Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Klara Kodra: Letërsia shqiptare ka vlera europiane

| E shtune, 05.09.2009, 05:53 PM |


De Rada
Letërsia shqiptare ka vlera europiane


Nga Prof. Dr. Klara Kodra

Një popull i vogël a mund të japë një letërsi të madhe? Kësaj pyetjeje interesante jo rrallë i është dhënë, - dhe me të drejtë, - përgjigjja "po". Konkretisht, letërsia shqiptare a është ngritur në nivelin e një letërsie të madhe apo ka mbetur periferike? Mos vallë kjo letërsi vetëm ka marrë nga letërsitë e tjera europiane apo është në gjendje t‘u japë diçka? Këtë problem nevralgjik të letërsisë shqiptare, të pasurit ose jo nga ana e saj të vlerave europiane, mundësia e saj që të marrë pjesë me një ngjyrë të vetën në spektrin e letërsisë europiane, e ka trajtuar tani vonë Prof. Rexhep Qosja në ligjëratën e mbajtur në Seminarin e fundit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare "Zhvillimi i shpejtuar i letërsisë shqipe" dhe i ka dhënë pyetjes që bëmë në fillim një përgjigje mohuese. Studiuesi mendon se historianët e letërsisë që mbrojnë tezën e vlerave europiane të letërsisë shqiptare bazohen në një frymë të tepruar nacionaliste dhe mbi iluzione. Me gjithë respektin që kemi për këtë studiues të shquar që i ka dhënë shumë kulturës shqiptare (s‘jemi aspak dakord me artikuj të tillë fyes si "Më jepni një krehër për të krehur akademikun Qose!", se dihet që sharja nuk përbën argument) nuk mund të pajtohemi me këtë mendim dhe do të përpiqemi ta argumentojmë pikëpamjen tonë. Mendojmë se në qoftë se i hyjmë këtij debati, të mos nisemi nga ekzaltimet nacionaliste, po as nga ndjenja e inferioritetit duke nënvleftësuar vlerat tona, çka do të ishte vetëshkatërrimtare. Le të shohim argumentet pro dhe kundër zotërimit të vlerave europiane nga letërsia shqiptare. Letërsia jonë është letërsi e një vendi të vogël, por kjo nuk do të thotë se s‘mund të nxjerrë në dritë vepra të një niveli të lartë estetik. A s‘e nxori në dritë kombi rumun veprën e Mihai Emineskut me vlera europiane? A s‘i lindi vallë kombi çek Hashekun dhe Kunderën? Letërsia shqiptare është relativisht e re meqenëse është afirmuar plotësisht si kombëtare dhe artistike në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Kjo letërsi është një letërsi sui generis, ka disa vonesa relative lidhur me zhvillimin e drejtimeve letrare të pasuara nga "djegie të etapave" si për të kompensuar vonesën. Romantizmi dhe realizmi u shfaqën në letërsinë shqiptare disi me vonesë në krahasim me letërsinë europiane dhe kjo vonesë u shoqërua edhe me shfaqjen e njëkohshme të elementeve të drejtimeve të tjera. Por dihet se niveli estetik nuk varet nga drejtimet letrare, përndryshe një drejtim aq i ngushtë sa klasicizmi nuk do të lindte dot kryevepra siç ngjau në realitet. Mandej që të zbulosh thelbin e një letërsie duhet ta gjykosh atë nga majat dhe jo nga ultësirat. Po të marrësh si kriter vlerësimi nivelin mesatar dalin të zbehta edhe letërsitë e vendeve të mëdha. Pra, që të zgjidhësh dilemën: letërsia shqiptare mbeti periferike apo arriti nivelin europian, duhet të nisesh nga autorët e saj më të shquar dhe nga veprat e tyre më të mira. Edhe në fillimet e veta letërsia shqiptare nxori në dritë një autor, historian apo edhe letrar, si Barleti, që pa dyshim, mund të quhet i nivelit europian. Nivele europiane arritën edhe poetë si De Rada dhe Serembe që u shfaqën në letërsinë e Rilindjes Kombëtare. "Këngët e Milosaos" është një kryevepër lirike, e një lloji të veçantë midis "këngëtores së dashurisë" dhe romanit në vargje. Tek ajo vetë Hygoi pa "një vepër romantike të përkryer". Ky ishte një romantizëm i një lloji të veçantë që shkrihej në ndikimet e poezisë popullore arbëreshe dhe poezisë antike. Ajo mund t‘i qëndrojë pranë në mënyrë të denjë një poeme të ngjashme në temë e subjekt si "Mirela"e Mistralit, e cila do të botohej vetëm njëzetetre vjet më vonë dhe do të kishte fatin të fitonte famë europiane që do të vulosej pas shumë vjetëve me "Nobelin" që iu dha autorit të saj. Lirikat e Serembes që shkrijnë freskinë dhe naivitetin e pakrahasueshëm me pasurinë e figuracionit dhe muzikalitetin e vargut nuk mbeten pas nga lirikat e gjermanit Hëlderlin, "bilbilit që këndonte në errësirë". Këtyre emrave mund t‘u shtohet edhe Naimi, i cili, ndonëse flijoi si Abrahami disa "fëmijë" të penës në altarin e atdheut, e realizoi vetveten si poet në xhevahiret lirike të "Luleve të verës" dhe "Bukurisë" dhe gjithashtu i fali një vepër të vet, "Tehajylat", një letërsie aq të rafinuar dhe elitare sa persiania që ia pranoi. Dihet se për Fishtën është folur si kandidat i mundshëm për "Nobelin", dhe, në fakt, nga llava e zjarrtë vullkanike e poezisë së tij na mbetën disa statuja, lirikat patriotike dhe filozofike dhe pjesët më të fuqishme të "Lahutës së Malcisë". Mandej letërsia proteiforme shqiptare e shekullit të njëzetë lindi Nolin, Mjedën, Lasgushin, Migjenin, Koliqin, që mund t‘u qëndrojnë pranë denjësisht bashkëvëllezërve europianë. Noli krijoi një poezi origjinale, të ngjashme me një marsh luftarak, që mishëron në shkallën më të lartë ashpërsinë e muzikalitetit të shqipes, që shkrin problematikën politike me problematikën ekzistenciale, që spikat për një galeri personazhesh, që u jep frymë aktuale dhe ngjyrë shqiptare motiveve "shtegtare" nga Bibla, ky burim i lashtë i pashtershëm që e ushqeu me motive e personazhe letërsinë europiane dhe botërore. Lasgushi, ky piktor i jashtëzakonshëm i peizazhit shqiptar, ky këngëtar fin i dashurisë, ky poet filozof, zbulon, në kontrast me Nolin, ëmbëlsinë e muzikalitetit të gjuhës shqipe dhe krijon vjershat e tij, të afërta me këngët, aq të ngjashme me poezinë popullore dhe aq të rafinuara dhe elitare sa të kujtojnë një Bodler apo një Malarme. Dhe cila letërsi europiane s‘do të krenohej për një poemë si "Andrra e jetës", me thjeshtësinë e jashtëzakonshme, por edhe thellësinë filozofike, zhbirimin psikologjik, koncizitetin e rrallë? Pa përmendur poema me një përsosmëri të veçantë të formës si "Liria", "Lissus", "Scodra" që kanë në bazë të vet strukturën metrike aq të vështirë të tingëllimës. Po moderniteti befasues i poezisë dhe prozës së Migjenit që thyen horizontin e pritjes së kohës së vet duke shkrirë në mënyrë aq të goditur realizmin dhe modernizmin dhe duke u afruar me avangardat europiane të kohës? Po simbioza e mrekullueshme e prozës dhe poezisë te "Pasqyrat e Narçizit" të Koliqit? Madje, edhe në pesëdhjetëvjetëshin aq të anatemuar të diktaturës, letërsia shqiptare lindi poetë, tregimtarë, romancierë të nivelit europian. Përveç Kadaresë, të cilin kritika e huaj e ka vendosur tashmë në rang europian dhe botëror, u afirmua Agolli me thjeshtësinë dhe lëngun e ngrohtë të jetës së poezisë së tij, me romanin satirik tepër origjinal "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo", u shfaq një romancier i talentuar dhe i veçantë si Jakov Xoxa që shkroi sagën e fshatarësisë shqiptare me trilogjinë e romaneve të veta dhe do të vlerësohej edhe prej Ernest Koliqit te "Shejzat". Pra, edhe drejtimi letrar i realizmit socialist me rregullat e veta të ngurta dhe ideologjizimin e skajshëm (ndofta më të fortë se sa në vendet e tjera të kampit socialist) nuk i pengoi dot talentet e letërsisë shqiptare të çelnin e të lulëzonin. Këto talente çanin me forcën e frymëzimit mburojën e drejtimit letrar zyrtar dhe e pasuronin me elemente të realizmit kritik apo modernizmit. Talentet e vërteta nuk i pengon të shpërthejnë as censura, madje as vetëcensura (mos vallë puritanizmi katolik i italianit Manxoni e pengoi t‘i jepte jetë një kryevepre me vlerë europiane? Po shkrimtarët më të shquar të Anglisë viktoriane?). Vepra të nivelit europian s‘i mungojnë as letërsisë së sotme shqiptare. Midis atyre rreshtohen romanet e periudhës së dytë të krijimtarisë së Ismail Kadaresë ku modernizmi dhe pasmodernizmi alternohen. Po pse nuk mundi, në shumicën e rasteve, letërsia shqiptare të integrohej plotësisht në letërsinë europiane? Mendojmë se fajin kryesor këtu e ka gjuha shqipe, aq e rrallë dhe e veçantë dhe mungesa e përkthyesve me mjeshtëri të lartë që ta ndihmonin letërsinë shqiptare të kapërcente kufijtë. Ata pak shkrimtarë shqiptarë që u bënë të njohur jashtë shtetit kanë pasur fatin të gjejnë përkthyes të nivelit të vet. Fatkeqësia e mjaft shkrimtarëve shqiptarë të traditës ka qenë pikërisht mosgjetja e përkthyesve të një shkalle me ta. Kjo shpjegon përse një kryevepër si "Këngët e Milosaos" të De Radës e shkruar, siç thamë edhe më lart, njëzetetre vjet para "Mirelës" së Mistralit dhe po aq origjinale, në mos më shumë se ajo, ndryshe nga vepra që e pasoi, nuk u bë e njohur në shkallë europiane. Atë e dëmtoi e folmja arbërisht në të cilën u shkrua dhe përkthimi i dobët në italisht. Megjithatë, edhe në këtë formë ajo arriti të tërhiqte vëmendjen e Hygoit dhe të Lamartinit. Edhe përkthimi i mëvonshëm dinjitoz i kësaj poeme në italisht nga Vitorio Gualtieri ia ka humbur pjesërisht freskinë. Kurse poezitë e Serembes, po aq spontane dhe të freskëta, madje me një freski më të veçantë se vjershat e Lamartinit dhe Mysesë, nuk u vlerësuan aq sa krijimet e dy poetëve francezë për shkak të përkthimit të dobët në italisht. Për dy mjeshtër të tjerë të letërsisë shqiptare si Lasgushi dhe Noli, vetë përsosmëria formale e krijimeve të tyre, harmonia e përsosur që kanë arritur në lëvrimin e gjuhës amtare u bë pengesë që krijimet e tyre të jepeshin në mënyrë të denjë në gjuhë të huaja. Le të shpresojmë se në shekullin e tanishëm do të gjenden përkthyes rikrijues që do t‘i transplantojnë kryeveprat e letërsisë shqiptare në gjuhë të tjera të rëndësishme europiane. Edhe një herë po shprehim mendimin se, ndonëse letërsia shqiptare i përket një populli të vogël dhe me gjuhë të rrallë, ndonëse diktatura e izoloi për gjysmëshekulli, kjo letërsi ka një vitalitet dhe një origjinalitet me të cilin mund dhe duhet të zërë vend në letërsinë europiane dhe botërore.
Gazeta Shqip