Milazim Kadriu: Reportazh nga Liqeni i Batllavës
| E merkure, 02.09.2009, 08:51 PM |

Reportazh nga Liqeni i Batllavës"DETI I LLAPIT" ME BUKURI TË RRALLA NATYRORENga Milazim KADRIUGjatë ditëve të verës vendi me gjallërinë më të madhe në Llap është Liqeni i Batllavës. Mijëra vizitor ia mësyjnë ujërave dhe brigjeve të liqenit për të kaluar ditët e pushimit. Madje ka asi që këtu vijnë gati çdo ditë, disa vetëm vikendeve e disa edhe më rrallë shijojnë bukurit e Liqenit. Këtu shpesh mbahen edhe gara sportive në not dhe gara tjera e më parë mbaheshin edhe ushtrime të pjesëtarëve të TMK-së. Çdo aktivitet që zhvillohet këtu ia shton bukurin dhe gjallërinë këtij vendi që shumëkush dëshiron ta ketë sa më afër.Liqeni i Batllavës apo "Deti i Llapit" si dëshirojnë ta quajnë shumë vizitor shtrihet në fshatrat Orllan, Barainë, Ballaban dhe ka një gjatësi 8 km. me gjerësi mesatare 400-500 m. Penda e liqenit përkufizon fshatin Barainë me Batllavën. Liqeni është krijuar artificialisht në vitin 1962 për nevoja të Elektroekonomisë së Kosovës , përkatësisht për ftohjen e termocentraleve. Fshati më i madh i kësaj ane Baraina qe zhvendosur tërësisht në vende të tjera si në Orllan, Podujevë, Prishtinë e vende të tjera. Nga viti 1982 nga Liqeni i Batllavës filluan të furnizohen me ujë të pijshëm banorët e komunës së Podujevës ,Prishtinës, Kastriotit dhe Fushë Kosovës e pas luftës edhe fshatra të shumta të këtyre komunave.Uji dhe bukuritë natyrore janë magjepse shprehen vizitorët dhe vendasit të cilët janë këtu vazhdimisht. Atyre nuk ka çka u duhet deti sepse e kanë në derë të shtëpisë na tha një i ri që ishte nga rrethi i Prishtinës. Vërtetë këtu është mirë edhe për qytetarët me kushte jo të mira ekonomike e që kanë nevojë për pushim të rehatshëm sepse këtu mund të kalojnë më lehtë me xhepin e tyre të cekët.Ajo që pak ia prish pamjen dhe imazhin e gjithë bukurisë së liqenit janë ndërtimet e egra përreth plazheve madje shpeshherë edhe vendosja e tavolinave dhe pjekja e gjërave të ndryshme ushqimore shumë pranë vizitorëve të cilët për këtë kanë edhe vërejtje.Ndërtimet e egra, vendosja e kiosqeve dhe e tendave vend e pa vend si dhe hedhja e mbeturinave përgjatë liqenit të Batllavës nga pronarët e restoranteve dhe vizitorëve të liqenit, përveç që i kanë shëmtuar bukurinë e tij dhe ambientin, ato po e rrezikojnë nga ndotja edhe ujin e pijshëm të liqenit.Liqeni i Batllavës siç dihet në fillim të viteve të pasluftës është menaxhuar nga Qeveria e Landit të Tirolit të Austrisë, kurse tashti ka kaluar në duart e vendasve. "Për mirëpritjen e vizitorëve,krijimin e rendit dhe pastrimin e hapësirave të ambientit përkujdesen punëtorët që i angazhon Komiteti menaxhues . Për mirëmbajtjen e liqenit gjatë sezonës turistike përkujdesen 20-30 punëtorë me stafin menaxhjues prej tre anëtarëve, të cilët paguhen nga të hyrat vetanake. Në hapësirat e Liqenit të Batllavës brenda ditës mund të pushojnë dhe të argëtohen deri në 30 mijë vizitorë, ku ekzistojnë kushte të volitshme.Edhe anëtarët e bordit drejtues për menaxhimin e Kompleksit Turistik të Liqenit të Batllavës në Orllan dhe pronarë të lokaleve afariste e hoteliere që veprojnë në kuadër të plazheve të kompleksit të liqenit,kanë njoftuar se sivjet numri i pushuesve ka shënuar rënie ku në zvogëlimin e numrit të vizitorëve kanë ndikuar disa faktorë ndër të cilët, bëjnë pjesë, kriza ekonomike që e ka kapluar vendin , moti i keq që mbretëroi në fillim të sezonit turistik por edhe deri diku pushimet verore që këtë vit janë krijuar rrethana lehtësuese për të shkuar në bregdetin shqiptar . Me shumicën e pushuesve bordi e punëtorët janë të kënaqur kurse me një pjesë të tyre jo ngase për fat të keq një numër i tyre pasi të largohen nga plazhet e lënë bërllokun të tërin aty pa e larguar dhe hedhur në vendet përkatëse tek deponitë. Plazhi më i frekuentuar është plazhi,"Te Pishat", dhe plazhi përballë Restaurant,"Guri"Nga ana tjetër me kujdesin dhe shërbimet e Këshillit menaxhjues nuk kanë vërejtje vizitorët pos ndonjërit që nuk ka dëshirë tu përgjigjet obligimeve financiare që parashihen por pa to nuk do të mund të mirëmbahej liqeni thonë menaxhuesit. Por gjallëria dhe kalimi i çasteve të mira këtu i mund të gjitha sepse këtu mund të kalohet shumë mirë e sidomos të rinjtë që numerikisht janë të shumtë. Kështu ishte edhe në ditën që e vizituam këtë liqe ku kishte relativisht mirë vizitorë,por jo edhe aq sa jemi mësuar ti shohim në këtë vend viteve të mëparshme. Liqeni i Batllavës është një vend i bukur për të kaluar një kohë të mirë pushimi. Pamja e mirë që e rrethon Liqenin e madh të Batllavës ,bënë që njerëzit të vijën këtu sa herë që ata dëshirojnë dhe kanë kohë të lirë. Këtë më së shumti e vizitojnë llapjanët dhe qytetarët e kryeqytetit të Kosovës,por edhe nga qytete të tjera të vendit. Me të drejtë edhe shumë e quajnë "Deti i Llapit '.Këtu vijën vizitor të moshave të ndryshme që nga fëmijët e vegjël e deri tek të moshuarit. Ata këtu pushojnë, notojnë në ujin e liqenit rreziten në brigjet e tij,fëmijët lozin si në ujë ashtu edhe në brigjet e liqenit. Ata të cilët dinë të notojnë më mirë shkojnë më larg në ujin e liqenit.Për hyrjen në zonën turistike vizitorët me automjete paguajnë 2 euro, me kombi 5 euro, kurse me autobus 10 euro. Përjashtim nga kjo pagesë bëjnë banorët vendas dhe kombibusët e autobusët që kanë vija të rregullta të qarkullimit në këtë relacion si dhe ish pjesëtarët e UÇK-së. thonë menaxhuesit. Me inkasimin e mjeteve nga vizitorët krijohen kushte më të mira për pushimet e vizitorëve dhe ruhet ndotja e ujit të liqenit. Edhe banorët e Orllanit dhe fshatrave përreth e dinë dhe e ndjejnë se ekzistojnë kushte për zhvillimin ekonomik të rajonit ku jetojnë, por edhe për zhvillimin e turizmit veror dhe ekonomisë përgjithësisht. Liqeni i Batllavës paraqet një bukuri të rrallë ,kurse mundësit për krijimin dhe zhvillimin e një turizmi më të qëndrueshëm janë një fakt që tashmë kanë kuptuar seriozitetin edhe banorët e kësaj ane por ata kërkojnë përkrahje që kjo të bëhet më shpejt dhe më mirë e që është në të mirën e të gjithëve. Më të gëzuarit në këto ambiente të mira që me të vërtetë kishin pamje të plazheve të detit janë fëmijët të cilët vijnë kush me prindër e ata pak më të rritur edhe me shoqëri.Në kënde të ndryshme në hijen e pishave shihen edhe shumë vizitor duke ngrënë apo duke pirë pije freskuese të cilat kryesisht i marrin nga shtëpia,por edhe furnizohen edhe aty me to sepse ka në sasi të mjaftueshme.Ka edhe shumë vizitor që para shkuarjes në pushime në bregdetin shqiptarë vijnë disa ditë për të fituar ngjyrën dhe pastaj e kanë më lehtë ti përballojnë rrezet e diellit në bregdet.









Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.