Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Demir Krasniqi: Çohu, Azem, se ti je bota!

| E shtune, 12.09.2009, 10:00 PM |


Në 11-vjetorin e vdekjes:

ÇOHU, AZEM, SE TI JE BOTA
        
Teksti: Agim Doçi    
Muzika, incizimi dhe interpretimi: Demir Krasniqi

U skuq bora n’ majë t’ Shkëlzenit ,
U than’ lisat në bjeshknajë ,
U ndal zemra e Azemit,
Shqipja pret birin e saj .

Çfarë t’ i them vajzës e djalit?
Çfarë t’i them nuses së re?
Çfarë t’i them fushës e malit?
Zemrat thonë – Azem ku je?

Je tek Drita e Dhjetorit,
Je tek malet e Tropojës ,
Je tek ëndrrat e studentëve ,
Je tek plagët e Kosovës .

Je tek sheshet e fitores,
Je tek sytë e Ardhmërisë ,
Je tek ideali i shokëve ,
Je tek fjala e Shqiptarisë .

Sytë e kombit mall pikojnë ,
Çohu Azem, se të kërkojnë !
Çahet qielli, rrudhet toka ,
Çohu, Azem, se ti je bota!

SHQIPËRINË AQ FORT E DESHI

Teksti: Agim Doçi
Muzika, incizimi dhe interpretimi: Demir Krasniqi

Buzëqeshja jote si prej fëmije ,
Të ngriu sot në gjoksin tim,
Ti fluturove si zog lirie,
U bëre engjëll, o vëlla i im.

Çeli pak sytë, të shohësh qiellin,
Çeli pak buzët dhe fol një fjalë.
Të pret mëngjesi , të puthësh diellin ,
Sa shpejt t’u ftoh i bukuri ballë?!...

Do t’i laj plagët me ujë Valbone ,
Do të vajtoj me jehonë bjeshke ,
Do të mbuloj me lule bore,
Do të qajë motra me shira vjeshte .

Një degë bajame shoh në dritare ,
Një dallëndyshe çukitë në xham ,
Po pres të vijë pranvera e madhe
Bashkë me lirinë të sjell vëllanë.

Do t’ ia puth sytë me fllad të erës ,
Do t’ia njomë buzët me vesë mëngjesi ,
Do t’ ia pushtoj me mall të zemrës ,
Se Shqipërinë aq fort e deshi !

Gjilan, më 12 Shtator 2009.