Kujtim Majaci, shuarja e një legjende futbolli
| E Merkure, 15.07.2009, 08:00 PM |


Kujtim Majaci
Nga Altin Latifi
- Gazeta Shqiptare

Apolonia është lidhur shpesh me emrin e tij, pasi ai, Kujtim Majaci ka qenë padyshim futbollisti më i madh që ka veshur fanelën e skuadrës fierake. Dje, ish-sulmuesi dhe kryegolshënuesi i kësaj skuadre, është ndarë nga jeta, në një moshë fare të re vetëm 47 vjeç. Madje, është larguar ashtu krejt papritur, pas një loje me top në plazh dhe futjes në ujë. Një atak kardiak i ka marrë jetën legjendës së futbollit fierak, lojtarit që i dhuroi Apolonisë historinë më të lavdishme në sport. Ka qenë mesditë, kur Majaci sapo ishte futur në ujë pas një loje me top dhe sipas familjarëve, thuajse në çast i ka rënë infarkt. Dukej i vdekur, por njerëzit që ndodheshin aty pranë e kanë çuar menjëherë në spital, me shpresën se zemra e tij do të rrihte sërish. Por, mjekët nuk kanë mundur ta sjellin dot në jetë, duke konfirmuar vdekjen e tij "si rezultat i plasjes së artieries kryesore". Ish-futbollisti njihej se kishte probleme me diabetin, një sëmundje që sipas mjekëve, kohët e fundit i kishte prekur edhe zemrën.

Futbollisti

Kujtim Majaci është padyshim lojtari më i madh që ka nxjerrë futbolli fierak. Në 15 vjet karrierë me këtë klub, ai shënoi 176 gola, ndërsa veshi edhe tre herë fanelën e skuadrës kombëtare. "Në atë kohë, tek Apolonia ishin edhe Tole, Demçe apo Stefa me Poçin, që krijuam atë skuadër të madhe", rrëfente Majaci me modesti. Një njeri si ai, që futbollin e nisi në rrugicat e qytetit, diti të çante dhe të bëhej një yll. Pa mbushur 17 vjeç, ai ishte një futbollist kyç i Apolonisë, ndërsa në sezonin 1985-1986 shënoi 20 gola, duke kaluar Ilir Përnaskën. Vitet '80 ishin të arta për djaloshin fierak, teksa ndeshje si ato me Tomorrin, 17 Nëntorin, Besën apo Partizanin, nuk i ka harruar askush nga ata që i kanë përjetuar. Për çudi, Majaci luajti vetëm 3 ndeshje me skuadrën kombëtare.

Pas futbollit

Në 1993, Kujtim Majaci e braktisi futbollin, në moshën 31 vjeçare. Ishte një periudhë ndryshimesh për Apoloninë, fundi i një brezi të artë që i kishte dhënë asaj shkëlqimin dhe që lidhej padyshim me sulmuesin e saj më të mirë. Pas lënies së futbollit, ai punoi për pak kohë në Drejtorinë e Policisë si shef i MNZ-së. Më pas, shumicën e kohës ai është marrë me biznes. Në Fier të gjithë i dinin "bilardot e Kujtim Majacit", ndërsa së fundmi, ai kishte një pikë lotoje. Futbolli nuk i kishte dhënë të ardhura të mjaftueshme për të siguruar jetesën edhe pas lënies së tij, megjithatë Majaci nuk bënte jetë pasive. Të gjithë e dinin se përveçse futbollist, ai ishte edhe person "garip", nga ata që s'e linin kollaj veten pas dore.

________

Flet ish-sulmuesi fierak, Kujtim Majaci

“Jeta ime me Apoloninë e Fierit”

Nga Aurora DAMINI - Tirana Observer - Maj 2005

Kujtim Majacin e mbajnë mend të gjithë sportdashësit tanë. Emri i tij lidhet ngushtë me vitet e arta të ekipit të Apolonisë së Fierit. Legjenda e futbollit shqiptar, golashënuesi më i mirë i viteve '80, rrëfen karrierën sportive, çastet e paharrueshme dhe jetën e tij larg fushave të futbollit. Në një intervistë për "Tirana Observer", ish-futbollisti i njohur nuk ka nguruar të falënderojë edhe shokët e tij të asaj Apolonie që shkroi një histori më vete në futbollin shqiptar. "Nuk kam qenë vetëm unë, shprehet ai me modesti, kanë qenë edhe Demçe, Tole, Stefa, Poçi e shumë të tjerë që i dhanë emër Fierit me atë skuadër aq modeste. Unë kam pasur fatin e madh që të luaj me ta dhe të bëhem edhe golashënuesi më i mirë", thotë me modesti ish-futbollisti. Kujtim Majaci, emër ky që të sjell në mendje plot 174 golat e shënuar në karrierën e tij futbollistike, sot është 42 vjeç dhe megjithatë ndihet sërish në formën të mirë sportive. Duket se emri i tij është fashitur dhe nuk është më në qendër të gazetave apo mediave elektronike. Gjithsesi, asnjë fierak i brezit të viteve '80 nuk e harron idhullin e tij. Nuk është e vështirë për të gjetur Kujtimin. Tashmë ai qëndron në më të shumtën e kohës në qendër të Fierit, në një loto futbolli, ku Majaci thotë se ka shoqërinë e tij. Pasi e la futbollin punoi pak kohë në Drejtorinë e Policisë të Qarkut Fier, si shef i MNZ-së. Ekonomia e tregut e ka lënë babanë e 3 fëmijëve në një udhëkryq pa shumë zgjidhje.

