Shpëtim Kodra: E lehtë është të kritikosh...
| E hene, 07.09.2009, 06:29 PM |
E lehtë është të kritikosh..Nga Shpëtim KODRA..e vështirë është të vlerësosh Në vijim të debatit për “Pashallaret e kuq” të KadaresëPër
krijuesit e mëdhenj klasikë gjithnjë flitet e shkruhet. Edhe Kadareja
nuk bën perjashtim. Si shkrimtar i madh i një vendi të vogël, i
vlerësuar si “Nderi i kombit”, i vetmi shkrimtar shqiptar me reputacion
botëror(Anëtar i Akademisë së Shkencave Morale të Francës), ai ka
krijuar një univers të vërtetë letrar, duke lëvruar me sukses gjinitë e
ndryshme e duke shtuar përsëri vepra të reja, të bukura e të
frymëzuara, që rrokin probleme madhore për të gjitha kohët e jo vetëm
për vendin tonë, por për mbarë njerëzimin.Vepra e Kadaresë ka emëtuar
kurdoherë vlera të rralla ideore e artistike dhe, duke i rezistuar
kohës, ka shërbyer, shërben e do të shërbejë si një ushqim i vyer
shpirtëror për lexuesit e panumërt. Krijimtaria e tij, ende në proces,
ia ngre vlerat kombit tonë, duke e integruar në Evropë nga pikëpamja
letrare–kulturore,
duke na dhënë krenari e duke na përmirësuar më tej imazhin, krahas me
vlerat në fushat e tjera. Edhe në kohën e diktaturës çdo vepër e tij e
re shënonte një ngjarje, veçanërisht për ne mësuesit e letërsisë që e
komentonim me mjaft kënaqësi, siç komentonim edhe klasiket e letërsisë
botërore. Si modele të shkëlqyera në punën tonë na kanë shërbyer edhe
analizat shkencore, si dhe vlerësimet e tij estetike për perlat e
folklorit tonë apo për autorët e mëdhenj si Eskili, Migjeni, Poradeci,
etj.Vepra
e tij nuk i përfillte parimet dogmatike të realizmit socialist (kredon
e besimit totalitar në art, ”meteodogmatizmin”- siç e quante ai) që
kërkonin ta paraqitnin realitetin e shëmtuar si parajsë ideale, prandaj
duhej të ndeshej shpesh me institucionin e pamëshirshëm totalitar të
censurimit të fjalës së lirë. Do të mbijetonte falë talentit të rrallë
që e dallonte si individualitet nga të gjithë krijuesit e tjerë, duke
përdorur simbolikën, mitet, legjendat, apo transplantimin e ngjarjeve
në kohë e vende të ndryshme, për të aluduar te diktatura. Parapëlqente
temën e autoktonisë dhe qëndresës së popullit tonë të lashte e vital.Që
në fillimet e krijimtarisë si student në Moskë ai e dëshmoi
antikonformizmin e tij. Disponoj në rusisht librin e tij të parë me
poezi “Lirika” (1961),në parathënien e të cilit kritiku David Samoillov
shkruante: “Kadare-poet qytetar. Poezia e tij përfaqëson rritjen
kulturore në RPSH. Në vargjet e tij ndjehen gjurmët e modernizmit.
Është një poezi e mjegullt, e ndërlikuar, me ndikim perëndimor”. Për
t’u afirmuar i duhej të rrezikonte që në hapat e parë si krijues
kurajoz. Edhe romani “Qyteti pa reklama”, i nisur në Moskë, përveç disa
fragmenteve të kritikuara, u botua i plotë vetëm pas 4O vjetësh.Përplasjet
e forta me instrumentet e diktaturës për “Përbindshin”, “Dimrin e madh”
apo “Nëpunësin e pallatit të ëndrrave” do të vijonin në forma të tjera
edhe për veprat e tjera të tij. Ndërsa “Gjenerali”, hapi dhe hapja e
parë drejt Evropës, edhe pse u prit ftohtë nga kritika zyrtare, i solli
fat dhe emër.Kritikat
ndaj Kadaresë kanë qenë të shumta e të vazhdueshme. Problemet ishin më
të rënda veçanërisht kur trajtonte temën aktuale. Kritikohej për mohim
të “sukseseve” të jetës socialiste, për dobësim të luftës së klasave,
për mungesë të heroit pozitiv etj. Socrealizmi kërkonte pasqyrimin e
një realiteti jo real.Të
çuditshme, të papranueshme e të pajustifikueshme duken kritikat e sotme
në sensin e kundërt. Në kohën e diktaturës anatemohej si i ndikuar nga
borgjezia, ndërsa sot si komunist. Si komb i vogël ne kemi nevojë për
figurat e mëdha. Por për ironi e absurditet synohet që edhe Skënderbeu
të ulet nga piedestali i lartë. Huniadia as mund të krahasohet me
përmasat e pakufishme të pasqyrimit të Skënderbeut në literaturën
botërore. Kadareja ka mjaft armiq, shumica vendas. Kundër Kadaresë janë
bërë edhe përpjekje që të mos e marrë çmimin “Nobel”, ndërkohë që është
arritur të propozohet për atë cmim Diana Culi, e cila nuk e meriton, as
si shkrimtare dhe as si qytetare, pasi ka denoncuar poetët V. Blloshmi
e G. Leka që u pushkatuan.Padrejtësisht
e në mënyrë të paskrupullt është ndërhyrë edhe në jetën familjare të
Kadaresë, edhe pse e ka ruajtur gjithnjë integritetin e tij moral. Dhe
të tilla ndërhyrje jepen në faqe të parë gazete, ku shohim shpesh edhe
fytyrat e urryera të E. Hoxhës, të së shoqes apo të klanit të tyre.
Lidhur me abuzimet me karakter politik, Kadareja ka thënë: “Gjithë bota
shqiptare ka nevojë për një pastrim të brendshëm. Bllokimi i procesit
të pastrimit të kombit është fatal për të ardhmen. Ai çon në
gangrenizimin dhe rrezikun e përsëritjes së të keqes, në mbetjen jashtë
të Shqipërisë ndaj zhvillimeve të demokracisë evropiane”. Ai ka kërkuar
transparencë që të realizohet katarsisi social nëpërmjet hapjes së
dosjeve, madje edhe të atyre të LSHA. Dosja “Kadare” u botua.Në
vendet e Lindjes janë hapur dosjet në përgjigje të kërkesës së BE dhe
asgjë tragjike s`ka ndodhur. Pesha e të kaluarës komuniste nuk duhet të
rëndojë më mbi të sotmen e të ardhmen. Dosjet duhen hapur. Po nuk u
hapën dosjet, do të vazhdojnë të përhapen shpifjet, të cilat përpunohen
e serviren kryesisht nga goja e ish persekutorëve komunistë e sigurimsa
apo bijve të tyre që ligjërojnë e shkruajnë si “demokratë” agresivë.
Kjo situatë pritjeje e pajustifikuar i lejon të pamoralshmit, dhunuesit
mizore të të drejtave themelore njerëzore të vazhdojnë edhe sot, në
kushte e me forma të reja punën e etërve: denigrimin e njerëzve të aftë
e të ndershëm, madje edhe nga familje të njohura antikomuniste. Kadare:
“Spiunët e djeshëm, dështakët, smirëzinjtë përpiqen të prishin vlerat,
të kthejnë kryengulthi parimet e gjithçka të shenjtë të kombit”. Ndien
neveri e dhembje sot në kohën e demokracisë, kur killera mediatikë
sajojnë intriga e shpifje të ndyra dhe përmendin numra dosjesh fiktive,
të sajuara për intelektualë demokratë të njohur, të cilët preferojnë
heshtjen, jo se u mungon kurajoja, por sepse u duket e panatyrshme të
futen në lojën e mashtruesve ordinerë. Dhe toleranca shpërblehet kështu
me djallëzi, poshtërsi e cinizëm. Populli thotë: “Shpifësit janë
gjakpirës”. Ndërsa Hygoi: “Të ligjtë kanë një lumturi të zezë”.Liri
e shtypit nuk do të thotë dezinformim, nxirje e së vërtetës apo helmim
i opinionit publik. Ligji i lustracionit ende nuk ka dalë. E pra këta
që e bëjnë vetë ligjin, në emër e për llogari të kujt veprojnë? Kush i
autorizon apo financon, duke i përdorur si vegla që vjellin vrer,
urrejtje e mediokritet, duke rritur reputacionin e vet negativ. Por,
siç thotë Shekspiri, “edhe i pastër si kristali, apo i bardhë si bora
të jesh, nuk u shpëton dot shpifjeve”. Edhe në rastin e Kadaresë vlen
shprehja se “sa më i lartë të jetë lisi, aq më fort e rrahin erërat”.Shkak
për këtë shkrim timin u bë një artikull i para pak ditëve me titullin
në faqe të parë të një gazete “Sherr për Kadarenë”, ku poezia
“Pashallarët e kuq” e Kadaresë cilësohej si “poezi pa ide, e
parealizuar artistikisht e që shpreh vetëm servilizëm!?” Për atë poezi
janë dhënë vetëm sentenca kundërthënëse. Ndërsa Sh. Sinani flet për
zhdukjen dhe zbulimin e vonë të poezisë së “gjeneralit te letrave”. E
vetmja analizë e plotë ideore jepet në librin e Maks Velos, që do t’ia
rekomandoja ta lexonte edhe artikullshkruesi i mësipërm.Unë
kam tentuar të zhvilloj një analizë ideoartistike të argumentuar, pa
pretenduar një kritikë të mirëfilltë, duke menduar se mund t’u shërbeje
sadopak të interesuarve. Për këtë poezi që u hoq nga botimi në një
mesnate tetori të vitit 1975, M. Velo shkruan: “Mosbotimi i saj ishte
një ngjarje e dhunshme, një krim letrar që la një vakuum”. Dihet që
krimi më i madh i tiranisë është shtypja e mendimit. Për këtë poezi
autori u detyrua të bënte një autokritikë hipokrite: “Kam kryer gabimin
më të rëndë ndaj partisë, kam dëmtuar revolucionin, kam bërë një
atentat ndaj diktaturës së proletariatit”. Poezia ishte një marsh
funebër për komunizmin.Diktatori
e kuptoi nëntekstin e poezisë, e ndjeu se “servilizmi” ndaj figurës së
tij në fund ishte një mjet për të arritur qëllimin, për të mbuluar
mesazhin e vërtetë. Kadareja vetë thotë: “Në regjimet diktatoriale
shkrimtari paguan një taksë për të shkruar të vërtetën, sidomos kur ajo
ëshëe delikate”. R. Alia do ta quante poezinë “një akt armiqësor, një
trakt të zi kundërrevolucionar dhe thirrje për rebelim”. Ndërsa në
nëntor 2OO1 N. Hoxhës, që do ta quante “hipokrit”, Kadareja do t`i
përgjigjej: “Njeriu duhet të jetë i çiltër me homologun e vet, njeriun,
por jo me bishën e egër”. Dhe në poezinë “Tirana në dimër” do të
shkruante më pas: “Rrethi i nëntë po mbushet / ka mbetur një vend veç
për Zonjën e Zezë”. Është fjala për ferrin dantesk.Në
analizën e fshehtë të poezisë “Pashallarët e kuq” D. Agolli do të
thonte: ”Kjo është një vjershë kundërrevolucionare, armiqësore,
shpifëse. Edhe vepra të tjera të tij kanë mjaft të meta ideologjike. Ka
te Kadareja rënie ideore e artistike (kujtoni cilësimin e mësipërm). Ai
nuk e njeh marksizmin dhe vijën e partisë, por e zëvendëson atë me
teori eklektike, anarkiste, oportuniste, dekadente, objektiviste e
subjektiviste. Nuk e njeh jetën e nuk do ta njohë. Ai kujton se heroi
pozitiv e prish artin, e bën agjitativ, prandaj e ironizon etj. Vjersha
më duket si një trakt antiparti. Ai ka paraqitur një shoqëri të sëmurë
plot llahtarë e të kobshme, që nuk mund të shërohet”.Kadareja
i madh ish kryetarin e LSHA që e dënonte aq rëndë, sot e ka falur,
madje e vlerëson sa duhet si krijues. Kadareja ish përkthyer jashtë
shtetit. Ishte më i njohuri në Shqipëri. Ishte edhe deputet. E. Hoxhës
i leverdiste ta nënshtronte, ta fuste në vathë, gjë që nuk e arriti
kurrë.Titullin
“Pashallarët e kuq” poezisë ia vuri pëshpërima popullore- tregon
Kadareja. Brezi ynë që e kish dëgjuar pëshpërimën (siç dëgjonte “Zërin
e Amerikës”) e konsideroi disidencë. Poezia, edhe pa u botuar, ishte
bërë e famshme. Shqipëria cilësohej nga poeti “një pashallëk i kuq”.
Thomas Schreiber ka botuar një biografi të Enver Hoxhës me titull
“Sulltani i kuq”. Pra, kur flitet për pashallarë të kuq, nënkuptohet
edhe Sulltani i tyre i kuq.Si
zanafillë për këtë poezi Kadaresë i ka shërbyer miti i Herakliut që
vdiq, sepse veshi zhgunin e përgjakur të viktimës së vet, centaurit
Nesus. Aluzioni është i qartë: edhe pushtetarët komuniste, pashallarët
e kuq, pasi veshin rrobat e përgjakura të të përmbysurve (që u
burgosën, internuan e u vranë), veshin dënimin e vet historik që do të
vinte pas 15 vitesh. Te “Nëntori i një kryeqyteti” bejleresha Mukades
thotë: ”Malli për zotërinjtë e përmbysur, dëshira për të krijuar
zotërinjtë e tyre, sipas shembullit tonë, do të sjellë fundin e tyre,
rikthimin tonë”. Edhe sot udhëheqës të së majtës nëpër mitingje
elektorale ligjërojnë bukur në favor të të varfërve, por në të vërtetë
luftojnë veç për vila, troje, pasuri të paligjshme.Për
vitet e egra 1974-75 Kadareja thotë: “Ëndërroja, jashtë çdo realiteti,
sikur të zgjoja njerëzit, t’i bija këmbanës, të flijohesha e fjalë të
tilla të mëdha”. E shoqja Helena Kadare thotë: ”Shumë vargje të
Ismailit, të shkruara atë kohë, i lexoja me admirim e panik, përzier
bashkë”.Po
hyj konkretisht në poezinë me titullin prozaik “Mbledhja e Byrosë
Politike në mesditë”, një poezi demaskuese e tejet e guximshme për
kohën kur u shkrua, pasi gjer atëherë burokratët komunistë paraqiteshin
si njerëz qesharakë, si tuafë të mykur, ndërsa këtu, për herë të parë,
akuzohen si kriminelë, gjakatarë. Është një poezi e zymte, makabre, e
ngritur mbi mjerimin material e shpirtëror.Pjesa
I është uvertura që e përgatit lexuesin për dramën e vërtetë. Të katër
strofat, përmes pyetjes retorike, bartin ironinë lidhur me frikën
absurde nga imperializmi e revizionizmi, apo nga ish kastat e mëdha, si
dhe frikë reale nga dështimet në ekonomi, të cilat emërtoheshin
“sabotime”. Kur nuk dilte naftë, Partia nxirrte grupe armiqësore.
