| E marte, 01.09.2009, 07:56 PM |
Kumti për kushtrim
Në krijimtarinë e tij, kryengulm në këtë roman, ai dallohet qartazi mbi aftësinë që ka për të perceptuar dritëhijet e të pranishmes në zgafellet e terrta të së shkuares. Me këtë i bën një shërbesë artistike të tashmes. Ngarendja “globaliste” e individit të tufëzuar është për të një bjerrakohë, një pajtueshmëri dhe bashkëjetesë e absurdit që gjehet ravijëzuar tek Mbinjeriu. Një çudindodhi e tillë orvatet të na bëjë të gjithëve bashkëfajtorë për ferrin komunist, që filozofia bolshevike mbolli në Shqipëri. Impresioni marramendës i shkëlqimit të fasadës, që u propagandua nga diktatura si “parajsa komuniste” ishte dhe mbetet për autorin e romanit “Dritë nga errësira”, një fars, një trill kobzi. Sipas autorit, të cilin e ka sëmbuar prej kohësh mbamendja e trishtë e të djeshmes diktatoriale, traseja e shinave të ripërtëritjes mbetet ende një iluzion. Personazhet e tij flasin “me zemër në dorë”, mbi gjithçka dhe për gjithçka. Jo rastësisht në një vepër letrare, autori cek përkitazi këtë qiell të thyer. Ndjekja e një logjike rutinore të shtratimit të rrëfenjës, vjen nga autori si një prognozë e kjartë dhe e deshifruar plotësisht. Ai shpesh luan me dykuptimsinë, me metaforën, simbolikën. Idenë e mbruan në magjen e një botëkuptimi jokonvencional. Duke e mbajtur tregimtarinë jashtë klisheve, larg zhargonit dhe metodave të garrametshme të kumtit dhe lejon personazhin dhe lexuesin të jenë të përfshirë nga shtjellat përpirëse të së kaluares. Këtë ai nuk ndërmendet ta bëjë në kuadrin e një vullneti për të zgjuar nga varri fantazmat e diktaturës, se sa për të kushtruar zëshëm në vemëndjen e të sotmes. Vargojt e deritashëm të së shkuares, duhet këputen, luten përgjërueshëm personazhet e tij në “Dritë nga errësira”. Qyshe asokohe e derimtash, pandarazi, vijon të hapet dhe të mbyllet i njëjti sipas, ai i dëshirës, natyrisht të jashtëvullnetshme, për t’i rënë mohit gjithçkasendi që përbën skenën e tragjedisë, ku u luajt drama më e kobshme e Evropës së Lindjes. Duke i ridhënë jetë personazheve të së kaluares, duke i risjellë të plotë në tërësinë e tyre, secilin, ai më së shumti kushtron se sa dëshmon. Personazhet e duket se nuk bëjnë marrëveshje, pazare e dallavere në kurriz të lirisë. Ata u përpoqën. Tash e mot, individi fiziologjik, ai social-politik, nacional apo religjioz, por në kryeherën e vet, individi filozofik, e ka të qartë, si dritën e diellit, se liria është një përpjekje. Këtë kumton nga prologu në epilog, Halil Teodori, me romanin e tij. Është më së shumti vullnesa e mirë për të nxjerrë në pah dritën nga errësira.