Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Demir Krasniqi: Origjinali i këngës së Demë Ahmetit

| E diele, 30.08.2009, 02:07 PM |


Gjurmime folklorike:

    ORIGJINALI I KËNGËS SË DEMË AHMETIT

Ishin mledhë treqin harambasha ,
Harambasha të Sërbijes ,
Lavd po bajnë mej ra Shypnijes !
-A poj bina Stara Mitrovicës ?
- A poj bina Stara Vuçitërrnës ?
Zoti e vraftë kaurreshën plakë ,
Po del para, Novicën pe mson ,
Pe mson Novicën, çka me punue:
“Nëm ngofshi mue , vetit za mej çue ,
Ju , si n’ dashi me hy n’ Shypni ,
Qi e kceni hudutin me dalë n’ atë anë ,
Ju , mej ra për rreth Mitrovicës ,
Për rreth bjeshkës së Vuçitërrnës ,
Ju, mej ranun katunit t’ Mavriqit !
Ju, n’ Mavriq, biro, ju me shkue ,
Demë Ahmetin , n’ Mavriq me e rrethue !
Tridhetë robë , Dema mi ka ,
Të përmenun , biro, shpi me za ,
I çikë n’ bylyk , Dema e ka ,
Ju, Ajetën n’ mujshi me ja marrun,
Me ja marrun , për Serbi me e prunun ,
Ni djalë t’ ri me ta me e martuenun ,
Lavd i madh , biro, ka me u dalën ,
S’ asht kallaj shqiptarëve me u ranën ,
Se Bajram, muslimantë qi kanën !
Nata e Bajramit, nesër ka qillue ,
N’ Ditë t’ Bajramit, Demën me e rrethue !
Muslimantë, Bajramin e majnë,
I madh e i vogël kanë me u veshë , me u nrrue,
Çka a mashkull krejt n’ xhami me shkue ,
E lanë shpinë soll femnat në shpi ,
Ju, mej ranën Demën me bastisën,
Me ja marrën Demës qatë çikë ,
Me ja marrën e n’ Serbi me e prunën ,
Biro, Velikdani po vjen tuj u afrue ,
Do ta veshim çikën,  kem me e nrrue ,
Me çikë t’ shqiptarit , na me kcye e me lue !”

Çka po banë Novica i zi ,
Poj merr komitat me hi n’ Shypni ,
Pe kcejnë kufinin për rreth Mitrovicës ,
Për rreth bjeshkës të Vuçitërrnës ,
Krejt n’ aksham i afrohen Mavriqit .
Thonë, Mavriqit ju kanë afrue ,
Nata e Bajramit, atë natë kish qillue ,
Po mshifen cubat e ishin skejue ,
Vet Dema n’ shpi, vllazën, s’ kish qillue ,
Me ni shoq , n’ Shkup kish pas shkue ,
Me ble harqin për Bajram me e prue .
Plotë musafirë n’ odë ju kanë qillue ,
Për Bajram, t’ shkretit kishin shkue –
Ngatë xhamijës me ju afrue !
Ngatë sabahi , vllazën, ish afrue ,
Shih Novica, thiu, çka ka punue ,
Poj merr komitën e koka afrue ,
Shpinë e Demës, fill ja kanë rrethue ,
Poj  danë rojën kah me dalë me rue !
Shefatë Allahi – sabahi u zbardhue ,
Thonë, Hanifja herët ish kanë que ,
E kish pasë renin n’ magje me gatue ,
Pe merr sakicën , dru del me shkurtue ,
Sillën e Bajramit, e shkreta me gatue .
Nisi drutë , vllazën, mej shkurtue ,
Coptojke dru, sa mujke n’ atë ven ,
Zoti e vraftë Novicën, ç’ po banë ,
Pe thirrke n’ emën , si ta kishte nanë :
“O, moj Hanife, o, qatë za ja lëshon ,
A po m’ dvetë hiq , mori , çka jam ardhë?!”
Ja dha përgjegjëjen , Hanifja , n’ atë ven :
“Sod muslimantë, na kemi Bajram ,
Plot musafirë , unë, odën e kam ,
N’ kofshe ardhë , ti, për Bajram ,
Mirë se vjen , se qefin na e banë !”
Foli shkau:”Për Bajram, s’ jam ardhë ,
Dymdhetë vjet , ktu jam kanë rrogëtarë ,
Dema, rrogën mue nuk ma ka dhanë ,
Jam ardhë Ajetën, sod bre , me jav marrë ,
Me treqin vetë, o, rrethue ju kam !”
Foli e shkreta :”O, Novicë, ja banë ,
Nashta unë, atëherë nuk jam kanë ,
Jam kanë vet nuse ktu pa ardhë ,
Kush s’ëm ka thanë qi kem majtë rrogëtarë !
N’ ta pastë rrogën, baba, pa ta dhanë ,
Hajde n’ odë, e na kollaj ja bajmë ,
E t’i lajmë paret , borxh çka t’ kem metë !”
Foli Novica: “Paret nuk i due ,
Jam ardhë Ajetën gati me ma ba ,
Ti, rue haber kujna mej dhanë !
Soll ni pushkë me krisë përpjetë,
S’e  la n’ zjerm të tanëve pa ju djegë !”

Çka poj thojka Novicës , n’ at ven:
“Për musafir , ti, qefin na e banë ,
Çka kujton ti, Zoti mos ta dhashtë,
Zoti i Madh, ti , sherrit mos i pshtofsh !”
E la sakicën , te oda po shkon ,
Musafirtë , tanë me ren poj çon ,
“Çohi, o trima, e ju ka lajmrue ,
Se sod komitat, ne na kanë rrethue ,
Treqin komita, sod donë me na ra ,
N’ Ditë t’ Bajramit, me gjak me na la ,
Do t’ na e marrin erzin nëpër kamë !”
T’ shkretit janë çue , veshë e mathë te tanë,
Shumë pa arme , nami kokan kanë ,
Dalshin venat, t’ shkretit e poj zanë !
Po nget Hanifja, e shkreta, sobum- sobë,
Krejt djemve t’ Demës, e shkreta , po u kallxon:
“Çohi djemë, mos pritshi me u çue ,
Ne, Novica sod na ka rrethue ,
Me treqin komita po donë me na ranën ,
Po thotë – Ajetën gati me ma banën !”
Krejt n’ hamaxhika , t’ shkretit, kokan kanën,
N’ hamaxhika tuj u pastrue ,
Mej nrrue teshat, o, n’ xhami me shkue !
N’ kmishë e n’ dane , qashtu dalë janë kanën,
Poj marrin armët, venet i kanë zanën,
Shumë komita, treqin janë kanën ,
Pushka u nis, vllazën, n’ katër anët ,
Luftë e shtirë , bubullimë po shkon !
Shkoj Hanifja, te soba e Ajetës :
“Çou Ajete, kunatë, a je çue,
Se taksirati sod na ka qillue ,
Treqin komita, bijo, na kanë rrethue !
Na rrethuen, o , Novica i zi ,
Sod ka ardhë, çikë moj, po t’ lypë ty ,
Donë me t’ marrë e me t’ shti n’ Serbi !
Ngoj ti, pushkët, bijo, tuj bumllue ,
Mashqit tonë, na u kanë damtue ,
Shumë musafirë çka na kanë qillue !”
Veshë e mathë Ajetja, shpejt a dalë ,
Duel n’ oborr – pushka po kërset ,
Ja nisi vajza, t’ madhe po bërtet:
“A ka djalë, qi bjen shahadet ,
Sod, mos t’i dhimet për mue ni fishek ,
Për ditë t’ sodit, mue le t’ëm vret ,
Se nimi grosh, n’ i  baftë ni fishek ,
N’ dorë t’ qyfarëve , sollte mos t’ëm len !
N’ dorë t’ qyfarëve, sollte mos me m’ lanën,
Me ma marrën erzin nëpër kamë !”
Turr, ja ngjiti vajza, jataganit ,
Hyxhym shkijeve, Ajetja po u banë ,
Tre poj prejka , Novica poj pshton !
Zoti e vraftë Novicën e zi ,
Shpejt e drodh cubi, qatë shahi ,
Ja lëshoj Ajetës , o bre, brium-bri !
Brium-bri vajza koka metë ,
Thonë, n’ atë ven, vajza nrrojka jetë ,
Perenija , asaj ja baftë letë ,
Hiq pa shybe, shehit ka me metë ,
E pastë que Zoti n’ Xhenet ,
Për t’ gjallë, shkijet sun e kanë prekë !

Shumë komitat kishin qillue ,
Luftë e shtirë, atë ditë, ish marue ,
Prej Allahit, koka kanë e shkrueme ,
Mashqit e Demës, krejt ishin damtue ,
Musafirë krejt çka janë qillue ,
Kulla e shpija rrafsh ja kanë rrafshue ,
Tridhetë robë, Demës, ju kanë shkurtue ,
Veç dy reja, t’ shkretat , kishin pshtue !
Poj pshtojnë dy rejat me ni sabi ,
E ja marrke Novica i zi ,
Krejt poj lidhka ato të dyja ,
Poj çon tu i rrehë, thiu, me kamxhi,
Poj rrokin bjeshkës e pe kcejnë kufinin ,
Pe kcejnë kufinin, nisen për Serbi ,
Fort poj rrehke, o, Novica i zi !
Poj rrehë fort , poj banë adalet ,
Reja e madhe –thonë- sun banë gajret ,
Qajo e vogla, o, poj jep gajret :
“O, moj kunatë, oj kunatë , poj thet ,
Se pej shkijeve , pejgamberët kanë hjekë !
Banë gajret, se Zoti kshtu ka thanë ,
Ma, Novicës , mos t’i bajmë “Aman!”

Poj  dvetë shkau:”Dema, ku ka shkue?”
Hem poj dvetë, kamxhi tu ju mshue !
Reja e madhe, keq ish kanë hutue ,
Nisi drejt, shkaut mej kallxue !
E vogla briti:”Mejë, kunatë, ja banë ,
Qysh batilit, ti, drejt poj kallxon ?
Dalin, pritën , kta babës ja zanë !
E vrasin gon, i shkreti , gja nuk di !
Ti, s’ banë drejt kti shkau mej kallxue ,
Se n’ koftë baba, i gjallë me na pshtue ,
Tridhetë robë, aj ka mej pague !
N’ koftë qaj Dema, vetit qi i ka thanë –
Jesirë t’ shkaut, o , aj s’ ka me na lanë !”

I çojnë tu i rrehë, more , me kamxhi ,
Me gërshanë, teshat jav kanë gri ,
Poj danë dy vetë e poj çon n’ Serbi :
“Ju, do t’ shkoni, myzhde me ju marrë –
Po vjen Novica me treqin vetë,
Se n’ Shypni, thueni, jena kanën,
Dy gra t’ shiptarëve poj bina n’ kit anë ,
Dy rejat e Demës, o, me ni sabi ,
I kena pru të dyjat n’ Serbi ,
Tridhetë robë, Demës ja kena gri !
Merrni dajret, buret me raki ,
Me na dalë para se do t’ bajmë denam!”
Po shkojshin shkijet, atë lajm e kanë dhanën –
Shkije e shkina , krejt janë que në kamë ,
Tuj shëndetë dajre me mzika ,
Marrin muzikat, buret me raki ,
I dalshin para Novicës të zi,
Me komita n’ ato gryka a hi,
Po mirrën ngryk, e po pinë raki ,
I nisin dajret tuj lue e tuj kcye ,
Rejat e Demës, nërmjet veti i kanë shti ,
Poj shtinë tuj rrehë, t’ shkretat, me kcye !
Ato kcejnë, fort ishin ngushtue ,
Lotët nër mjekër, t’ shkretave, tu ju shkue !
Tuj pi , shkijet, keq kokan hutue ,
Haberi, Demës , n’ gjysë t’ udhës i ka shkue ,
Me ni shoq , Dema, ish kanë qillue .
I dhanë haber:”O Demë, i kanë thanë ,
Me u ba trim, o, trim gjithmonë je kanë ,
Se Allahi, kshtu paska thanë ,
Se komitat e shkaut t’ kanë ra ,
Tridhetë robë, Demë, t’ i  kanë damtue,
Musafirët krejt çka t’ kanë qillue ,
Tek dy rejat, t’ gjalla t’ kanë pshtue,
T’ kanë pshtue dy rejat, Demë, more , me ni thmi,
T’i ka marrë qaj Novica i zi ,
Kcej kufinin e i ka shti n’ Serbi !”
Zuni Dema, pak me u hutue ,
I shoq i mirë, ngat ju ka afrue ,
I shoq i mirë, qaj Rrustem Mavriqi :
“Afroj mentë, more Demë, naj briti !
Pej Allahit, kshtu emër a ba ,
Çou, t’ i  biem haber me dhanë ,
T’ i himë Llapit, t’ i himë Gollakit ,
Ditë Bajrami, sod shyqyr qi asht ,
I gjajna odav’  krejt Bajram tuj ba ,
Vllaznitë tonë nihma kanë me na ba ,
T’a  kcejmë hudutin e gajret do t’ bajmë,
Qato dy gra, jesirë mos t’ ia lamë ,
Se rritet djali e emnin ja  nrrojnë,
Me gra tona – dy shkije i martojnë !”

Te dy trimat, rrugën e kanë marrën ,
Poj hinë Llapit, o, haber tuj dhanën ,
Mirren ngrykë e Bajram tuj banën:
“Çohi vllazën, nihma me na dhanën ,
Se sod komitat, shpijav’  na kan ranën ,
Na kanë pre, e shkrum na kanë banën ,
Dy gra t’ reja, neve , naj kanë marrën ,
I kanë marrë gratë e i kanë shti n’ Serbi ,
Me ta asht, more, ni sabi ,
Qysh mej lanë jesirë n’ Serbi?!”
Gajret t’ madh shiptarët paskan banën ,
Shyqyr Zotit, o, trima janë kanën ,
Tanë shoqi-shojt ,o, haber tuj dhanën ,
Çohet potera , o, n’ Llap e Gollak ,
Nisen rrugës, o, tubue janë kanën ,
Plot tre mijë, thonë, shiptarë janë banën .
Tre mijë vetë, shiptarë janë tubue ,
Dikush kamë e dikush kaluer ,
Rrokin kufinin, trimat, pe kalojnë .
Kur po hishin mrena n’ Serbi –
Poj nijnë dajret, çafirat tuj kcye !
Po nalet Dema:”Oh, more vllazni,
Ju, a kini ardhë mue mem nimue,
Ishalla Zoti, juve , ju nimon !
Ju, n’ ma dishi zjarmin qi e kam –
Qitash cigaren , vllazën, mos me e kallën !
Nalne kollin, vllazën, me marama ,
Se ngat komitat , o, qitashti janë,
E na marrin vesh çafirat, na pshtojnë !
Na t’i  zamë e gajret do t’ bajmë !”
Krejt vllaznija n’ ni besë lidhë tek janë –
Kush duhan, ma nuk ka kallë ,
Mshelin gojën me maramë .
Kur afrohen e poj nijshin dajret –
Nalet Dema:”O vllazën shiptarë !
Ju , për mue n’ kit zjerm keni ardhë ,
Ngoni vllazën, krejt, unë du me u msue !”
Jav danë çetat, venet e caktueme ,
Rreth e rreth i kanë rrethue !
Rreth e rreth – rrethin jav kanë qitë ,
Poj ngojnë shkijet – krejt ishin habitë !
Po u thotë Dema:”Vet, unë du me u avitë !
Do t’ avitna , me ta me u përzie ,
Kur t’ kërset e jemja shahi –
Le t’ dhizet pushka , vllazën, n’ katër antë,
Se sod Allahi, ne do t’ na nimon ,
T’ gjallë me dorë, na kemi mej zanë!”

