Arsim Halili: Intervistë me regjisorin Ekrem Sopi
| E Marte, 11.08.2009, 05:34 PM |

Ekrem Sopi
Ekrem Sopi
Intervistoi:
Arsim Halili


INTERVISTË  ME EKREM SOPIN – REGJISOR

Kush është Ekrem Sopi?

Jam Ekrem Sopi, i lindur më 1975, në fshatin Zarbicë, komuna e Bujanocit. Jetoj në Gjilan. E kam të mbaruar fakultetin e Arteve në Prishtinë, dega e aktrim-regji. Deri më tani kam punuar disa shfaqje teatrale dhe filmike, thjesht një djalë ambicioz për punë.

Arsyeja e juaj që jeni fokusuar në këtë profesion?

Realisht së pari kam hy në aktrim. Unë mendoj se rruga për në regji, është një rrugë e fshehur. Për këtë mendoj,  nuk besoj se njerëzit din për të shkuar në regji. Unë përmes aktrimit e kam  kuptuar më vonë, që  duhet të shkoj në regji! Nuk besoj, se një nxënës i shkollës së mesme din me shku në regji, pa shtytjen e dikujt tjetër,  ose vijnë përmes profesioneve tjera. Zakonisht studentët që vijnë në regji, vijnë ata, që e kanë kryer një fakultet.  Personalisht e kam kuptuar, se më mirë komunikoj me regjinë  dhe kjo është edhe arsyeja, ku jam sot.

Cilat janë disa nga shfaqjet tuaj, qoftë në teatër ose film?

Po, kam bërë regjinë e disa shfaqjeve teatrale dhe të filmit. Disa nga to janë “ Tre shokët” , bazuar në veprën e shkrimtarin e madh Erik Maria Remart. Këtë shfaqje e kam punuar regjinë, e kam dramatizuar për Kosovë. Pastaj shfaqjen dramaturgjike të përmasave botërore “ Hamleti” . Regjinë e filmit “Ora policore” dhe “Kufiri në kuzhinë”.

Problemet që ballafaqohet  një regjisor?

Problemet janë nga më të ndryshmet, nëse mund t’i quaj ndonjëherë edhe banale. Me që jemi pjesë e shoqërisë, e cila ballafaqohet në përditshmëri me lloj- lloj problemi, deshëm ose jo edhe ne kemi të tilla, nga më të ndryshmet. Megjithatë, mundohemi  t’i kristalizojmë gjërat dhe t’i  kryejmë punët tona.

Bashkëpunimi i juaj me regjisor tjerë?

Bashkëpunimi nuk mungon. Megjithatë regjia  nënkuptohet si koncept në vete, ku nuk mund të gërshetohen disa ide të regjisorëve tjerë. Këtu nuk mund të merret çështja, ta zëmë sikur pjesëmarrja e dy punëtorëve fizik, në një punë e cila kryhet më shpejtë, më lehtë dhe natyrisht më mirë. Në regji kjo filozofi nuk vlen , sepse çdo regjisor e kryen punën e vet në koncept të tij.

A keni marrë pjesë me projektet tuaj jashtë Kosovës?

Duhet ta ceki, se kam punuar disa shfaqje me regjisor anglez, Toni Gredi dhe Margaret Bigizi. E kam punuar shfaqjen “Romeo dhe Zhuljeta”, kemi punuar edhe një shfaqje të huaj, me regjisor anglez.  Kam marrë pjesë me disa filma të metrazhit të shkurtër  në Shqipëri.  Nuk mungon bashkëpunimi me teatrot ndërkombëtare, gradualisht ka filluar një bashkëpunim serioz.

A kemi ne shfaqje teatrale që mund të paraqiten në nivele ndërkombëtare?

Po kemi, mund të paraqitem edhe nëpër teatro në botë. Mund të paraqitemi me disa regjisor, që nuk janë të shumtë. Mendoj se duhet të reformohemi në kokë më shumë,  jo vetëm në objekte dhe infrastrukturë.

Planet tuaja për të ardhmen?

Jemi të ftuar nga  Teatri i Gjilanit për të punuar një shfaqje ” Teatri në treg”. Është duke u  punuar nga dramaturgët, Tahir Arfi dhe Hasan Bonjaku. Kjo shfaqje ka të bëjë me problemet që rrethon kulturën tonë, këtu në Gjilan dhe problemet tjera. Shfaqja do të jepet diku ka fundi i shtatorit, eventualisht fillimi i tetorit . Pastaj jemi duke punuar edhe regjinë e një filmi i cili titullohet “ Kufiri në kuzhinë”,po ashtu me problemeve  rreth zonave kufitare, që ballafaqohen banorët tanë. Sinqerisht dua të ju them, se unë si regjisor, merrem kryesisht me probleme që ballafaqohet shoqëria jonë në radhë të parë, e mandej me teknikat e ndryshme regjisoriale edhe pse nuk i anashkaloj edhe këto.  

Filmi është projekt mjaft i kushtueshme financiar, sa arrihet të përballohet realizimi i saj në Kosovë?

Filmi ndihmohet pjesërisht, të jemi të sinqertë  filmi nuk ka mundësi edhe shumë të ndihmohet nga buxheti i Kosovës, me që dihet buxheti i saj . Film serioz mund të bëjmë vetëm koproduksion me shtëpitë filmike, jashtë Kosovës eventualisht bashkëpunimi i disa shtëpive filmike në Kosovë. Por problemi tjetër qëndron edhe te organizimi, na mungon shumë organizimi i mirëfilltë, mendojmë që për  një afat shumë ë shkurtër të organizojmë gjëra të mëdha këtu gabojmë. Çështja tjetër është se te ne, njerëzit e institucioneve, kam bindjen se nuk ja dinë edhe aq shumë rëndësinë filmit. Një gjë dua ta përmendi në Serbi  gjatë bombardimeve, kanë qenë duke u përgatitur nëntë filma.

Me që regjisorët dhe aktorët janë në korrelacion në projektet e tyre,  ju sa jeni të kënaqur me aktorët që keni bashkëpunuar?

I kënaqur, mund të them  pjesërisht. Kam punuar me aktorë shumë të mirë, pastaj me aktorë të mesëm dhe me ata që fare se kanë pas mendjen aty, gjatë xhirimeve. Kjo është kultura e jonë. Sidoqoftë jemi këta që jemi dhe nuk mund t’i ikim vetë- vetës, kudo qofshim. Problemet, duhet filluar të zgjidhen nga vetvetja, pra ai duhet të filloj të zgjidhet nga unë, e jo nga ti, si ato pozitive, po edhe ato negative.   

Sa ka hapësirë Gjilani në realizmin e filmit?

Ka hapësirë. Mendoj se në vitin e ardhshëm do ta realizojmë një serial që titullohet “Akademia ushtarake”jemi në negociata me RTK-në , xhirimet i kemi bë aty ku kanë qenë ushtria amerikane dhe te kazermat. Mund të gjenden vende në Gjilan për film dhe seriale.

A keni marrë pjesë në Luginë të Preshevës me ndonjë shfaqje tuaj?

Po, kemi marrë pjesë me një shfaqje për fëmijë, me aktorët e “Përrallës me tupan”, me Tifozin dhe me Gullën, shfaqjen e kemi dhënë në Preshevë, ndërsa në Bujanoc ende nuk e kemi dhënë, jemi në pritje të ftesës. Mendoj se ajo pjesë ka nevojë urgjente për vlera artistike. Ne kemi mbetur të kënaqur shumë në Preshevë, po ashtu edhe publiku është ndarë i kënaqur me ne!

A kemi regjisor të përmasave ndërkombëtare?

Po kemi, për fat e  kemi regjisorin     Hollivudian, Sten Dragoti. Edhe pse filmi kushton, duhet të gjejmë forma, që edhe aktorët tonë t’i tejkalojnë kufijtë shtetëror.

Koha e lirë për z. Sopi?

Po, herë pas herë lexojë, madje edhe shkruaj. Besoj se në një të ardhme të afër të do ta regjistroj Fakultetin filozofik dega psikologjisë.

Porosia e juaj për lexuesit tanë?

Të lexojnë dhe të punojnë sa më shumë, për një jetë më të mirë. Revistën tuaj e kam pas në dorë disa numra, them se është me kualitet. Është në ekuivalencë me njerëzit e ngritur.  


(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: