Përrallat e fëmijëve të rritur nga ujqërit, arinjtë dhe kafshë të tjera, e kanë marrë inspirimin e tyre nga realiteti. Ata ende ndezin debate shkencore, ngjallin kuriozitet dhe shtojnë dëshirën për kërkime
Historitë e fëmijëve të shpëtuar nga egërsia kanë ngjallur për shumë shekuj mallëngjim, çudi dhe mosbesim. Përrallat e fëmijëve të adoptuar dhe të rritur nga ujqërit, arinjtë, majmunët dhe kafshë të tjera, e kanë marrë inspirimin e tyre vetë nga realiteti. Pasi bota mesjetare i la vend modernizmit, njeriu i egër apo i pyjeve u shndërrua nga prototipi i kaosit, çrregullimit dhe herezisë, në një njeri harmonik të ndriçuar dhe të kulturuar. Por megjithatë, njeriu i egër mbarte në vetvete edhe egërsinë, edhe sublimen, një imazh i dëshirës ashtu si i mëkatit. Fëmijët e egër të ngjallin edhe keqardhje për braktisjen e tyre çnjerëzore, por edhe çudinë për mënyrën se si i kanë mbijetuar egërsisë së pyjeve.
Mitologjia e lashtë ka shumë histori të fëmijëve të rritur dhe të përkujdesur nga kafshët, por e dhëna e parë e saktë dhe e vërtetuar është regjistruar nga historiani Roman Procopius. Djali i vogël, i braktisur nga nëna e tij gjatë kaosit të luftës gotike 250 vjet para Krishtit, u gjet duke u ushqyer me gji nga një dhi. Kur të mbijetuarit e luftës u kthyen në shtëpitë e tyre, gjetën djalin e vogël i cili jetonte me nënën e tij adoptive, e cila e kishte quajtur Aegisthus. Procopius thonte se e kishte parë vetë fëmijën.
Misteri i fëmijëve të egër
Gjatë antikitetit dhe kohëve moderne, historia njerëzore është ndeshur me shumë tregime të bishave të mbuluara me qime që dalin nga pylli duke ecur me këmbë e me duar, fëmijët e egër. Krijesat e çuditshme, as njerëzore por as kafshë, në të shumtën e rasteve janë dëbuar nga shoqëria njerëzore që në moshë të vogël, duke i deklaruar ata të humbur, të rrëmbyer apo të vdekur. Të izoluar nga civilizimi, mendohet se ata kanë gjetur përkujdesjet e kafshëve ose në një farë mënyre kanë mbijetuar vetëm gjatë atyre viteve të formimit personal njerëzor. Të papërballur kurrë me influencën njerëzore, ata rritem pa mësuar të flasin, shpeshherë të paaftë për të ecur dhe me sjellje tërësisht kafshërore.
Si djem ashtu edhe vajza, nëse kanë jetuar në një kope ujqërish, majmunësh apo ostriches, ndonjëherë edhe vetëm të gjithë kanë një gjë të përbashkët: e shkuara e tyre e mjegullt do të mbetet për ne gjithmonë një mister i pazbuluar.
Historia e vërtetë e Victor, djalit të egër të Aveyron, është mishëruar në filmin e Truffaut-tit "L'Enfant Sauvage", i cili për shumë njerëz ka qenë impakti i parë me fëmijët e egër. Duke u endur vetëm nëpër pyjet e Lacaune të Francës Jugore në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë, Victor ishte parë në shumë raste nga fshatarët dhe ishte kapur nga vendasit për t'u ekspozuar në sheshin e fshatit.
Ai u arratis vetëm për t'u kapur sërish një vit më vonë. Këtë radhë ai qëndroi një javë në shoqërinë e një të veje, e cila e ushqeu dhe e veshi derisa u arratis përsëri. Më pas, ai pati kontakte me shoqërinë njerëzore akoma më të shpeshta, duke kërkuar ushqim nëpër vila, por megjithatë vazhdoi të jetonte vetëm, përsëri në pyll ku shpeshherë njerëzit e shikonin duke vrapuar dhe angulluar.
Qëndrimi i Victorit bashkë me njerëzit zgjati dy vjet pasi u zbulua për herë të parë në mes të një dimri të acartë në vitin 1799. Ai u pa më pas 100 km larg Saint Sernin, duke gërmuar për patatet që vetë kishte mbjellur gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në rrethin e shoqërisë njerëzore. Në fund pasi u kap nga një vendas me emrin Vidal, ai nuk e njohu më lirinë e jetës nëpër pyje.
Victor u zbulua rreth moshës 12-vjeçare dhe dukej qartë se kishte mbijetuar nëpër pyjet e egra për të paktën dy vjet ndoshta dhe më tepër, tërësisht i vetmuar. Mundësia më e madhe është që ai të jetë braktisur në moshën gjashtë-vjeçare nga një baba, i cili nuk i bënte dot ballë vështirësive që kishte ky fëmijë për të jetuar në rrethin shoqëror dhe për të mësuar të jetonte si njeri normal, megjithatë historia e vërtetë nuk do të mësohet kurrë.
Kapja e Victorit përkoi me periudhën më të volitshme të mundshme. Në atë kohë tema më e nxehtë filozofike ishte Teoria e Rousseau, e cila parashtronte se një fëmijë i natyrës mund të qëndronte i kulluar dhe i paprekur nga influenca e shoqërisë. Por, në kohën kur Victor u ekzaminua dhe u trainua nga një grup ekspertësh, doli se ishte tepër i pagdhendur, lehtësisht i irritueshëm dhe jo bashkëpunues. Ishte më tepër një bishë e egër se sa një shpirt i kulluar.
Victor nxorri në pah karateristika të përbashkëta me shumë fëmijë të tjerë të egër. Edhe pse u gjet me pjesët e grisura të një bluzeje përreth qafës, ai nuk pranonte në asnjë mënyrë të vishej dhe i shqyente rrobat me dhëmbë nëse e detyronin të vishej. Ai dukej se i rezistonte shumë mirë temperaturave ekstreme pa asnjë efekt anësor dhe pa u sëmurur. Ushqimin e gllabëronte dhe e shqyente në mënyrë kafshërore. Ai gjithashtu shpalosi disa shenja që tashmë lidhen ngushtë me çrregullimet mendore të autistëve - një disinteresim total për njerëzit që e rrethonin dhe preferonte më mirë që t'i kalonte orët e gjata i strukur në një cep të dhomës i vetmuar.
Megjithatë, Victor arriti ta gjente idhullin e tij tek Dr. Jean Itard, i cili i përkushtoi pesë vjet të jetës së tij duke u munduar t'i mësonte djalit sjelljet elementare njerëzore, duke u munduar që t'i nguliste në tru aftësi si dialogu, shkrimi dhe leximi. Edhe pse Itard pati disa suksese të ndjeshme përsa i përket shndërrimit të Victorit në një qenie njerëzore, kishte shumë gjëra të cilat nuk qe kurrë i aftë t'i arrinte. Djali nuk arriti kurrë të përdorte asnjë lloj mjeti komunikimi. Ai nuk arriti kurrë të ishte i aftë të tregonte se kush ishte, përse kishte përfunduar duke jetuar i vetëm nëpër pyll apo të shpjegonte origjinën e një shenje të tmerrshme që kishte në qafë.
Sipas studimeve të shumta me të, Viktor duket se ka mbijetuar i vetëm, por shumë fëmijë të tjerë kanë patur fatin të rriteshin nga kafshë të egra. Edhe nëse është psikologjikisht e mundshme, lind pyetja. A mund të mbijetojë një foshnjë duke u ushqyer me qumështin e një ujku? Kjo mbetet ende një temë e nxehtë debatesh. Nëse arrijmë t'i besojmë historive ashtu siç janë në raporte, do të pranonim se këta fëmijë zhduken në pyll në një moshë tepër të vogël. Shpesh këta fëmijë janë rrërmbyer nga kafshë femra, të cilat kanë humbur këlyshin e tyre të vogël për t'u rikthyer ose kapur shumë vite më vonë
Mitet dhe legjendat që lidhen me këto histori dhe dëshmia e historisë së Aegisthus, janë rastet e para të fëmijëve të egër me të cilët përballemi. Procopius, në librin "De Bello Gothico" shkroi se një fëmijë, i braktisur nga nëna e tij gjatë kohës së luftës (lufta ka qenë arsyeja më e madhe e braktisjes së fëmijëve) është gjetur dhe fshehur nga një dhi dhe është gjetur në putrat e saj kur të mbijetuarit janë kthyer në shtëpitë e tyre.
Kjo ndodhi 250 vjet para Krishtit dhe histori të tilla kanë mbërritur deri në ditët tona si p.sh. Andrei Tolstyk, i gjetur pak vite më parë. Dukej se ishte rritur nga një familje qensh, pasi e kishin braktisur të dy prindërit. Por, historia e dy vajzave ujkonja indiane, Kamala dhe Amala, është më intriguese dhe është bërë burim debatesh për më shumë se 80 vjet.
Njerëzisht u shtynë të besonin se këto dy vajza, jo motra, të cilat ishin marrë nga kafshët me një diferencë kohore nga njëra-tjetra, u gjetën së bashku në një kope ujqërish nga Reverend Singh. Ai kishte dalë në kërkim të dy fantazmave që ishin parë shpesh nga vendasit dhe me anë të një shpikjeje të tij synonte t'i kapte këto krijesa të pazakonta për t'u hequr frikën fshatarëve. Kur ai i pa ato me sytë e tij, e kuptoi se nuk bëhej fjalë për dy fantazma dhe as për krijesa të çuditshme, por për thjesht dy vjaza. Ai i nxorri ato jashtë nga kopeja duke vrarë nënën e tyre ujkonjë.
Vajzat u bënë shumë shpejt objekt vëmendjeje dhe kurioziteti për shumë vizitorë. Fatkeqësisht, vajza më e vogël Amala vdiq një vit pas kapjes, ndërsa Kamala mbijetoi deri në vitin 1929 kur ishte në moshën 17-vjeçare. Edhe pse kur u kap Kamala ecte me këmbë dhe duar, griste çdo rrobë që i vishej dhe gllabëronte ushqimin duke shqyer çdo pulë fatkeqe që i dilte përpara, ajo u mësua më shumë të përdorte sjellje normale njerëzore dhe madje arriti të fliste, edhe pse vetëm fraza të thjeshta.
Opinionet nëse historia e tyre është vetëm një legjendë ose ndodhta mashtrim kanë filluar që në vitin 1920. Charles Maclean iu tipos në kokë se do t'i shkonte kësaj historie deri në fund dhe bëri shumë kërkime të avancuara me qindra dokumentet origjinale që gjendeshin dhe duke udhëtuar për në Indi që ta zbulonte të vërtetën personalisht. Ai ishte gati të shkruante në raportin e tij që e gjithë historia ishte një shpikje brilante e Singh, por arriti të gjente vet atë çfarë ishte për të provë evidente që vërtetonte version e Reverendit.
Fëmijët e egër kanë mahnitur shkencëtarë të fushave të ndryshme, por sidomos ata të fushës së linguistikës dhe psikologjisë njerëzore. Të pamundur për të kryer Eksperimentin e Ndaluar, që konsiston në izolomin e qëllimshëm të një fëmije nga shoqëria njerëzore, shkencëtarët janë mundur më tepër të kryejnë studime të ndryshme mbi dokumentacionin dhe dëshmitë për fëmijët e egër me qëllim që të kuptojnë mekanizmin e zhvillimit njerëzor: si zhvillohet e folura, sjelljet dhe më e rëndësishmja, se çfarë do të thotë të jesh njeri. Në veçanti, ata kanë dhënë një ndihmesë të madhe në gjetjen e një përgjigjeje për pyetjen se ajo që na zgjeron mundësitë dhe aftësitë i dedikohet mënyrës se si lindim apo mënyrës se si rritemi.
Fatkeqësisht nuk ka aq shumë prova të mjaftueshme apo dëshmi të fëmijëve të egër për të kuptuar më mirë psikologjinë e tyre. Gjithsesi, ata vazhdojnë ende të ndezin debate shkencore, të ngjallin kuriozitet dhe të shtojnë dëshirën për kërkime të mëtejshme.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI - RD