Djemtë e Demës, ishin me dikat ,
Poj zanë pritat – rrethin jav kanë qitën,
Dema, vet shkoj e ish avitën ,
Shkoj, me shkije Dema ish përzie !
Janë hutue çafirat tuj pi –
Nuk po e shohin,o, Demën me sy !
Briti Dema:”Hanife, oj bi ,
Ruejma Babës, sa t’ mujsh qatë sabi ,
Se po ta therrin , o, kta kryqali!”
Thonë – Novica, vet e paska nije ,
O, turr i bani, thiu, me singi –
Ja hoq veshin, o, qati sabije !
Dema e drodh t’ bekuemën shahi –
Ja dha Novës, vllazën, brium-bri !
Krisi shahia e Demë Ahmetit –
Krejt për shkije, atë ditë krisi kiameti !
Ishin pi, o, ishin hutue ,
Krisi pushka, sa mun me damtue ,
T’ gjallë poj zanë, more, tuj shkurtue,
Thonë – nja t’ gjallë atë ditë s’e  kanë lshue !
Soll shtatë vetë , o, ishin dorzue ,
Thonë- Demës, t’ gjallë n’ dorë ja kanë que –
Me dorë tane, Demë, mej shkurtue !
Foli Dema:”More vllazën, u thet –
Mu pej shokve, kush um ka metë?”
-Hiq kërkush, o Demë, s’ jena damtue ,
Sod Allahi, ne na ka nimue !
Duert përpjetë Dema i paska que :
“Zoti i Madh, qi na ka nimue ,
Tridhetë robë, krejt i kam harrue,
Shyqyr, shoktë s’ mu paskan damtue !”
“O, vllazni – Dema po ju thet ,
Qita t’ shtatit, kërkush mos t’mi prekë ,
T’ ja qoj Pashës, le t’ bajnë si t’ dinë vet ,
T’a  dinë shkau, se shiptartë kanë rahmet !”

I lidhin t’ shtatit, përpara i kanë vnue ,
Po vardisen e janë hallallshtue ,
Po e marrin rrugën, kismet, n’ shpi me shkue,
O, s’ po mujnë rejat, o, n’ kamë me u que !
Qysh me u que, o t’ shkretat në kamë ,
Qi jav kishin gri teshat me gërshanë?!
Kur e panë ,o, vllaznitë myslimanë –
Thonë – shpinë për shpine si gardh kokan banën ,
Poj  hjekin kmisha e poj hjekin dane ,
Jav mlojnë ahiretin, t’ shkretat janë que n’ kamë,
Me vllazni t’ vet, rrugën e kanë marrën ,
Po shkojnë Demës, krejt gajret tuj dhanën !
Ni shoq pej tyne , po flet gajbet:
“A ngon Demë, zanin nije ta kam ,
Hallall t’ koftë mundimi qi ta bamë,
Gajretxhi i madh, ti , koke kanën ,
Se me kanën tjetër – mentë e kishin lanën!”
Foli Dema:”O more vlla, poj thet ,
Rue se flet gjithë kit fjalë gajbet ,
Se ka Allahi, o, hala ma keq !
Kurrgja s’ janë, o vlla, tridhetë robë ,
Ma keq mentë, o, sod mue mem lanën ,
Ju mem lidhën, o, bre, për qatë dardhe ,
Unë me britën, me pallë si magar -
Kta shtatë anmiqë , mue mem nije tuj pallë !
N’ dashtë Allahi, mem dhanë bereqet ,
Qeky sabi, qi a metë me ni vesh ,
Pej qitina bahen tridhetë !”
Tanë me ren, Dema, ngryk i ka marrë ,
Jav lypë hallalin – krejt hallall ja bajnë !
Kabull Allahi, duanë ja ka ba –
Ni mahallë – thonë – pej tij janë ba !


Kënduar nga rapsodi popullor legjendar kosovar – Riza Bllaca, në Prishtinë, më 1975.
Shënoi: Demir Krasniqi.
Ngjarja ka ndodhur në vitin 1805, kurse hulumtimet etnomuzikologjike tregojnë se variantin më të saktë dhe më real të kësaj rapsodie historike e ka këndua një rapsod popullor nga Banja e Sijarinës, i cili në atë kohë është quajtur Momin Jakupoviq (Jakupi), por që fatkeqësisht , atë variant nuk kemi mundur ta sigurojmë.

Gjilan, më 30 Gusht 2009.            Demir KRASNIQI