Shenjti i refugjatëve të luftës
| E Diel, 09.08.2009, 08:56 AM |

ANILA SHULKU / DW

Historia e Rupert Neudeck, që me një anije të blerë 30 vjet më parë, shpëton të gjithë refugjatët që rrezikojnë

Emri Cap Anamur vjen nga Azia e Vogël. Është emri i një kepi në jug të Turqisë, por edhe emri i anijes, me të cilën 30 vjet më parë, Rupert Neudeck, u shpëtoi jetën dhjetëra mijëra refugjatëve në ujërat në jug të Kinës.

Me barka dhe anije gati të shkatërruara refugjatët vietnamezë asokohe përpiqeshin të largoheshin nga vendi i tyre që kishte rënë në dorë të diktaturës komuniste. Udhëtime të rrezikshme, gjatë të cilave ata shumë shpesh bëheshin viktima të stuhive ose sulmeve të piratëve. Në një program televiziv gazetari gjerman, Rupert Neudeck, do t'u bënte thirrje gjermanëve për të dhuruar para për shpëtimin e refugjatëve.

"Ne e dimë fare mirë që në detin kinez mbyten çdo ditë mijëra njerëz, kështu që ata nuk mund t'i lëmë në dorë të administratës dhe politikës, organizatave e madje as OKB-së", - tha ai

Shpëtuan 11 mijë jetë njerëzish

Një milionë e dyqind mijë marka u mblodhën vetëm nga dhurimet e teleshikuesve atë mbrëmje dhe në ditët e mëpasshme. Me ato para Neudeck-u do të siguronte anijen në Hamburg dhe pikërisht më 9 gusht të vitit 1979, "Cap Anamur"-i do të nisej për në Detin Kinez. Neudeck-u mbështetej nga një sërë intelektualësh me zë në Gjermani, mes të cilëve edhe shkrimtari Heinrich Böll.

"Qeveria e Bonit ka marrë përsipër që t'u japë azil të gjithë refugjatëve. Me gjithë këtë premtim, peshkuesit e njerëzve janë në merak për ecurinë e aksionit. Organet zyrtare në Singapor u kanë vënë atyre 24 orë kohë në dispozicion për të bërë regjistrimin dhe transportimin e refugjatëve", - do të raportonte atë ditë televizioni gjerman.

Ishte misioni i parë, por jo edhe i fundit i “Cap Anamur”-it për shpëtimin e të ashtuquajturve "njerëz të anijeve" (boat people). Deri në vitin 1986 “Cap Anamur”-i në këtë mënyrë nxori nga deti afro 11.000 refugjatë. Njëra prej tyre ishte vietnamezja Trang Dai Vu.

"Ne jemi thellësisht mirënjohës, sepse pa ju dhe pa bujarinë e dhuruesve gjermanë, ne nuk do të ishim sot këtu, as unë e as familja ime", - do të thoshte ajo në një festë me rastin e 30-vjetorit të krijimit të shoqatës.

Përvojë me përndjekjet dhe ndihmat për Kosovën

Rupert Neudeck e dinte nga përvoja e vet se ç'do të thotë të jesh i përndjekur. Në moshën gjashtëvjeçare, në vitin 1945, ai e pati përjetuar vetë mjerimin e të përndjekurve në Gjirin e Gdanskut, në Detin Baltik, prandaj edhe përndjekjet dhe arratitë janë temat e tij më të rëndësishme.

Kështu edhe gjatë luftës së Kosovës, në vitin 1999. Falë intervistave të pafundme të dhëna nëpër media dhe përshkrimeve të gjalla të gjendjes së mjeruar të të përndjekurve brenda Kosovës - "njerëzit e maleve", siç i quante ai - në adresë të kosovarëve, nëpërmjet “Cap Anamur”-it, u mblodhën 40 milionë marka brenda katër javësh.

“Cap Anamur” tashmë është aktiv në pesëdhjetë vende të ndryshme të botës me projekte joburokratike rindërtimi, pikërisht aty ku ndihma është e pamundur për arsye politike. Burri me mjekrën e bardhë dhe shikimin e mprehtë nuk është më në krye të saj, por filozofia e tij mbetet: Është guximi për të sfiduar pushtetin në ndihmë të njerëzve. Ajo e ka burimin tek një përvojë e hidhur e historisë gjermane.

"Mungesa e kurajos ndaj nazistëve, mungesa e kurajos ndaj aparaturës së vrasjeve në masë. Unë nuk dua të jem më pa kurajo. “Cap Anamur” është rezultati më i bukur i nevojës që kanë gjermanët për të pasur guxim e për të qenë gjithmonë të guximshëm", - konkludon Neudeck me rastin e 30-vjetorit.

Që ky guxim nuk është vetëm një fjalë goje, e tregon gjyqi aktual që po zhvillohet në Itali ndaj pasardhësit të Neudeck-ut, Elias Bierdel, dhe kapitenit të anijes "Cap Anamur II", Stefan Schmidt. Në gusht 2004, ata u shpëtuan jetën 37 refugjatëve afrikanë, të cilët më pas i dorëzuan në brigjet e Italisë. Autoritetet italiane tani i akuzojnë dy aktivistët gjermanë për kontrabandë me njerëz. Në tetor pritet të merret vendimi.


(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: