Harold Shipman, vrasësi më i madh serial në histori
| E Diel, 09.08.2009, 08:00 AM |

Doktori që u bë tmerri i botës, me më shumë se 200 vrasje në karrierën e tij për “mjekimin e të sëmurëve”

Si një kulturë universale, mjeku shihet gjithnjë si shpëtuesi i jetës së njeriut dhe individi të cilit i troket në derë kur shëndeti është në rrezik. Në shumicën dërrmuese të rasteve kjo është e vërteta, por si çdo herë duhet të ekzistojnë edhe përjashtime që të vërtetojnë një të vërtetë. Për këto arsye, mjeku mund të jetë një kamuflazh i përsosur për ata që nuk kanë dëshirë të ndihmojnë, krejt e kundërta madje.

Rasti më tipik dhe më i famshëm vërtitet rreth emrit të një mjeku nga Britania, Harold Shipman, që nga një mjek i zakonshëm, që do të rezultonte një vrasës serial manjak, më i madhi në historinë e njerëzimit, me më shumë se 200 vrasje në “karrierën e tij” të fshehur nën bluzën e bardhë.

Shipman përfundoi studimet në vitin 1970 në Universitetin e Lidsit dhe filloi punë menjëherë si infermier në Jorkshajër, ku katër vite më vonë do të gradohej në mjek të përgjithshëm. Një vit pas kësaj, ai do të duhet të paguante 600 sterlina, për falsifikimin e recetave mjekësore, në shërbim të tij. Deri këtu, Shipman nuk dukej se kishte diçka të veçantë në historinë e jetës së tij, duke trashëguar disa vese të zakonshme në mjekët e mbarë botës.

Krejt e kundërta madje, ai do të bëhej një pjesëtar i respektuar i komunitetit të Hajdit, në Britaninë Jugore, ku do të niste punë në vitin 1980. Për më tepër, ai do të merrte pjesë edhe në një dokumentar televiziv për të sëmurët mendorë, duke vijuar të jetë një personalitet në komunitetin lokal deri në vitin 1998.

Këtë vit, një kolege e tij, Linda Reynolds, do të vinte re diçka të pazakontë, që do ta bënte Shipmanin nga një person të respektuar, në një individ famëkeq në mbarë botën. Ajo do të vërente se ndër pacientët e Shipmanit, një numër shumë i madh vdisnin në mënyrë të pazakontë. Për më tepër, në shumicën e grave të moshuara që kishin humbur jetën, ai kishte kërkuar djegien e trupave, çka e bëri Reynolds-in të mendonte se Shipman, ose për shkak të neglizhencës, ose për shkak të qëllimeve të mistershme, i vriste pacientët e tij.

Çështja përfundoi në policinë e zonës, e cila nuk ishte e aftë që të gjente prova për Shipmanin. Ndërmjet 17 prillit të vitit 1998, kur policia ndaloi hetimet dhe deri në çastin që ai u arrestua, Shipman kishte vrarë edhe tre persona të tjerë. Viktima e tij e fundit ishte Kathleen Grundy, ish-kryebashkiake e Hajdit, e cila u gjend e vdekur në shtëpinë e saj në qershor të atij viti. Shipman, si në shumë raste të tjera, ishte njeriu i fundit që e pa të gjallë dhe më pas nënshkroi një certifikatë vdekjeje, ku shënoi “moshën e thyer” si shkak të saj.

Gjithçka do të shkonte vaj edhe këtë herë, nëse e bija e Grundy-t, një avokate, nuk do të ishte habitur kur noteri i së ëmës së saj e informoi se Grundy kishte ndryshuar testamentin, duke lënë 386 mijë stërlina tek mjeku i saj dhe asgjë tek fëmijët. Trupi i Grundy-t u zhvarros dhe u riekzaminua; në trupin e saj u gjet sasi e lartë diamorfine (një lloj heroine), e përdorshme për të ndihmuar në dhimbjen e pacientëve që janë në fazat e fundit të kancerit, çka Grundy-t nuk i duhej. Shipman u arrestua më 7 shtator 1998 dhe në shtëpinë e tij policia gjeti një makinë shkrimi, identike me atë që ishte shkruar testamenti i Grundy-t.

Kjo vdekje do të sillte një sërë surprizash, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për mjekët. Policia nisi të verifikonte raste të tjera vdekjesh, që ishin nënshkruar nga Shipman, duke dërguar 15 specialistë për të hetuar. Ata vërejtën se mjeti me të cilën ai vepronte, ishte i thjeshtë: u jepte pacientëve sasi vdekjeprurëse diamorfine dhe më pas nënshkruante certifikatat e vdekjes, duke shënuar se kishin shëndet të ligë.

Rasti i testamentit ishte i pari i këtij lloji në “karrierën” e Shipmanit. Më parë, ai kishte vrarë më shumë se 200 persona, por nuk kishte cekur asnjë qindarkë nga pasuria e tyre. Arsyet e këtij veprimi “jonormal” për një vrasës serial mund të kenë qenë të ndryshme, por Shipman nuk pohoi asnjëherë asgjë të tillë. Disa mendojnë se Shipman kishte planifikuar që të ikte jashtë shtetit duke dalë në pension në moshë 55-vjeçare ose se ai donte që të kapej nga policia për shkak se ishte lodhur me jetën që bënte.

Gjyqi i Shipmanit filloi më 5 tetor 1999, ku ai u akuzua për vrasjen e 15 grave, të vdekura ndërmjet viteve 1995-1998.

Pas 6 ditëve gjyq, Shipman u dënua në fund të janarit të vitit 2000 për vrasjen e 15 grave dhe për falsifikimin e testamentit të Kathleen Grundy-t, duke e dënuar me 19 vjet burgim dhe duke rekomanduar që të mos lihej kurrë i lirë.

Shipman nuk e pranoi kurrë fajësinë e tij, duke thënë se provat e gjykatës ishin të shpikura e si pasojë, nuk deklaroi asgjë për vrasjet. Avokatët e tij tentuan që çështjen e Grundy-t ta veçonin nga të tjerat, pasi ky rast ishte i vetmi që kishte një motiv të qartë, por pa sukses.

Pas kontrollit të arkivave të Shipmanit, policia dhe mjekët arritën në përfundimin se Shipman kishte qenë fajtori i vdekjes së 219 personave, ndërkohë që dyshime ekzistonin edhe për 31 të tjerë, nga 468 pacientë të vdekur gjatë karrierës së tij, duke u dhënë sasi të mëdha droge. Shipmani u vetëvar më 13 janar 2004, duke mos pranuar kurrë vrasjet e vërtetuara nga gjykata. Tabloidët britanikë rendën të inkurajonin të gjithë vrasësit seriaë të ndiqnin rrugën e Shipmanit; “The Sun” u çel me titullin “Ship Ship urra”. Shipman është vrasësi serial me numrin më të madh të vdekjeve në histori: doktori që u kthye në bishë.


G. Standard

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: