| E hene, 07.09.2009, 08:32 PM |
Reagime
Më në fund, foli gomarica e Ballaamit dhe kërriçët e saj!
/Qosje tigri i tërbuar-verbuar në
kafaz!/
Nga Kadri Mani
Më në fund, foli gomarica e Ballamit, dhe të
stigmatizuarëve të vet nga: “MORFOLOGJIA E NJË FUSHATE”,
veprës së vet më të ndytë përçarëse (krahas veprave të veta të pista: “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “I ringjalluri i penduar”, “NATA ËSHTË DITA JONË” (roman
banditesk-porongrafik): ku stigmatizoheshin: Ali Podrimja, Fehmi Agani, Hilmi
Agani, Hysni Hoxha, Ibrahim Rugova, Rexhep Ismajli, Mark Krasniqi... tash
aktualisht i shtohen edhe: Miranda Haxhia, Besnik Mustafaj, Diana Çuli, Ylljet Aliçkaj, Behar
Gjoka, Ismail Kadare, Salih Berisha... dhe komplet të arriturat zenit ore
politike-letrae shqiptare, madje edhe Pavarsia!!
Qosje tigri i tërbuar-verbuar në kafaz, i kafshon
kangjellët e kafazit të vet, me klitha çjerrse të asaj dhelprës nga përralla,
së cilës kur po o digjej bishti po bërtiste: vraponi se po digjet bota!!
Jo- i thanë- po të digjet vetëm bishti yt, se bota është
në qetësi!
Dhe lapërdhari i Vuthajve-Prishtinës, në stilin e lavires
kur po i thoshte shoqes së vet: mbajma koplin t’i them kurvë sa s’më ka thënë!-
përgojon djathtas e majtas pa asnjë fakt me krahasime të veta të shpifura e me
insinuata: krahasimi aktual “Librazhdi është si Londra, kurse Lipjani si Parisi”- nuk
qëndron: dihet se në histori kur Aratana ishte qytet, Londra ishte fshat, kur
Artana ishte e shtuar në kalldrëm, parisinët ecnin nëpër baltë.
Rrenacakut Qosje, nuk ia punon gjuha e përdalë ta përmend kopletin e veprave
të Dr. Inrahim Rugovës, çmimet as varrosjen madhështore, nuk ia punon gjuha e
përdalë të përmend veprat madhore të Ismail Kadares e të Anton Nikë Berishës,
romanin madhor “Sheshi i unazës” i Zejnullah Rrahmanit, veprat e Teodor
Laços...
Kur pisi shkruan për gjuhën “e pistë” të të tjerëve!
Këlyshi i shokut Tito të tij, sahanlëpirësi që shkruante: Laneti iu ka hyrë
në barkë tëgjithë atyre që nuk i zbatojnë urdhrat e shokut Tito nga
Karagjogjeva!
Deshtakut në poliitikë e në letërsi, i pëlqen të minimizojë për analogji me
vetveten e tij! Nuk na qenka gjë vlerësimi nga të huajtë, nga juritë e
konkurseve!?!
Ditën e “ligjëratës” së tij, e udhëheqte Seminarin polici Agim Vinca! Dhe
unë dola nga salla demonstrativisht.
Tash Qosja fillon me gënjeshtra, sekinse ajo ligjëratë nuk askesh qenë e
shkruar dhe e autorizuar! Por, e folur, të cilën kinse ia paskan
keqinterpretuar, dhe fill pastaj e pranon fjalëpërfajelë për të vetën!!
Falsifikatori i shpallë tëjerët për falsifikatorë! Zonja e nderuar Miranda
Haxhia, mos u mërzit, setë ka sha i shari. Po jua përkujtoj do tituj të mitë
kahershëm:
Si na ndodhi që të na shlyhen kufijtë midis akademikut e rrugaçit, midis
intelektualit e kalit!? Sepse, edhe kali e qeni për disa muaj dresimi, do të
bënin mrekuallira dhe do t’iu duartrokiste publiku!
Ku janë anëtarët e Forumit të Intelektuaalëve Shqiptarë që e përkrahnin
dje, dhe ku janë stërvinat e Institutit Albanologjik që po e përkrahin sot!?!
Turp e ndot, sot e mot.
---------------------------
Lexoni e (mos) besoni!
MJERIMI I PROVINCIALIZMIT
Nga Rexhep Qosja
Marrë nga Gazeta Shqiptare
Më 27 gusht 2009, Gazeta
Shqiptare dhe gazeta Korrieri botuan reagimet e katër shkrimtarëve ndaj ligjëratës
sime të mbajtur në Seminarin XXVII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe
Kulturën Shqiptare, në Prishtinë. Përpos reagimeve të këtyre katër shkrimtarëve
- Besnik Mustafaj,
Diana Çuli, Ylljet Aliçkaj dhe Behar Gjoka, Gazeta Shqiptare i
paralajmëroi, me fotografi, edhe reagimet e shkrimtarit Nasho Jorgaqi dhe të
poetit e botuesit Bujar Hudhri, por reagimet e tyre në këtë numër të saj nuk i
pamë. Reagimin e këtyre katër shkrimtarëve e botoi shpejt edhe gazeta e
Prishtinës Koha ditore, por
e botoi me një titull të falsifikuar. Mendimin e Besnik Mustafajt:
në qoftë se është e vërtetë se Rexhep Qosja ka thënë se letërsia shqipe nuk e
ka arritur nivelin e letërsisë evropiane "atëherë duket se ai ka kohë që nuk lexon letërsi
shqiptare", gazeta Koha ditore e bëri mendim të të gjithë
shkrimtarëve shqiptarë: "Shkrimtarët shqiptarë vlerësojnë se Qosja ka kohë
që s'ka lexuar letërsi shqipe". Unë nuk besoj se falsifikimet e tilla
përbëjnë moralin e
gazetës Koha ditore, po të një gazetari që keqpërdor Kohën ditore për hesapet e
veta. Reagimi i katër shkrimtarëve të përmendur, Besnik Mustafaj, Diana Çuli,
Ylljet Aliçkaj dhe Behar Gjoka shkaktoi mandej baticë-kiç reagimesh në media dhe në forume të
ndryshme. Si shembull të këtyre reagimeve dua të përmend reagimin e kallakanxhës së
PDSH-së, e quajtur Miranda
Haxhia, e
cila me gjuhë të pistë e të shëmtuar, të ushtruar në klanet ku përket, shkruan për çka ia
arrin dora, por nuk ia arrin mendja servile! U turrën patriotët
e kafeneve ta mbrojnë letërsinë shqipe prej shkrimtarit dhe studiuesit të saj,
i cili për të ka bërë më shumë se të gjithë ata së bashku me të gjithë
paraardhësit e tyre, me të gjithë farefisin e tyre dhe me të gjithë punëdhënësit e
tyre! Në rastet më të shpeshta këto janë reagime të rrogëtarëve të
moçëm e të rinj të dy partive të të dy anëve; të rrogëtarëve të cilët për
shkencën letrare shqipe shkruajnë pa e pasur asnjë sprovë për letërsinë shqipe;
të cilët për letërsinë evropiane flasin pa dalë ende prej botës letrare të Zhyl
Vernit e të Elin Pelinit; të cilët për servilët e neveritshëm të diktaturave
gjykojnë si të ishin ende në fakultetin e Zhdanovit! Dhe, le të shkruajnë ashtu, le të
flasin ashtu dhe le të gjykojnë ashtu: nuk do të mbeten të pashpërblyer prej padronëve.
Reagime befasuese
Reagimet e shkrimtarëve Besnik Mustafaj, Diana Çuli, Ylljet Aliçkaj dhe Behar
Gjoka ishin për mua
befasuese. Dhe, ishin befasuese për disa arsye. E para, unë kam
mbajtur një ligjëratë dhe, siç thuhet në teoritë letrare dhe në retorikat
klasike të letërsisë, ligjëratat
u drejtohen atyre që i dëgjojnë, domethënë atyre që janë në sallë. E dyta, ajo ishte ligjëratë e folur,
e pashkruar, prandaj të gjitha interpretimet e saj në gazeta, në radio, në
televizion a në forume të ndryshme janë interpretime të gazetarëve. Ato nuk kanë autorizimin tim,
të dëshmuar me nënshkrimin tim, prandaj nuk mund të merren si paraqitje e saktë e mendimeve të mia. Siç mund ta dinë
reaguesit e përmendur ndaj ligjëratës sime, intervista që një vetje i jep një
gazetari çmohet intervistë e tij, e pranuar prej tij, vetëm kur autorizohet,
domethënë kur merr nënshkrimin e tij. E treta, Gazeta Shqiptare dhe gazeta
Korrieri, prej informatave të pesë gazetave të Prishtinës për ligjëratën time
morën vetëm informatën e gazetës Expres. Shkrimtarët Besnik Mustafaj, Diana
Çuli, Ylljet Aliçkaj dhe Behar Gjoka pranuan të reagojnë ndaj ligjëratës sime
duke marrë për bazë shkrimin e një gazetari, që artikullin e tij e fillonte me fyerje dhe me urrejtje për
ligjëruesin! Sikur reagimi i tyre të ishte i nxitur prej motivesh parimore letrare dhe
kulturore, atëherë fyerjet dhe urrejtja e gazetarit do të duhej t'i bënin të
dyshonin në saktësinë e pohimeve të tij.
Zhvillimi atipik i letërsisë kombëtare
Siç shihet prej reagimeve të tyre, katër shkrimtarët e përmendur nuk kanë
ndonjë dije për dukurinë historiko-letrare, që kam trajtuar në ligjëratën time.
Ka mbi 50 vjet që për zhvillimin atipik të disa letërsive kombëtare në Evropë
flasin historianë evropianë të letërsisë, midis të cilëve edhe komparatisti i
lavdishëm, Pol Van Tigem. Për këtë dukuri janë botuar edhe vepra të veçanta
historiko-letrare. Ata përdorin nocionet: zhvillim atipik, zhvillim i
shpejtuar, zhvillim i ngadalësuar, zhvillim i veçantë, zhvillim i letërsive të
popujve të pushtuar (në Perandorinë Otomane dhe në Perandorinë
Austro-Hungareze), e disa nocione të tjera.
Çka do të thotë zhvillim atipik, zhvillim i shpejtuar i një letërsie kombëtare?
Do të thotë se ajo letërsi, për shkaqe historike, për shkaqe se populli që e ka
krijuar nuk ishte i lirë, nuk kishte zhvillim të lirë shoqëror, politik,
kulturor, ekonomik, nuk do të arrijë t'i shprehë veçantitë themelore të
letërsive që janë zhvilluar në kushte normale historike. Për këtë arsye brenda
një periudhe letrare, fjala vjen brenda romantizmit a brenda realizmit, ajo do
të nxitojë të shprehë veçantitë ideore dhe stilistike të rrymave, shkollave e
formacioneve stilistike të ndryshme. Kështu, për shembull, në letërsinë tonë të
Romantizmit gjejmë veçanti të Renesansës, të Klasicizmit, të Iluminizmit, të
Realizmit; në letërsinë pasromantike, domethënë në letërsinë midis dy luftërave
botërore, gjejmë veçanti të Realizmit, të Romantizmit të Klasicizmit, të
Parnasizmit, të Simbolizmit, madje, edhe të Ekspresionizmit (te Migjeni). Është
e qartë: letërsia shqipe, si edhe letërsitë e popujve të pushtuar, nxiton t'u
afrohet dhe t'u shëmbëllejë letërsive të mëdha evropiane-franceze, italiane,
gjermane, angleze, duke shprehur brenda një periudhe veçantitë e disa rrymave, shkollave,
formacioneve stilistike, që në ato letërsi janë shprehur normalisht, në, si ta
themi, kronologji brenda një formacioni. Dhe kështu ka ngjarë në letërsinë
shqipe deri sot. Duke u përpjekur të shprehë përvojën krijuese evropiane,
letërsia shqipe bën përpjekje që të arrijë edhe nivelin artistik të letërsisë
evropiane, e kur thuhet të letërsisë
evropiane, mendohet në letërsitë e mëdha
evropiane: franceze, italiane, angleze, gjermane, spanjolle, ruse. Të mohosh
rëndësinë shkencore të një krahasimi të këtillë në studimet historiko-letrare,
siç bën njëri prej reaguesve, domethënë të mohosh një shkencë shumë të
rëndësishme: letërsinë krahasimtare. E gjithë kjo që them, besoj, tregon qartë
se ligjërata ime mbi zhvillimin atipik, domethënë të shpejtuar, të letërsisë
shqipe bazohet në një koncept, që unë nuk ia kam imponuar letërsisë, por që e
kam nxjerrë prej vetë veçantive të zhvillimit të saj. Dhe, ky koncept flet në
favor të vetëdijes krijuese të krijuesve të kësaj letërsie: ata do të donin ta
bëjnë letërsinë shqipe si letërsitë e mëdha evropiane,
jo vetëm për nga rrymat, shkollat, formacionet stilistike, por edhe për nga
nivelit artistik. Por, nuk do të arrijnë. E kuptueshme. Thuhet se shekulli
XVIII ishte një shekull i mjerë politik e shoqëror në historinë gjermane, por
në atë shekull populli gjerman krijoi letërsi të madhe dhe filozofi të madhe. Mjerimi politik,
shoqëror, ekonomik i gjermanëve në atë shekull ishte mjerim që nuk e pengonte
krijimtarinë; mjerimi
ynë politik, shoqëror, ekonomik deri në ditët tona ishte, ndërkaq, i veçantë
dhe ishte pengues për krijimtarinë. Po shohim se, në një mënyrë,
pengues është ky mjerim edhe sot. Siç shihet, në ligjëratën time unë kam folur
jo për vlerat evropiane - se togfjalëshi vlera evropiane ka kuptime të ndryshme,
por për nivelin
evropian të letërsisë shqipe. Dhe, kam thënë: këtë nivel artistik, estetik, të
letërsisë evropiane, letërsia shqipe
ende nuk e ka arritur. Pikërisht,
ky pohim i ka nxitur katër shkrimtarët e sipërpërmendur të reagojnë bashkërisht
kundër meje.
Mustafaj dhe krahasimi mes Londrës e Librazhdit
Shkrimtarët Besnik Mustafaj, Diana Çuli, Ylljet Aliçkaj, Behar Gjoka pohojnë se
letërsia shqipe ka arritur nivel artistik evropian. Besnik Mustafaj është aq
zemërgjerë ndaj meje, saqë edhe romanin tim Vdekja më vjen prej syve të tillë e shpall
roman të nivelit artistik evropian. Por, mua nuk më duhet ky kompliment i tij i
pavërtetë. As romani Vdekja më vjen prej syve të tillë, as romanet e mi të
tjerë, që vetë mendoj se janë më të mirë se ai, nuk kanë vlerë letrare
artistike të nivelit evropian. Jo. Nivelet letrare artistike evropiane, nivelet
shkencore dhe filozofike evropiane, besoj se i njoh pak a shumë. Gjithë jetën kam punuar që t'i
njoh.
Niveli letrar evropian, fjala vjen, është niveli, që kanë caktuar Eskili,
Dante, Servantesi, Shekspiri, Monteskie, Volteri, Didroja, Rusoi, Rasini,
Molieri, Gëteja, Shileri, Shatobriani, Manconi, Balzaku, Hygoja, Dikensi,
Floberi, Bodleri, Tolstoji, Dostojevski, Prusti, Xhojsi, Kafka, Niçeja, Herman
Brohu, Muzili. Niveli letrar evropian është njëkohësisht niveli që sot caktojnë
Kamyja, Tomas Mani, Sartri, Margarit Jursenar, Gynter Grasi, Umberto Eko, Hoze
Saramago, Salman Rushdi, Mishel Furnie, Zhan d'Ormeson... Kënaqësinë e
jashtëzakonshme që më sjell leximi i veprave të tyre,
vazhdimisht ma përcjell një shqetësim i madh: sa modeste janë veprat e mia në krahasim me ato të tyre! Sa modeste është letërsia
shqipe në krahasim me letërsinë që kanë krijuar dhe krijojnë ata!
Njohësi i letërsive të mëdha evropiane dhe i letërsisë shqipe do të mund të
thoshte: të krahasosh, për nga vëllimi dhe për nga cilësia letërsinë shqipe me
letërsinë franceze, gjermane, angleze, italiane është si të krahasosh, për nga
madhësia dhe për nga vlera arkitekturore, Librazhdin me Londrën, si të krahasosh Lipjanin me
Parisin! Por, për Besnik Mustafajn, Diana Çulin, Ylljet Aliçkajn dhe
Behar Gjokën nuk është ashtu. Prej reagimit të tyre del se për ta Librazhdi është si Londra, kurse
Lipjani si Parisi. Dhe, le të kënaqen me të vërtetën e tyre: se Librazhdi
dhe Lipjani janë si Londra dhe Parisi. Ajo është kënaqësia e tyre dhe ajo është shija e tyre.
Aliçkaj dhe diferenca
me shkrimtarët e Ballkanit
Si dëshmi se letërsia shqipe paska arritur nivelin artistik evropian, që kanë
përcaktuar krijuesit e mëdhenj të popujve të mëdhenj të Evropës, si Eskili,
Dante, Shekspiri, Gëte reaguesit ndaj ligjëratës sime marrin shembull
përkthimet e Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Fatos Kongolit, Bashkim Shehut
dhe të dy poetëve. Dhe, kështu karshi nivelit të Eskilit, Dantes, Shekspirit
dhe Gëtes qëndron niveli i Ismail Kadaresë, i Dritëro Agollit, i Bashkim Shehut
dhe i Fatos Kongolit! Bukur! Prozatori dhe diplomati Ylljet Aliçkaj thotë se
"shkrimtarët shqiptarë janë më të përkthyer e të pëlqyer se shkrimtarët
maqedonas, serbë e boshnjakë, domethënë se shkrimtarët e Ballkanit në Francë,
gjë të cilën unë e di mirë". Megjithëse, siç shihet, Ylljet Aliçkaj e
zbret një çikë më poshtë nivelin e letërsisë shqipe, prapë nuk mund të thuhet
se thotë gjithë të vërtetën. Ballkanin e përbëjnë edhe grekët, turqit,
bullgarët, rumunët, malazeztë dhe kroatët, të cilët hidhërohen pa masë kur u
thuhet se i takojnë Ballkanit! Po të dinte, vërtet, se kush përkthehet e kush
lexohet në Francë dhe në Evropë nga shkrimtarët e Ballkanit, Ylljet Aliçkaj do
të na jepte disa të dhëna të tjera. Dhe, do të na thoshte, fjala vjen, se
letërsia greke, letërsia rumune, letërsia bullgare, letërsia serbe, letërsia
kroate janë shumë shumë, më të përkthyera se letërsia shqipe në Evropë,
ndonjëra prej tyre tridhjetë, ndonjëra njëqind e ndonjëra, ndoshta, treqind për
qind më të përkthyera se letërsia shqipe. Le të kërkojë informata në internet!
Do t'i gjejë. Dhe, pse të mos jenë më të përkthyera? Janë më të pasura, kanë tradita më të gjata, në përgjithësi janë më të zhvilluara se
letërsia jonë.
Në Serbi e në Kroaci sot ka shumë shkrimtarë të cilëve çdo roman që botojnë në
gjuhën kombëtare u përkthehet shpejt në disa gjuhë evropiane. Drama të autorëve
serbë e kroatë shfaqen në teatrot e Francës, të Austrisë, të Gjermanisë.
Regjisorë serbë e kroatë, madje, edhe regjisore kroate, përgatisin shfaqje në
teatrot e disa vendeve evropiane. Prania e letërsive serbe e kroate dhe e
krijuesve serbë e kroatë në Evropë, iu detyrohet jo vetëm lidhjeve të trashëguara e të reja të
vetë krijuesve serbë e kroatë, po edhe shteteve të tyre. Kështu, për shembull,
ambasada e Serbisë në Paris boton revistë mujore në gjuhën franceze me shkrime
letrare e shkencore të autorëve serbë. Ministria e Kulturës e Serbisë ka
komisionin e përbërë prej shkrimtarëve, studiuesve të letërsisë dhe
historianëve të cilët bëjnë përzgjedhjen e veprave letrare e shkencore të cilat
do të përkthehen në gjuhë të huaja, natyrisht të financuara prej asaj
Ministrie. Ç'bëjnë
ministritë tona të kulturës? Ministria e Kulturës e Kosovës financon botimin e
kiçit zbavitës muzikor dhe festivalet e kiç miseve, por jo përkthimin e veprave
letrare e shkencore që meritojnë të përkthehen!
Diana Çuli dhe harta e
përkthimit
Nuk mund ta përfundoj këtë përgjigje në reagimet e Besnik Mustafajt, Diana
Çulit, Ylljet Aliçkajt dhe të Behar Gjokës, pa e cituar një mendim të Diana Çulit për
kriteret "që diçka me vlerë letrare të quhet vlerë evropiane". Ja
ç'thotë ajo: "Kriteri më i përhapur, më popullor dhe më i pranuar është ai
i çmimeve prestigjioze që jepen nga juritë e ndryshme në Evropë, si dhe kriteri
i përkthimeve në sa më shumë gjuhë që fliten në kontinentin evropian". Mos
do të thotë kjo se përkthimet në gjuhët e popujve të Azisë dhe të Afrikës nuk
mund ta përcaktojnë vlerën e veprave letrare! Nuk dua ta supozoj përgjigjen e
Diana Çulit! Ç'thotë Diana Çuli më tej? Thotë: "Një vlerë tjetër e pranuar
gjerësisht është kontributi që një letërsi e një vendi të caktuar i jep në
përgjithësi zhvillimit kulturor të Evropës (si letërsia franceze, angleze
etj.), që ngre ura komunikimi midis popujve, që shpie përpara procesin e
integrimit kulturor, që shpalos ide të reja përparuese për njerëzimin".
Po, t'i lëmë anash formulat socrealiste, që vazhdojnë të jetojnë edhe njëzet
vjet pas rënies së komunizmit në kokën letrare dhe politike të koleges sime,
Diana Çulit, dhe jo vetëm të Diana Çulit e të shohim ç'flasin për ne kriteret e
saj.
Mjerimi i provincializmit
Prej këtyre kritere të Diana Çuli dhe të bashkëreaguesve të saj, duhet të nxjerrim përfundimin se një vepër letrare, një vepër
shkencore a një vepër filozofike, e shkruar në gjuhën shqipe, ka vlerë letrare,
shkencore a filozofike kombëtare dhe evropiane vetëm në qoftë se të tjerët e
çmojnë si vlerë, e përkthejnë dhe e shpërblejnë me çmime, medalje, dekorata,
tituj të ndryshëm autorin e saj! Sipas kësaj logjike nuk është e
rëndësishme çka mendon
ti vetë për ato vepra dhe për krijuesit e tyre; e rëndësishme është
çka mendojnë dhe çka thonë ata, të tjerët, ata prej të cilëve varet edhe
shumëçka në shtetin tënd! Provincializmi
nuk ka brirë!
Mjerimi i provincializmit më së qarti tregohet e përcaktohet kur ti për
veten mendon vetëm si mendojnë ata, të tjerët, për ty! Ti do të
çmosh veten vetëm nëse do të çmojnë ata! Mjerimin e provincializmit e tregojnë
po aq qartë edhe: lutjet
për të marrë çmime; edhe këngët që shoqërojnë marrjen e këtyre
çmimeve; edhe vajtimet kur nuk të jepen çmimet me gjithë lutjet. Dhe, kjo komedi po ndodh shpesh në jetën tonë! A ka
nevojë të thuhet se ky provincializëm është tepër fyes për kulturën në të cilën
ngjet kjo.
Historia i përgënjeshtron keq kriteret që kanë frymëzuar Diana Çulin, Besnik
Mustafaj, Ylljet Aliçkajn dhe Behar Gjokën, të reagojnë ndaj mendimit tim se letërsia shqipe
nuk e ka arritur ende nivelin artistik të letërsisë evropiane. Historia e
përgënjeshtron fort edhe pohimin e tyre se vlerat artistike janë përcaktuese të përkthimit të një
letërsie në gjuhë të tjera. Autorët më të përkthyer e më të lexuar
sot në botë janë autorët e romaneve pornografike, erotike, kriminalistike,
politike, dhe të asaj që quhet letërsi triviale. Kush nuk e di tashmë se shkrimtarët e
letërsive të vogla, kryesisht, nuk përkthehen në letërsitë e mëdha për shkak të
vlerës së tyre artistike, por
për arsye të tjera.
Ato duan prej nesh vlera të tjera: "vlera" politike,
"vlera" ideologjike; "vlera" fetare. Dhe, do
"vlera" të tjera.
Pse përkthehet Ismail Kadare
Reaguesit ndaj ligjëratës sime, Besnik Mustafaj, Diana Çuli, Ylljet Aliçkaj dhe
Behar Gjoka si shembull me të cilin do të donin të mohonin pohimin tim në ligjëratën e mbajtur
përmendin Ismail Kadarenë. Unë nuk mund ta di a mendojnë ata, vërtet, ashtu siç
flasin për arsyet e përkthimit të veprave të Ismail Kadaresë në disa gjuhë. Unë mund të them vetëm çka mua
më obligojnë të them kriteret e mia letrare artistike dhe përgjegjësia ime
shkencore dhe morale historiko-letrare. Dhe, e para që mund të them
për këtë çështje është kjo: nuk është vlera artistike e veprave të Ismail Kadaresë arsyeja kryesore
që përkthehen ato. Shumica e veprave të tij janë vepra me frymëzime politike
dhe ideologjike, prandaj edhe me vlerë artistike shumë më modeste se ç'na është
dukur dikur.
Më tej: veprat e tij
janë vepra të shkruara në mënyrë anakronike dhe i takojnë, si botëkuptim dhe
teknikë krijuese, realizmit socialist - disa dhe realizmit tradicional - disa
të tjera. Ato janë rrëfime për njerëz a ngjarje historike e jo vizion i botës
dhe analizë e jetës - çka thuhet se është letërsia moderne. Domethënë: arsyeja
fillestare dhe e vazhduar e përkthimit të veprave të tij ishte politike dhe
ideologjike. Dhe, kjo arsye ishte e atyre që i botonin të përkthyera dhe i
atyre që donin që të përktheheshin. Pse them kështu? (vazhdon neser)
Nga Rexhep Qosja
Marrë nga Gazeta Shqiptare
(…vijon nga numri i kaluar)
Ashtu siç e kanë nxitur
dhe, në disa raste, frymëzuar Stalini e Krushçovi përkthimin e veprave të
Shollohovit, të Fadjejevit, të Fedinit, të Katajevit, të Leonovit, e të disa
shërbëtorëve të tjerë letrarë për nevojat e tyre politike ndërkombëtare, ashtu
edhe Enver Hoxha e ka nxitur dhe, disa bashkëkohës thonë, financuar përkthimin e
veprave të Kadaresë në frëngjisht. Ai donte t'i tregonte Evropës dhe
botës, edhe me gjuhën letrare të një shkrimtari, se Shqipëria ishte ajo
kështjella e pamposhtur e stalinizmit,
që do t'i qëndrojë trysnisë së revizionistëve sovjetikë dhe të imperialistëve
amerikanë. E Ismail Kadare atë qëllim ia përmbushte me veprat e tij dhe me
publicistikën e tij. Para rënies së komunizmit, Franca ia përkthente veprat
atij, por nuk e shpërblente me çmime autorin e tyre. Stalinizmi i Ismail Kadaresë ishte tepër
komprometues për çdo institucion që do ta shpërblente me çmime. Sot, Ismail
Kadare është i vetmi shkrimtar i një vendi ish- komunist, që jetën e vet
politike dhe veprën e vet letrare dhe publicistike e kishte vënë në shërbim të diktaturës, i
cili po shpërblehet me çmime e me tituj nga disa institucione e qarqe të huaja.
