Burbuqe Thaçi: Servilizmi ndaj serialomanisë
| E Merkure, 12.08.2009, 09:58 PM |

Servilizmi ndaj serialomanisë

Nga Burbuqe Thaçi
Gazetare hulumtuese në Institutin për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike

Një ditë pune, gjatë pushimit të drekës, po pija kafe me disa mike në njërin nga lokalet më të frekuentuar në qendër të kryeqytetit. Në tavolinën fqinje qëndronin dy zyrtarë të lartë qeveritarë të cilët ma tërhoqën vëmendjen me shikimet e ngulitura sa në tavolinën tonë, sa në tjerat.
Pas disa minutave, ata ia shkrepën bisedës. Fillimisht heshtja, pastaj shikimet, më bënë kureshtare ta dëgjoja bisedën e tyre të saponisur. »Allahile, çka u ba pramë me Nerminin se ishim me ndejt te do kusheri e as une as gruja s’mujtem me pa«, po i thotë zyrtari më i vjetër në moshë atij më të riut. Ky i riu po ia kthen: »Se keni kqyr a? Jaaa u dashtë me pa reprizën se fort interesant u kon…Nermini u plagosë«, derisa vazhdon t’i shpjegojë kolegut te tij më të vjetër ngjarjen nga njëri episod i serialit »Jetë e hidhur«, i cili transmetohet në RTV21.
Duket e çuditshme kur dëgjon njerëz të tillë që shpenzojnë kohë për të biseduar rreth diçkaje praktikisht të pavlerë, si puna e këtij seriali. Të them të drejtën kam dëgjuar shumë për këtë serial mirëpo, nuk e kam parë asnjë episod të vetëm, me përjashtim të atij me datën 06 gusht, krejt për shkakun e kësaj kolumne. Bile një mik i imi më pat thënë si me qortim »Qysh bre se ke pa asnjëherë këtë serial; a e din që edhe fëmijt e mi veç për Nerminin e Mehmetin (protagonistët e këtij seriali) dinë me t’folë ditë e natë pandërpre«, thuajse po bëhej fjalë për ndonjë akt të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
I cilësuar nga masa si i  përshtatshëm për t'u shikuar nga të gjithë anëtarët e familjes dhe nga çdo moshë, shumë prindër madje nuk ulën para ekranit pa i ftuar edhe fëmijët e tyre që bashkërisht ta shohin episodin e radhës të këtij seriali. »Çika jem, hajde se ja nisi Nermini«, dëgjova nga rruga një fqinje në ballkonin e banesës së saj,  tek thërriste fëmijët e vetë për ta shikuar serialin që u kishte hyrë në gjak. Në vend se këto fqinje pseudointelektuale t’i mësonin vajzat më shumë rreth mundësive dhe kufizimeve në perspektivën e tyre në Kosovën me papunësi dhe varfëri masive, ato u tregojnë çfarë po i bënë »vaki« Nerminit e Mehmetit.
Nejse, filloi seriali që tani kisha vendosur t’ia shikoj një episod. Mehmeti iku nga spitali. Pas disa minutave kuptova se ishte i plagosur. Gjithë rrugën i bënte telefonata një gruaje të quajtur Filiz, nga e cila kërkonte informacion rreth vend ndodhjes së Nerminit. Skena e radhës: Nermini e plagosur po qëndronte në një dhomë  duke u kujdestaruar nga bashkëshorti i saj. Në ndërkohë, ajo ia del të ikë nga shtëpia. Vazhdojnë skenat kur Nermini e molisur duke bredhur malit, ndal një shofer kamioni të cilin e lut ta dërgoj në qytet, derisa burri i saj, i cili ka dalë ta kërkoj atë e gjen, e rrah shoferin e pafajshëm dhe e merr me dhunë Nerminin. Këto janë në pika të shkurtra disa sekuenca të serialit përplot skena dhune.

                                             * * * * * * * *                      
Në bazë të një hulumtimi të kryer nga INDEX Kosova, i publikuar ditë më parë, RTV21 ka dalë të jetë  televizioni më i shikuar në Kosovë me 53 përqind të shikueshmërisë. I dyti radhitet RTK me 51 përqind, ndërsa KTV është renditur e treta me 24 përqind të shikueshmërisë. Duke i lënë anash mangësitë e mundshme, hulumtimi është kryer në kohën e transmetimit të serialit të famshëm turk, Mehmet Kosovarit, shikueshmëria e të cilit  ka marrë përmasa tejet të mëdha gjithandej Kosovës. Nuk është lajm se kosovarët vazhdojnë të humbin kohën e tyre të vlefshme pas serialeve. Kjo »traditë« vazhdon qysh nga transmetimi i serialeve latinoamerikane si »Kasandra« (i transmetuar në kanalin tre të Serbisë), »Esmeralda« të cilin televizioni publik i Kosovës e pati transmetuar, pastaj »Marisol« e plot seriale tjera. E keqja e gjithë kësaj është vazhdimi i kësaj tradite të ultë nga televizionet kosovare të cilat po topisin vetëdijen sociale të popullit, duke u servuar këso programesh me plot të pavlera. E masa më e madhe e »mjerë« vazhdon t'i konsumoj ato.
Dihet se synimi i televizioneve është krijimi i një audience sa me të madhe. Mirëpo, nuk është aspak e ndershme që ata (pronarët e TV-ve) të mburren me shikueshmërinë falë transmetimeve të programeve të tilla të pavlera. Nuk do shumë filozofi se shkalla e lartë e papunësisë është një ndër shkaktarët pse serialet shikohen shumë. Por, jo në këtë rast, kur edhe  shtresa intelektuale është infektuar nga ky virus. Mbase për shkak se nuk kanë se çfarë të shohin tjetër. Mungojnë emisionet e mirëfillta edukative, dokumentarët (shumë prej tyre që transmetohen në TV-të kosovare janë repriza që transmetohen tash e dy-tri vjet). Këto TV u japin hapësirë më të madhe të transmetimit disa emisioneve të ashtuquajtura zbavitëse, me veshje dhe zhveshje të kukullave me plot silikon të cilat e quajnë veten »këngëtare«.
TV-të kosovare  bëjnë »luftë« me njëra tjetrën se çfarë seriali »bombë« të fusin në orarin e njëjtë me atë të programit tjetër televiziv. Është koha që këta drejtues televizionesh të mbushen mend dhe hapësirën më të madhe kohore ta shfrytëzojnë për tërheqjen e audiencës me programe  të  mirëfillta më të dobishme për shoqërinë. Mbase kështu do të arrihet efekti i  edukimit dhe vetëdijesimit të opinionit publik (sidomos të asaj pjese të papunë, e cila duke mos pasur se çfarë të bëjë, humb kohën duke shikuar TV-në, pavarësisht se çka u shërbehet në të). Derisa TV-të kosovare nuk bëjnë ndryshime pozitive në këtë drejtim dhe vazhdojnë të luftojnë për shikueshmëritë në saje të serialeve, ato nuk gëzojnë asnjë epitet tjetër pos atij »Po luajmë tezesh me shikuesit!«.
Për fund, e kam një porosi për ju lexues që ende nuk e keni shikuar serialin e Mehmet Kosovës. Unë e shikova vetëm një episod nga presionet e shumanshme dhe erdha në përfundim se humba një pjesë të kohës sime të vlefshme. Juve që u ka hyrë në gjak ky serial, po ashtu mund të liroheni nga ai. Nuk keni nevojë të më tregoni se çka mëson njeriu nga ky serial i pavlerë. Ka sfera tjera të jetës ku mësoj për çdo ditë gjëra më vlerë dhe ato janë në bazë të vendimit tim, e jo të TV-ve me periudha të caktuara kohore. Edhe ju mund të mësoni, madje më shumë se unë, gjëra më me vlerë se nga Mehmet Kosova. Ai mësim duhet të niset nga mendja dhe vendimi i juaj. Ju mund ta bëni këtë shumë lehtë. Prandaj, bëjeni tani! Nuk u kushton gjë. Më rrezik është kur bëheni servil i TV-së dhe serialeve të pavlera, se servil i njerëzve në disa raste. Keni dëgjuar lëvizjen Vetëvendosje! dhe shumë qytetarë kur thonë se politikanët tanë janë servilë të te huajve? Megjithatë, servilizmi i tyre nuk është aq i kotë sikur i shumë qytetarëve ndaj serialomanisë. Politikanët përfitojnë diçka nga ai servilizëm, qoftë edhe në dëm shumë të madh të qytetarëve, por shikuesit e Mehmet Kosovës nuk fitojnë gjë. Nga këta shikues fiton më së shumti producenti dhe firma në Turqi që na e ka sjellë serialin e Mehmet Kosovës këtu, e më pak fiton RTV21.


(Vota: 29 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: