozitave të tyre islamike duke shfrytëzuar klimën e favorshme në skenën ndërkombëtare për shtypjen e elementeve radikale. Regjimet proruse të republikave turkofone të Azisë qëndrore shfrytëzuan rastin që opozitën e tyre politike me apo pa të drejtë ta stigmatizojnë si islamike radikale me tendenca të qarta të rëshqitjes në terrorizëm ndërkombëtar.
Turqia rifilloi ofensivat e saja tradicionale gjenocidale kundër popullisë civile kurde gjithmonë nën maskën e luftimit të “terrorizmit”. Izraeli ku me arsye e ku pa arsye rinisi akoma me më shumë vrull luftën kundër autoritetit palestinez e madje hyri në aventura të reja e të kota në Liban. Rusia nga ana tjetër u vërsul mbi popullatat liridashëse të Kaukazit duke masakruar në Çeçeni, Dagestan, e zona tjera, edhe kjo me justifikime se lufton “terrorizmin ndërkombëtar”. Regjime të ndryshme të Amerikës qëndrore dhe jugore u dukën të justifikuar në fushatat e tyre brutale “antiterror”. Nikaragua, Kolumbia, Bolivia, Peru u deklaruan gjithë bashkë kundër “terrorit si një e keqe që duhet eliminuar sa më parë”. Edhe në Afrikë regjime diktatoriale nga më të ndryshmit morën masa kundër lirive e të drejtave kolektive të popujve të tërë duke shfrytëzuar preteksin e luftimit të terrorizmit global. Në Sudan, Nigeri, Kongo, Liberi, Zimbabve/Rodezi e vende tjera pati masakra dhe akuza të reja për “terrorizëm” mes qeverive qëndrore dhe opozitave politike e rebelëve të ndryshëm.
Në Europë, Franca dhe Spanja rifilluan akoma më vrullshëm përpjekjet kundër organizatës baske “ETA”, e cila ka ndërmarë një numër të sulmeve terroriste në këto dy shtete demokratike europiane. Megjithatë, zërat pro pavarësimit të Baskisë humbën në detin e britmave të “luftës kundër terrorit të ETA-s”. Franca u aktivizua edhe në Korzikë kundër organizatave të atjeshme pro pavarësi. Britania e madhe përveç angazhimit serioz, të drejtë dhe të pakursyer në alenacën e madhe antiterror, u kujdes që në Irlandën e veriut të forcojë sadopak unionistët e Ulster-it në luftën e tyre të padrejtë kundër bashkimit të Irlandës veriore me Republikën e pavarur të Irlandës. Sërbia, Greqia dhe Rusia u aktivizuan menjëherë në skemat propaganduese kundër “terrorizmit islamik” të mundshëm në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë.
Madje edhe Lube Boshkovski i Fyromit filloi të flasë për “luftimin e terrorizmit ndërkombëtar”, duke bërë me gisht nga forcat çlirimtare shqiptare të UÇK-së së asaj kohe.
Përveç këtyre veprimeve të drejtpërdrejta, një numër i madh i shteteve filluan të shfrytëzojnë përvojën amerikane në aplikimin e ligjeve të reja që lejojnë përgjimin e telefonave, leximin e postës elektronike, kontrollin e dërgesave postare, etj. Gjithë këto veprime u bënë dhe vazhdojnë akoma sot në emër të parandalimit të akteve terroriste apo të luftës kundër terrorizmit. Çështja e privatësisë është kthyer në një problem global pas këtij sulmi terrorist. Siguria në aeroporte, vendklaime kufitare,porte detare, stacione të ndryshme e stabilimente tjera transporti është ritur shumë në përmasa botërore. Kjo e vështirëson paksa lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Problemi i integrimit të minoritetit të madh mysliman në vendet e Europës perëndimore ka dalë në sipërfaqe më zëshëm se kurrë ndonjëherë më parë. Kjo është pozitive pasi çështja ishte neglizhuar disi për dekada të tëra dhe tani doli me shumë bujë në sipërfaqe. Duhet një angazhim serioz i vetë komuniteteve të tilla që të dalin nga rethi vicioz i fundamentalizmave fetare dhe ti bashkohen rrymës globale të përparimit e mirëqenies. Nga ana tjetër kërkohet një fleksibilitet dhe elasticitet i shteteve mikpritëse që të lehtësojë në maksimumin e tij të mundshëm procesin e përshtatjes dhe integrimit të minoriteteve islamike të Europës perëndimore në kulturën mbizotëruese atje.
Raportet globale mes feve apo mes botëkuptimeve të ndryshme civilizuese janë në qendër të vëmendjes së opinionit publik në shkallë botërore. Janë organizuar një numër i madh i debateve e konferencave për dialog ndërfetar e ekumenik ku një rol jo të vogël kanë luajtur edhe papa si dhe klerikët e lartë islamikë nga ana tjetër. Ky proces duhet inkurajuar dhe çuar më tej. Njohja e dallimeve do të çojë në pranimin e tyre dhe në evidentimin e vlerave të përafërta që civilizimet e mëdha i kanë të përbashkëta.

4. Çka pas 11 shtatorit 2001?

Terrorizmi nuk është mënyrë, instrument, formë, metodë për zgjidhjen e problemeve dhe kontesteve etnike, territoriale, etnike, sociale apo çfarëdo qofshin ato. Me vetë faktin e marjes së jetëve të njerëzve të pafajshëm, terrorizmi është një e keqe e madhe e cila duhet luftuar pa mëshirë dhe të evitohet si mjet për zgjidhjen e kontesteve të ndryshme sa më shumë që të jetë e mundur.
Bota e para 11 shtatorit nuk mund të kthehet më. Sulmet terroriste i treguan dobësitë strukturore dhe limitet e sistemit aktual politik ndërkombëtar. Këtë e thonë me plot gojën si demokracitë liberale perëndimore ashtu edhe diktaturat “moderne” demokratike, teokratike apo komuniste në pjesë tjera të botës. Iniciativat amerikane dhe europiane për luftimin e kësaj të keqeje globale duhet të përkrahen me përpikmëri nga pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar. Kjo do të jetë një luftë e gjatë, e dhimbshme dhe me shumë pasoja të cilën bota demokratike nuk guxon ta humbë. Nga ana tjetër, nuk duhet të keqpërdoret lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar për qëllime të ngushta nacionaliste, ekstremiste, politike apo tjera nga disa shtete, siç ndodh sot rëndom në disa zona të caktuara konfliktuoze.
Shqipëria është një nga kontribuesit real dhe të pakompromis në këtë luftë të rëndë por shumë të drejtë. Me misionet e saja civile dhe ushtarake në Afganistan dhe në Irak, Shqipëria edhe njëherë i tregoi botës së lirë e demokratike se kontribon jo vetëm me fjalë në luftimin e patologjive të tilla të rezikshme të sistemit të sotëm ndërkombëtar. Me këtë ajo shkon hapave të traditës shekullore paqësore dhe tolerante të popullit tonë. Aleatët dhe miqtë tanë të mëdhenj, Shba dhe Europa perëndimore ngadalë por sigurtë do të mbijetojnë dhe do të triumfojnë edhe në këtë sfidë iraconale që iu imponua nga qarqet e erësirës mesjetare. Shqipëria dhe shqiptarët janë bashkë me ta në rrugën e gjatë e të mundimshme në mbrojtjen të lirisë së popujve, vlerave humane dhe në sigurimin e paqes së drejtë botërore.