| E marte, 01.09.2009, 08:15 PM |
Halil Haxhosaj
Në vigjilje të 99 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës
FIGURA E NËNË TEREZËS NË POEZINË
E ILIAZ BOBAJT
Nënë Tereza është simbol
shqiptar i shenjtërisë. Figura e saj prej shenjtoreje ndrit anekënd botës dhe
ndriçon edhe më shumë nëpër skutat më mjerueshme dhe më të varfra të popujve
skamnorë të botës. Shpirti i saj i ndritur, shikimi i saj i shenjtë dhe
interesimi për zhdukjen e varfërisë e bëri atë figurë të shenjtë, të ëmbël e
pse jo edhe shpëtimtare. Dhe nuk është rastësi që pothuajse nuk ka poetë, madje
piktorë, kompozitorë e skulptorë që nuk e ka frymëzuar figura e Nënë Terezës.
Nënë
Tereza, bijë shqiptare
Edhe shkrimtari dhe poeti
Iliaz Bobaj e skalit figurën e Nënë Terezës me vargje poetike në vëllimin e tij
me titull “Testamenti i bukurisë”,
botuar nga “Argeta-LMG”, Tiranë, 2008. Figura e saj është portretizuar në
mënyrë të veçantë në tetë poezi të këtij vëllimi poetik që janë: “Çmimi “Nobel”, “Homazh për Nënë Terezën”,
“Pavdekësi”, “Ardhja e Nënë Terezës në Shqipëri”, “Kryeengjëlli”, “Nënë
Tereza”, “Jetëshkruesit” dhe “Klintoni
para varrit të Nënë Terezës”, të cilat kanë gjithsej 70 vargje.
Vargjet e këtyre poezive janë
tipike dhe adekuate për ta skalitur figurën e Nënë Terezës, madje janë edhe zë
i veçantë i poetit Bobaj në qasjen dhe portretizimin e saj. Si të tilla, këto
vargje dalin plotësisht të motivuara, aq më tepër kur poeti ven në konsideratë
dëshirën e vet për ta bërë Nënën Terezë figurë poetike në njërën anë dhe kurorë
të poezisë së tij, në anën tjetër. Duke përdorur figura, trope dhe shprehje
ndër më të mirat dhe më të arrirat, poeti e skalit, madje edhe e portretizon
ashtu siç e ka paramenduar këtë figurë të kësaj bamirëse madhështore shqiptare.
Poeti, Iliaz Bobaj, Nënë Terezën e quan “kryeengjëll”, sepse të gjithë popujt
kanë nxjerrë dhe prapë do të nxjerrin engjëj, të shenjtë për besimtarët, por:
Kryeengjëllin,
Nënë Terezën,
e kemi nxjerrë ne,
shqiptarët
thotë ai në vargjet e poezisë me të njëjtin
titull. Duke qenë e vetme dhe shqiptare, kryeengjëlli, Nëna Terezë, na bën edhe
neve shqiptarëve të shenjtë ngase ajo është bijë e këtij populli, është bijë e
truallit të stërlashtë iliro-shqiptar.
Për ta paraqitur këtë fakt
artistikisht, pra me vargje poetike, poeti frymëzohet nga vizita e Nënë Terezës
në Shqipëri, që është madje poezia më e gjatë e vëllimit poetik “Testamenti i bukurisë” dhe përbëhet nga
shtatë strofa katërvargëshe që bëjnë gjithsej 28 vargje. Poezia nis me
përshkrimin e uljes ngadalë të avionit që për poetin është mesazh qiellor i
nisur drejt tokës, duke bartur bijën e truallit që është nënë e botës. Kur
shfaqet tek dera e aeroplanit, Nënë Tereza, “me
trup të brishtë, imcak, të pakët” dhe shamia e saj karakteristike që i del
pakëz mbi ballë, duket: “si strehëz për
varfanjakët”, por një dritë e shenjtë i rri mbi fytyrë dhe ia shpalos
buzëqeshjen engjëllore. Ajo duket si “kryeengjëll” i shumëpritur, ngase Atdheut
të vet, Shqipërisë, po i sillte bekimin:
“Bekuar
ti, o tokë e shenjtë,
vëllezër, bekimin
gjithashtu,
gjithçka që njerëzve u
fal,
e kam nga gjaku im, nga
ju!”
Dhe ajo shndërrohet në
shenjtërore sepse para saj të gjithë dukeshin të vegjël, ndërsa ajo ishte e
madhe, madje dritëplotë e magjike si një perëndi. Poeti, Iliaz Bobaj,
figurativisht në poezi, por edhe realisht në jetë e histori, e paraqet Nënë
Terezën shqiptare duke e njëjtësuar me shqiptarët dhe atdheun e saj, ngase:
Ajo kish shumë mall për Atdhenë,
Atdheu kish mall për të,
prandaj të dy tek njëri – tjetri,
u
shkrin së bashku, u bënë një.
Madhështia e Nënë Terezës nuk
tkurret, madje as nuk del e sforcuar në vargje. Ajo është e skalitur në të
gjitha fytyrat, mendjet e zemrat e skamnorëve, të uriturve, të të varfërve, të
handikapëve:
Ajo kish vetëm një sekret të thjeshtë:
hyri në zemrën e gjithë
botës,
se botën e futi në
zemrën e vet.
Janë këto tri vargje të poezisë “Nënë Tereza”, në të cilat poeti shpalos
çerdhen e bamirësisë së saj që është në zemrën e gjithë botës, sepse bota ishte
në zemrën e saj të madhe dhe bamirëse.
Duke e shfaqur madhështinë e
kësaj bije të ndritur dhe kaq të madhe të shqiptarëve, poeti e cilëson figurën
e Nënë Terezës duke ia uruar Çmimin “Nobel” të cilin e kishte fituar për
shpirtmadhësinë, bamirësinë, humanitetin, ndihmën dhe mundin e saj për zhdukjen
e varfërisë në mbarë rruzullin e botës. Në vargjet poetike për këtë çast kaq
madhështor dhe kaq të ndritur, poeti Bobaj shpreh admirimin, madje edhe
krenarinë për Nënë Terezën, sepse edhe pse “shtatvogël”, ajo ishte grua
zemërmadhe, prandaj:
Në tribunë merr çmimin “Nobel”
Nënë Tereza
gruaja zemërmadhe,
shtatvogël
Ndërsa i jepnin çmimin asaj,
i bënin nder,
Çmimit “Nobel”.
shprehet ai në këto vargje të poezisë “Çmimi “Nobel” ku skalit kaq madhërishëm
figurën e saj, duke potencuar se ajo e nderoi Çmimin “Nobel” më shumë se sa e
nderoi ky çmim Nënë Terezën.
Përjetësia
dhe shenjtërimi
Figura e Nënë Terezës, në
vargjet e vëllimit poetik “Testamenti i
bukurisë” të Iliaz Bobajt paraqitet e përjetësuar dhe e shenjtëruar.
Përjetësimi dhe shenjtërimi shfaqen në mënyrë shumë të figurshme, të lehtë, me
frymëzim dhe përjetim të thellë. Poeti nuk mëton të paraqet fare ndonjë
frymëzim kuturu, e pse jo edhe romantik apo neoromantik. Ai duke u ndjerë
krenar për Nënë Terezën, madje duke u munduar që si krijues ta kryej misionin e vet prej poeti, ia arrin që atë ta skalit
bukur poetikisht.
Kjo shihet në poezitë që poeti
i kushtoi kohës të pas vdekjes së Nënë Terezës. Mëtimi i përjetësisë si kuptim
filozofik, por edhe jetësor nuk tkurret vetëm në një aspekt, vetëm në një
drejtim të synimit jetësor. Ai njëjtësohet me madhoren, më humanen, më
pavdekësinë, që si koncept i idealizmit dhe filozofimit kuptimore të tij, nuk
ndërron asgjë tjetër veç formës dhe hapësirës. Andaj, edhe Nënë Tereza, në
vargjet e poezive të poetit Iliaz Bobaj kalon nëpër këtë koncept. Ajo ndërron
vetëm vendin, pra jetën në këtë botë, për të fituar përjetësinë, në njërën anë,
si dhe shenjtërimin në botën e amshimit, në anën tjetër. Dhe këtij mendimi të
synuar edhe në koncept filozofiko-idealist ia arrin poeti. Jeta tjetër fillon
pasi që përfundon kjo me vdekjen si proces. Por, për shenjtëroren pas vdekjes
nis pavdekësia, nis përjetësia. Pavdekësia, gjegjësisht përjetësia e konceptuar
si normë ideo-filozofike zgjedh momentin e duhur, sepse del sheshit mëtimi i
shenjtërimit. Ky shenjtërim për Nënë Terezën nuk është i shtrirë në një segment
kuptimor, por ai ka përmasa qiellore sepse e tillë ishte bamirësia e saj, i
tillë ishte qëllimi dhe misioni i saj. Prandaj, ajo ishte idhull i njerëzimit
dhe:
Vdekja e saj,
s’qe veçse,
fillimi i pavdekësimit.
Vargu i fundit i kësaj poezie “fillimi i pavdekësimit” shpërfaq
konceptin e përjetësisë së saj në njërën anë dhe shenjtërimin e saj në anën
tjetër. Andaj vdekja e Nënë Terezës është fillimi i shenjtërimit të saj sepse
ajo është bijë shqiptare e shndërruar në kryeengjëll. Pavdekësinë ia dhanë
njerëzit për të cilët flijoi jetën, të cilëve ua dha bekimin dhe ua fali
dashurinë e shpirtin. Andaj, edhe ajo mori shpërblimin e tyre, mori shpërblimin
e njerëzve, të varfërve, handikapëve:
Ajo mori vetëm dhimbjen e njerëzve,
për njerëzit flijoi
jetën,
.....................................
***
Si shpërblim njerëzit ia dhanë pavdekësinë
vargëzon poeti Iliaz Bobaj në poezinë “Homazh për Nënë Terezën” të vëllimit
poetik “Testamenti i bukurisë”.
Jeta dhe
amaneti i saj
Për figurën, për bamirësinë,
humanizmin, ndihmën dhe kujdesin e saj shpirtëror, moral e material për
shtresat e përvuajtura të njerëzimit të botës, janë marrë shumë jetëshkrues të
saj. Secili syresh ka ndriçuar këndin e vet, sipas aftësive dhe interesimeve të
tyre. Jetëshkruesit, duke i shpalosur të gjitha anët bamirëse të Nënë Terezës,
duke mëtuar që ta ndriçojnë analitikisht, siç duket nuk ia kanë arritur. Edhe
pse ata hulumtojnë, madje, edhe në hapësirat e shpirtit të saj për t’ia
shpalosur jetën dhe bamirësinë, sipas poetit, nuk ia kanë arritur, ngase jeta e
saj është e madhe, shpirti i saj është i madh dhe i shenjtë. Kështu të gjitha
përpjekjet e këtyre jetëshkruesve janë vetëm grimca të hedhura në fletoret dhe
veprat e tyre, sepse:
Nënë Tereza,
ka përmasa qiellore.
thotë poeti Iliaz Robaj në poezinë “Jetëshkruesit”. Në këto dy vargje sikur
edhe në vargjet e tjera të kësaj poezie, por edhe të poezive të tjera, shihet
përmasa qiellore e Nënë Terezës si dhe të gjitha bamirësitë e saj që atë e
shndërrojnë në shenjtërore.
Njëra ndër krijimet më
interesante me porosi amaneti të Nënë Terezës është poezia “Klintoni para varrit të Nënë Terezës”. Poezia ka vetëm dy strofa.
Derisa strofa e parë paraqet varrin e Nënë Terezës, domethënë vdekjen e saj
fizike, strofa e dytë ka formën e dialogut, që fatmirësisht tingëllon mjaft
bukur poetikisht, madje e ngrit atë duke ia dhënë një dinamizëm dhe frymëmarrje
tjetër. Në poezi paraqitet ish presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës,
Bill Klinton, i cili kishte shkuar të bëjë homazhe mbi varrin e Nënë Terezës.
Por, ai para varrit të saj ndenji më gjatë se sa ishte e planifikuar, derisa e
harroi vetveten, madje edhe kohën:
Pranë varrit të saj,
ai ndenji gjatë,
thotë poeti për të vazhduar:
i foli me fjalëheshtjen e vet,
aq sa koha e harroi
kohën.
Dhe kur “koha e harroi kohën”, presidenti Klinton deshi të flasë me Nënë
Terezën shenjtërore mbi varrin e saj. Atëherë ajo i foli me fjalëheshtjen e vet
të artë dhe të shenjtë, e cila ishte bërë simbol madhështie në mbarë rruzullin.
Presidenti Klinton nuk harroi ta pyes atë për amanetin. Shenjtëria e saj ia
përkujtoi sepse ia kishte thënë e lënë sa qe gjallë, jo vetëm atij, por të
gjithë presidentëve të shteteve paqedashëse të botës. Pastaj, presidenti
Klinton, erdhi te ata që e prisnin dhe kur e pyetën, ai u përgjigj:
E pyetën:
- Për çfarë biseduat?
- Për amanetin e saj,
Kosovën.
Ky ishte amaneti i shenjtërisë
së Nënë Terezës për Kosovën. Kjo, mbase ishte brenga e saj, sepse e ndjente
thellë në shpirt e zemër. Ky ishte amanet që kishte për të marrë përmasa
qiellore atëherë kur aeroplanët e NATO-s do të zhduknin njëherë e përgjithmonë
errësirën serbe nga trojet e Kosovës. Këtë amanet e mbajti presidenti Klinton,
e realizuan drejtësia dhe shenjtëria qiellore.
Vargjet “-Për amanetin e saj, Kosovën” kanë domethënie të dyfishtë: janë
testament dhe figuracion i latuar poetik. Këto janë vargjet më tipike dhe më
përkushtuese të poetit Iliaz Bobaj për figurën e Nënë Terezës dhe si tilla
dalin krejtësisht të motivuara, aq më shumë sepse shënojnë një datë të
rëndësishme të historisë më të re të Kosovës. Pra, nëpërmjet të këtij
testamenti, amaneti, poeti thellon edhe më shumë vertikalen dhe horizontalen e
shtrirjes së domethënies poetike të figurës së shenjtërores. Ajo depërton edhe
në ndërgjegjen e figurave më të larta politike të botës, andaj tash bëhet edhe
shenjt i tyre. Amaneti i saj për Kosovës duhet kryer, sepse figura e saj e
shenjtë kërkon realizimin e tij. Në këtë rast prejardhja e Nënë Terezës është e
qartë për të gjithë njerëzimin. E natyrshme shfaqet realisht edhe lidhja
gjenetike me banorët e Atdheut të saj që është atdhe i të gjithë shqiptarëve.
Andaj, si i tillë ky fakt, edhe real, edhe poetik shtrihet në thellësinë dhe
gjerësinë gjeografike të truallit, i cili në gojën dhe amanetin e Nënë Terezës
duket i shenjtë mu sikur se është vet ajo.
Figura e Nënë Terezës e
paraqitur në vargjet poetike të Iliaz Bobajt shfaqet në radhë të parë
figurativisht e thellë, poetikisht e latuar dhe ritmikisht me përmasa qiellore
dhe pavdekshmërie. Ky, mbase ishte qëllimi i poetit, të cilin e realizoi me
sukses.