Pse e përkthejnë dhe pse e shpërblejnë sot? Për rolin e tij prej demokrati në
kohën e diktaturës? Si e thanë shpërblyesit spanjollë. Jo. Arsyeja është më e sofistikuar. Nuk e dinë
shpërblyesit kush ishte Ismail Kadare? Megjithëse ai po gënjen sa po mundet dhe
ku po arrin për të kaluarën e vet politike dhe për frymëzimet e qëllimet e disa
veprave të veta, është naivitet të besohet se ata, shpërblyesit, nuk e dinë
kush ishte ai. Është naivitet të mendohet se ata nuk e dinë se ai ishte pjesëtar i
nomenklaturës komuniste; se ishte
deputet në Kuvendin e Republikës Popullore të Shqipërisë; se ishte nënkryetar i
Frontit Popullor të Shqipërisë, kryetare e të cilit ishte Nexhmije Hoxha; se
romani Dimri i vetmisë së madhe është jetëshkrim politik i Enver Hoxhës dhe
himnizim i figurës së tij politike e shtetare në historinë shqiptare; se romani
Dasma është jehonë politike dhe ideologjike e revolucionit kulturor kinez dhe
ftesë letrare për zbatimin e tij në Shqipëri; se me poema dhe me vjersha
glorifikonte Partinë e Punës dhe diktaturën komuniste, luftën e klasave dhe
revolucionet socialiste në historinë botërore; se mbi tridhjetë vjet ishte ideologu i
realizmit socialist, të cilin për herë të fundit do ta mbrojë në vitin 1989,
duke luajtur kështu rolin e komisarit në kulturë; se në vazhdimësi shkruante
kundër kapitalizmit dhe, si thoshte, imperializmit amerikan; se mbante
ligjërata në Universitetin e Tiranës mbi realizmin socialist si doktrinë
letrare e amshueshme dhe mbi dekadentizmin e artit perëndimor; se me mosdurim
dhe përbuzje shkruante për
fenë dhe, në mënyrë të veçantë, për klerin katolik. Si është e
mundshme që një shkrimtari me jetëshkrim të tillë politik, me jetëshkrim aq të padenjë,
aq të dënueshëm për një krijues, me jetëshkrim të vënë në shërbim të një ideologjie - të ideologjisë
leniniste - staliniste dhe të një diktature - të diktaturës totalitare komuniste,
të dënuar nga të gjitha vendet demokratike në botë, t'i jepen sot çmime në emrin e demokracisë?
Si është e mundshme që një shkrimtar i tillë politik, numri më i madh i prozave
të të cilit janë traktate politike dhe ideologjike me vlera të pakta artistike, të
rehabilitohet aq lehtë prej atyre që kanë shpenzuar aq shumë energji
intelektuale dhe kanë bërë aq shumë shpenzime materiale për të përmbysur atë
ideologji dhe atë politikë në Evropë? Është e mundshme! Gjeniu i servilizmit, i
puthakëmbëve, i dinjitetit të përulur intelektual para çdo regjimi, Ismail
Kadare, e ka gjetur edhe tani mjetin siç e kishte gjetur në kohën e diktaturës,
me të cilin e bën të mundshëm këtë rehabilitim, në të vërtetë këtë shpërblim. Dhe, ky mjet është ideologjia.
Në kohën e diktaturës, siç u theksua, kjo ishte ideologjia marksiste-leniniste
e versionit stalinist, që e sundonte Shqipërinë dhe Evropën Lindore. Ismail
Kadare i shërbente përtokas asaj ideologjie dhe ajo e shpërblente: me pozita,
me tituj, me dekorata, me pasaportë diplomatike, me të gjitha privilegjet e
mundshme. Në kohën e demokracisë kjo është ideologjia fetare. Ismail
Kadare tani po i shërben kësaj ideologjie, duke përbuzur islamin dhe duke
frymëzuar islamofobinë, në njërën anë, kurse duke propaganduar kthimin në
"fenë e të parëve" të pesë milion shqiptarëve të besimit islam në
Ballkan, në anën tjetër. Dhe, kjo ideologji fetare po e shpërblen. Qarqeve
konservative evropiane që Evropën e imagjinojnë si kështjellë të krishterimit,
zëdhënës i të cilave është kryeministri i sotëm italian (delikuenti, si e
quajti Hoze Saramago), Silvio Berluskoni, nuk u intereson kush ishte dhe kujt e
çkaje i shërbente Ismail Kadare: kryesore për ta është se Ismail Kadare sot shërben mirë,
përulshëm dhe mund të përdoret si Kalë Troje për atë që këto qarqe dëshirojnë
të arrijnë ndër shqiptarët! Dhe, kjo ideologji e ka bërë të mundshëm
rehabilitimin e Ismail Kadaresë edhe në Shqipëri, madje, edhe te kleri katolik
shqiptar! Dhe, pse të mos e bëjë. Shqipëria është i vetmi vend ish-komunist i cili prej përmbysjes së
komunizmit sundohet prej komunistëve, në të vërtetë prej stalinistëve të konvertuar
me gojë, po jo me mentalitet politik. Edhe sot, njëzet vjet pas
rënies së komunizmit, Shqipëria është i vetmi vend ish-komunist, që e sundon
ish-sekretari i Partisë e kjo domethënë ish-bashkëpunëtori i Sigurimit të
Shtetit. Shqipëria është i vetmi vend ish-komunist në të cilin shpërblehet,
festohet, privilegjohet në radhë të parë shkrimtari, të cilin e shpërblente, e
festonte dhe e privilegjonte si zëdhënës të vetin diktatura komuniste!
Shqipëria është i vetmi vend ish-komunist, në të cilin asnjë viktimë e
diktaturës nuk ka arritur të krijojë karrierë politike. Shqipëria është sot i vetmi vend
ish-komunist në të cilin ish-sekretari i organizatës themelore të Partisë së
Punës së Shqipërisë luan me të përndjekurit dhe me ish-të burgosurit politikë
si me lecka. Dhe, le të luajë kur e lejojnë! Dhe, e votojnë! Dhe,
Kosova është i vetmi vend ish-komunist në të cilin ish-zëdhënësi i Komitetit
Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë në Kosovë dhe ish-drejtori i
Radio-Televizionit të Prishtinës, pas vitit 1981, kur rinia dhe inteligjencia
shqiptare përndiqej e masakrohej prej regjimit të paraardhësve të Millosheviçit
e, pastaj, të Millosheviçit, mbahet qe tetë vjet drejtor i institucionit më të
rëndësishëm politik dhe informativ në Kosovë; i vetmi vend ish-komunist ku
zyrtarë të ndryshëm të kohës së Millosheviçit bëhen zyrtarë, diplomatë,
gjykatës të Republikës së Kosovës! Po, nuk janë këto patologjitë e vetme, as më të
mëdhatë të demokracisë
sonë primitive, të ndotur dhe të korruptuar. Sikur shoqëria shqiptare të mos
ishte e prapambetur siç është, sikur shoqëria shqiptare të mos ishte shoqëri në
krizë të rëndë shpirtërore dhe morale ajo, jo që nuk do të rehabilitonte Ismail
Kadarenë dhe të tjerë me jetëshkrim politik të ngjashëm me të tijin (megjithëse
me jetëshkrimin e tij nuk krahasohet jetëshkrimi i asnjë tjetri), por do të
kërkonte llogari politike dhe morale prej tij. Sikur shoqëria shqiptare të mos ishte e prapambetur siç
është, sikur shoqëria shqiptare të mos ishte në krizë të rëndë shpirtërore dhe
morale siç është, inteligjencia shqiptare jo vetëm se nuk do të rehabilitonte
Ismail Kadarenë dhe ismailkadarenjtë e tjerë, por do të mënjanonte njëherë e
përgjithmonë modelin e mendimit dhe të sjelljes së tij të pamoralshme
intelektuale, në të cilin model janë të përmbajtura: gatishmëria e shërbimit
ndaj çdo regjimi, servilizmi, hipokrizia bizantine, përdorimi i çdo mjeti për
të arritur qëllimin, trysnia staliniste ndaj mendimit ndryshe, rrena,
mashtrimi, intriga e të këqija të tjera. Sikur shoqëria shqiptare të
mos ishte e prapambetur
siç është, sikur shoqëria shqiptare të mos ishte në krizë të rëndë shpirtërore dhe
morale siç është, sikur prej jetës intelektuale të kësaj shoqërie të ishte
mënjanuar modeli i mendimit dhe i sjelljes alla Ismail Kadare, atëherë nuk do
të ndodhnin as reagime në të vërtetë trysni kooperativiste ndaj mendimit
ndryshe, siç është reagimi i Besnik Mustafajt, Diana Çulit, Ylljet Aliçkajt dhe
Behar Gjokës ndaj një fjalie të Rexhep Qosjes, së cilës ata nuk janë aq të
padijshëm që të mos i besojnë, që është reagim tipik për stalinizmin dhe për
fashizmin. Dhe, ta përfundoj këtë përgjigje. Sikur shoqëria shqiptare të mos
ishte e prapambetur siç është, sikur shoqëria shqiptare të mos ishte në krizë
të rëndë shpirtërore dhe morale siç është, sikur demokracia shqiptare të mos
ishte primitive, e ndotur dhe e korruptuar siç është, sikur kjo demokraci të
mos ishte e sunduar prej ish-sekretarit të partisë, domethënë prej ish-stalinistit, atëherë
inteligjencia jonë, e me ta edhe Besnik Mustafaj, Diana Çuli, Ylljet Aliçkaj
dhe Behar Gjoka do ta shihnin gjendjen tonë shoqërore, politike, kulturore,
letrare, shkencore, urbane siç është në të vërtetë dhe nuk do të mashtronin
veten e popullin me iluzione mbi nivelet tona të paqena letrare artistike,
shkencore, demokratike e të tjera gjoja evropiane. Se, siç dihet, vetëm ata që
e shohin gjendjen siç është, realisht, objektivisht, dinë çka të bëjnë dhe si
të bëjnë që këtë gjendje ta ndryshojnë, ta përmirësojnë e ta çojnë përpara: që
këtë gjendje ta bëjë gjendje vërtet evropiane.