| E merkure, 09.09.2009, 07:41 PM |
POEZI E NOVATORIZMIT DHE E
ANTIKONFORMIZMIT SHOQËROR E LETRAR
(Sprovë për vlerësim cilësor të veprimtarisë krijuese të shkrimtarit
Tahir Desku.Kumtesë e lexuar në Manifestimin letrar tradicional “Ora e Tahir
Deskut”, themeluar me vendim të Kuvendit komunal të Klinës,në korrik 2009,
mbajtur më 7 shtator 2009, nën patronazhin e kryetarit të Komunës, z. Sokol
Bashota. Juria e Manifestimit dha dy çmime: çmimin për veprën më të mirë të
vitit iu dha shkrimtarit dhe kritikut letrar Prend Buzhala për veprën kritike
“Kode poetike të mbijetesës shpirtërore”, botuar këtë vit në Tiranë nga shtëpia
botuese Argeta-
Shkrimtari Tahir Desku është njëri ndër emrat e
njohur të letërsisë sonë në përgjithësi e veçanërisht të poezisë, e cila për të
mbeti lloji letrar dhe mjeti i vetëm për të shprehur qëndrimet e veta si njeri
dhe si poet, për të krijuar një art në shërbim të përsosjes estetike dhe në
shërbim të mesazhit e të krijimit të një katarze shpirtërore që mundohet ta
bëjë letërsia tash e mijëra vjet.
Tahir Desku me shkrime letrare filloi të merrej
qysh si nxënës, kurse veprat letrare filloi t’i botonte në fillim të viteve
’80, pra ai është përfaqësues i një brezi letrar që këmbëngulte për krijimin e
një poezie ku do të vërehej qartë novatorizmi, origjinaliteti, një përkushtim
më i madh ndaj teknikave të krijimit të vargjeve dhe një interesim e përkushtim
ndaj temave të reja, disa prej të cilave deri më tash kishin qenë në margjina
të interesimeve të krijuesve. Tahiri botoi këto vepra poetike: Prejardhja e dashurisë (1982), Nga biografia
e pashkruar (1984), Idil e vetmi (1989), Engjëjt e lirisë (2000), Në cilin
gjeth e kam vdekjen (2006, post mortem), botuar nga LSHK-ja. Një libër
poetik i është përkthyer në gjuhën angleze nga Fadil Bajraj.
Tahir Desku, duke i shërbyer me përkushtimin më
të madh Letërsisë dhe Kombit, la pas vetes vepra të rëndësishme letrare, por me
përmasa po aq të larta krijoi edhe veprën njerëzore, kulturore, atdhetare e
luftarake-vepra këto që po ashtu mund të lexohen sikur poezia e tij, duke
shtuar vlerat e personalitetit të tij që reflektonte në forma të ndryshme
projektimin për thyerjen e vetmisë, për krijimin e hapësirave të lirisë
njerëzore e kombëtare.Antikonformizmi ishte një vlerë tjetër e rrallë e njeriut
dhe shkrimtarit Tahir Desku.
Pjesëmarrja në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës paraqet një tjetër kapitull të rëndësishëm në biografinë e Tahir
Deskut. Puna e vështirë e reporterit të luftës, heroizmi i bashkëluftëtarëve,
rëniet për liri e frymëzuan për krijime të realizuara letrare dhe lanë gjurmë
të pashlyeshme e të dhimbshme në shpirtin e ndjeshëm të poetit.Ndër biseda me
miq vazhdimisht thoshte e përsëriste se koha e luftës ishte për të pjesa më e
dashur e jetës, më e shtrenjta, më e bukura, më e paprekshmja dhe më e
dhimbshmja vlerë në shërbim të lirisë së Kosovës.Këtë të vërtetë e skaliti
bukur në veprën e një përmase të rrallë estetike “Engjëjt e lirisë” ku si në
një teatër antik ndihet dhe përjetohet atmosfera e luftës, ideali i lirisë dhe
madhështia e ushtarëve dhe komandantëve të UÇK-së.Si kryefjalë e të gjitha
vjershave në libër, si poezi programatike qëndron në ballë të veprës poezia
“Baladë”, shumë mirë e realizuar artistikisht, kushtuar Komandantit Mujë
Krasniqi dhe 36 dëshmorëve që ranë për liri në Gorozhup të Prizrenit, më 14
dhjetor 1998.
Vepra “Engjëjt e lirisë” do të mbetet njëra nga
veprat kryesore të poezisë moderne shqipe, jo vetëm për objektin e frymëzimit
dhe për personazhet e veçanta të saj, por edhe për mënyrën e realizimit ideor e
estetik, për laryshmërinë e mjeteve të shprehjes, për dendësinë e mendimit, për
shprehjen elokuente dhe eliptike. Në këtë vepër autori ka vendosur ngjarje të
përjetuara nga lufta çlirimtare e UÇK-së, skena të triumfalitetit të
komandantëve dhe të ushtarëve të saj, emra dëshmorësh dhe heronjsh të gjallë që
ndërtojnë peizazhin e luftës, krenarinë, dhimbjen dhe shpresën për fitore.
Përpos kësaj, autori ka gdhendur edhe idealin e tij jetësor, entuziazmin që
është ndërmjet luftëtarëve të lirisë, krenarinë që në luftën e atdheut të vet
për liri është pjesë e asaj lufte, prandaj edhe vdekjen e pret qetë, aty pranë
një guri, aty pranë një lisi. Është një heroizëm jetësor dhe një heroizëm
estetik që i japin madhështi fjalës, luftës dhe lirisë.
Subjekti lirik i poezisë së Tahir Deskut është
njeriu ynë i trazuar, që është vazhdimisht në kërkim të plotënisë së
identitetit dhe të dinjitetit të tij njerëzor e kombëtar.Ky njeri është përherë
i revoltuar, në kërkim të krijimit dhe të zgjerimit të hapësirave të lirisë.
Antikonformizmi i njeriut dhe poetit Tahir Desku
reflektohet edhe në krijimtarinë e tij letrare, në mënyrën e shkrimit dhe të
meditimit estetik. Në asnjë vepër, pothuajse në asnjë poezi të tij nuk u bë rob
i uniformizmit, i propagandimit, i kallëpeve dhe i klisheve që patën shoqëruar
e dëmtuar procesin e zhvillimit të poezisë shqipe, kur më shumë e kur më pak,
duke ngushtuar tematikën dhe fondin e meteve të shprehjes, bashkë me
moralizimet, patetizmin, retorizmin ose eksperimentizmin e panevojshëm, i cili
nganjëherë promovonte një hermetizëm të panatyrshëm.
Flalët shtëpi, dashuri, liri, Kosovë, Shqipëri
janë disa nga fjalët kyçe në poezinë e Deskut, të cilat reflektojnë kuptime,
emocione, ide e gjendje të ndryshme shpirtërore të subjektit lirik të kësaj
poezie.
Në përgjithësi poezia e Tahir Deskut, qysh në
fillimet e saj, paralajmëroi një zë të ri dhe të fuqishëm, një emër që
këmbëngulte në përsosmërinë e vargut poetik dhe të mesazhit, në origjinalitetin
e shprehjes dhe të krejt prosedeut krijues.Poezia e tij në shumë aspekte sjell
elemente novatore në zgjerimin e tematikës dhe në interesimin e poetit ndaj
njerëzve fatkeq, ndaj atyre që jetojnë në periferitë e jetës dhe të shoqërisë,
shpeshherë të përbuzur dhe të anatemuar pa të drejtë.
Poeti Tahir Desku ishte njohës i thellë i
traditës kulturore dhe letrare shqiptare, njohës i thellë i zhvillimeve,
tendencave dhe novatorizmit letrar që kishin sjelë në letërsinë tonë emra të
njohur si Kadareja, Agolli, Arapi, Shkreli, Podrimja etj. Duke lënë të
pashkëputshme fijet me traditën, Tahir Desku veprën dhe orientimin e tij letrar
e vuri në shërbim të natyrës së vërtetë të artit letrar e jo në shërbim të
qëllimeve të tjera jashtëletrare. Qëndroi larg përfshirjes së ideologjisë dhe
partishmërisë në veprën letrare.
Tahir Desku është përfaqësues i brezit të
shkrimtarëve të viteve ’80, të cilët duke asimiluar përvojën poetike të
traditës, duke reflektuar herë pas here natyrshëm ndikimin nga brezi i njohur i
shkrimtarëve të viteve ’60 që bënë kthesën më të madhe dhe më të diskutueshme
në letërsinë shqiptare, veçanërisht në fushën e poezisë- pasuruan poetikën e
poezisë sonë moderne në aspekte të një zgjerimi më të madh të gamës së interesimeve
tematike, në aspekte të një lirie më të madhe metrike dhe të një gjuhe poetike
që mëton të shlyejë kufirin ndërmjet zhanreve letrare, duke latuar një
figuracion poetik të veshur me simbol, metaforë dhe ironi të përpunuar në një
shkallë të lartë estetike, në shërbim të qëndrueshmërisë së tekstit dhe të
nëntekstit, qoftë edhe atëherë kur poezia ndërtohet brenda një ligjërimi që nuk
dallon shumë nga gjuha e komunikimit joletrar.
Shkrimtari Tahir Desku me veprimtarinë e vet
krijuese, me trajtesat dhe debatet për letërsinë e afirmonte dhe e promovonte
mendimin kritik, të cilin e kishte lanësuar në fillim të shekullit XX
shkrimtari Faik Konica, sipas të cilit vepra letrare duhet të vlerësohet ndaras
nga jeta e shkrimtarit, në bazë të kritereve estetike e jo në bazë të qëllimeve
për të cilat shkruhet ajo.
Në asnjë vepër të Deskut, në asnjë poezi të tij
nuk gjen elemente të krijimtarisë oborrtare.Në asnjë veprim dhe qëndrim të
Tahir Deskut nuk gjen elemente të krijuesit oborrtar. Herët e ndjeu dhimbjen e
popullit të vet dhe herët u vu në shërbim të lirisë së Atdheut, me të gjitha
format e mundshme të betejave. Kohën që e jetoi, e mbijetoi dhe e përjetoi,
mirë e skaliti në vargun poetik dhe në këtë drejtim u la brezave të lexuesve
një testament estetik për ta njohur një kohë me të gjitha aktet e saj, me të
gjitha personazhet, duke mos i harruar asnjëherë as ata që jetojnë margjinave
të jetës, të ekonomisë e të shoqërisë, pra duke u solidarizuar në jetë e në
krijimtari me të pastrehët, me të sëmurët, me të përbuzurit dhe me fëmijët që
rriten më ngadalë për shkak se preokupohen me shqetësimet e të rriturve. Me
jetën dhe me veprën e vet letrare Tahiri mbrujti dimensionet e njeriut e të
krijuesit kryengritës dhe protestues, elemente këto që e kanë shoqëruar që në zanafillë
intelektualin, shkrimtarin dhe letërsinë tonë, e cila shpesh, nëpër vorbullat e
kohëve, e ka tjetërsuar vetveten për t’i shërbyer ndërgjegjes, vetëdijesimit,
luftës dhe lirisë.
Duke folur për shkrimtarët, për mjeshtrit e
fjalës ose për magjistarët e saj, historiani i njohur i letërsisë shqiptare,
Jorgo Bulo, shkruan: “Ne ikim, ikim vazhdimisht, herë të entuziazmuar drejt së
ardhmes, herë të të trembur drejt humbjes, por ata, zotërit e fjalës, vijnë
vazhdimisht drejt nesh, dhe na magjepsin me magjinë e verbit shqip, dhe na
shkundin nga marrëzia e shkatërrimit të vlerave ose nga përtacia mendore e
indiferencës ndaj tyre.Ata na bëjnë të realizohemi si njerëz të këtij trualli
ku ka lindur, për të mos vdekur kurrë dhe për t’u ripërtëritur pafundësisht fuqia
e perëndishme e fjalës shqipe”.
Poeti i madh kombëtar, Lasgush Poradeci, thotë se
Kombin e bëjnë poetët. Në këtë kontekst, shkrimtari Tahir Desku në një
intervistë dhënë shkrimtarit dhe publicistit Frrok Kristaj, për gazetën
“Rilindja” të datës 20 janar 2001, tha: “...Poezia është dhembje e
bukur...Atdheu, të cilit i mungojnë poetët, i mungon bukuria, ndërsa popullit
të atij Atdheu i mungon dhembja”. I citova këto thënie lapidare të njerëzve të
letrave për të argumentuar se ndër ata që kanë bërë punë e mund për ta bërë
Kombin dhe Lirinë është edhe shkrimtari ynë Tahir Desku.