Si e nisi futbollin

Mes një ngurrimi, Majaci nis të tregojë çaste nga fëmijëria e tij. Ka qenë i vetmi në familje që është marrë me sport. Hapat e parë në futboll i ka hedhur pikërisht në rrugicat e lagjeve të Fierit, ku ai luante me shokët e tij. Duke qenë djalë i vetëm, ai kujton interesin që tregonin familjarët për të. Këta të fundit kanë qenë kundër një aktivizimi të Kujtimit në këtë sport, me merakun se mos thyente ndonjë këmbë apo dëmtohej duke luajtur. Por pasioni për futbollin ka bërë të vetën. Ai kujton me respekt dhe dashuri trajnerin që e ka stërvitur fillimisht, Luftar Stronin, i cili ishte një nga ata që besonte shumë te djemtë e tij. Pasioni i madh për futbollin sfidonte kushtet tejet të këqija të asaj kohe, ku mungonin edhe gjërat më elementare. Por, ai top i rrumbullakët grumbullonte pasionin dhe dashurinë për sportin. Dhe kështu dora-dorës Majaci kujton karrierën e tij sportive, nga ekipi i fëmijëve te të rinjtë, ku pa mbushur 17 vjeç do të bëhej truri dhe zemra e ekipit të Apolonisë. Kujtim Majaci është golashënuesi më i mirë i të gjithë kohërave në historikun e futbollit fierak.

Ndeshja e Kavajës dhe këmisha legjendë e Majacit

Ka qenë viti 1986 kur pothuajse të gjithë sportdashësit fierakë i dalloje fare lehtë teksa shkonin në Kavajë. Ata mbanin një këmishë me ngjyrë të gjelbër me vija, ashtu si dhe idhulli i tyre, Kujtim Majaci. Besa e Kavajës atëherë ishte një nga ekipet më të forta të futbollit shqiptar. Kur Kujtim Majaci ka filluar të luajë me ekipin e Apolonisë në vitin 1979, kjo e fundit ishte në kategorinë e dytë. Nga viti 1985 e derisa ai la futbollin në 1993-in, Apolonia ka qenë vazhdimisht në kategorinë e parë. Ai kujton plot mallëngjim shumë ndeshje si ato me: Kavajën, Beratin, Partizanin, "17 Nëntorin" etj. Me Kavajën ndeshja lidhet me këmishën e tij, që fatkeqësisht burgosi shumë njerëz. Ishte shtatori i vitit 1986. Mes tifozëve kavajas dhe atyre fierakë fillon një rrëmujë e madhe në trena, autobus dhe stadium, si para ndeshjes ashtu edhe pas asaj. Tifozët e Apolonisë kishin veshur të gjithë një këmishë si ajo e Majacit, për nder të idhullit të tyre. Kjo ka qenë "Molla e sherrit" mes tifozëve.
"Ndeshje e bukur, kujton Majaci, ishte edhe ajo me 17 Nëntorin e një jave më vonë ku ne fituam 4 - 1". Takimi me Tomorrin është një nga ato ndeshje që tifozët zor se mund ta harrojnë. Kujtim Majaci thotë se 50 km rrugë iu desh t'i bënin për 5 orë, pasi tifozët sapo shikonin autobusin e Apolonisë e ndalonin për të përshëndetur dhe për të bërë fotografi me futbollistët.

Trajtimi që u bëhej futbollistëve provincialë

"Asokohe edhe yll të ishe nuk trajtoheshe mirë nga trajnerët, sepse ishe futbollist provincial", shprehet plot zhgënjim Kujtimi. Ai arrin të kujtojë vetëm një ndeshje të luajtur jashtë. Takimin në Francë me "Okserin", në vitin 1989, ku Apolonia humbi thellë. Për më shumë se 10 vjet, Majaci ka luajtur me ekipin e Shpresave dhe vetëm tri herë me përfaqësuesen e Shqipërisë. Ai është aktivizuar në ndeshjet me Rumaninë dhe me Spanjën vetëm në minutat e fundit. "Natyrisht futbollistët provincialë shikoheshin me syrin e njerkës", deklaron i trishtuar ish-futbollisti. Majaci ka lënë futbollin në moshën 31-vjeçare në vitin 1993. I dyshimtë është fakti se si Federata Shqiptare e Futbollit nuk e ka propozuar atë për titullin "Mjeshtër Sporti".

Pasionet e Kujtim Majacit

Patinazhi artistik, muzika e lehtë dhe kinemaja bëjnë pjesë te më të preferuarat e tij. Gjithashtu është i pasionuar pas Formula 1, që e ndjek me shumë kënaqësi.

Karriera futbollistike

Ka shënuar 174 gola në karrierën e tij
Është golashënuesi më i mirë i të gjithë kohërave në historikun e futbollit fierak
Ka luajtur 10 vjet me ekipin e Shpresave
Me kombëtaren shqiptare ka luajtur vetëm tri ndeshje


(Vota: 14 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: