Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Demir Krasniqi: Dy lisat binjakë

| E marte, 01.09.2009, 07:33 PM |


Demir KRASNIQI

DY LISAT BINJAKË

Jem dy vëllezër – lisa binjakë ,
Mbirë e rritur në Gollak .
Jem dy vëllezër nga një trung –
Njëri Qarr e tjetri Bung !

Kem rritë shtat e kem rritë degë ,
Njëri Toskë e tjetri Gegë,
Kem një farë e kem një gjak ,
N’ daç për luftë, n’ daç për bajrak !

Jetojmë këtu  me  qindra  vjet ,
S’ka dorë njeriu që na pret !
Jemi bimë të këtij vatani -
S’ na tremb rrëmuja , as murrlani !

S’ na trembë pyka, as sëpata ,
S’ na tremb terri, as shtrëngata !
S’ na  ngrinë  bora  , as  acari  ,
S’ na tremb  sharra , as barbari !...

Njerëzit ikën n’ botën mbarë ,
Ne këtu jetojmë krenar ,
S’ na  plakë  malli, as  vetmia ,
Na e ka rritë këtë trup Malësia .

Ç’ prej se u bimë ne  në  Gollak ,
Kjo Malësi , shpesh  u  përgjak ,
Qëndruam  t’ fortë vëllai me vëlla ,
S’ pat  armik që t’ na përça !

Jemi bimë me trung Iliri –
Pararojë e  këtij  kufiri ,
Do t’ qëndrojmë këtu krenarë ,
Rrënjë e degë i kem shqiptarë !

Gjilan, më 31 Gusht 2009.