Ndue Ukaj: Kënga e dritës
| E shtune, 29.08.2009, 01:01 PM |
KËNGA E DRITËS
Ndue Ukaj
Ç’është lumturia e të shkruarit, shpirti im?
Më thuaj me plot gojën, flake heshtjen mënjanë,
Nëse jo zgjatim i kujtesës sipas Hose Luis Borgesit,
Apo prehje me veten dhe për veten
Në terrin e zi të vetmisë së thellë,
Ku nuhaten të fshehtat e unversumit
Me gjuhën e të pathënave,
Me të pazakonshmet e ruajtura
Nëpër magje të gatuara me makth
O Zoti im, arti i shkrimit
Imagjinata e përtej lumit të heshtjes
I vret kohët me shikimin e Judës
*
Shpirtushka ime, koha e lumit të heshtjes është trazuar,
Murmurin zhurma, furtuna s’ka të ndalur
Tani po përgatis nisjen time drejt majës,
Së kodrës së dashurisë,
Është e paarritshme për hapat e vegjël
Aty përthyhet arti i të shkruarit me lakuriqësitë e natës,
Me gratë e picëlluara e ofshamat mbytëse
Me metaforat e gjalla që gjëmojnë rrufeshëm tokë e qiell.
Nuk mund të fshihet asgjëkundi,
Qyteti i ngritur në majë mali,
Si dishepull bindur në fjalë e në dritë,
Ec përkrah dritës,
I bindur se në fillim ishte fjala
Prej saj u bë çdo gjë e pa të s’u bë asgjë.
Shpirti im, s’më bën dot punë qyteti i zhurmës,
E sheh qytetin me ngjyra në majë,
Rrethuar me strofulla ujqish që uturijnë lemerishëm,
Gjarpërinj e krimba të mëdhenj,
Erë të qelbura që kundërmon vdekshëm.
*
E pra, engjullushka ime, kjo është rrugë e shoqëruar
Me kujtime të shkruara e të pashkruara e lëmsh të bëra
Me këngë të zorshme për zërin e çjerrën
Më duhet të nxitohem ta përfaq kohën që s’e njoha,
Të mësoj për ato që s’i përjetova
Diferencat e heshtjes dhe zhurmës
Prandaj qiriun e errësirës e mbaj me duart e mia të rënduara
Në ballin e djegur ku sfiliten- bëjnë betejë fjalët
Hahen metaforat me ironitë e dehura përgjaken përtokë
Luftojnë njëra-tjetrën s’e durojnë dot
*
As nuk e kam idenë të iki nga drita,
Edhe pse është larg, me kilometra, muaj e vite.
Ndoshta shekuj ka- thua ti me një mal dyshimi:
Çfarë domethënë kjo për një varg
Që ec me krahët e vetëtimës,
Me fuqinë e tërmeteve,
Pas shtatë fushave e pas shtatë maleve, duhet të ec
Qyteti i dritës është i rrethuar me gjemba që të mbijnë mishtë,
Me gjarpërinj e perandorë të ruajtjes së krimit,
Aty pranë kanë strofullat e tyre të pabesët, tradhtarët,
Diktatorët që çirren tërë ditën e lume për demokraci,
Dhe kontrastet e botës shihen si në pasqyrë të thyer
Kurvat dhe kurvarët, aty janë
Ka shtëpi të panumërta publike. S’ka libra e art,
Vetëm bordello me ngjyra të gjithfarshme
Ku bluhet makthi i dehumanizmit
Ka mes tyre mite të trasha sikur pluhuri nën këmbët e mia,
Dhe legjenda të shumëzuara sikur këpurdha pas shiu
*
Është rrugë e gjatë,
E lodhshme dhe duhet kaluar.
Ngritjet ramjet kanë emra të gjithfarshme,
Interpretime të përçudnuara nëpër dhëmbë të prishur
Nga pështyma me aromë pluhuri.
S’ka rëndësi, ngase ecja ka qëllimin e vet.
Tani është koha dhe duhet të marr frymë thellë,
Të heq të vjellat nga barku im i ngulfatur me pluhur,
Rrugës ndodhet Kopshti i Edenit,
Gjarpri i kuq e Kulla e Babelit në rënie
Dhe një mori orëligash që vallëzojnë më kokën në qiell,
Eva e lakuriqësuar si asnjëherë më parë, e dëlirë, e bukur,
Shtathollë e sybuzëgazë dhe plot afsh për kafshim
Dhe një degë e trashë e Pemës së Thatë
Oh engjëllushka ime, ku ishte t’ma kujtosh mrekullinë e shkrimit,
Metaforën e pandalshme në lumin e përmbytur,
Lumi rrjedh dhe ka qëllimin e tij.
S’e ndal dot rrjedhën, as nga barrikadat e mendjes së cunguar,
As nga rrezet e diellit që të pjekin prush,
As nga toka e djegur, shkrumb e etur për ujë
Ku piqen mendimet tona sfiliten e sfidohen
*
Oh, e dashur, të kam lodhur në qetësinë e lumit të dashurisë
Me prologun lodhshëm të metaforës së keqe,
Megjithatë të lutem ke kurajo të më dëgjosh:
Rrugës që kanë për të kaluar këto vargje,
Mund të jetë strehuar në ndonjërin kënd të vetmisë,
Një pjesë e ndryshkur e qenies sime,
Më duhet ta prek, edhe pse kundërmon qelbësirë
Mos u merakos, birit tonë Luisit asgjë s’do i ndodhë
Është imunë ndaj të palarave, pluhurit e pabesive
Ndaj urisë e miteve të gjithfarshme,
Është imun shpirtushka ime
Edhe ndaj diktatorëve e strofullave të panumërta me ujq.
*
E dashur, dëgjo dhembjet e mia të vjetra e të reja,
Dhe klithmën e lemerishme të artistit mistik, OH!
Dëgjoje lahutën e artistit që rri si qiell hijerëndë mbi ne
Dëgjoji të rrahurat e damarëve të tokës që pëlcet nga eshtrat e artistit
Me të cilët u ushqyen qentë... qen të çmendur e perandorë të vdekjes.
Arti i tyre është dekor si pudër kurvash
Dëgjoje një rrebesh i pafundmë po sillet rreth kokës,
Më duhet të ndalem, të marr frymë thellë,
Të lë mënjanë biografitë e trashë me gjak
Sepse zgjohen zogjtë nga foleja e qetësisë e na bëjnë zhurmë,
Të kthehemi tash te pylli ynë i fshehtësive,
Aty i kemi armët: vargjet, bukën, metaforat e trasha me ironi,
E pra, tash, gjërat do marrin kahje më të perfeksionuar,
Më duhet të flas shumë e të këndoj më duhet,
Është koha e jonë në universin tonë ka aq shumë vrasje,
Prishje të klimës globale, ka e dashur, përçudnim të moralit,
Dhe çdo ditë e më pak art,
Brohoritet furishëm Zoti s’ekziston
Nga turma të humbura në epshin e kohës
Brohoritet e dashur Zoti është i yni,
Të vrasim Zotin e të tjerëve, ç’trishtim e dashur.
Fëmijë të përdhunuar, vrasje të gjithfarshme:
Motive të mbytura në shikimin e verdhë
E apokalipsia s’është gati.
*
Prandaj më duhet të lëviz busullën e metaforës së përmbysur
Drejt majës së qytetit mbi kodrën e dashurisë.
Dhe ki mendjen e përcilli vargjet:
Kjo poezi, s’ka sy, por i duhet të shohë vëmendshëm
Kjo poezi s’ ka gojë, por i duhet të flasë shumë
Kjo poezi s’ ka veshë, por i duhet të dëgjojë
Ato që s’thuhen, dëshirat e heshtura e të panjohura,
Kësaj poezie nuk i shkon zëri, melodi përcjellëse s’ka,
I duhet të këndojë, përtej shtatë palë kodrave e maleve të dëgjohet,
Ditët po përplasen njëra mbi tjetrën,
Unë bëj udhëtimin tim me libra, art e dashuri,
Luisi biri ynë le të flejë në ëndrrat e lojës së ujërave të pafundme,
S’ka asnjë arsye të brengoset,
E pra, e sheh, ditët kalben, kundërmojnë qelbësirë,
Hidhërimin e Akilit më duhet ta mposht,
Ka kohë për të pabëra të shkruhet,
Kam shumë rrugë për të bërë,
Ende jam në hapin e parë, do të ec me këmbët e të shpejtit Akil
Me vete kam ndjenja të përgjakura,
Mendime të kafshuara nga egërsitë e kohës,
Kujtime që prodhojnë vdekje, frikë, ikje,
Kjo është bibla e pashkruar në trajtat e Ferrit,
Asgjë s’më bën të kuptoj si kalohet në Purgator,
Madje asgjë s’më bën të kuptoj ku është dera e Parajsës,
Me terrin hahem, hahem sa fort përleshem shpirti im,
Kuptoje betejën time, të lutem e dashur
Më duhet të mësoj rrugën e Dantes,
Ai bëri rrugën më të madhe në botë.
*
Tash dëgjo vëmendshëm: në portën e Parajsës s’ka roje.
Marr frymë thellë dhe përleshem me terrin hahem sërish,
S’e dua asnjëherë. Duhet ta flak
Kemi luftuar e dashur me shekuj me terrin e padrejtë.
Ti s’pajtohesh me mua, terri është qetësim i shpirtit,
Shtrat e epsheve tona, më thua,
S’ka metafora, histori as fabula për artin e dashurisë
Unë të puth butësisht... qetësisht dhe më duhet të them,
Më le mua të ec në dritë e dashur...
Dua ta kaloj këtë udhëtim nëpër dritë.
Asnjëherë s’i kam besuar errësirës,
Kjo s’është lojë fjalësh as simbole surealiste
E dashur, para se të nisem në hapat e parë,
Gjarprin tek pragu i shtëpisë mos e shkel,
Ec si një baletane mbi lëkurën e tij, s’do të kafshoj,
kështu i përvijohesh tradhtisë, pemës së vdekjes
Pas disa hapash e gjënë pemën e jetës
Gjithsesi nisja jonë duhet të kaloj nëpër kronika të shumta,
E duhet të mësojmë shumë gjëra,
Misteret e panumërta që ruan “bibla jonë e heshtjes”,
Gjithsesi më duhet të kuptoj të pakuptuarat e të pathënat
Të pashkruarat dhe enigmën që më cytë drejtë malit të shenjtë
Si ndodhi që për besim ndaj Zotit
Abrahami të provojë vrasjen e të birit...
Oh e dashur, sërish më duhet të ndalem,
Një çikë pauzë më duhet, është rrugë e gjatë,
Frymëmarrja ime është paksa e lodhur,
Më duhet të përshkoj shtatë palë kodra,
Male, pyje me bisha të shumta,
Rrugë të boshatisura nga nëna të devijuara,
T’i përgjigjem pyetjes:
Ku e gjeti Abrahami besimin për të vrarë djalin vetëm për besim ndaj Zotit?
Kohët puqen, herë puthen e herë urrehen
Në kohën e paemër baballarë vrasin e armë gjëmojnë,
Dhembja humb kuptimin
*
O Zot ç’përfytrim i trishtueshëm më ngjall makth
Ç’oqean i madh që gjendet para hapit tim.
Më duhet ta kaloj në këmbë.
Si mos të trembem nga stuhitë detit,
Tërbimet e përbindshave të tij,
Nga valët që puthen natën më qiellin egërsisht.
Koha ec me shpejtësi e dashur,
Koncepti i kohës më ka përbirë në ujëvarën e metaforave,
Të armatosem duhet nga pabesitë e kohës,
Dvarrësit e ideale, rrënuesit e poezisë.
Prandaj të jam përberë të mos ecim nëpër terr, nuk ka besë.
Ora po puthitet, kambanat kishës rrahin,
Ta ndezim një qiri për të shpëtuar dashurinë
E sheh si rrënohet çdo ditë, në të katër anët sulmohet
Të kurorëzojmë vetën e bashkë me të
Dashurinë dhe udhëtimin tonë.
O Zot, sa pak Don Kishotë ka bota
Sa shumë që ka nevojë për ta,
Për diell të zi nuk kemi nevojë s’kemi syze për të mbrojtur -
Do thoshte miku i im poet.
E dashur, koha na thërret për kremtet e ringjalljes,
Të rrëfehemi para vetes dhe identitetit tonë.
*
O shpirtushka ime e sheh ka mjegull
Duhet të biem në lumin e gjumit tonë,
Të mos e trazojmë për asnjë sekondë të nesërmen,
Dielli sapo të lindë do të nisim pelegrinin tonë,
Rruga është e gjatë ne jemi bashkudhëtarë të erës,
Do të triumfojmë e dashur,
Tash mbylli sytë, bota po pushon në atë shikim,
Unë përleshem me metafora hahem me terrin e zi,
Nesër sapo të hiqet mjegulla, të bjerë rrezja e parë mbi dhe
Nisemi për në pelegrin...
Qyteti në majë të malit na pret me padurim.
Është qytet imun ndaj akullit, sëmundjeve, të ikim tash...
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.