| E marte, 15.09.2009, 07:29 PM |
Politizimi i
marrëveshjeve teknike apo defaktorizimi politik i Kosovës
Nga Jeton Kelmendi, Bruksel
Nënshkrimi i marrëveshjes teknike ndërmjet Qeverisë së Serbisë dhe EULEX
tash e sa kohë na është bërë kryengjarje politike në opinionin Kosovarë.
Institucionet e vendit kanë shkuar aq larg sa që kanë mohuar aq fuqishëm
nënshkrimin e një marrëveshje teknike, gjithsesi në dobi të Kosovës, sa qe kanë humbur besimin
tek qytetaret, por kështu janë duke e defaktorizuar vetveten. Nuk është hera e
parë që qeveria dhe politika Kosovare mohon kategorikisht gjëra të tilla dhe
pas pak dite ngjarjet ndodhin, krejtësisht kundër asaj që ata e
deklarojnë. Institucionet e Republikës së
Kosovës me veprimet e tyre kinse për opinionin e brendshëm veprojnë kështu siç
po veprojnë, ato dita ditës po i shërbejnë vendit për të keq. Kjo e keqe ka tri
anë:
1
Së pari kjo gamë politike që është duke drejtuar Kosovën,
por fatkeqësisht edhe partitë opozitare janë të paqarta në veprimet e tyre. Në
vend që të kërkojnë faktorizimin e institucioneve dhe pjesëmarrjen në
nënshkrimet protokollare ndërkombëtare, politika jonë mohon me shumë bujë. E
keqja e parë është se nuk po ecet me kohën që Kosova të bëhet faktor dhe të
kontrollojë vetën.
2
Me mohimin patetik që u bënë akteve të tilla, Qeveria e
Kosovës dhe fuqia e saj mbi medien, po ndikon në prishjen e raporteve
qytetar-mekanizma ndërkombëtar dhe poashtu krijon një opinion tek qytetarët e
vendit, se komuniteti ndërkombëtar është kundër tyre.
3
Dhe e keqja më e madhe është se për gjëra teknike, të
cilat janë për të mirën e Kosovës dhe qytetarëve të saj, politizohen tej mase
nga Qeveria dhe institucionet. Kjo bënë që në sytë e qytetarit, Presidentin,
Kryeministrin dhe mekanizmat shtetëror, nuk i pyet kush. Në fakt politikanët
janë duke e zbehur ndikimin e tyre, kjo po shihet dita ditës.
Veprimi konkret politik
Presidenti, qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës, kanë nevojë
për veprim konkret dhe punë praktike. Kosova duhej të këmbëngulte që të ishte
vet nënshkruese e marrëveshjeve të tilla. Kësaj sigurisht do ti paraprinte
sikur të nënshkruheshin marrëveshje me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi,
pastaj ti kërkonte EULEX që të ishte vetëm inicuese, kurse marrëveshja të
nënshkruhej nga qeveritë e Serbisë dhe Kosovës, e jo të mohohej nënshkrimi i
marrëveshjes. Qeveria e Thaçit nuk ndalet me kaq, ajo thotë se nuk mbaj
përgjegjësinë për marrëveshje të tilla, thua se marrëveshja po u zbatuaka në
Kinë e jo në Kosovë. Është jo vetëm e pakuptueshme kjo që deklaron
kryeministri, por edhe të bën të dyshosh se ai nuk qenka njeriu i parë i
qeverisë, por e paska dike tjetër mbi vete.
Veprimi konkret do të thotë punë praktike. Kosovës i duhet një gamë e re
politike që krijon raporte të mira me faktorët ndërkombëtar, si institucionet e
BE-së, raportet me fqinjet. Deri me tani sa i përket Brukselit, Kosova nuk ka
krijuar asnjë lidhej konkrete. Nuk ka kërkuar nga Brukseli që edhe Kosova të
përfshihet në liberalizim e vizave, të fillimit të bisedave për stabilizim
ascijim etj. Shteti i ri me ketë qeveri që e drejton, nuk ka krijuar akoma
lidhje ndershtetrore me vendet fqinje, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Secila nga
vendet e Ballkanit ka ecur në drejtim të Evropës së Bashkuar, kurse Kosova nuk
e ka bërë as një hap përpara. Natyrisht duhet theksuar se për tu afruar drejt
BE-së duhen plotësuar disa kushte, gjë që Qeveria në Prishtinë nuk qanë kokën për
ketë.
Politika që drejton ketë qeveri të Kosovës, mendon se BE do ta marr terë
Ballkanin dhe ta fus ashtu siç është në strukturat e saj, por sa për ta
dëshmuar të kundërtet shih liberalizimin e vizave, ku Serbia, Maqedonia dhe
Mali i Zi nga një janari i vitit që vjen shkojnë në Evropë pa viza, kurse Shqipëria
duhet përmbushur edhe disa standarde, ndërsa për Kosovën akoma nuk behet fjalë.
Ky besim se ne nuk na ndajnë nga vendet tjera të Ballkanit
është i dëmshëm për Kosovën.
Shoqëria civile në shërbim të
qeverisë
Në vendet që kanë sado pak demokraci të zhvilluar, shoqëria civile është
shumë më e zëshme dhe jo rrallë herë del kundër qeverisë për çështje të
caktuara. Në Kosovë, gjithçka është politike edhe pse politikisht është shumë
pasive. Shoqëria civile edhe pse e pakët si organizata të zëshme, del para
opinionit me objektiva të gabuara. Edhe pse dilet para medieve dhe
kundërshtohen veprimet dhe deklarimet e qeverisë, ata kanë të njëjtat fjale.
Demonstruesit e djeshëm në Prishtinë edhe pse shprehnin pakënaqësi në
institucionet ata kishin një fjali “ jo marrëveshje me Serbinë”, po këto i ka
thënë edhe qeveria sa e sa herë. Mendoj se demonstruesit po i shërbejnë kësaj game
politike që po qeveris vendin. Ata në vend se të kërkonin që Kosova të
nënshkruaj protokolle qofshin edhe teknike siç
ishte rasti i fundit EULEX –Serbi, pa mençur i shërbejnë për të keq
vendit, kjo u pa edhe nga mesazhi i Ambasadorit Amerikan në Prishtinë.
Dhe kur bie fjala te politika, jemi dëshmitar se në shoqërinë tonë –shtetin
e ri, çdo gjë është politike, por çfarë politike, është pyetje tjetër që donë
pak mendim për ta kuptuar.
Politika në Ballkan e veçanërisht në Kosova është sinonim i parasë. Krejt
për fund duhet thënë se nëse Kosova bëhet vend normal si vendet tjera të
Evropës, atëherë politikanët nuk mund të përfitojnë më.
Haptazi, nënshkrimi i marrëveshjes
teknike për ta luftuar krimin e organizuar në veri, nga politika kosovare është
shfrytëzuar dyfish: në njëren anë politikanët me kundërshtim kanë treguar
patriotizëm para popullit, kurse nga ana tjetër kanë dashur ta lënë ashtu sepse
nga ai krim ekonomik zyrtaret me të lartë qeveritar kanë marr rriskun e tyre jo
të vogël.
Kjo është esenca e kundërshtimit.