Metafora “rrjedhin të zakonshëm” kamuflon qetësinë, “normalitetin” e
stanjacionit (ujin e ndenjur). Vargjet këtu janë të rregullta, ndonëse
jo me numër të barabartë rrokjesh. Duket një lloj narracioni që e afron
me poemën.Në
pjeseë II nisin të thyhen vargjet, ashtu siç thyhet tabuja apo
qetësia-amulli. Këtu nyja e veprimit nis të përvijojë dramën socialiste
me kontrastin e frikshëm dukje-realitet që karakterizon çdo diktaturë
që nga lashtësia (forca, farina, festa). Jepet bukur drama e dashurisë
në dukje dhe e urrejtjes në thelb lidhur me kalbjen e sistemit që
simbolizohet nga “tumori i zi”. Antitezat domethënëse “lart–poshtë”,
“diell i ndritur – tumor i zi” pasqyrojnë besnikërisht, por dhe
trimërisht, gjendjen e pashpresë, sëmundjen e burokratizmit, kancerin
komunist. Ndërsa metaforat “s’prishen – pikojnë” vërtetojnë që
superstruktura s’mund të ishte jetëgjatë, ndërkohë që baza po vdiste.
Diktatura përpiqej të mbahej me këngë, pankarta e vargje optimiste, kur
gjithçka ishte e zymtë. “Qeshu palacjo, ndërsa zemra të pëlset”-do të
shkruante Migjeni. Sistemi i bazuar në luftën e klasave, në mashtrimin
dhe hipokrizinë, s’mund të ishte jetëgjatë, siç reklamohej për
Diktatorin që “do të rronte” sa malet tona.Në
pjesën III, ku zhvillohet veprimi, drama e rëndë evoluon në tragjedi.
Në të portretizohen burokratët (pushtetarë komunistë) përmes epiteteve
antiteza “qeshja dashamirëse – të kobshëm me duar të përgjakura”.
Autori është futur thellë në tokë të minuar. Burokratët për të nuk janë
më personazhe karikatura (siç përshkruheshin rëndom), por vegla
vrastare, ekzekutore të zellshëm të urdhrave të Diktatorit – monstër,
me të cilin Makbethi nuk do të guxonte të matej. Për herë të parë në
letërsinë tonë të Pasluftës jepet një portret i tillë real e i frikshëm
i burokratëve sundues. Kadareja kish shfrytëzuar vetëm sinjalin e
Diktatorit për luftë kundër burokratizmit, luftë që e zhvillon krejt
ndryshe. Duke përdorur hiperbolën i etiketon thjesht kriminelë ordinerë
“me duar të përgjakura gjer në bryl”. Është piktura e një skene jo të
zakontë e dhunës rivrasëse mbi pavdekësinë.Vargu
“Nga themelet gjakun duan të fshijnë shpejt” na kujton Makbethin:
”Vallë a e lan dot ujët e oqeanit prej kësaj dore gjakun?”. Figurat
letrare janë fort të spikatura. Metaforat “rrëmojnë në themelet –
trupat e dëshmorëve kthejnë përmbys” na japin një skenë vërtet makabre,
surreale, të denjë për penelin mjeshtëror të F. Gojësës. Kujtojmë
veprat “Pushkatimi” apo “Saturni gëlltit një prej fëmijëve të vet”, ku
spikat dukshëm ngjyra e kuqe e gjakut. Apostrofa “Pa shiko!” që na
drejtohet dhimbshëm, pasohet nga metaforat “trupat lajnë, gjakun
fshijnë”. Skena e fortë e deheroizimit të dëshmorëve tanë mund të
shërbente fare mirë për një pikë kulminante në një tregim të shkruar
nga Markesi apo ndonjë tjetër përfaqësues i Realizmit magjik. Një
konkluzion paraprak do të ishte: nëse raporti me të kaluarën e
“lavdishme” është i tille, e sotmja është e zymtë, atëherë ç’pritet në
të ardhmen?Skena
që nuk harrohet lehtë dëshmon injorim, mohim, amoralitet, vulgaritet,
përdhosje, përçudnim të djajve komunistë që bredhin në botën e përtejme
si në një shesh lufte me të vrarë, duke shkelur mbi idealet dhe veprën
e atyre partizanëve, shumica të rinj në moshë që luftuan për një
Shqipëri të lirë e demokratike, për një sistem human popullor. Në të
vërtetë popullit nuk i erdhi liria, por skllavëria e kuqe, lufta
kanibaleske e klasave, lufta kundër intelektualëve të vërtetë, që nisi
gjatë LACL dhe vazhdoi e përbindshme gjatë gjithë kohës së diktaturës,
siç e dëshmojnë edhe disa emisione televizive që japin pamje e shifra
reale për ferrin komunist. 146 shkrimtarë e artistë të dënuar e të
vrarë nga Sigurimi i shtetit. Vend i vogël, diktaturë më e egër
staliniste. 6000 vetëm të ekzekutuar nga diktatura komuniste, aq sa
ishin edhe dëshmorë (me dokumente).Pjesa
IV, ata që kërkuan të rrëzonin klasën borgjeze u shndërruan vetë në
“pashallarë të kuq, bejlerë me tesera partie”. Vetëm baronë –
sekretarët kishin vila, vetura, bodigardë, etj. Vetëm fjala e tyre
vlente (edhe pse mund të kishin qenë vetëm karrocierë, shoferë apo
mjelëse). Lart kish mirëqenie, poshtë tollona, barazi në varfëri.
S’kishin asgjë të përbashkët me popullin. Veç Republika e Pushteti
cilësoheshin “popullore”. Nënteksti përmban mesazhin e fortë: ata që
shkelnin mbi idealet e dëshmorëve apo mbi djersën e punëtorëve
meritonin tabutin e revolucionit. Konstatimi ogurzi: “Çojnë tabutin e
revolucionit për në varr”, meritonte një Rekuiem, të kompozuar nga
Moxarti. Gjysma e poezisë me 4 pjesët e para përbën një tërësi e mund
të qëndronte më vete.Në
pjesën V poeti, i vetëdijshëm ndoshta për rrezikshmërinë e 4 pjesëve të
para, i rikthehet idesë së hipokrizisë, falsitetit, dukjes në mitingje,
buzëqeshjeve. Te “Vajza e Agamemnonit” do t’i quante “festime groteske
në këtë Muze të së keqes”.Ndërsa
te gjysma e parë e poezisë shfrytëzon mitin e Herakliut, te gjysma e
dytë shfrytëzon legjendën e Rozafatit. Me kontrastin “ngre ditën -
prish natën” shpreh idenë se revolucioni është delikat e, po u rrëzua,
nuk ringrihet dot si Rozafati. Edhe krahasimi i zgjatur (similituda) me
Rozafatin ka një nëntekst dyshues: nëse për të qëndruar kështjella e
Rozafatit mjaftoi murosja e një gruaje, për të qëndruar “kështjella”
socialiste nuk mjafton sakrifica e dëshmorëve, apo të torturuarve në
burgjet komuniste, të internuarve etj, sepse idealet, për të cilat u
flijuan dëshmorët, apo sakrifikuan të përndjekurit, u nëpërkëmbën.Te
pjesa VI “servilizmi” në dukje i poetit (“një ambalazh rutinë”-do ta
quajë T. Caushi) që e karakterizon Diktatorin me epitetin “syri i tij i
mprehtë” dhe simbolika e “zbritjes në themelet e shtetit si në baladat
e mëdha, me pishtar të kuq”, apo epiteti tjetër “i vrejtur” dhe
krahasimi i hiperbolizuar “si një mal në dimër bubulloi” janë vetëm
pjesa e dukshme, maja e ajsbergut. Edhe krahasimi me Krishtin që nuk u
pëlqen komunistëve apo “ngritja e klasës punëtore për ta zaptuar
burokratizmin” tingëllojne ironike. Zbritja e tij, pas zbritjes dhe
sjelljes perverse të burokratëve sundues, janë një përpjekje e vonuar,
e pavlerë (e kish marre ferra uratën). Pra Diktatori prezantohet si një
hero donkishotesk për t’i qarë hallin. Goditet në zemër sistemi
kriminal e terroristik, kur pohohet se kanceri kish hyrë në themelet e
shtetit. Veprimet e shëmtuara e të ulëta shihen si produkt i sistemit
antihuman dhe antipod të së bukurës.Te
pjesa VII që të kujton vargjet e thyera të Majakovskit, vijon të
shtjellojë idenë e mësipërme të kontrollit punëtor duke e paralelizuar
me patrullat partizane. Ideja e luftës vazhdon. Pyetja retorike “Je për
socializmin ?” pasohet nga vargu “Bjeri ditë e natë burokratizmit /
Nëse s’do që nesër skuadër e pushkatimit / Të të vejë në mur / Tek
Bulevardi i Madh”. Profeci? Rastësi? Te “Dimri i madh” një njeri
përfytyron masakrën kundër komunistëve kriminelë. Gjatë revolucionit
demokratik të vitit 1956 në Hungari u varën në sheshe kriminelët e
udhëheqjes komuniste.Në
pjesën VIII vargjet qartësohen e duket sikur marrin një trajtë më
optimiste për të ardhmen më të sigurtë në vitet që shtjellen “me furi”.
Megjithatë dy vargje të diskutueshme: “Ecte klasa pas partisë në ditë
epike / Populli pas klasës derdhet oqean”. Duket një marshim imagjinar
nga “fitorja në fitorje”. As epiteti “epike”, as metafora e
hiperbolizuar “oqean” nuk të bëjnë të neglizhosh rreshtimin e tri
shtresave të shkëputura: partia – klasa – populli, që vijnë njëra pas
tjetrës, madje as klasa nuk vihet përbri popullit. Thirrja për
kontrollin punëtor rezultoi si një parullë boshe, propagandistike.
Situata ishte pa rrugëdalje. Uniteti i trumbetuar ishte fals. Edhe
klasa punëtore ishte pjesë e vuajtur, e uritur, e cfilitur e popullit.
Në Gdansk klasa punëtore me Solidarnostin (formuar më 198O) u ngrit
kundër diktaturës dhe për një fare kohe u bë forcë politike dominuese
në Poloni. Edhe thirrja “gati jemi” në fund të poezisë tingëllon
groteske, në atë situatë ku ziente lufta e klasave.Në
poezi ndërthuret ferri në tokë me ferrin e përtejmë. Plani fantastik
ndërthuret me planin real. Përmes elementëve të realizmit magjik
realizohet kalimi i natyrshëm nga realja te irrealja e anasjelltas.
Kujtojmë Portën e ferrit te tregimi i D. Buxatit. Në letërsinë moderne
forma artistike merr një rol të dorës së parë, duke përcaktuar edhe
vlerën e përmbajtjes me mënyrën si e paraqet dhe si e mishëron
mesazhin. Arti për poetin është luftë kundër regresives, antihumanes.
Në shoqerinë socialiste progresi s’ekziston, virtyti shkelet.Përmes
kësaj kronike të zhveshur të një realizmi të ashpër, ndërthurur me
elementë narrativë dramatike të realizmit magjik, ku alternohet realja
dhe irrealja, përcillet mesazhi i qartë: Synimi drejt mirëqenies e
lumturisë në atë sistem totalitar obskurantist është iluzor.
Tirana Observer
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.